Home Bota Jone HAXHI, NJË VËSHTRIM RETROSPEKTIV

HAXHI, NJË VËSHTRIM RETROSPEKTIV

 

Pas një ndërprerje të gjatë të fesë në Shqipëri, më 18 Qershor 1991, do të nisej drejt vendeve të shenjta grupi i parë i haxhilerëve nga Shqipëria, i përbërë prej 165 vetave, për të përmbushur një nga pesë shtyllat e fesë Islame: Haxhin. Ky ishte një lajm madhështor dhe një hap tepër i rëndësishëm përsa i përket lirisë së besimit për besimtarët myslimanë, të cilët ishin përmalluar për Qaben dhe Medinen me një mall gjysmëshekullor, të cilëve u qe mohuar e drejta e praktikimit të fesë bashkë me ritet përkatëse ashtu siç ka urdhëruar Allahu i madhëruar.

Delegacioni  i udhëtimit për në Arabinë Saudite kryesohej nga i nderuari Hafiz Sabri Koçi, i cili ishte edhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit dhe hapjes së lirisë fetare në vend. Lajmi për mbërritjen e delegacionit nga Shqipëria kishte bërë jehonë në periodikët dhe gazetat e ditës dhe kishte ngjallur interes tek të gjithë vizitorët e tjerë myslimanë të atjeshëm, dhe veçanërisht edhe tek paria e Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku haxhinjtë shqiptarë ishin të ftuar duke u cilësuar si miq të mbretit dhe qenë të parët që u pritën në vizitë. [1]

Sigurisht, asokohe e gjithë bota ishte e interesuar për ndjesitë e veçanta që ndjenin haxhilerët shqiptarë gjatë këtij udhëtimi, sepse ne ishim vendi i parë në botë ku si pasojë e pushtetit feja u ndalua me ligj për një periudhë aq të gjatë. E megjithatë, asgjë nuk e shuajti prushin e besimit në zemrat e besimtarëve të cilët e ruajtën fenë dhe nisën hapat e rimëkëmbjes fetare në vend.

Pasi u kryen ritualet e haxhit dhe pasi të gjithë haxhilerët kishin shijuar madhështinë dhe mrekullinë e Qabes, shtëpisë së Zotit, të gjithë besimtarët festuan ditën e Kurban Bajramit. Vendi ynë pati mirësinë që të përfaqësohej nga një figurë e shquar dhe e vuajtur si Hafiz Sabri Koçi, i cili, në mbledhjen e kryetarëve të bashkësive fetare Islame nga e gjithë bota, me rastin e festës së Bajramit, pati nderin të mbante fjalimin e tij, duke shpjeguar edhe më qartë rëndësinë e lirisë së fesë dhe mirësinë që Zoti kishte bërë mbi popullin shqiptar.

Grupi i dytë i haxhilerëve shqiptarë

Më 6 qershor të vitit 1992, për të dytën herë radhazi shqiptarët do të kishin mundësinë që të kryenin sërish ritualin e Haxhit në Arabinë Saudite. Grupi i dytë i haxhilerëve do të përbëhej prej 303 vetëve, të cilët patën mundësinë të udhëtonin për në vendet e shenjta e të gjendeshin përballë Qabes, e cila është Kibleja e të gjithë myslimanëve të botës, nga e cila kthejnë fytyrat, drejtojnë sytë, thonë fjalët më të zgjedhura, fjalët e Allahut me rastin e çdo namazi, kur i falen Allahut (xh.sh.).

Pelegrinazhi është kushti  i pestë i fesë Islame dhe së bashku me Dëshminë (Shehadetin), Namzain, Agjërimin dhe Zekatin, përbëjnë ‘godinën’ e plotë të Islamit. Me plotësimin e të gjitha këtyre kushteve, myslimani e siguron lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Kryerja e Haxhit është detyrim për këdo që e ka mundësinë dhe i ka përmbushur kushtet financiare për të përballuar udhëtimin gjer në Mekë.

Udhëtimi për në vendet e shenjta, për në Mekën fisnike dhe në qytetin e bukur të profetit Muhamed (a.s.) që është Medina, për çdo besimtar mysliman është një ëndërr e bukur dhe e vyer, pasi atje përjetohet më nga afër e gjithë historia e Islamit me dëshmitë dhe vërtetësitë e pakontestueshme të saj, ndjehet më nga afër historia e profetit të fundit, Muhamedit (a.s), atje është vendi nga ku u përhap shpresa dhe që atje Zoti hapi dyert e mëshirës për të gjithë njerëzimin që të mund të mësonin prej Kur’anit të zbritur, mësimet dhe udhëzimet e Allahut, dhe kështu, deri në Ditën e Gjykimit, njerëzimi mbarë do të ketë mundësinë të ndjekë Islamin dhe rregullat e lumturisë së kësaj bote dhe të Ahiretit.[2] 

Nënshkrimi i marrëveshjes së Haxhit në 2011

Dy vitet e para pas komunizmit, haxhi organizohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me ndihmën e vendeve mike. Kurse në vitin e tretë (1993), haxhi organizohet nga shoqatat, gjë në të cilën Komuniteti Mysliman vë re probleme të ndryshme në përzgjedhjen e personave për haxh, si jo besimtarë të mirë, ndërkohë që në pritje ishin shumë besimtarë që falnin pesë vaktet.[3] Edhe gjatë viteve vijuese, kanë qenë agjenci të ndryshme që janë aktivizuar me organizimin dhe mbarëvajtjen e të gjitha procedurave të haxhit.

Me datë 22.06.2011, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nënshkroi me Ministrinë e Haxhit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, akt-marrëveshjen për organizimin e ritualit të Haxhit për vitin 2011. Në emër të Komunitetit Mysliman akt-marrëveshja është firmosur nga ish Kryetari i KMSH-së, H. Selim Muça. Përveç të tjerave, në akt-marrëveshje bëhet e ditur se ekskluzivitetin për organizimin e Haxhit në Shqipëri do ta ketë vetëm institucioni zyrtar përfaqësues që është Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.[4] Kjo akt-marrëveshje rinovohet çdo vit nga të dyja palët.

Mehmet Disha

[1]. Me Haxhinjtë shqiptarë në Arabinë Saudite, pjesë nga dokumentari televiziv i Haxhit të parë në vitin 1991, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

[2]. Nasuf T. Dizdari, Grupi i dytë i haxhilerëve shqiptarë, Revista Drita Islame, Nr. 14, Viti i I i botimit, 10.07.1992.

[3]. Informacion mbi marrëdhëniet me shoqatat e ndryshme bamirëse islamike arabe, datë 15.06.1993, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

[4]. Aktivitete, vjetar 2010-2011, Vëllimi I, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë 2011, f. 95.