Koment i ajetit që obligon agjërimin e Ramazanit

 “O ju që keni besuar! U bë farz për ju agjërimi, ashtu siç ishte farz edhe për ata që kaluan para jush, që ju të ruheni prej gjynahesh.”(Bekare, 183)

Ashtu siç thotë Bejdaviu, me këtë ajet vërtetohet se agjërimi është farz për umetin e Muhamedit a.s.. Ajeti dëshmon gjithashtu se ky urdhër i Allahut u është dhënë edhe pejgamberëve e popujve të mëparshëm, por në çdo sheriat ka ndryshuar numri i ditëve dhe mënyra e agjërimit.

Për myslimanët është bërë farz të agjërojnë, domethënë të mos hanë e të mos pinë ujë e lëngje e të tjera dhe të mos afrohen me gruan nga agimi derisa të perëndojë dielli.

Dihet se agjërimi është detyrë e rëndë. Prandaj, për ta lehtësuar agjërimin në sytë tanë, Zoti ynë tha se më këtë detyrë kanë qenë ngarkuar edhe popujt e kaluar. Pastaj, për të treguar edhe urtësinë e farzit të agjërimit, Zoti e urdhëroi e tha: “Leal’lekum tet’tekune” (që ju ta kini frikë Zotin) dhe të largoheni prej gjërave e veprimeve të ndaluara.

Në këtë ajet Zoti ka treguar vetëm dobinë e madhe morale të agjërimit. Dihet se agjërimi, përveçse i formon njeriut në zemër frikën ndaj Zotit (takvanë), ka edhe shumë dobi të tjera shoqërore, ekonomike, humanitare e shëndetësore.

Këtu do të shpjegojmë shkurt takvanë e përmendur në fundin e këtij ajeti, duke i shkëputur këto shpjegime prej librit me titull “Dhanti e Ramazanit”. Takvaja është (siç thotë Zeburi në fillim të tij) kreu i dijeve të vërteta. Takvaja është grada më e lartë e njeriut te Zoti. Takvaja është lavdëruar në Kur’an më shumë se në njëqind e pesëdhjetë vende. Ndër të tjera, Kur’ani thotë: “Ata që e kanë frikë Zotin, janë të afërmit e të dashurit e Tij; ata janë më të ndershëm se gjithkush; janë të pastruar e të larë nga ana e Zotit, atyre u falen fajet e të metat dhe u hapen dyert e begatisë, në atë mënyrë sa s’e merrnin dot me mend; atyre u bëhet udhëheqës Kur’ani dhe u largohen të shtrembrat nga sytë; vetëm atyre u pranohen punët e mira; për ata është përgatitur dhe është stolisur Xheneti, ku do të mësohen me ato gjëra që nuk i dinë; aty do t’u dallohen të drejtat dhe aty do kenë nga ato të mira që askush nuk i ka parë e nuk i ka dëgjuar dhe as nuk i ka shkuar ndërmend; ata janë të shpëtuar prej mundimit të varrit; kur vdesin, ata i përgëzojnë melekët me shpëtim prej zjarrit të Xhehenemit, për ata është fundi i mirë, etj, etj.

Takvaja është shkallë-shkallë. Shkalla më e ulët është të ruhesh nga kufri, të mos mohosh atë që e ke detyrë ta besosh, të nderosh simbolet e nderuara të fesë, cilësitë e Zotit, pejgamberët, melekët, librat e Zotit dhe urdhrat e Pejgamberit, Kur’anin, xhamitë, Qaben, etj. Pa këtë takva, njeriu nuk numërohet mysliman. Pastaj vjen shkalla e dytë e takvasë, që është të ruhesh nga të gjitha veset e liga e nga të gjitha punët e ndaluara sipas sheriatit dhe të zbatosh të gjithë urdhrat e tij.

Shkalla e tretë e takvasë është të heqësh nga zemra çdo gjë, përveç Zotit. Kjo gradë është cilësi e pejgambereve dhe e evliave.

Pra, agjërimi është një mjet shumë i bukur për të futur në zemër frikën ndaj Zotit, sepse ai i pret njeriut hovin e keq dhe nuk e lë të rendë në veprime të ndaluara. Takvaja e dërrmon “nefsin” dhe e bën atë të dobët. Nefsi është armiku më i fortë i njeriut. Nefsi është në kundërshtim e në luftë me mendjen, sepse ai të bën të lakmosh pa masë dhe të rendësh në punë të mbrapshta. Dhe nefsin nuk e sjell në vijë asgjë tjetër përveç zgjedhës së urisë. Kur nefsi ka këtë zgjedhë të rëndë në qafë, përulet e i bindet mendjes, njeriu bëhet i mbarë si melek. Prandaj kanë thënë se kur barku është bosh, gjymtyrët e tjera janë të ngopura, janë të gatshme të largohen nga punët e liga dhe të zbatojnë urdhrat e Zotit. Kjo është takvaja.

Agjëruesit i është premtuar takimi me Zotin, ashtu siç ka thënë Pejgamberi a.s.: “Për agjëruesin ka dy gëzime: Njëri gëzim është në iftar, gëzimin tjetër do ta ketë kur të takohet me Zotin.”

Zoti ynë thotë në një hadith kudsij: “Agjërimi është për Mua (në të nuk përzihet dyfytyrësia) dhe Unë do ta shpërblej atë.”

Nga ky hadith kuptojmë se i madhi Zot do t’i japë agjëruesit një shpërblim shumë të madh.

Kur Pejgamberi a.s. është pyetur për punën më të mirë, është përgjigjur: “Mos ta lësh agjërimin, sepse agjërimi nuk ka shok.”[1]


[1]. Marrë nga libri “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Kerijmit”, f. 173-175.

Hafiz Ibrahim Dalliu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here