Në rrugëtimin tonë të gjatë drejt Providencës Hyjnore, për çdo hap që hedhim përgjatë kësaj rruge të ndritur, ajo që na prin dhe na jep shpresë e siguri në këtë udhë ka qenë dhe mbetet fuqia që buron nga dija. Kjo dituri është ajo që bën të mundur orientimin tonë, e që kur mbështetet në Shpalljen Hyjnore, përmasat që merr i kapërcejnë kufijtë e tokës dhe qiejve.

Madhështia e kësaj porte, që hap rrugën për të dy jetët, nis me të madhërishmen fjalë nga Libri i Urtësisë Hyjnore: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).” (Alak, 1)

Lexo që të mund të hedhësh hapa drejt afrisë me Krijuesin; lexo që të mund të njohësh botën ku ke qenë, botën ku je, botën ku do të jesh; lexo që të mund të njohësh vetveten, materien dhe shpirtëroren, njerëzoren dhe hyjnoren; lexo që të mund të hedhësh vështrimin përtej kufijve të njerëzores; lexo që të mund të arrish kënaqësinë e shpresës se tek Ai je i pranuar.

Nën harkun e portës së dijes, plejada të tëra dijetarësh, mendimtarësh, të përkushtuarish në dituri, do të linin pasardhës pikërisht këtë amanet me kaq vlera, amanetin e përcjelljes së diturisë, kësaj frymëmarrjeje jetësore për njerëzimin.

Ishte po kjo porosi që la para më se dy dekadash “Pishtari i Ringjalljes së vlerave të Islamit”, Hirësia e tij, H. Hafiz Sabri Koçi, Kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas viteve ’90. Ai përgëzoi në atë kohë daljen në dritë të gazetës “Drita Islame”, me urimin: “Mirë se na erdhe, o Drita Islame, që për gjysmë shekulli, mjegulla dhe retë e kohës penguan rrezet tuaja që të shihnin qartë jetën tonë e të na ndriçonin shpirtrat” (Drita Islame, nr. 1, 10 janar 1992).

Urimi për gazetën “Drita Islame” ishte njëherazi edhe përcjellja e vazhdimësisë së amanetit të diturisë, që vinte nga simotrat e kësaj luleje të kopshtit të dijes së myslimanëve në Shqipëri, pararendëset e saj, “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”, që kishin marrë jetë në fillimet e para të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Ndërsa në ditët e sotme, “Drita Islame” vjen me një tjetër vizion, një tjetër këndvështrim, një dritare të re të mendimit të myslimanëve të këtij nënqielli, por jo vetëm, një tjetër hap në kupolën e bashkëveprimit dhe harmonizimit të shërbimit që duhet t’i japim këtij vendi të mrekullueshëm, këtij populli fisnik dhe këtyre njerëzve të dashur.

Asnjëherë më shumë se sa sot njerëzimi nuk e ka pasur kaq të domosdoshme dhe jetësore nevojën për dije, përkushtimin ndaj saj dhe pritjen e ethshme nga ajo çfarë vjen prej saj.

Në Fjalën e Allahut të ardhur për mbarë njerëzimin dëshmohet qartë vërtetësia, fuqia dhe vlera e paçmuar e diturisë: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?!” (Zumer, 9)

Ndërkohë që njeriu i ushqyer me Urtësinë Hyjnore, Mëshira e Botëve, i Dërguari i Fundit, me ëmbëlsinë më shumë se prindërore, me dashamirësinë që e veçonte nga çdo i dërguar tjetër, do të përcillte në rrjedhën e shekujve për gjithë njerëzimin: “Ose bëhu dijetar, njeri i dijes, ose ec në rrugën për të mësuar dije, ose përshko rrugën e sakrificës për dije, ose bëhu dashamir i botës dhe njerëzve të dijes…”

Për atë që është dhe përfaqëson, “Drita Islame” do vazhdojë të jetë drita e diturisë, drita e kthjelltësisë së mendjes dhe gjykimit, drita e edukimit dhe arsimimit, drita e shërbimit me aq devocion e çiltërsi, drita që do të lindë në horizontet e së nesërmes, e së ardhmes më të ndritshme, më të begatë, jo vetëm për besimtarët e qytetarët fisnikë të Shqipërisë, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Lutemi dhe shpresojmë që kjo dritë e pashuar, të jetë rrezja e diellit që vjen nga Drita e Përjetshme, dritë mbi çdo dritë, që ndriçon zemrat, shpirtrat, mendjet, gjykimet, arsyetimet dhe hapat që hedh çdokush nga ne drejt së nesërmes; që ndriçon shtëpitë, fshatrat e qytetet, Atdheun tonë aq të dashur e kombin tonë të shtrenjtë.

Kjo dritë dhe rrugëtimi i saj qoftë sihariqi më i madh për çdo zemër e çdo shpirt që dëshiron, lutet dhe përkushtohet ndaj të tjerëve për të ardhmen e pafundme.

Allahu Fuqiplotë i dhëntë krahë rrugëtimit të kësaj drite, këtij rrezatimi.

Mehmet Disha