Kurban Bajrami është një nga dy festat islame të cilën e kremtojnë myslimanët në mbarë botën, tjetra është Fitër Bajrami.

Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin, se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një të tretën; një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa një e treta e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhul’hixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – ‘Kurban Bayram’, që do të thotë “Festa e Flijimit”. I njëjti emërtim përdoret edhe në Azerbajxhan, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni, Rusi, Serbi, Turqi e Ukrainë.

Eid-al-Ad-ha (Ad-ha Eid) përdoret edhe me emra tjerë në botën myslimane, për shembull në Marok, Algjeri, Tunisi, Egjipt, Jemen dhe Libi, quhet Eid el-Kibir (Eidi i madh). Në Kinë quhet Festa e Kurbanit. Kjo ka të bëjë me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim. Kjo sakrificë është prerja e një kafshe (dele, qingj ose cjap) si kurban. Sipas rregullave, kjo kafshë duhet të jetë së paku një vit e moçme. Ky recital thuhet arabisht për sakrificën e bërë:

 

Në emër të Allahut

Dhe Allahu është më i madhi

O Allah, kjo me të vërtetë është për ty

O Allah, pranoje nga unë.

Pas sakrificës së kafshës, sipas Kuran-it, mishi duhet të ndahet në tri pjesë: Një pjesë për të varfrit, një pjesë për të afërmit dhe fqinjët dhe pjesa e fundit për familjen tënde.

Por cila është fillesa, historia e “Kurana Bajramit”, që përshkruhet në Kuran dhe mbyllet me “një fund të lumtur”?

Një ndër pejgamberët më të dalluar të Allahut, është edhe Ibrahimi a.s. Ai ishte i martuar me Sarën, por Allahu nuk u kishte dhuruar fëmijë. Më pas, u martua edhe me Haxheren, të cilës Allahu ia kishte dhuruar Ismailin.

Ibrahimi a.s. kishte premtuar se nëse Allahu ia dhuron një djalë, atë do ta bënte kurban. Me urdhërin e Allahut , Ibrahimi a.s. e mori Haxheren dhe prej Palestine ku jetonte, e dërgoi në Hixhaz dhe e la Haxheren me birin e saj të porsalindur, në vendin ku më vonë u ngrit Qabja. Ai vend ishte i shkretë, nuk kishte as ujë e as njerëz.

Kur Ibrahimi deshi të largohej prej atij vendi, doli Haxherja para tij dhe tha: Pashë Zotin! Nga mendja jote po e bën këtë apo Allahu të ka urdhëruar? Ai tha: Allahu më ka urdhëruar. Haxherja i tha: Atëherë, Allahu nuk do të na humbasë. Më pas, Haxhereja filloi të kërkojë ujë për djalin e saj të vogël. Aty afër ishin dy kodra të vogla: Safa dhe Merva. Haxherja herë shkonte në njërën kodër e herë në tjetrën, me shpresë se do të shihte ndonjë burim uji. Këtë e bëri shtatë herë. Kur u kthye Haxherja tek Ismaili, pa se si ai me këmbët e veta kishte gërryer rërën, nga e cila dilte ujë i pastër më vrull. Atëherë, Haxhereja tha: Zem Zem (ndalu ndalu) dhe burimi u qetësua. Ibrahimi a.s., kohë pas kohe, prej Palestine vinte t’i vizitonte Haxheren dhe Ismailin. Sa më shumë rritej Ismaili, aq më shumë shtohej dashuria e Ibrahimit ndaj tij.

Nga kënaqësia më të birin e vet, Ibrahimi a.s. sikur e kishte qitur në harresë premtimin e dhënë se nëse Allahu do t’i jepte djalë, do ta bënte atë kurban për Të! Allahu në ëndërr tri herë ia kujtoi premtimin e dhënë Ibrahimit a.s. për të birin. Një ditë, Ibrahimi a.s. i tha gruas së vet, Haxheres, që ta përgatisë të birin se do të shkojnë me të diku në vizitë. Nëna, duke mos ditur se ç’po përgatitej për të birin e saj, e veshi bukur dhe e përcolli me të atin. Sa u largua Ibrahimi me të birin, shejtani në formë të njeriut iu paraqit Haxheres.

Haxherja duke mos i besuar njeriut të panjohur, e përzuri atë saqë detyrohet ta gjuajë me gurë. Shejtani, tri herë në tre vende iu paraqit Haxheres dhe ajo tri herë duke e gjuajtur me gurë e përzuri atë. Kur Ibrahimi iu afrua vendit ku kishte vendosur ta therte të birin, filloi t’i tregojë Ismailit se ka parë ëndërr se do e therë atë, duke i thënë: Djaloshi im, mua në ëndërr më fanitet se unë ty të  mw duhet tw tw ther si kurban! Ç’ka thua ti për këtë ëndërr? -Babë, bëj atë ç’ka të urdhëron Zoti, e unë do të duroj! -M’i lidh sytë dhe therëm sa më shpejt, që dhimbja të jetë sa më e lehtë! Kur babë e bir iu dorëzuan urdhrit të Allahut, Ibrahimi a.s. e shtriu të birin me kokë për toke, me thikën e tij të mprehtë i ra qafës së Ismailit, por thika as gjurmë nuk la në qafën e tij.

Atëherë, Ibrahimi a.s. edhe dy herë i ra qafës, por pa kurrfarë efekti. I hidhëruar me thikën që nuk priste, i ra gurit më të afërt, guri u ça përgjysmë. Ibarahimi i habitur i tha thikës: – Thikë , e përgjysmon këtë gur të fortë e nuk e pret këtë qafë të butë!? Në atë moment, Allahu e thirri: – Ibrahim, mjafton! Ti e realizove premtimin tënd dhe ëndrrën e bëre realitet. Që vendimi për therje kurban të shkojë në vend, Allahu ia zëvendësoi therjen e të birit me therjen e dashit, që ia solli meleku. Ja kështu, Allahu i shpërblen të sinqertit.

 

Redaksia

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu