Haxhi Ibrahim Kaduku, personalitet i shquar islam


I dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri të Klasit I” me motivacionin: “Klerik që iu kushtua tërë jetën çështjes së lartë të edukimit fetar dhe atdhetar të popullit, shembull i devotshmërisë, i ndërgjegjës së lartë, i formimit intelektual, mësues dhe edukator i nderuar”, 1994, “Qytetar Nderi” në Shkodër dhe Kavajë, 2012. 

Ibrahim Kaduku, djali i dytë i Ismailit, nga pesë djemtë që kishte, ka lindur në Shkodër më 5.08.1869 në një familje të njohur dhe të nderuar qytetare, në një mjedis fisnor me interesa arsimore, profesionale e intelektuale, me vetëdije kombëtare e me pikëpamje përparimtare.

Ai ishte vëllai i H. Hafiz Dr. Hasan Kadukut (mjeku i parë stomatolog shqiptar 1865-1948). I ati Ismail (Mala) Kadukut ishte një tregtar i njohur në pazarin e qytetit në punimin e lëkurave, burrë i ndershëm, dijedashës dhe atdhetar. Vëllezërit tjerë ishin, Riza Kaduku, shef i Financave në Komunitetin Mysliman (si dhe një nga themeluesit e “Vllaznisë” më 16 shkurt 1919), Sulejman Kaduku (i cili posedonte kartolerinë më moderne të kohës), si dhe Hafiz Jusuf Kaduku, një prijës fetar i shkolluar si vëllezërit e tij Hasan e Ibrahim në Universitetin e Stambollit, ku njihej për komentimin e Kur’anit gjatë qëndrimit atje, ku më pas ushtroi detyrën si prijës fetar në Koplik.

Haxhi Ibrahim Kaduku me formimin e tij intelektual, bëri që fama e tij të kapërcente kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë i njohur në tre kontinente, Evropë, Azi dhe Afrikë. Haxhi Ibrahimi kreu studimet fillimisht në qytetin e lindjes, në Shkodër, duke u evidentuar si nxënës i zellshëm, me prirje të veçanta, sidomos në mësimin e gjuhëve të huaja dhe të lëndëve shoqërore. I ati, i cili ishte tregtar e merrte shpesh në dyqan për ta ndihmuar, por një ditë duke bërë llogaritë e shitjes, sheh se të ardhurat ishin më të pakta nga ato që ishin shitur. Kur e pyet të birin Ibrahimin, ai i përgjigjet, se ia ka shitur më lirë, atyre që ishin në nevojë. Atëherë i ati, duke parë shpirtin dhe humanizmin e tij, vendos ta shkëpusë nga dyqani dhe ta dërgojë për studime në Stamboll, në Medresenë dhe Universitetin e famshëm Fatih, për shkencat islame, studime të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1893. Për rezultatet shembullore, për opinionin pozitiv të formuar në personelin pedagogjik e në drejtuesit e fakultetit, për aftësitë intelektuale që manifestoi gjatë shkollimit, u ndal atje si pedagog në universitet për të dhënë gjuhën osmane dhe arabe. Ky ishte një rast i rrallë në praktikën e universiteteve botërore. Kjo tregonte qartë përgatitjen e tij të thellë në linguistikë dhe teologji. Pas sukseseve në mësimdhënien e këtyre lëndëve, ai u caktua që t’i jepte këto lëndë në Akademinë Ushtarake të Stambollit.

Haxhi Ibrahimi, krahas osmanishtes (turqishtes së vjetër), persishtes dhe arabishtes, zotëronte edhe gjuhët perëndimore, si frëngjishten dhe italishten. Njohja e gjuhëve perëndimore dhe orientale e bëri atë një personalitet me kulturë të dyfishtë.

Në vitin 1905 kthehet në Shkodër, ku martohet dhe ushtron detyrën e imamit, të mësuesit të besimit në mejtepe (mektebe) dhe në shkollat shtetërore si në atë Ruzhdije. Kurse në vitet 1913-1914 ishte mësues në shkollën e Parrucës, e cila drejtohej nga personaliteti i kohës, Hafiz Abaz Golemi. Këtu Haxhi Ibrahim Kaduku bëri një punë kolosale për nxitjen e rritjes së numrit të nxënësve, duke komunikuar direkt me popullin, e duke thënë se kjo shkollë duhet ndjekur se i shërben përparimit të vendit, duke bashkuar dijet e fesë me ato të shkencave.

Në këtë veprimtari Haxhi Ibrahimi u radhit në anën e popullit arsimdashës, që vlerësonte shkollën dhe mësuesin, që dëshiron zhvillim e përparim. Nga viti 1914-1924, për një periudhë afro 10 vjeçare shkoi përsëri në Turqi, ku punoi gjithnjë si pedagog në shkolla të ndryshme, si për lëndët e gjuhës turke, ashtu edhe për lëndët teologjike në Edirne dhe Stamboll. Me një punë të kujdesshme autoriteti i rritej gjithnjë e më dukshëm, ai shfaqte përsëri aftësitë e tij shkencore, pedagogjike, teologjike e metodike.

Në Shkodër flitej, diskutohej dhe kërkohej hapja e një medreseje të re, si një domosdoshmëri për të plotësuar kërkesat e kohës dhe nevojat e së ardhmes. Kjo medrese u hap në vitin shkollor 1925-1926 nga Haxhi Ibrahim Kaduku, i cili qe drejtori i parë i saj. Medreseja e Re ishte vazhdimi i traditës për shkollat e këtij profili në Shkodër, i asaj të lagjes Qafë të Bushatllinjve që në shekullin XVIII e pastaj të pasardhëses së saj, të asaj të Pazarit, që u quajt edhe Medreseja e Epërme.

Medreseja e Re u konceptua, u organizua, u administrua dhe u drejtua si shkollë moderne, me programe, me tekste e mësues shqiptarë. Dokumentacioni i kësaj shkolle qe tepër i rregullt, amzë, regjistra, orar, dëftesa e karakteristika nxënësish. Kjo shkollë punonte me një plan mësimor të studiuar, që përmbante mbi 20 lëndë. Nga analiza e këtij plani mësimor rezulton se lëndët e kulturës së përgjithshme përfshinin shkenca shoqërore, si: këndim, gramatikë, hartim, drejtshkrim, bukurshkrim. histori-gjeografi e logjikë, ndërsa shkencat natyrore, lëndë si: aritmetikë, gjeometri, botanikë, shkencë (kimi, fizikë). Përveç këtyre, në planin mësimor si lëndë fetare mësoheshin, Kur’an, besim e moral dhe si gjuhë të huaja mësoheshin arabishtja e frëngjishtja. Në dëftesat e nxënësve ishte nota edhe për sjellje e zell.

Medreseja e Re, Shkodër, drejtori i parë i së cilës ishte H. Ibrahim Kaduku (1925-1926).

Në veprimtarinë e tij si drejtor shkolle, Haxhi Ibrahimi u ndikua nga teoria pedagogjike e didaktike e njohur e Gazaliut, të cilën ia përshtati kushteve të shkollës.

Më pas Medreseja e Epërme u bashkua në Medresenë e Re, ku në vitet shkollore 1926-27 deri në fund të vitit shkollor 1928-29, Haxhi Ibrahim Kaduku qe mësues i lëndëve fetare dhe i gjuhës arabe në Medresenë e Re, ku gjithnjë dha ndihmesën e vet të papërtuar për konsolidimin e shkollës dhe për përgatitjen e duhur të nxënësve.

Më 1929 të gjitha medresetë e qarqeve të Shqipërisë u mbyllën në bazë të vendimit të Kongresit III Mysliman të Shqipërisë, ku në Statutin e miratuar në këtë kongres, në kreun X, në nenet 55-57 thuhej se “do të ketë një institut në qendrën e Komunitetit me emër “Medrese e Përgjithshme” (në Tiranë), e cila përfshin kategoritë e mësimeve fillore e të mesme… “Medresetë e qarqeve suprimohen dhe vakfet e tyne bahen t’ardhuna të Komunitetit”.[1]

Pas kësaj Haxhi Ibrahimi emërohet me dekret të Kryesisë së Këshillit të Naltë të Sheriatit, myfti në Kavajë. Myftiu i përgjithshëm në dekretin në fjalë shprehej: “Pres prej Z. s’Uej besnikri dhe zell në detyrë, shërbime të drejta, me ndërgjegje të pastër fetare e kombëtare për xhemaati Islamijen në Shqypni”. Në këtë detyrë të rëndësishme ai punoi derisa ndërroi jetë. Ndërkohë, me të njëjtin funksion  për një kohë të shkurtër punoi edhe në Vlorë. Për një periudhë gati 20-vjeçare ai u shqua si drejtues, si organizator, si teolog, si studiues, si përkthyes e si punonjës shkencor, krahas detyrës si myfti.

Në radhë të parë ai u mor me plotësimin e organikave të imamëve e të myezinëve, me caktimin e nëpunësve, me inventarizimin e pasurisë së Vakëfit, me administrimin e mirë të buxhetit, me thirrjen e popullit për të kryer ritet fetare e për të zbatuar detyrimet bazë të fesë, me caktimin e mësuesve të besimit për nxënësit e shkollave fillore shtetërore, në realizimin e bursave etj. Me përkushtimin që e karakterizonte, ai shpejt e përmirësoi gjendjen, xhamitë tërhiqnin gjithnjë e më shumë besimtarë. Ai u bë shumë popullor me predikimet e tij ditët e xhuma e me rastin e festave. Duke njohur mirë psikologjinë e popullit, duke qenë një teolog i përgatitur, duke pasur një horizont të gjerë kulturor, e duke pasur përvojë në komunikimin me njerëzit, trajtonte tema interesante të ditës, shqetësuese, për të cilat njerëzit bënin pyetje e kërkonin përgjigje. Haxhi Ibrahimi punonte me popullin tema të tilla si: “Shtyllat e besimit”, “E mira dhe e keqja”, “Dituria e injoranca”, “Fjala dhe vepra”, “Prindërit dhe fëmijët”, “Veset dhe virtytet”, “Feja dhe ateizmi”, “Liria dhe robëria”, etj. Këto tema me karakter të përhershëm e të përjetshëm mbushnin boshllëkun e edukimit shpirtëror të masave. Bisedat me popullin e rininë Haxhi Ibrahimi i bënte tërheqëse, me material të bollshëm, me citime Kur’ani e hadithe profetike, me fakte të ilustruara nga jeta e përditshme, me një metodikë të qartë, në formë tregimi, të cilat bënin shumë efekt te dëgjuesit.

Në vitin 1940, për autoritetin e erudicionin e tij u zgjodh nënkryetar i Këshillit të Ulemave të Shqipërisë dhe kryetar i komisionit të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe. Në të bënin pjesë studiues të njohur të kohës, si: Haki Sharofi, Hasan Tahsini e Junuz Bulej. Ky komision kreu një punë tepër të dobishme për besimtarët islamë.[2]

Haxhi Ibrahimi gjithnjë qe profesor, myderriz. Statuti i Komunitetit Mysliman lejonte që vaizët, myderrizët e funksionarët e tjerë të njohur prej Komunitetit mund t’u jepnin mësime fetare atyre që dëshironin, pas pëlqimit të marrë prej superiorit të qarkut të vet. Në këtë mënyrë, ai mësonte të rinjtë për t’u përgatitur si kuadro të ardhshëm fetarë.

Ibrahim Kaduku, si fetar nuk u mor asnjëherë drejtpërdrejt me politikë, por pavarësisht nga kjo, ai shquhej edhe për vetëdije kombëtare. Edhe në këtë drejtim qe vazhdues i traditës familjare. Në vitin 1925, para se të kthehej në Shqipëri i propozuan që të qëndronte në Arabinë Saudite, Turqi dhe në Egjipt, por ai zgjodhi t’i shërbente vendit të tij.

Një gjest tjetër atdhetar i tij u shfaq më 7 prill 1939, ku u ftua për të marrë pjesë në pritjen e italianëve. Ai këtë e kundërshtoi me këmbëngulje, duke i shprehur që pushtuesi nuk pritej me lule e brohoritje. Si gjatë pushtimit, ashtu edhe më vonë pas çlirimit, gjatë monizmit nuk bëri asnjë deklaratë në favor të tyre. Ai me ndërgjegje ishte në opozitë të plotë me ta, ishte për Shqipërinë e lirë nga pushtuesit, ishte për lirinë e besimit në një shtet demokratik shqiptar.

Nëpërmjet predikimeve ai fliste haptas, qartë e prerë për dashurinë ndaj atdheut, për vlerën e lirisë, për të drejtat e detyrat e qytetarit e të besimtarit, demaskonte pushtuesit e çdo ngjyre, dënonte sundimtarët antipopullorë, kritikonte qëndrimet antifetare, nuk pajtohej me asnjë lloj padrejtësie në kurriz të njerëzve, të popullit e të vendit.

Edhe në rrethanat e frenimit të veprimtarive fetare nga ana e shtetit ateist, H. Ibrahimi nuk e pushoi kurrë punën e tij të devotshme për prezantimin e Fesë islame, për kryerjen e riteve në faltore, në shtëpi, etj. Ai me fjalën dhe veprën e tij qe një shembull i bukur i njeriut të përkushtuar ndaj problemeve të fesë, qe një model i kujtuar me nderim e vlerësim të veçantë.

Në këtë kuadër duhet vënë në dukje bindja, qëndrimi dhe veprimtaria e tij e pandërprerë për harmoninë ndërfetare. Ai nuk linte rast pa shfrytëzuar për të folur me njerëzit, me të rinjtë, që ata të shoqëroheshin, të bashkëpunonin, të miqësoheshin, të duheshin dhe të jetonin së bashku me mirëkuptim dhe tolerancë, si njerëz të një gjaku, të një gjuhe, të një vendi, si njerëz me interesa, histori dhe me perspektiva të përbashkëta.lbrahimi ka punuar jo vetëm në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por ka jetuar e punuar edhe në vende të huaja, si: në Turqi, në Arabinë Saudite e në Egjipt. Në këto vende ai ka mësuar, është ngritur në pikëpamje kulturore dhe fetare, ka fituar përvojë, të cilën e ka sjellë dhe e ka përdorur në Shqipëri, duke ia përshtatur kushteve e rrethanave të vendit, por në të njëjtën kohë ka krijuar në ato vende një opinion të mirë për vendin tonë, ka bërë miq të Shqipërisë, me cilësitë e tij të bukura ka paraqitur veçoritë pozitive të popullit tonë. Ibrahim Kaduku ka qenë 7 herë në Haxh. Gjatë këtyre udhëtimeve, ai është ndalur në Kajro të Egjiptit, ku ka pasur takime pune me rektorin e Universitetit të “El-Ez’herit, Muhamed Mustafa el Meragi. H. Ibrahimi, herë vetëm e herë me delegacione nga Shqipëria ka shkëmbyer mendime për punën mësimore e teologjike, ka përfituar nga përvoja shekullore e këtij universiteti dhe nga drejtuesit e tij, ka siguruar ndihmë për literaturë, për bursa, për organizim e drejtim të punës etj. Takimeve të H. Hafiz Ibrahim Kadukut me rektorin e Universitetit u bën jehonë vlerësuese edhe shtypi arab me shkrime nderuese, me fotografi, ku shprehte ndjenja miqësie e bashkëpunimi për mysafirët nga Shqipëria. Kulmi i vlerësimit të tij në këtë universitet ka qenë ftesa për të mbajtur ligjërata në fakultetin teologjik, ku Haxhi Ibrahimi paraqiste me kompetencë erudicionin e tij teologjik, kulturor gjuhësor. 001

Foto nga vizita e hoxhallarëve shqiptarë në Universitetin El Ez’her – Kajro, 1941. Në rreshtin e parë majtas: H. Sulejman Gavoçi, H. Ibrahim Kaduku, Mustafa el Meragi (Rektori i Universitetit), H. Ismail Durrësi.

Gjatë qëndrimit të tij në Egjipt ai ishte vizitor i përhershëm i bibliotekave të pasura të këtij vendi, ku gjente materiale të nevojshme shkencore, teologjike, kulturore, gjuhësore, që ishin ushqim i vazhdueshëm për të si njeri i dijes e i fesë.

Thabit Kaduku dhe Vehbi Ismaili, djemtë e dy myftive të atërhershëm H. Ibrahim Kaduku në Kavajë dhe Haxhi Ismail Hakiu në Krujë. Takim me rektorin e Ez’herit. (Zani i Naltë)

Në Egjipt Haxhi Ibrahimi ka qëndruar në vitet 1937, 1939 e 1941 për periudha të caktuara. Këto qëndrime, përveç takimeve i shfrytëzoi edhe për të bërë botime. Këtu ai botoi një libër me përmbajtje filozofike-fetare në gjuhën arabe, të titulluar “Standardet e gjurmëve të të përzgjedhurve dhe ndryshimet me të huajt dhe të tjerët”, i cili u recensionua nga Muhamed el Tahir bin Ashuri, Myfti i Tunizit, që e çmoi lart për përmbajtjen e për vlerat edukative si një dijetar me famë botërore. Libri shtë botuar në Aleksandri, Egjipt, më 1939. Edhe djali i dytë i tij, Thabiti, mbaroi studimet e larta në Ez’herin e famshëm dhe me këshillën e të atit vazhdoi të jetonte dhe punonte derisa vdiq në Egjipt.[3]

Libri i H. Ibrahim Kadukut “Standardet e gjurmëve të të përzgjedhurve dhe ndryshimet me të huajt dhe të tjerët”, botuar në Aleksandri, Egjipt, 1939.

Vlerësime të larta për H. Ibrahim Kadukun bëri nëpunësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit, Abdulhafidh Mahmud Besjuni, i cili shkroi për të një broshurë te veçantë të titulluar “I nderuari, bujari, zotëria ynë dijetar Ibrahim Kaduku, myftiu i Shqipërisë”. Në hyrje të kësaj broshure autori thekson se e shkroi këtë libër në kujtim të humbjes së dijetarit Ibrahim Kaduku. Ai vë në dukje se takimi e njohja me të në vitin 1939 ishte “prej kohërave më të mira të jetës sime”, e çmon atë si pasqyrë për shokët, që me formimin, sjelljet e veprimet është model për t’u ndjekur. Në vazhdim ai paraqet disa nga cilësitë më kryesore të tij, të cilat i shprehu kështu: “Ishte bashkuar tek ai madhështia, mundi fetar, ishte i shprehur nga dituritë logjike, kulturore dhe gjuhësore”.[4] Në përshkrimin e karakteristikave të tij ai vazhdoi: “Ishte dijetar, veprimtar. Ligjërimet i kishte ndikuese, fjalimet të kuptueshme, thirrës i sinqertë, myfti i ndershëm, kishte njohuri të shkëlqyeshme, ishte i sinqertë, praktikonte diturinë në vepra… Emri i tij u bë i përhershëm nëpër fletët e historisë. E meritoi një respekt të ndershëm, të naltë dhe një vend të lavdërueshëm prej Allahut, Zotit të botëve”.[5]

Vdekja e Haxhi Ibrahim Kadukut më 23 maj 1949, krijoi një boshllëk të ndjeshëm në kuadrot intelektualë islamë shqiptarë, sepse ai qe një figurë shumëplanëshe, me potencial të fuqishëm filozofik, kulturor e shpirtëror, një mësues i përgatitur, një drejtues i aftë, me përvojë të madhe e me autoritet të merituar, një personalitet i njohur në gjithë vendin e jashtë tij.

Një tregues i qartë i dhimbjes që krijoi vdekja e H. Ibrahim Kadukut është paraqitja e ndjenjave miqësore të studiuesit egjiptian, që me këtë rast në broshurën kushtuar atij shprehet në mënyrë mallëngjyese: “Nuk e di në këtë çast kujt me ia dërgue ngushëllimet, a myslimanëve të Shqipërisë, të Ballkanit, apo të Lindjes. Qoshe më qoshe? E vërteta unë ia dërgoj ngushëllimet gjithë botës islame. Vërtetë thirrja e tij ishte e fortë, humbja është shumë e madhe dhe ngushëllimi shumë i rëndë’’.

Në kujtesën e qytetarëve të Shkodrës, Kavajës, Vlorës e Tiranës, ku ai jetoi e punoi duke kryer detyra të ndryshme arsimore e fetare, është gjithmonë i pranishëm me nderim të veçantë. Ish-nxënësit e mejtepeve, të shkollave fillore shtetërore dhe të medresesë që e kanë pasur mësues, profesor e drejtor, tregonin për të episode të paharruara. Ata nuk gjenin fjalë për të shprehur përshtypjet, mbresat e kujtimet pozitive për të. Ata, në vend që të thonin kam mësuar në Medresenë e Re, shpreheshin “Kam mësuar në Medresenë e Kadukut”, “Kam pasur drejtor të parë të famshmin Ibrahim Kadukun”. “Babai im ka pasur myderiz për gjuhën arabe e për mësimet fetare të nderuarin H. Ibrahim Kadukun”, etj.[6] Ibrahim Kaduku ka meritë të veçantë për propagandimin e fesë në qytetin e Kavajës, ku për një kohë të gjatë ushtroi detyrën e myftiut. Ai këtu fitoi një popullaritet të gjerë, një dashuri të veçantë, një nderim të rrallë, një autoritet të madh. Një tregues i këtij vlerësimi është korrespondenca në revistën “Kultura Islame” me titullin “Si u festua Mevludi në Kavajë” (maj, 1944).[7]

Edhe Hafiz Sabri Koçi ka qenë një nga ata studentë, që gjatë praktikës nëpër xhami, nxiteshin që të kërkonin ndihmën e dijetarëve më kompetentë. Kështu p.sh., ai shkonte për t’u këshilluar me profesorin e nderuar, Haxhi Ibrahim Kadukun. Tek ai gjente një pritje të veçantë. Profesori jo vetëm i jepte shpjegimet e duhura, por edhe libra për të studiuar.[8]

Vitet e fundit Haxhi Ibrahim Kaduku ka pasur nderime dhe vlerësime të shumta të merituara. Kështu në vitin 1994, një grup dijetarësh, edukatorësh dhe hoxhallarësh të famshëm të Shkodrës, e një ndër ta edhe Haxhi Ibrahim Kaduku, një intelektual i shquar arsimor, fetar dhe kulturor është dekoruar nga Presidenti i atëhershëm Sali Berisha, me urdhrin “Naim Frashëri të Klasit I” me këtë motivacion:

“Klerik që iu kushtua tërë jetën çështjes së lartë të edukimit fetar dhe atdhetar të popullit, shembull i devotshmërisë, i ndërgjegjës së lartë, i formimit intelektual, mësues dhe edukator i nderuar”.

Ndërsa në vitin 2012 me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë me propozim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, shpallet “Qytetar Nderi” nga Këshillat e Bashkive Shkodër dhe Kavajë me këto moticacione:

“Prijës i shquar Islam, myfti, drejtor i parë i Medresesë Shkodër, klerik që ia kushtoi tërë jetën çështjes së lartë të edukimit fetar dhe atdhetar të popullit, i devotshmërisë së lartë, i forcimit intelektual, mësues dhe edukator i nderuar.”

Këshilli i Bashkisë Shkodër

“Për kontributin e shquar në themelimin, ngritjen dhe konsolidimin, kontributin për gjuhën shqipe, arsimin dhe teologjinë në qytetin e Kavajës.”

Këshilli i Bashkisë Kavajë[9]

[1]. Statuti i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Tiranë, shtypshkronja “Tirana”, 1929: 13.

[2]. Luli, Faik, gazeta “Drita Islame”, nr. (16) 77, 1995: 3-4.

[3]. Kjo për arsye se në Shqipëri më 1944 kishte hyrë komunizmi dhe ishte krijuar një atmosferë përjashtuese për të gjithë të shkolluarit jashtë.

[4]. Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Rozafat, 1997: 201.

[5]. Po aty.

[6]. Po aty.

[7]. Revista “Kultura Islame”, Maj 1944: 261.

[8] Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Rozafat, 1997: 193.

[9] Shkrim i botuar në Enciklopedinë “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”, botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Tiranë 2012: 85 përpiluar kryesisht nga nga libri “Në kujtim të brezave, të autorëve Faik Luli, Islam Dizdari dhe Nexhmi Bushati, Shkodër 1997.