Ata që do të vijnë në kohëra më të mira

Pothuajse në të gjitha epokat që kanë kaluar, e vërteta rrallëherë ka qenë e lehtë për t’u mbajtur dhe për t’u bartur për tek të tjerët. Ka patur gjithnjë kohë kur vështirësia për t’u kapur pas të vërtetës dhe për të mbajtur e siguruar jetën me të, qe pikërisht kërcënim për vetë jetën dhe jetesën e njerëzve. Përcjellja e mesazhit hyjnor nuk qe e lehtë për asnjë nga profetët dhe pasuesit e tyre. Pati prej tyre që u vranë, u luftuan, u përçmuan, u ndoqën, u torturuan, u lanë të vetmuar mënjanë, u  syrgjynosën, u ndoqën këmba-këmbës, u sharruan më dysh, vuajtën periudha skamjeje e urish lodhëse. Kësisoj, të përballur me këto llahtari, shpirtrat e etur për mbijetesë, pa lënë mangët qëndrueshmërinë e durimin, shtrënguan dhëmbët në mënyrë trimërore dhe ruajtën zemrat nga korrupsioni, gjuhët nga ndryshkja, shpirtrat nga tjetërsimi dhe botëkuptimet e tyre nga zvenitja në ujrat e prishur të shoqërive në kohëra të ndryshme.

Ata që pasuan të dërguarit e Zotit me sinqeritet e drejtësi, çuan përpara dituritë që i morën si amanet dhe trashëgimi prej profetëve, ajkën e mëshirës së Zoti që pikoi prej zemrave profetike për tek zemrat e njerëzve të mirë, pikërisht ato dituri me të cilat njerëzimi do të mëkonte plagët e injorancës dhe rrënimit shoqëror për shekuj me radhë.

Mundimet dhë vështirësitë që patën besimtarët e parë që iu bashkuan Profetit Muhamed (a.s.) qenë tepër të vështira. Po ashtu, teksa rrethi i besimtarëve që i bashkoheshin safit të Islamit zgjerohej, vështirësitë vazhduan edhe tek ata. Kur’ani tërheq vërejtjen e besimtarëve duke zgjeruar dimensionet e zemrave të tyre rreth kësaj rruge: ‘A vërtetë i bëtë llogaritë e menduat se do të hyni në Xhenet, pa u sprovuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilëve u ra skamja e vuajtjet dhe qenë tronditur, saqë i Dërguari, bashkë me ata që kishin besuar me të, thoshin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut”?! Po a nuk është ndihma e Allahut afër?!”[1] Po, popujt e të vërtetës qenë ballafaquar me tortura gjer në vdekje, rrahje dhe prangosje, përndjekje dhe kërcënime që të linin rrugën e profetit dhe të mos e ndiqnin atë. Nuk u dorëzuan. Shpërblimet e Allahut për ta janë të paimagjinueshme, karshi kësaj jete të përkohshme e munduese atyre u jepet përjetësia e Xheneti.

Po ashtu, uria qe bashkëshoqëruese e të Dërguarit të Zotit i cili shpeshherë agjëronte në vazhdim pa bërë iftar. Teksa bëheshin punimet e gërmimet për t’u përgatitur për luftën e Hendekut, sahabët i thoshin Profetit se kishin lidhur nga një gur në barqet e tyre për të zëtekur urinë. I dërguari i Zotit u tregonte se ai vetë kishte lidhur jo një, po dy gurë për të njëjtën gjë. Kështu ka qenë rrugëtimi i të vërtetës së Kur’anit dhe të imanit që të mbërrinte gjer tek ne. Ebu Hurejre r.a. na tregon se një ditë e pa të Dërguarin e Allahut a.s. teksa po falej ulur dhe, i shqetësuar, e pyet si është puna. I dërguari i Allahut i thotë: “O Ebu Hurejre, e kam nga uria.” dhe Ebu Hurejres zunë t’i rridhnin lotët rrëke. Atëherë, i dërguari i Allahut a.s. i thotë: “Mos qaj, o Ebu Hurejre. Vështirësitë e ditës së Kiametit nuk e zënë atë që në këtë botë vuan nga uria dhe e di që e ka shpërblimin te Zoti.”[2]

Duhet të jemi në dijeni se shembulli i jetës së Profetit Muhamed a.s. është jashtëzakonisht i mbushur me vështirësi të cilat, u kaluan me sukses falë durimit, shpresës, guximit, mposhtjes së frikës, teuekkulit (mbështetjes te Zoti) besimit dhe përpjekjes së palodhur, si në vitet e vështira të Mekës, si në Medine, si në luftën e Bedrit, apo atë të Uhudit, e në përleshjet e tjera, si edhe po njësoj në shekujt që pasuan, pati prej atyre trimave e trimëreshave që sakrifikuan jetët, e jo vetëm, shkuan më më tej, teksa jetonin, sakrifikuan jetesën; teksa qeshnin mbajtën fshehur dhimbjet dhe morën nga një plagë për secilën qeshje. Jetuan të lirë e të pakorruptuar edhe kur u gjendën të ndryrë në burgjet e të padrejtëve; lanë mangët çapën e bukës, ose, dhe kur e patën një çapë, e hëngrën atë thatë, si Hafiz Sabriu ynë i mirë, me një kokërr qepë në xhep, agjëronte nga iftari në iftar, me atë copë hallall ndriçonte ditët, netët, si e si të mos shiste shpirtin për pesë parë dynja, si e si për të bërë të mundur që Islami, së pari, brenda tij të mos binte, që morali të mos tretej, që besimi të mos ndotej me dyshime, si dhe e vërteta të mos humbej duke vërtetuar kuptimin rrënjësor të kësaj feje të bukur të stolisur me ideale të larta, që është: dorëzimi tek Zoti.

Gjithë kjo sakrificë për të ruajtur thëngjijtë të mos shuheshin e të përçoheshin për tek brezat e tjerë. Gjithë kjo përpjekje për të ruajtur flakën e dashurisë për Zotin dhe të Dërguarin e Tij (s.a.s.). Farëra të sinqerta që buruan prej zemre, që u bartën në ujrat e kohërave, që të mund të zinin vend në fusha, në brigje, diku në një cep atje, gjersa të gjenin kohën e përshtatshme kur kaderi hyjnor do u jepte urdhrin për të mbirë e për të hedhur shtat.

Për ata shpirtra të pastër e të dëlirë, feja qe buka e përditshme e qenies; për ta e vërteta qe si oksigjeni, si fryma, si ajri… Në llogoret e mundimeve e të vështirësive, shndriste balli i atyre që rendën pas të vërtetës të përzhitur nga malli për të fituar kënaqësinë e Zotit, e që më pas udhëtuan për në amshim dhe si gjithë të tjerët, zunë varret dhe ranë në prehje. Më pas, Zoti i lartësoi duke ngritur si përmendore në ndërgjegjet e të mëvonshmëve, amanetin e tyre.

Allahu i Lartësuar në disa ajete kuranore na tërheq vëmendjen drejt unifikimit me të parët në rrugën e drejtë dhe jo në ato sisteme që i sollën njerëzit e prishur. Ky unifikim pasqyron vlerën e historisë dhe sakrificën e njerëzve të përzgjedhur të Zotit. Po kështu edhe profeti Muhamed a.s. erdhi në gjurmët e profetëve dhe ftoi për tek Zoti dhe feja e Zotit, duke ndrequr kështu edhe ato tablo dhe përcjellje të gjymtuara të historisë, ku Isai a.s., Musai a.s., Ibrahimi a.s., Jakubi a.s., Ishaku a.s. dhe të gjithë profetët i kanë ftuar njerëzit tek e njëjta rrugë dhe jo në ndasi apo në politeizëm, por në njëshmërinë e Zotit dhe në unitetin e bashkësisë së njerëzve që ndjekin udhën e Tij, si ummet. “Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur ju myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Andaj, faleni namazin, jepni zekatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai![3]

Ne erdhëm në kohëra më të qeta. Asokohe rruga e të parëve qe plot ferra, qe dimër e borë, rrugët qenë të zëna, a në mos me thepisje, dhe ideja e ditëve më të mira për ta qe thjesht një ëndërr; mirëpo, ata u kapën pas kësaj ëndrre dhe me të mbajtën gjallë fillin e shpresës. Brezat që vijnë në prag të pranverës, së pari, duhet të qëndrojnë në parvazin e të vjetërve dhe t’u çojnë selame, bekime, lutje e mirënjohje për mirësinë e sakrificës që bënë. Falë përpjekjeve të tyre të sinqerta dhe përgjërimeve të tyre të zellshme, Zoti nuk e shuajti besimin e brezave.

Ne gjetëm gjurmë lehtësimi në prag të çdo horizonti që shkelëm. Gjetëm thëngjij të pashuar. Gjetëm dritë të pashuar. Gjetëm aty pak ujë, bukë dhe kripë të lëna nga dashuria dhe zelli i njerëzve të Zotit, se mbase bijtë e bijat me vonë do mbërrinin aty të lodhur, të sfilitur e të tretur nga etja dhe uria. Ne qëndrojmë në shqem të këtyre horizonteve të jashtëzakonshme e teksa flladi i pranverës na rreh ëmbël ballin, themi të përmalluar, me plot mirënjohje; “Selam atyre që na deshën pa na parë! Selam atyre që sakrifikuan dhe nuk u dorëzuan! Zoti qoftë i kënaqur me ta dhe me ne bashkë!”

Amanetet kërkojnë qëndrueshmëri dhe supe të forta. Njerëzit që do të çojnë përpara karvanin e besimit në dyert e të tjerëve që do të vijnë më vonë, do të përballen sërish me të njëjtat sprova e vështirësi, krahas lehtësimeve që bota materiale ofron në të tashmen.

Ndofta diku në një cep tjetër të botës mbase ka ende njerëz që, për shkak të besimit të tyre dhe përpjekjes për të ecur në rrugën profetike, janë të burgosur, të persekutuar, luftohen, mbi ta bien padrejtësitë si shirat, mbi ta lëshohen kershëri plumbat dhe bombat, mbi ta fle uria e skamja. E ka të tjerë që e kanë më të lehtë jetën, po në të njëjtin glob. Zemrat tona duhet të jenë të zgjuara, të gjalla mjaftueshëm për të ndjerë dhimbjen e çdo njeriu në tërë rruzullin tokësor dhe lipset që lutjet për ta të jenë të pandërprera.

Pa ngecur tek rehatia dhe kënaqëisa e nefseve, horizontet e zemrës e të shpirtit thërrasin për trimërinë e kohës, për të fituar kënaqësinë e Zotit duk u unifikuar me njerëzit e sinqertë të Zotit.

Mehmet Disha


[1] Kuran, surja Bekare, 2:214.

[2] Kenz’ul Ummal, v7. Fq. 199, hadith nr. 8626.

[3] Kur’an, surja Haxh, 22:78.