Dhuna në familje, qëndrimi i Islamit ndaj këtij fenomeni

Kur Zoti krijoi femrën, Ai e krijoi atë si gjysmën tjetër plotësuese të mashkullit, si bashkudhëtare, shoqe me të cilën do të përballonte sfidat e shumëllojshme të kësaj bote. Ata do të ishin të barabartë në natyrën që ishin krijuar. Kur Zoti vendosi të krijonte gruan, Ademin a.s. e vuri në gjumë, mori njërën nga brinjët e tij dhe krijoi gruan e parë, Havanë.  Kur Ademit a.s. i doli gjumi, gjeti një grua pranë tij. Ai e pyeti menjëherë: “Kush je ti?” Ajo u përgjigj: “Jam një grua.” Ademi a.s. e pyeti: “Përse je krijuar?” Havaja  iu përgjigj: “Që të gjesh prehje tek unë.”

Vetë Allahu në Kur’an në lidhje me krijimin e mashkullit dhe femrës si dhe marrëdhënien mes tyre, thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra… Jetoni e silluni mirë me to!” (Nisa, 1 dhe 19)

Por sa keq. Me kalimin e viteve, gruan e hodhën nga piedestali mbi të cilin e kishte vendosur Krijuesi. Ajo u pa si një krijesë e dobët, si plaçkë a send në dorën e mashkullit, me të cilën ai mund të bënte ç’të donte. Të drejtat e shkelura të gruas dhe dhuna ndaj saj janë kthyer në njërën prej plagëve më të rënda të shoqërisë kudo, së cilës nuk po i gjendet shërimi. Në Traditën Profetike na tregohet një shembull shumë i mirë në lidhje me të.

Në Sunenin e Ebu Davudit transmetohet një ngjarje shumë interesante, nga e cila mund të nxjerrin shumë mësime si myslimanët, por edhe njerëzit e tjerë. Profeti Muhamed a.s. u kishte thënë shokëve të tij në lidhje me gratë: “Mos i qëlloni robëreshat e Zotit!” Disa kohë pasi Profeti a.s. e kishte thënë këtë hadith, shkon Omeri r.a. dhe i thotë: “O i dërguar i Allahut! Gratë po iu kundërvihen burrave!” Atëherë Profeti a.s. i lejoi burrat që t’i edukojnë gratë e tyre. Menjëherë pas kësaj, shtëpia e Profetit a.s. u mbush me gra që ankoheshin për burrat e tyre. Profeti a.s. tha: “Në shtëpinë e Muhamedit kanë ardhur shumë gra që ankohen për burrat e tyre. Ta dinë se ata burra nuk hyjnë te fisnikët myslimanë.”

Pra, Profeti i mëshirës i urdhëron shokët e ndjekësit e tij të mos i qëllojnë gratë. Përdorimi i fjalës “robëreshë”, përcjell një mesazh të rëndësishëm, i cili mund të përkthehet në: “Një robëreshë ose rob e qëllon, dënon ose liron vetëm pronari i saj/tij, jo dikush tjetër”. Pra, gratë edhe burrat kanë “pronar” Zotin e Madhëruar dhe nuk mundet dikush tjetër të vërë dorë mbi “pronën” e Tij.

Pasi Profeti a.s. u jep leje burrave t’i edukojnë gratë e tyre dhe ato ankohen për mënyrën si burrat vepronin, ai i pranon ankesat e grave dhe u tërheq vëmendjen burrave të mos e bëjnë më diçka të tillë.

Kur Profeti a.s. u pyet mbi të drejtat e gruas, u përgjigj: “Ta ushqesh siç ushqehesh, ta veshësh siç vishesh, të mos e qëllosh në fytyrë, të mos përdorësh me të fjalë banale dhe të mos e braktisësh, veçse në shtëpi.” Profeti a.s. në këtë hadith i garanton gruas të drejtat e saj themelore, dinjitetin dhe sërish urdhëron që gruaja të mos goditet.

Në lidhje me të drejtat e gruas dhe ndalimin e dhunës në familje në Islam mund të gjejmë shembuj të shumtë, por shembulli më i goditur dhe më i duhur, që e bën një burrë të çfarëdolloj përkatësie fetare, kombësie apo race t’i vërë gishtin kokës, është fjala e Profetit a.s.: “Si mund ta qëllojë dikush prej jush të shoqen ashtu siç qëllon skllavin? Si është e mundur që e qëllon ditën, e mandej shkon dhe shtrihet me të në shtrat në darkë?” Ai a.s. nuk e imagjinonte dot se si një burrë mund të shtrihej në mbrëmje për të fjetur me të shoqen, nënën e fëmijëve të tij, të cilën e kishte qëlluar e goditur.

Në fund, do të doja të përmendja sërish fjalët e bukura dhe lakonike të Profetit Muhamed a.s. me të cilat ai bëri të reflektonte një të ri, i cili mëkatonte: “A do të dëshiroje që dikush t’ia bënte këtë nënës tënde, motrës tënde, vajzës tënde, e po edhe ajo grua është nëna, motra apo bija e dikujt!”

Ana Haxhiu

O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju. (Kur’an, Nisa: 135)