Prof. Dr. Ajhan Tekinesh

Mjekësia është shkenca që merret me sëmundjet dhe mjekimin e tyre. Ekziston një lidhje e afërt midis planit të pasmë ideor të sëmundjeve dhe mjekimit. Opinionet dhe besimet lidhur me entitetin, shkaqet dhe rezultatet e sëmundjeve ndikojnë vështrimin mbi mjekimin dhe shërimin. Ndërkaq, sëmundja është pjesë e pandarë e jetës së njeriut. Prandaj janë shumë çështje lidhur me sëmundjen brenda rrjedhës së jetës. Shumë çështje, si pastërtia, sëmundjet gjinekologjike, vizita te të sëmurët, përgjegjësitë juridike të të sëmurëve, trashëgimia, familja dhe fqinjësia kanë lidhje me sëmundjet. Edhe çështjet metafizike, si e mira-e keqja, kaderi ose fati i paracaktuar, dorëzania shpirtërore (tevekkul), vdekja dhe përtejvdekja janë bindje që i japin formë konceptit sëmundje.

Në Kur’an dhe në Traditën Profetike ka shumë tekste të shenjta (nass) të drejtpërdrejta dhe të anasjella mbi sëmundjen. Madje, në kuadër të ajeteve dhe haditheve lidhur me mjekimin, është formuar mjekësia profetike. Në shkencën e mjekësisë profetike janë trajtuar shumë çështje, si sëmundjet, profilaksia, barnat, metodat e mjekimit, normat juridike dhe moralo-etike që duhen respektuar në mjekim. Në këtë shkrim do të trajtohen marrëdhëniet fe-mjekësi, parimet metafizike dhe konsideratat mbi sëmundjet.

Marrëdhëniet fe-mjekësi

Në të gjitha traditat e vjetra, feja dhe mjekësia kanë qenë vazhdimisht së bashku. Madje, kjo bashkësi mund të vëzhgohet në betimin e famshëm të Hipokratit që pretendohet se e ka trajtuar mjekësinë për herë të parë si një entitet shkencor, duke e nxjerrë nga brenda filozofisë. Betimi në krye të tekstit të betimit mbi zotat e shëndetit, tregon marrëdhënien e afërt midis mjekësisë dhe fesë[1]. Pikëpamja tradicionale mbi mbështetjen e mjekësisë është që informacionet e para u janë njoftuar njerëzve me rrugën e revelacionit hyjnor. Edhe dijetarët myslimanë e kanë pranuar se parimet themelore dhe shembujt e parë të shkencës së mjekësisë u janë bërë të ditura njerëzve me rrugën e revelacionit hyjnor. Në një hadith profetik, Profeti Muhamed (a.s.) tregon se një ushqim i këshilluar prej tij, “është lavdëruar nga shtatëdhjetë profetë para tij”[2]. Kjo shprehje, siç informon se profetët (a.s.) u kanë dhënë bashkësive të tyre informacione mbi bimët mjekësore, ashtu dhe tërheq vëmendjen për ekzistencën e lidhjes së këtyre informacioneve me detyrën profetike.

Parimet themelore të mjekësisë shpallur profetëve me anë të revelacionit hyjnor, janë zhvilluar, pastaj, me anë të eksperimentit, vëzhgimit dhe analogjisë[3]. Kjo pikëpamje nuk është diskutuar vetëm nga myslimanët, por është shprehur edhe nga të krishterët, madje, nga mjekët idhujtarë romakë. Për shembull, romaku Galen ndër mjekët e njohur të periudhës paraislame, ka thënë se burimi i mjekësisë është hyjnor, duke u shprehur kështu: “Arti i mjekësisë është evident me anë të mësimit të Zotit, është dhuratë e Tij, është një favor i Tij për të birin e njeriut!”[4]

Edhe në Kur’an u është dhënë vend njohurive lidhur me mjekësinë. Për shembull, në ajetin ku thuhet se “nga barku i tyre (bletëve) del lëng ngjyrash të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Vërtet në këtë ka mësim për ata që mendojnë”[5]. Siç shihet, në këtë ajet kur’anor njoftohet me anë të revelacionit hyjnor se mjalti është shërues. Këtë të vërtetë të njoftuar atij në Kur’an, i Dërguari i Allahut (a.s.) ia ka shprehur bashkësisë së tij me anë të haditheve “Shërimi është në tri gjëra: Te mjalti, në veglën e kirurgut dhe në vulosjen me zjarr” dhe, duke ia këshilluar të sëmurit me dhimbje barku të konsumojë mjaltë, ka treguar se si duhet zbatuar mjekimi me mjaltë. Duke i thënë vëllait të të sëmurit, i cili pretendonte se, me gjithë që kishte përdorur mjaltë dy ditë me radhë, nuk kishte gjetur dot shërim, “Allahu thotë drejt, barku i vëllait tënd gënjen; jepi mjaltë”, Profeti shprehte bindjen e palëkundur që ndjente ndaj të vërtetës së njoftuar me anë të revelacionit hyjnor[6].

Disa religjione, duke pretenduar se mjekimi nuk mund të pajtohet me bindjen e fatit të paracaktuar (kader), nuk e kanë parë mjekimin pozitivisht[7]. Atyre të cilët, duke pretenduar se “sëmundja vjen si fat i paracaktuar (kader) nga Allahu”, kanë mbajtur qëndrim të distancuar, Profeti (a.s.) u është përgjigjur kështu: “Edhe shërimi me anë të mjekimit është kaderi i Allahut![8]” Kurse në një hadith tjetër, ka thënë: “Shërimi është kader. Me lejen e Allahut, jep dobi[9]”. Allahu që e ka krijuar sëmundjen, ka krijuar edhe ilaçet e saj. Siç është Ai që krijon rezultatin, Allahu është edhe Ai që krijon edhe shkaqet dhe veprimin e tyre. Beduinët që shpjegonin lëkundjet e tyre në çështjen e shkencës së mjekësisë, e patën pyetur Profetin: “A të mjekohemi?” Dhe Profeti (a.s.) u qe përgjigjur: “Mjekohuni! Allahu ka vënë shpëtim për çdo sëmundje me përjashtim vetëm të njërës, pleqërisë![10]

Marrëdhëniet mjekësi – metafizikë

Në mendimin e Perëndimit Modern pas Rilindjes Evropiane, ashtu siç ndodhi në shkencat e tjera, edhe në marrëdhëniet e mjekësisë me fenë dhe botën shpirtërore ndodhi një shkëputje. Në mendimin e Perëndimit modern që fillon së bashku me Dekartin, opinioni se trupi i njeriut funksionon si një makinë, është bërë botëkuptim mjekësor hegjemon. Në qendër të mjekësisë, në vend të njeriut që vuan nga dhimbjet, është vendosur sëmundja. Vërtetimi i sëmundjeve me anë të matjeve dhe analizave, vlerësimi i provave dhe rezultateve sipas normave inxhinierike janë pranuar si baza themelore e mjekësisë[11]. Në këtë periudhë, trupi i njeriut është kuptuar thjesht si trup fizik, njeriut i janë nënvleftësuar ndjenjat dhe bindjet. Kur mjekësia moderne filloi ta kuptonte mungesën e botës shpirtërore, deshi ta mbushte këtë mungesë me deontologjinë (etikën mjekësore). Mirëpo, si rrjedhojë e pandryshueshmërisë së paradigmave themelore, sot duket e pamundur të flitet mbi parimet metafizike të mjekësisë moderne.

Koncepti metafizikë (mâ ba’de’t-tabi’a) është shkenca spekulative (teorike) që shqyrton të vërtetat absolute, sipas të cilave, shkaqet e para të ekzistencës dhe ekzistenca e çdo gjëje varen prej tyre[12]. Metafizika është shkenca që hulumton jo dukjet, por të vërtetën e gjërave. Konceptit metafizikë i janë bërë disa përkufizime të ndryshme[13]. Ekzistencialistët e kanë përkufizuar konceptin metafizikë kështu: “Shqyrtimi i ekzistencës siç është dhe brenda universalitetit, shqyrtimi i përtejekzistencës për t’ia ripërftuar intelektit”[14].

Shqyrtimi i të vërtetave përfundimtare të materies bëhet me anë të shkencës (spekulative) të metafizikës, e cila cilësohet si ‘shkenca e të vërtetës’ (ilmu’l-hakikat). Dijetarët e Kelamit (Apologjetikës Islame) pranojnë se e vërteta e materies është konstante[15]. Kurse sufistët (mistikët) thonë se e vërteta e ekzistencës mbështetet në emrat (atributet) hyjnorë, me ta është konstante[16]. Sipas kësaj pikëpamjeje, qenia (ekzistenca) është identitet i shfaqjeve të emrave hyjnorë. Pranimi se fillimi i ekzistencës ka ndodhur me emrat e Krijuesit të Lartë si Qenie e Domosdoshme (vaxhibu’l-vuxhud) i bën të kuptimshme tërë ndryshimet dhe transformimet lidhur me universin, jetën dhe njeriun. Me këtë këndvështrim, del qartazi se edhe sëmundja dhe vdekja kanë një të vërtetë, se sëmundja dhe vdekja nuk janë prishje dhe asgjësim. Si vdekja, edhe sëmundja është identitet i shfaqjeve të emrave të Zotit. Në këto kushte, është e pamundur që sëmundja të konsiderohet si e keqe. Disa herë drejtpërdrejt dhe disa herë anasjelltas, sëmundjet bartin në vetvete shumë të mira dhe mbarësi.

Siç është një pretekst për njohjen e atributit Shafi (Shërues) të Zotit si dhe për t’iu drejtuar Atij, sëmundja është edhe pretekst për njohjen e Zotit si zotërues i çdo gjëje. Zotëruesi i çdo gjëje që ekziston është Allahu i Lartë, prandaj, në ajetin kur’anor na thuhet të lutemi kështu:

“Thuaj: “O Allah, Zotërues i gjithë pushtetit! Ti ia jep pushtetin atij që dëshiron dhe ia heq atij që Ti do. Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë. Natën ia bashkëngjit ditës dhe ditën ia bashkëngjit natës. Ti e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën, nga e gjalla. Ti i jep atij që dëshiron pa kufij![17]

Të vërtetën se çdo gjë i përket Allahut, njerëzit e ndjejnë më mirë kur mbeten të pashpresë përballë sëmundjes dhe vdekjes. “Durimtarët janë ata që, kur u bie një fatkeqësi, thonë: “Ne i përkasim Allahut dhe, kur të vijë koha, tek Ai do të kthehemi![18]”Ashtu siç shprehet hapur në këtë ajet, në rast fatkeqësie, besimtarët e kuptojnë se i përkasin Allahut dhe kthehen drejt Tij.

Profeti (a.s.) nga njëra anë e ka mbështetur mjekësinë në baza të shëndosha, nga ana tjetër ka theksuar besimin se mjekësia ka aspektin e saj shpirtëror, se Allahu është krijuesi i çdo gjëje. Prandaj, i Dërguari i Allahut, ka tërhequr vëmendjen si mbi aspektin përvojësor, ashtu dhe mbi aspektin shpirtëror të mjekimit. Mjekimin me lutje e ka këshilluar krahas mjekimit mjekësor, por ka treguar se lutja duhet bërë vetëm duke përmendur Emrat e Allahut ose duke lexuar ajetet e Kur’anit mbi shërimin, nuk ka lejuar t’u hapet dera besëtytnive dhe supersticioneve. Në një hadith ka tërhequr vëmendjen se këndimi i ajeteve me qëllim shërimi është xhaiz (i lejuar), duke thënë: “Ju këshilloj dy gjëra si shëruese: mjaltin dhe Kur’anin.”[19] Veç kësaj, duke e vlerësuar Ebu Said el-Hudriun, i cili, duke e kënduar suren Fatiha me qëllim lutjeje, është bërë pretekst që një i sëmurë të gjejë shërim, e ka miratuar këndimin e Fatihasë me qëllim shërimi[20].

Përktheu: Mithat Hoxha

[1]. Arslan Terzioğlu, Tıbbî Deontoloji, (İstanbul 1998), f. 51.

[2]. Ali el-Müttekî, Kenzu’l-ummâl, (Dâru’l-kütübi’l-ilmije, Bejrut 1998), X, 19.

[3]. Për rrëfimet që bëjnë të ditur se burimi i mjekësisë është hyjnor, shih. ez-Zehebî, et-Tibbu’n-Nebevî, (Kajro 1961), f. 228, 229; Xhelaleddin es-Sujutî, et-Tibbu’n-Nebevî (botuar nga Hasan Muhammed el-Makbûlî, Bejrut 1986), f. 95 e në vazhdim.

[4]. Ruhâvî, Edebu’t-tabîb, bot. Merîzin ‘Asîrî, Rijad 1992), f. 155.

[5]. Kur’ani, Nahl, 16/69.

[6]. Buhârî, “Tibb” 3, 4.

[7]. Polat Has, Botëkuptimi shkencor në Islam dhe në Krishterizëm, (Shtëpia Botuese TÖV, İzmir 1991), f. 79-90.

[8]. Tirmidhî, “Tibb”, 21; İbn Mâxhe, “Tibb”, 1.

[9]. Ali el-Muttekî, Kenzu’l-ummâl, X, 4.

[10]. Ebu Dâvud, “Tibb” 1.

[11]. Ivan Illich, Rrëmbimi i shëndetit, (përkth. Süha Sertabiboğlu, Shtëpia Botuese Ayrıntı, Stamboll, 1995), f. 112.

[12]. Hayrani Altıntaş, İbn Sina Metafiziği, (bot. Ministria e Kulturës, Ankara 1997), f. 28-31.

[13]. Për përkufizime të ndryshme, shih. Walsh, Wilshire, “Metafizik Nedir?”, (Brenda Hyrje në metafizikë, ff. 1-120, përkth. Ahmet Cevizci, bot. Paradigma, Stamboll 2001), f. 4 e në vazhdim.

[14]. Martin Heidegger, Ç’është metafizika? (përkth. Mazhar Şevket İpşiroğlu, Suut Kemal Yetkin, bot. Kaknüs İstanbul 1998), f. 51.

[15]. Ebu’l-Mu’în en-Nesefî, Tebsiratu’l-edille, (bot. Hüseyin Atay, Diyanet İşleri Başkanlığı, Ankara 1993), I, 22 e në vazhdim.

[16]. Për një studim mbi emrat (atributet) e Allahut si burimi i ekzistencës dhe moralit, shih. Abdullah Kartal, İlâhî İsimler Teorisi, İstanbul 2008.

[17]. Kur’ani, Al-i Imran, 3/26, 27.

[18]. Kur’ani, Bakara, 2/156.

[19]. İbn Mâxhe, “Tibb” 7.

[20]. Buhârî, “Tibb” 33.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here