Pse duhet të shoqërohemi me fëmijët

Fëmijët janë krijesa të vogla që vijnë në jetë si pasojë e dashurisë martesore. Ata janë dëshirë e shumëpritur e si rrjedhojë dashuri pa kushte. Por, në shumicën e rasteve, prindërit i gëzohen pranisë së tyre dhe nuk është se e dinë shumë mirë vlerën dhe rëndësinë e shoqërimit me ta. Ne kemi jo vetëm detyrën e rritjes, por, për më tepër, edhe detyrën e edukimit të drejtë e pozitiv. Ka raste kur mund të bëjmë zgjedhje që japin më shumë se një rezultat. Shpesh vijmë nga puna, dhe obligimi i parë për të kryer, është gatimi. Si rrjedhojë, s’kemi aspak kohë të rrimë si fillim me fëmijët tanë. Si t’ia bëjmë?!

Duhet ta dimë se fëmijët janë shoqëruesit më të mirë, që mund të keni në çdo fushë të jetës, e pse jo edhe në kuzhinë?

Përveç kthimit të kuzhinës përmbys dhe zhurmës që ata krijojnë, arti i të gatuarit duhet t’u vlejë fëmijëve shumë më tepër nga sa mendoni. Pra ne shqetësohemi se sigurisht ata do derdhin, do përplasin, do e presin keq, dhe na duket si një kokëçarje më shumë. Lërini mënjanë telefonat inteligjentë, lojërat elektronike apo kurset e shtrenjta private, dhe merrini fëmijët në kuzhinë, sepse, mesa duket, të gatuash është padyshim një nga gjërat më të vlefshme, që mund të bëni bashkë me fëmijën tuaj. Telefonat s’mund të jenë më inteligjentë se fëmijët tuaj, as më të shtrenjtë për ju se ata, prandaj, e martë e mira, gatimi do të na marrë pak më shumë kohë, por nejse, rëndësi ka lumturia e tyre, në praninë tonë.


Prania jonë në jetën e tyre ka më shumë vlerë psikologjike sesa materiale, si rrjedhojë, kur ata gatuajnë me ne, ndihen shumë të rëndësishëm dhe mendojnë se ne na nevojitet ndihma e tyre. Gatimi i lejon fëmijët të çlodhin trurin, aty ju ndiheni si dy shokë që gjatë gatimit mund të bëni edhe biseda, mbi të gjitha, të keni mundësi të mësoni më shpejt për problemet e fëmijës suaj adoleshent duke e përfshirë në gatim sesa ta merrni atë drejtpërdrejt në pyetje.

Një tjetër arsye me vlerë është se, kur fëmija mundohet, ka më shumë gjasa që ai ta konsumojë këtë ushqim për arsye se është lodhur për ta bërë, por edhe se ndihet krenar për këtë punë në grup.

Gjatë gatimit fëmijët aftësohen edhe në njohjen e lëndëve dhe reagimet e tyre, p.sh. në bërjen e revanisë, ata njohin reaksionin acid-bazë, kos-sodë.

Nëse do i fusni fëmijët në gatim, përdorni një libër kuzhine, sepse ata, përveçse do të gatuajnë, do të lexojnë për ju, duke u aftësuar në lexim, gatim, dhe kuptojnë se të qenët prindër s’qenka aspak e lehtë.

Në momentin që jemi në kuzhinë konsumojmë perime dhe fruta, këtë gjë e përvetësojnë edhe fëmijët tanë, pra qëndrimi në kuzhinë i afron me konsumimin e këtyre produkteve.

Gjatë gatimit mund t’i njohim fëmijët me historikun e gatimeve, p.sh. që kjo trevë e ka këtë gatim tradicional, etj.

Përfshirja në kuzhinë i jep edhe kulturën e festave, sepse p.sh. kur është bajram ne gatuajmë ushqime tradicionale dhe si rrjedhojë, i japim mundësinë që në kohën e globalizmit të ketë edhe ushqime dhe dije tradite.

Fëmijët të cilët largohen herët nga gjiri ynë për të qenë të pavarur ose për t’u shkolluar, nëse kanë qenë të përfshirë në kuzhinë, s’do e kenë fare problem gatimin, si rrjedhojë një rrugë e dy punë, i mbajtëm pranë dhe i aftësuam për jetën.

Të qëndrosh me fëmijët është gjithmonë kënaqësi, por kur ata mësojnë është edhe dobi…

Pra gatuani dhe shijoni me ta kohën e kaluar në kuzhinë.

Entela Hidri