بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَـنِ الرَّحِيمِ

إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْحُ (1) وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا (2) فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا (3)

Shqipërimi:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)
  2. dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe,
  3. atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.

E zbritur gjatë periudhës medinase, ka tre ajete. Surja Nasr, quhet ndryshe edhe si surja “Idha xha’e”. Transmetohet nga Aishja (r.anha) të ketë thënë: Pas zbritjes se sures إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْحُ Profeti (alejhi selam) në çdo namaz që falte lexonte shpesh në ruku dhe sexhde سبحانك اللهم ربنا وبحمدك اللهم اغفر ليZoti ynë është i pastër nga të gjitha cilësitë që tregojnë mangësi! Të gjitha lavdet dhe lavdërimet janë për Allahun, Allahu im më fal mua.[1]

Omeri (r.a.) e ftonte Ibn Abasin (r.a.) në kuvendin e konsultimit edhe pse ishte në një moshë relativisht të vogël. Sahabeve të tjerë, që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit u dukej e çuditshme kjo situatë. Një ditë, Omeri (r.a.) pyeti të pranishmit në kuvend se çfarë mendonin rreth sures Nasr. Përgjigjet ishin të ndryshme. Në fund pyeti edhe Ibn Abasin (r.a.). Përgjigja e tij ishte: “Kjo tregon se Profeti e ka përmbushur detyrën e tij dhe i është afruar fundit të jetës në këtë botë”. Omeri (r.a.) duke e vlerësuar për përgjigjen tha: “A ka njeri që e kundërshton pjesëmarrjen e këtij djaloshi në kuvendin tonë?”[2]

Transmetohet se kur zbriti kjo sure, Profeti Muhamed (s.a.s.) ka thënë: نعيت إلي نفسيMu njoftua se do të ndërroj jetë[3]. Për këtë arsye kjo sure quhet edhe surja التوضيع, surja e “lamtumirës”.

Në një transmetim tjetër thuhet se: Kur zbriti kjo sure Profeti (s.a.s.) e thirri Fatimen (r.a.) pranë vetes dhe i tha: نعيت إلي نفسيMu njoftua se do të ndërroj jetë”, në fillim ajo qau, më pas buzëqeshi. Kur e pyetën për arsyen ajo thotë: “Në fillim më njoftoi se do të ndërronte jetë dhe qava, pastaj më tha se unë do të jem e para nga familja që do të shkoj pas tij në botën tjetër dhe u gëzova”. Ka transmetime që kjo sure të ketë zbritur gjatë ditëve të teshrikut në Haxh, pra në Meke. Sipas disa interpretuesve të Kuranit kjo është surja e fundit e zbritur në Kuran, si sure dhe jo si ajet apo grup ajetesh.

 

TEFSIRI

إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْحُ

  1. Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)

نَصْرُ اللَّهِ ka kuptimin “ndihma e Allahut”. Premtimi i Allahut të Lartë për ndihmë dhe fitore se Profetin e Tij dhe besimtarët do t’i bëjë triumfues përballë armiqve të tyre. Kjo ndihmë dhe fitore, është fitorja e Profetit (s.a.s.) kundrejt politeistëve e arabëve, si dhe çlirimi i Mekës. Është thënë edhe që kjo është ndihma e Allahut për besimtarët dhe urdhri për çlirimin e vendeve të politeizmit nga besimtarët. Kuptimi i çlirimit nuk ka të bëjë vetëm me çlirimin e vendit, por më tepër ka të bëjë me çlirimin e zemrave me besim dhe islam. Arsyeja që ky çlirim është kuptuar si çlirimi i Mekës, është sepse zemrat e atyre që ishin të mbyllura ndaj fesë, për shkak të refuzimit që i bënë Kurejshët Islamit, pas çlirimit të Mekës dhe Taifit futen në Islam grupe-grupe.

Buhariu transmeton nga Amr b. Seleme të këtë thënë: Në kohën e çlirimit, të gjithë vrapuan për tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe u përqafuan Islamin. Të gjithë popujt i kishin sytë nga Meka për të pranuar Islamin dhe thoshin: “Le ta lëmë atë me popullin e tij, nëse ai fiton atëherë do të thotë se është profet”.

“Çlirimi” për të cilin flitet në sure, ashtu siç thotë edhe shumica e dijetarëve se është çlirimi i Mekës, në të njëjtën kohë, është edhe hapja e zemrave ndaj fesë së Allahut. Me hapjen e derës së Islamit për të gjithë botën, ky u quajt si çlirimi i çlirimeve. Shtrirja e Islamit menjëherë në të gjithë gadishullin arabik dhe prej aty në të gjithë botën, çlirimet materiale dhe shpirtërore të Islamit filluan pas hapjes së dyerve të Qabes.

Sipas Meududit komentimi i ajetit është kështu: Ajo çka kuptohet nga Fet’h nuk është një fitore e caktuar në një luftë. Në fakt, këtu ka për qëllim një fitore të pakontestueshme. Kjo është një periudhë e tillë ku nuk ka mbetur më asnjë fuqi që t’i dalë përballë Islamit dhe Islami ka triumfuar në të gjithë Arabinë. Disa interpretues të Kuranit në këtë ajet kanë kuptuar çlirimin e Mekes. Por, çlirimi i Mekes ka ndodhur në vitin e 8-të hixhri, ndërsa kjo sure ka zbritur në fundin e vitit të 10-të hixhri. Ndër të tjera, edhe interpretimi i Ibn Abasit (r.a.) bie ndesh me këtë mendim. Ai është i mendimit se, surja Nasr është surja e fundit e zbritur në Kuran. Në këtë situatë, ajeti nuk mund të ketë kuptimin e çlirimit të Mekes, sepse surja Teube ka zbritur pas kësaj sureje. Atëherë, si është e mundur që surja Nasr të jetë surja e fundit e zbritur në Kuran?

Padyshim që, çlirimi i Mekes, nga një pikëpamje, mund të cilësohet si fitore e pakontestueshme, sepse pas kësaj ngjarje politeistëve iu dobësua hovi që kishin ndaj myslimanëve. Pavarësisht kësaj, mes politeistëve kishte akoma forcë e fuqi të mjaftueshme. Vetëm pas fitoreve të arritura në Taif dhe Hunejn u bë e mundur që Islami të triumfonte në të gjithë Arabinë, dhe kjo ndodhi dy muaj pas çlirimit të Mekës.

Pra, kishte kaluar periudha kur njerëzit futeshin në Islam nga dy e nga tre, dhe tani kishte ardhur koha kur njerëzit futeshin në grupe e fise në Islam. Kjo situatë kishte filluar në fillim të vitit të 9-të hixhri. Për këtë arsye, ky vit u quajt si “viti i grupeve”. Nga çdo cep i Arabisë njerëzit vinin në grupe tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i jepnin besën atij dhe futeshin në Islam. Kur Profeti (alejhi selam) kryen haxhin e lamtumirës në vitin e 10-të, të gjithë arabët ishin bashkuar nën një flamur dhe nuk kishte mbetur më asnjë politeist.

Sipas disa interpretuesve bashkëkohorë, me Fet’h nuk synohet çlirimi i vendeve, por më tepër ka si qëllim çlirimin e zemrave me iman dhe Islam. Ndoshta, ky është edhe më i madhi. Çlirimi i vendit madje kalon nga çlirimi i zemrave. Pa u çliruar zemrat, nuk mund të çlirohen vendet, edhe nëse arrihet, atëherë ky quhet pushtim e invazion.

وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا

  1. Dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe

Në ajet nuk është shprehur دخُلُوا u futën, por يَدْخُلُونَ duke hyrë, duke dhënë sihariqin se nuk do të futen të gjithë njëherësh, por kur të fillojnë të futen do të vijojnë njëri pas tjetrit. “Nas njerëzit, përfshin arabët dhe jo arabët, edhe ata që hyjnë në të ardhmen futen në këtë kategori. Pra, futen aq shumë, në أَفْوَاجًا grupe-grupe dhe në grupe. Pas çlirimit të Mekes nuk ka pasur luftë tjetër përveç Hunejnit dhe Taifit, dhe gjatë kësaj periudhe paqeje që zgjat dy vjet deri në largimin e Profetit (s.a.s.) nga kjo botë, të gjithë arabët, duke ardhur te Profeti (alejhi selam) në gupe, në turma dhe delegacione të shumta, i japin besën Profetit (alejhi selam) dhe futen në Islam. Kur të vijë ndihma dhe fitorja e premtuar nga Allahu i Lartë, dhe kur t’i shohësh njerëzit të futen turma-turma në fenë e Allahut,

 

فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا

  1. Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve

Allahu i Lartë i thotë Profetit (s.a.s.) se, kur e gjithë Arabia të bëhet myslimane dhe kur t’i shohësh njerëzit të futen në Islam grupe-grupe, do të thotë se misioni yt në këtë botë është drejt fundit. Pas kësaj, e ka urdhëruar Profetin (alejhi selam) që të angazhohet me falënderimin dhe lartësimin e Allahut (xh.sh.), sepse ai (s.a.s.) vetëm me ndihmën e Allahut arriti një sukses kaq të madh.

Në këto ajete, Allahu i Lartë e urdhëron Profetin (alejhi selam) se, kur të vijë ndihma e Allahut e t’i shohësh njerëzit të futen në Islam grupe-grupe, lartësoje Zotin tënd, duke e falënderuar, dhe kërko falje prej Tij. Ky ajet i drejtohet Profetit Muhamed (a.s.), por duke qenë se veprimet e Profetit (s.a.s.) janë shembull për çdo besimtar, duhet që çdo besimtar, kur të shohë ndihmën e Allahut, ta falënderojë Atë dhe të kërkojë falje prej Tij.

Këtu ka edhe një pikë të rëndësishme, ndryshimi ndërmjet një lideri të kësaj bote dhe profetit. Nëse një lider i kësaj bote arrin të kryejë një revolucion të madh, ai njeri duke u mburrur me udhëheqjen e tij do të organizonte festime të shumta. Ndërsa, Profeti Muhamed (alejhi selam), i cili, për një kohë relativisht të shkurtër, 23 vjeçare, duke ia shndërruar rrënjësisht popullit të tij besimin, ideologjitë, moralin, kulturën, politikën e ekonominë, si dhe botëkuptimin rreth luftës, arriti ta nxirrte popullin nga injoranca e errët ku ishte zhytur, duke e sjellë në një gjendje që ishin të përshtatshëm për të udhëhequr gjithë botën. Pavarësisht këtij fakti, në vend që të festonte e të krenohej me arritjet e tij, atij (s.a.s.) iu urdhërua që të falënderonte Allahun dhe të kërkonte falje prej Tij.

Lartësimi i Zotit është lartësimi i Tij nga çdo e metë. Sipas transmetimit të interpretuesve të Kuranit kur e pyetën Profetin (s.a.s.) për tesbihun, tha: “Lartësimi i Allahut nga çdo e metë[4]. Pra, tesbih ka kuptimin e lartësimit të individualitet të Allahut, atributeve dhe emrave të Tij nga çdo e metë e mangësi. Sipas Ebu Suud ka edhe kuptimin: “duke e falënderuar Allahun të thuash Subhanallah”.

Kuptimi i “hamd” këtu është në këtë formë: “As që duhet ta çosh nëpër mend se ky sukses u arrit me marifetet e tua. Kjo ka ndodhur plotësisht me mëshirën e Allahut. Për rrjedhojë, falënderoje Allahun dhe shprehe këtë me gjuhë e zemër, sepse realizuesi i një vepre kaq të madhe dhe krijuesi i këtij suksesi të madh është vetëm Allahu (xh.sh.) dhe vetëm Ai është i denjë për t’u falënderuar.”

Një kuptim tjetër i “tesbihut” këtu është: “Allahu nuk ka nevojë për përpjekjet tuaja që të lartësojë fjalën e Tij. Shpreheni këtë të vërtetë dhe duhet ta besoni plotësisht se, suksesi i përpjekjes tuaj arrihet vetëm me mbështetjen dhe ndihmën e Allahut. Allahu ia bën të mundur realizimin e një punë cilit të dojë Ai prej robve të Tij. Që robit t’i jepet një mundësi e tillë për të realizuar diçka, është prej mirësisë së Allahut. Dhe, mirësia e Allahut ndaj jush është që t’jua japë juve nderin për t’i shërbyer fesë së Tij.” Po ashtu, të thuash “subhanallah” shpreh edhe një lloj habie apo çudie. Kur ndodh diçka që është e vështirë të perceptohet nga mendja njerëzore themi “Subhanallah”. Dhe kuptimi është që, asgjë tjetër përveç forcës e fuqisë së Allahut nuk mund ta krijojë diçka kaq mahnitëse.

وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve. Ata që kthehen me pendim, Ai i fal.

Teube ka kuptimin e pendesës ndaj gjynahut të kryer dhe është një kthese për të qenë i vendosur që të mos e përsërisësh më atë gjynah. Ndërsa, Istigfar ka kuptimin e të kërkuarit falje prej Allahu (xh.sh.). Askush nuk mund të bëj teube për dikë tjetër veç vetes së tij, por mund bëj istagfar për gjynahet e të tjerëve, pra, mund të kërkojë që Allahu t’i falë ata. Në Kuran thuhet: رَبَّنَا اغْفِرْ لِي وَلِوَالِدَيَّ وَلِلْمُؤْمِنِينَ يَوْمَ يَقُومُ الْحِسَابُO Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari.[5], si ky ajet ka edhe plot shembuj të tjerë. Për këtë arsye urdhri në ajet وَاسْتَغْفِرْهkërko falje nga Ai”, mbart edhe kuptimin që, Profeti (alejhi selam) nuk e ka të detyruar që të kërkojë falje vetëm për veten e Tij, por mund të kërkojë falje edhe për popullin e tij. Më tepër ky urdhër është që të kërkojë falje për popullin e tij, sepse Allahu i Lartë e ka ruajtur Profetin Muhamed (s.a.s.) nga gjynahet. Për rrjedhojë, istigfari i tij është që t’u mësojë njerëzve se sa i nevojshëm është istigfari, që t’i kërkojë falje Allahut për popullin e tij dhe, duke qenë se ai vazhdimisht lartësohej në grada, duke e parë gradën e mëhershme si më të ulët bënte istigfar.

Aishja (r.a.) transmeton se, kohët e fundit Profeti (alejhi selam) e kishte shtuar përsëritjen e shprehjes: سبحان الله وبحمده أستغفر الله وأتوب إليه dhe kur e pyesin për arsyen, Ai thotë: “Zoti im më njoftoi se do të më tregonte një shenjë nga populli im dhe, kur e pashë atë, më urdhëroi që ta falënderoja atë duke e lartësuar dhe t’i kërkoja falje Atij”.[6]

Këshillohet që, ai që fal namazin të bëj tri herë istigfar pas farzit, ai që fal namazin e natës (tehexhud) të bëj istigfar sa të dëshirojë deri në kohën sabahut dhe, haxhiu që bën haxh të bëj istigfar. Po ashtu, njoftohet nga transmetimet e ndryshme se duhet bërë istgfar pas abdesit dhe çdo mbledhjeje. Profeti (s.a.s.) pasi ngrihej nga mbledhja thoshte سبحان الله وبحمده أستغفر الله وأتوب إليه.[7]

Transmetohet se kur zbriti kjo sure Profeti Muhamed (s.a.s.) mbajti një hutbe dhe tha: “Allahu e la të lirë një rob që të zgjidhte midis takimit me Atë dhe kësaj bote. Ai, robi zgjodhi takimin me Allahun.[8] Robi për të cilin flet Profeti Muhamed (s.a.s.) në këtë hadidh është vetë ai. Ebu Bekri (r.a.), i cili e kuptoi se çfarë donte të thoshte Profeti (s.a.s.) dhe se ai kishte preferuar largimin nga kjo botë, tha: “U flijofshim ne, pasuria jonë, paraardhësit e pasardhësit tanë për ty, o i Dërguari i Allahut!”

Në një tjetër transmetim thuhet: Kur Profeti (s.a.s.) ia lexoi këtë sure shokëve të Tij u gëzuan, ndërsa xhaxhai i tij, Abasi (r.a.) qau. Profeti (s.a.s.) tha: “Pse qan xhaxha?” Ai i tha: “Ty po të lajmërohet vdekja.” Profeti (s.a.s.) ia ktheu: “Po, ashtu është”.[9]

Këshilli Botues, KMSH

[1]. Buhari, Tefsiru Sure 110, 1, 2; Muslim, Salat 218-220.

[2]. Buhari, Tefsiru Sure 110, 3.

[3]. Buhari, Tefsiru Sure 110, 3; Alusi, Rruhul-Meani, XXX, 326.

[4]. Ibn Maxhe, Ikamet 179; Musned, V, 384; Alusi, Rruhul-Meani, XXX, 326.

[5]. Surja Ibrahim, 14:41

[6]. Muslim, Salat 221; Nesai, Sarik 3; Ibn Maxhe, Hudud 29; Darimi, Rikak 15; Musned, II, 282, 341, 450; VI, 35, 77, 184.

[7]. Muslim, Salat 218-220, Musafirin 201; Ebu Daud, Salat 119, Edeb 27; Tirmidhi, Daauat 32.

[8]. Buhari, Menakibul Ensar 45, Salat 80, Fadailul-Sahabe 3, Menakibul Ensar 45, Muslim, Fadailul Sahabe 2.

[9]. Buhari, Tefsiru sure 110, 3; Darimi, Mukadime 14; Musned, I, 217, 344, 356, 449.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu