Mos kritikoni, por nxisni të menduarit kritik

Të kritikosh është shpesh mënyrë e jona e komunikimit. Ne kritikojmë shpesh e në vazhdimësi stile jetese, mënyra veshjeje, mendime, opinione, sjellje, etj., etj. Të kritikosh është një mënyrë reagimi, e cila ndodh kur ne jemi në mospërputhje me mendimin e personit që kemi përballë. Mundësia më e keqe e kritikës, ndodh kur ne këtë kritikë ia drejtojmë vogëlushëve tanë. Mënyra e shpeshte e shprehjes tonë ndaj tyre me anë të kritikave dhe të pakënaqësive, na bën që shpesh ata të humbin vetëbesimin dhe të ndihen të palumtur e të pambrojtur.

A ndryshon të kritikuarit me të menduarit kritik?!

Çdo sjellje e ka edhe një alternativë tjetër, e cila është më e mirë. Nëse ne shpesh jemi të pakënaqur me fëmijët tanë, sepse sipas opsionit tonë “ata duhet të jenë më të mirët”, do ishte më mirë që të nxisim te ata të menduarit kritik, i cili është analizues, meditues, veprues e zbatues i një logjike të shëndetshme.

Të menduarit kritik, është thjesht aftësia për të menduar logjikisht para se të besojmë diçka që lexojmë apo para se të ndërmarrim një veprim. Një fëmijë, të cilit i nxitet të menduarit kritik, sipas shumë studimeve është 12 herë më i mundshëm të gjejë zgjidhjen e një problemi se sa një fëmijë të cilit nuk i nxitet të menduarit, të merituarit, të analizuarit dhe të vepruarit me strategji për zgjidhjen e një problemi.

Të menduarit kritik është i rëndësishëm për shoqërinë. Ai e përpunon i informacionin në kahun e së vërtetës, sepse të menduarit kritik e nxit realizmin në analizë në një situatë dhe ndihmon në marrjen e riskut dhe kalimin me sukses. Pra të menduarit kritik, e bën lidhjen mes ideve dhe logjikës, në mënyrë të atillë që të ndërtojë dhe të vlerësojë argumente të vlefshme, të jep mundësinë edhe të marrjes parasysh të gabimeve të bëra me vërtetësi, na shtyn t’i zgjidhim problemet dhe jo t’i anashkalojmë ato, të kuptojmë se gjysma e punës bazohet në ide.
Kjo mënyrë të menduari nuk ka rëndësi vetëm për studiuesit, por për secilin prej nesh. Edhe në punët që kërkojnë më pak të menduar e më shumë përpjekje fizike, të menduarit kritik mund të na ndihmojë të jemi më shumë krijues dhe të gjejmë një mënyrë më të thjeshtë për t’i realizuar ato.

Në fakt ritmet e shpejta të zhvillimit të teknologjisë, na bëjnë të dalim në përfundimin se të menduarit kritik do na ndihmojë në jetën tonë të përditshme, ku asnjë informacion nuk mund të merret i mirëqenë pa kontroll. Çdo njeri mund të majorizojë fakte, por aftësia për t’i përdorur gjërat që dimë varet nga të menduarit kritik, dhe pa të faktet që dimë janë pa vlerë.

Pra, përse na shërben të menduarit kritik?

Për të përdorur faktet që dimë atëherë kur duhet dhe aty ku duhet. Pra, jo çdo gjë që dimë nëse se kemi stërvitur të menduarit kritik, mund ta përdorim në jetën tonë.

Kjo është një aftësi e rëndësishme për të gjithë e prandaj duket mësuar që në vegjëli. Krijimtaria shtohet dhe të folurit përmirësohet kur mendojmë në mënyrë më kritike. Në një sistem që ndryshon vazhdimisht, të menduarit kritik do u ndihmojë të punësuarve të krijojnë dhe përdorin modele të reja për zgjidhjen e problemeve.

Për këto, por edhe për shumë arsye të tjera, ne duhet të përdorim të menduarit kritik, sepse diferenca e atyre që e përdorin dhe atyre që nuk e përdorin të menduarit kritik është e madhe.

Mendimi kritik dhe tiparet e tij

Mendimi kritik është baza e një përparimi të mirë në jetë. Që të kuptoni nëse ju dini të nxisni të menduarit kritik, më parë duhet të njihni karakteristikat e këtij mendimi:

Nuk mjaftoheni vetëm me një burim të dhënash, por hulumtoni dhe kërkoni më shumë se një të tillë.

Mërziteni nëse dikush nuk është i aftë të gjykojë punën e bërë mirë.

Mahniteni me funksionimin e gjërave dhe përpiqeni të kuptoni si ndodh kjo.

Diskutoni logjikshëm edhe me njerëz që nuk janë dakord me mendimin tuaj, por që ju japin argumente të mira dhe të besueshme.

Keni aftësi të merrni kthesa dhe të ndërroni mendje nëse bindeni se e keni gabim.

Ju hulumtoni, lexoni dhe zhvilloni veten në aspektin profesional.

Jeni krijues dhe sillni ide të reja.

Analizoni në detaj edhe çështje të thjeshta, edhe pse kjo nuk është diçka e mirë për ju.

Kërkoni nga vetja edhe kur e dini se s’mund t’i bëni të gjitha.

Në fakt më shumë mendoni se veproni.

A mund të mësohet të menduarit kritik?!

Të menduarit kritik dhe krijues nuk është i lindur, por mund të mësohet, stimulohet dhe zhvillohet me kalimin e kohës. Por, që të arrihet kjo, duhet që sistemi formal i edukimit, shkolla – vendi ku promovohet dija shkencore dhe shoqërore – e cila synon t’i aftësojë qytetarët e rinj për të ardhmen e tyre personale dhe profesionale, të funksionojë si duhet. Megjithatë, në këtë drejtim, shkolla jonë ka mangësi, sepse në vend që të fokusohet tek individi, vë theksin te parimet, në vend të dijes sociale, bazohet tek ato shkencore, në vend të ideve, mbështet konceptet. Prandaj, është e nevojshme të njihen të metat e këtij sistemi, në mënyrë që ai t’u përgjigjet më mirë nevojave të të rinjve, madje, të ngrihet mbi tërësinë e këtyre nevojave, sepse ato janë të parat dhe më të rëndësishmet. Në këtë mënyrë, nxënësit dhe studentët nuk do të gjykohen për shprehjen e tyre të lirë, nuk do të diskriminohen për “pemën e shtrembër që kanë vizatuar” apo për “prezantimin me letra me ngjyra” që kanë bërë.

Rëndësia e të menduarit kritik në shkollë

Termi “të menduarit kritik” është përdorur në qarqet arsimore edukative për dhjetëra vite dhe ka kuptime të ndryshme, për grupe të ndryshme. Të menduarit kritik do të thotë të menduarit në nivel më të lartë. Ky proces i lejon nxënësit të jenë produktivë në shkollë, politikë, shkencë dhe shoqëri. Mendimi kritik në shkollë mund të përdoret si mendim logjik për t’ia ofruar zgjidhjen e shumë vështirësive të nxënësve. Mësuesit duhet të bëjnë përpjekje që t’i ndryshojnë praktikat e tyre për të mbështetur zhvillimin e të menduarit kritik gjatë të lexuarit dhe të shkruarit. Ata duhet të mbështesin të menduarit kritik, që nxënësit e tyre të mos jenë riprodhues të thjeshtë, por të shqyrtojnë, të krijojnë, zgjedhin, interpretojnë e debatojnë fakte, të dhëna apo ide që jepen në materiale përkatëse. Një mësimdhënie e këtillë pranohet sot gjerësisht si praktika më e mirë. Studimet tregojnë se në orë mësimi aktive, të organizuara dhe menduara mirë, të nxënit është shumë më i efektshëm dhe më i frytshëm.

Në qoftë se nisemi nga premisa e një klase tradicionale, ku mësohet në mënyrë pasive, atëherë llojet e të nxënit aktiv, mund të arrijnë rezultate të mëdha në fushën e zhvillimit të të menduarit kritik, atëherë themi se të menduarit kritik nënkupton se nxënësit shkojnë përtej kërkimit aktiv të informacionit dhe bëjnë diçka më shumë: e lidhin atë që kanë mësuar me përvojat e tyre, e krahasojnë me punime të tjera, ngrenë pikëpyetje mbi vërtetësinë apo autoritetin e shkrimit, marrin në shqyrtim logjikën e argumentimit, nxjerrin mësim prej tij, ndërtojnë shembuj të tjerë, përfytyrojnë zgjidhje për problemet që parashtrohen në të, shqyrtojnë shkaqet dhe pasojat, e kështu me radhë.

Nëse duam edhe do ia dalim, suksese!

Entela Hidri