Ndikimi i Abdestit në meridianet e energjisë së njeriut

Allahu i madhërishëm na ka shpallur se çdo gjë e ka krijuar nga uji:

 “…ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi…”[1]

Ujin i përzier me dheun krijoi baltën:

“Ai është që ju krijoi nga balta…”[2]

Dhe nga balta krijoi njeriun:

“Dhe (përkujto) kur Zoti yt engjëjve u tha: “Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë e me erë.”[3]

Pastaj Allahu e frymëzoi me shpirtin e Tij:

“E kur ta përsosë atë (në formën e njeriut) dhe t’i japë atij shpirtin që është krijesë Imja…”[4]

Askush prej nesh nuk e ka përjetuar krijimin, por do të përjetojmë vdekjen:

 “…Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë…”[5]

Pra, njeriu u krijua nga uji dhe toka, dhe urtësia qëndron në atë që njeriu i kthehet burimit të tij.

Kusht për robin është të jetë i pastër kur qëndron para Krijuesit, të marrë abdes, e nëse nuk mundet, mund të marrë tejemum (pastrim simbolik).

Allahu i madhërishëm thotë:

“O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë…”[6]

Në gjuhën arabe fjala vudu’ (abdes) d.m.th. pastërti, qartësi dhe shkëlqesi.

Abdesi është çelës i xhenetit dhe për këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush prej jush e plotëson abdesin dhe pas përfundimit thotë: “Dëshmoj që nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe se Muhammedi s.a.v.s. është robi dhe i dërguari i Allahut”, do t’i hapen tetë dyert e xhenetit për të hyrë në të cilën dëshiron.”[7]

Abdesi është dritë në dynja dhe ahiret. Në këtë botë lë gjurmë në formë drite në fytyrë dhe qetësi në zemër dhe e bën jetën e njeriut oazë të jetës dhe burim i besimit të fuqishëm, ndërsa në botën tjetër kjo dritë do t’ia zbukurojë fytyrën dhe këmbët e besimtarit.

Ai do të jetë shenjë me të cilën Pejgamberi s.a.v.s. në ditën e Gjykimit do t’i njohë besimtarët.

Disa sahabë e pyetën Pejgamberin a.s.: “Si do të njohësh o i Dërguar i Allahut atë i cili vie pas teje nga ummeti yt?” Ai u përgjigj: “A thua njeriu nuk mund të njohë kalin e tij i cili ka shenjë të bardhë në ballë dhe këmbë kur gjendet në mesin e kuajve të zinj?” Sahabët u përgjigjën: “Natyrisht se mundet.” Në këtë Pejgamberi a.s. tha:

       “Kështu besimtarët kur do të vijnë te burimi (haud) do të kenë fytyra dhe këmbë të shndritshme nga gjurmët e abdesit.”[8]

       Allahu i madhërishëm u ndihmon njerëzve që nëpërmes abdesit të pastrohen nga mëkatet dhe ngritën në shkallë më të lartë. Duke falënderuar abdesit ata do të jenë të përgatitur të presin takimin me Allahun e madhërishëm, siç ka thënë i Dërguari i Allahut: “A do t’ju tregoj me çfarë Allahu fshin mëkatet dhe ngritë?” Thanë: “Po i Dërguar i Allahut.” Ai tha:

“Marrja e abdesit me rregull, hapat e shumtë deri në xhami, pritja e namazit tjetër pas namazit, ky është xhihadi juaj.”[9]

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Pastërtia është gjysma e besimit!”[10]

Ja si Islami ka kujdes për marrjen e abdesit me rregull duke arritur me këtë pastrimin e jashtëm dhe të brendshëm të myslimanit. Vërtetimi më i mirë i kësaj që islami potencon në vazhdimësinë e pastërtisë trupore e shpirtërore është thënia e Pejgamberit s.a.v.s.: “Kush merr abdes me rregull, kryen namazin e obliguar, do t’i falen mëkatet.”[11]

Shtrohet pyetja: Ku qëndron fshehtësia e harmonisë në mes njeriut dhe botës?

Kjo është energjia shpirtërore e fesë, e energjisë së balancuar në formën më subtile. Frutat e kësaj energjie qartë paraqiten në trup dhe në shpirtin njeriut, sikur që thotë Ibn Abbasi r.a.: “Vërtetë vepra e mirë jep shkëlqim në fytyrë dhe zemër, rrit nafakën, fuqizon trupin dhe ndikon që tjerët ta duan. Ndërsa vepra e keqe vërtetë shkakton nxirje dhe errësirë në fytyrë dhe zemër, dobëson trupin, zvogëlon nafakën dhe shkakton urrejtjen e njerëzve.”

Abdesi vërtetë kthen fuqinë në trupin e njeriut, pastron mëkatet, sepse mëkatet dhe veprat e këqija ndikojnë në gjendjen psikofizike të njeriut, me ç’rast njeriu humb fuqinë. Ilaç për këtë është abdesi. Muslimi në hadithin sahih që e transmeton Amr ibn Abese i cili iu lut Pejgamberit s.a.v.s. duke i thënë:

“I Dërguar i Allahut më trego për abdesin?” Ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Secili prej jush i cili merr abdes e me këtë rast pastron gojën dhe hundën, nëpër mjekër së bashku me ujin i bien mëkatet nga fytyra, kur pastron duart deri mbi bërryla, nëpër gishtërinj i bien mëkatet nga duart, kur bën mes’h kokën, së bashku me ujin i bien mëkatet nga koka, kur pastron këmbët deri mbi nyje, me ujin nëpër gishtërinjtë e këmbës i bien mëkatet e këmbës, kur ngritët dhe falet dhe falënderon Allahun e madhërishëm ashtu siç e meriton Ai, dhe ia dorëzon zemrën Allahut, pas kësaj do të jetë i liruar nga mëkatet sikur në ditën kur e ka lindur nëna.”[12]

Sikur njeriu të pastrohej me të gjitha mjetet për pastrim, por nuk do të kryente lëvizjet e parapara me rregullat e abdesit të cilat Krijuesi i Urtë na ka urdhëruar, nuk do ta arrinim energjinë dhe harmoninë e merituar.

Shtrohet pyetja: A thua mëkatet lidhen me dorë, këmbë, fytyrë dhe vesh?

Është fakt që mëkatet lënë gjurmë të mëdha në meridianët nëpër të cilët rrjedh energjia vitale, si dhe në fushën vitale e cila rrethon trupin e njeriut. Në realitet, mëkatet e çrregullojnë fushën elektromagnetike e cila pastaj reflektohet në shëndetin e njeriut.

Njeriu siç dihet paraqet një energji kimike dhe elektromagnetike. Kjo energji kuptohet si energji vitale e cila shndërrit nga trupi ynë dhe quhet prana ose vital force. Sido që ta quajmë, kjo energji paraqet diç që realisht është prezentë.[13]

Abdesi është begati dhe dritë. Allahu i madhërishëm lavdëron ata që pastrohen:

“…Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen.”[14]

Fryti i kësaj dashurie rrjedh nga fshehtësia e emrit të Allahut el – Hafidh (Ai i Cili vigjilon gjithnjë mbi ne). Në të vërtetë Allahu e ruan njeriun me armën e jashtme dhe të brendshme, e kjo armë është abdesi. A thua edhe kjo nuk është një begati e Allahut të madhërishëm:

“…në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër) …”[15]

Një abdes mbi tjetrin është sikur se një dritë mbi tjetrën. Për këtë Pejgamberi s.a.v.s. kur nisej për namaz lexonte këtë lutje: “O Zoti im, më jep dritë në zemër, dritë në sy, dritë në vesh, dritë nga ana e djathtë, dritë nga ana e majtë, dritë mbi mua, dhe dritë nën mua.”[16]

Në bazë të kësaj që përmendëm është e qartë që njëra prej begative të fshehta për besimtarin është abdesi i cili rikthen baraspeshën primare në fushën vitale e cila rrethon njeriun dhe rregullon secilin çrregullim në meridianët nëpër të cilët rrjedh energjia. Përveç pastërtisë fizike, abdesi e mbron njeriun nga gjithë ndikimet negative të teknologjisë bashkëkohore dhe ndotjes së mjedisit e cila ndikon në energjinë vitale të njeriut.

O Allah i madhërishëm na mundëso që t’i kryejmë obligimet Tuaja ashtu që Ti të jesh i kënaqur!

Prim. dr. med. sc. Ali F. Iljazi        


[1] El – Enbija, 30

[2] El – En’amë, 2

[3] El – Hixhr, 28

[4] El – Hixhr, 29

[5] El – Enbija, 104

[6] El – Maide, 6

[7] Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu

[8] Muslimi, Nesaiu, Ibn Maxhxheh

[9]  Muslimi dhe Tirmidhiu

[10] Muslimi

[11] Ahmedi dhe Muslimi

[12] Muslimi

[13] Brecher, Secrets of Energy Work, Darling, Kindrsley.

[14] El – Bekare, 222

[15] Ibrahim, 34

[16] Buhariu