KUR NA PRANOHET LUTJA?

Muslim man is praying in mosque

Dikush e pyeti imam Ahmedin: “O imam i nderuar, kur na pranohen lutjet?

Imami Ahmedi iu përgjigj: “Kur ato shoqërohen me përgjërim.”

Burri i tha: “Ma shtjello pak më shumë.”

Imam Ahmedi iu përgjigj: “Imagjino një person mbi një anije në një det me dallgë. Anija mbytet dhe ky person mbetet sipër dallgëve të çmendura. Ajo që e mban sipër është një dërrasë e madhe. I frikësuar dhe i tmerruar nga frika, ai thërret me të madhe: O Zot, o Zot. Nëse luteni si ai person, për Zotin nuk ka lutje që t’ju kthehet mbrapsht”.

ME SHOKËT E PROFETIT A.S.

Tregohet se një nga shokët e Profetit a.s. shkoi tek ai dhe me lot në sy i tha: “O profet i Zotit, lutu për mua, se jam bërë hipokrit”.

Profeti a.s. e pyeti: “Çfarë ka ndodhur?”

Sahabiu i tha: “Kur jemi me ty, më duket sikur fluturojmë me engjëjt dhe nuk na shkon mendja për këtë dynja, ndërsa kur shkojmë në shtëpitë tona, fillojnë problemet me gratë, me fëmijët, me dynjanë dhe e harrojmë atë që ti na thua. Kjo është hipokrizia që kam bërë unë”.

Profeti buzëqeshi pastaj ia ktheu: “Zoti të mëshiroftë. Nuk është kështu si thua ti. Sikur të ndiheni në shtëpitë tuaja, ashtu siç ndiheni kur jeni me mua, do të vinin engjëjt e do t’ju jepnin ‘selam’ nëpër rrugë, por një orë për zemrën, një orë për trupin, një orë për familjen. Kjo është feja e Zotit”.

NJË COPËZ MISHI MES DY NOFULLAVE

Kur përmendet gjuha, mendja fluturon menjëherë te kjo copëz mishi mes dy nofullash, që merr forma të ndryshme fizike dhe që na shërben për të përpunuar dhe përtypur ushqimin e lëngjet. Për t’i dhënë zërit formën e duhur e për të nxjerrë shkronja dhe fjalë të caktuara. Për ta konstatuar këtë mjafton të vërejmë se si sillemi me gjuhën në rastin e dy sëmundjeve të saj: në rastin kur në gjuhën tonë del ndonjë puçërr dhe fillon të na bezdisë, nuk vonohemi për të shkuar te mjeku. Sa më e madhe të jetë kjo lloj sëmundje aq më i madh do të jetë interesimi dhe aq më i shpejtë do të jetë reagimi, vajtja te mjeku. Po në rastin e sëmundjes së mëkatit të gjuhës, a ndodh kështu?!

Profeti Muhamed a.s. na mëson se Islami është i thjeshtë dhe jetik, jo sepse i thjeshton gjërat, por sepse di të shpjegojë thjeshtë rëndësinë e gjërave. Një herë Profeti a.s. po i shpjegonte Muadhit a.s. disa lloje të rëndësishme të punëve të mira. Në fund i tha: “A do të të tregoj për kryerjen e të gjithë të mirave? Profeti a.s. e nxori gjuhën dhe iu drejtua Muadhit r.a.: Frenoje këtë. Mirëpo vendosja e çështjes së gjuhës në të njëjtin kontekst me namazin, zekatin, sadakanë, etj., e habiti Muadhin r.a. dhe e bëri që ta pyeste Profetin a.s.: “O Profet i Zotit, a do të merremi në llogari për ato çka thonë gjuhët tona?!” Profeti a.s. e kuptoi se problemi i Muadhit qëndronte te thjeshtimi i gjërave, sakaq iu përgjigj: “O Muadh, nuk ka gjë më të rrezikshme që i hedh njerëzit me kokë në zjarr të xhehenemit se sa gjuhët e tyre”.

KUJDES NGA TEPRIMI

Profeti a.s. na paralajmëroi kundër nënshtrimit tonë ndaj dëshirave kur tha: “Frika ime më e madhe është teprimi në lidhje me ngrënien dhe frika ime më e madhe për ju është grykësia e tepruar në lidhje me stomakun dhe organet gjenitale, si dhe me prirjet që ju largojnë nga udha e drejtë”. (Ahmedi)

Prandaj duhet të hamë në atë sasi që është e dobishme për ne dha na jep energjinë e duhur që të kryejmë veprat e adhurimit dhe të bindjes ndaj Zotit.

Ky koncept është theksuar në Kur’an, ku Allahu i Madhëruar thotë: “…hani e pini dhe mos e teproni, se Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.” (A’raf, 31)

Redaksia