MESAZHI NDAJ ATYRE QË OFENDOJNË ISLAMIN DHE PEJGAMBERIN E ALLAHUT, S.A.V.S.  

Mesazhi im i parë drejtuar ndaj atyre që ofendojnë fenë islame dhe Pejgamberin e ndershëm të Allahut, s.a.v.s., është:

Allahu i Madhërishëm shpalli:

            “Ata përpiqen me gojët e tyre ta shuajnë dritën e Allahut, e Allahu nuk do tjetër pos ta përsosë dritën e Tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë.”

(Et – Tevbe, 32)

Betohem në Allahun, më thuani, nëse dikush nga ju përpiqet ta shuajë dritën e diellit duke fryrë në diell, çfarë gjykimi do të sillnit ndaj tij dhe çfarë do thonit për të?

Natyrisht do të thonit se është i çmendur.

Andaj, nëse është e pamundur që të shuhet drita e diellit, a thua mendoni se mund të shuhet drita e Allahut?

Dini që shembulli i kësaj feje të lartësuar, islam, dhe ofendimit tuaj ndaj islamit dhe Pejgamberit të Allahut, s.a.v.s., është si shembulli i zjarrit të cilin përpiqeni ta shuani me benzinë dhe sa më shumë benzinë hudhni në zjarr, ai bëhet më i madh.

Mesazhi i dytë ka të bëjë me myslimanët.

Vëllezër dhe motra, dëshiroj të tërheq vëmendjen në dy të vërteta të pakontestueshme të cilat sot më së shumti na nevojiten.

E para: Mos u brengosni për islamin, sepse kjo është fe e Allahut, do të mbetet dhe do të qëndrojë pa marrë parasysh urrejtjen dhe sulmet e armiqve të saj. Mbase së shpejti do të shihni, nëse do Zoti, që përmes këtyre ngjarjeve të neveritura që tani po ndodhin dhe janë të drejtuara kundër islamit dhe myslimanëve, rezultati i tyre do të jetë shumë më i mirë sesa mund të paramendoni dhe që situata për islamin do të jetë shumë më e mirë sesa ka qenë para këtyre ngjarjeve, sepse Allahu i Madhërishëm ka thënë:

“Ai (Allahu) është që e dërgoi të dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejnë idhujtarët.”

(Et – Tevbe, 33)

E dyta: Kujtojmë që para pesëdhjetë gjashtëdhjetë viteve nuk ka pasur person në vendet jomyslimane i cili do të dëshironte të njihej me islamin, por tani në të gjitha anët e botës, në lindje e perëndim, njerëzit pyesin për islamin dhe dëshirojnë të mësojnë për islamin, dhe kur njihen me islamin, atëherë e pranojnë dhe bëhen myslimanë. Ky është fakt mahnitës.

Ndonjëherë në dëm fshihet një dobi e caktuar. Mbase pas një kohe do të zbulojmë se ekzistojnë rezultate pozitive që as nuk kemi mundur t’i paramendojmë, por që kanë rrjedhur nga ajo që ka ndodhur dhe në të cilën kemi parë vetëm dëm, sepse çdo gjë që tani ndodh, ndodh me dëshirën e Allahut, ndërsa Allahu i dëshiron të mirën islamit dhe myslimanëve.

Mbani mend, reve nuk u pengojnë qentë që lehin ndaj tyre, dhe as detit nuk i bën dëm hudhja e gurëve në të.

Sikur të gjithë armiqtë e islamit të tuboheshin dhe të vendosnin që tërë pluhurin dhe të ndyrat t’i hudhnin mbi islamin, pasha Allahun, ky pluhur dhe ndyrësitë do t’u ktheheshin atyre.

Për këtë, vazhdimisht bini salavat mbi Pejgamberin e Allahut dhe të dashurin e Tij, s.a.v.s.

Dr. Muhamed Ratib el-Nabulsi