A nuk e keni vërë re se sa shumë sende e krijesa të ndryshme, bimë, insekte, kafshë, shpendë, etj., na rrethojnë? A nuk e keni vënë re se të gjitha këto i përmbahen një rregulli të caktuar, që drejton jetën e tyre? A nuk e keni vënë re se si mbi ju, në hapësirën e pafundme qiellore, yjet, dielli, hëna, planetët, retë, erërat, i përmbahen, gjithashtu, një rregulli të përkryer, duke kryer shërbime të pallogaritshme për jetën tonë në tokë.

Kush i ka krijuar të gjitha këto dhe kush e ka vendosur dhe e kontrollon këtë rregull të përsosur dhe harmonik?

Askush nuk mund të pretendojë asgjë për krijimin e tyre, qoftë dhe të një fije floku!

Krijuesi dhe Mbështetësi i gjithë këtyre krijesave është vetëm Një. Duke njohur Krijuesin e Furnizuesin tonë, është detyrë ta falënderojmë dhe ta adhurojmë Atë, t’ia nënshtrojmë veten dhe jetën tonë Udhëheqjes së Tij të Urtë e të Mëshirshme.

Dashuria për Allahun ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë. Besimi tek Allahu është një flakë e përjetshme, e cila të ngroh zemrën dhe shpirtin. Që të mund ta njohim Allahun, nuk është e nevojshme të ndërmarrim një rrugë të gjatë e të ndërlikuar. Mjafton t’i drejtohemi dhe të kemi besim tek Ai.

BUKURIA

Trëndafilat që u japin ngrohtësi aromatike mbrëmjeve, dritat që u japin thellësi netëve, pemët që zgjohen me diellin e pranverave, lumenjtë që rrjedhin me qetësinë e madhështive… e mijëra e mijëra shfaqje të kësaj bote, na shkaktojnë emocione të papërshkruara, ngazëllim të përzier me çudi e mahnitje. Parandiejmë një të vërtetë që na zgjon ndjesi e na drithëron qenien tonë. Kjo poezi e pashkruar është vetë BUKURIA.

Bukuria është gjuha e heshtur e materies. Meqë shprehet pa fjalë, ajo është gjuha e përbashkët e gjithë njerëzve. Ajo lind nga harmonia midis sendit e kuptimit. “Bukuria është harmonike dhe shprehëse”. Mirëpo, a ka në gjithësi diçka që të mos jetë harmonike e shprehëse? Për atë që di të vështrojë çdo gjë është e bukur. Kjo gjithësi është një galeri arti, ku janë ekspozuar bukuri të panumërta.

Bukuria është një nga urtësitë e krijimit të gjithësisë. Me njohjen e vetvetes, ne kuptojmë një pjesë të kësaj të vërtete. Kjo botë është pasqyra e Bukurisë së Krijuesit.

Ne jemi njerëz dhe e duam të bukurën dhe duam që kjo bukuri të jetë e përhershme. Por nuk mund të ketë kënaqësi për ne, pa gjetur burimin e bukurive, pa e adhuruar Atë, Krijuesin…

MEDITIM

Jeta në qytet i ngjan një rrethimi. Horizonti i shikimit kufizohet nga muret e betonit dhe ne jemi shndërruar si të burgosur brenda vezëve prej “betoni”, lëvozhgën e të cilave s’mund ta thyejmë. Do të doja që njerëzit të mos mbeten brenda këtij rrethimi, por të bëheshin dëshmitarë të “aventurës” së zogjve të pulës, që pasi kanë mbushur ditët, çukisin lëvozhgën për të dalë nga veza. Në këtë rast, ata do të viheshin në mendime… Sepse, fakti që nga një vezë pa kokë, krahë e këmbë, që nuk sheh e nuk dëgjon, del një qenie që vrapon, sigurisht që e vë në mendime njeriun.

Kush është qëndistar i pendëve të palloit? Mos vallë bilbilat nga veza mësojmë të thurin melodi, njërën më të bukur se tjetrën? Nga e mori trumcaku dhembshurinë dhe ku e gjeti shqiponja dashurinë?

Njerëzit, me gjithë dituritë e fituara, ende nuk mund të bëjnë një vezë a një zog. Atëherë si arrin të bëjë një zog veza që s’ka as njohuri, vullnet dhe fuqi? Na del sikur pula që bën çdo ditë nga një vezë, qenka më e mençur nga ne, apo jo? Natyra që s’njeh as vezën, as zogun dhe që vetë është një “vepër” si ato, kurrë s’mund të jetë edhe “autor”.

Le të mos rriten fëmijët tanë pa parë se si vezët bëhen zogj me krahë, pa e vrarë mendjen për këtë gjë dhe pa e njohur Atë që vezës i jep shpirt.

KUSH MBJELL, DO TË KORRË…

Çdo vend ka një administratë që e drejton; ajo nxjerr ligje për të vënë rregull dhe për të realizuar një shoqëri harmonike, si dhe përpiqet që të sigurojë zbatimin e këtyre ligjeve. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme… Kjo administratë i ndëshkon ata që nuk zbatojnë urdhrat dhe ligjet. Dembelët dhe kundravajtësit nuk vihen në një anë me të zellshmit dhe respektuesit e ligjeve.

Edhe kjo gjithësi, pa anë e pa fund, ku bën pjesë dhe toka ku ne jetojmë, është si të thuash “një zonë administrative” e madhe, që udhëhiqet nga ligje të përcaktuara, duke mos bërë asnjë shmangie prej tyre, gjë që tregon për një administrator të jashtëzakonshëm. Ky administrator, që e ka bërë të njohur veten e Vet me 99 emra, një vend të veçantë u jep njerëzve si qeniet më të mrekullueshme të gjithësisë. Për ata ka nxjerrë ligje të veçanta. Për të zotët e mendjes ka urdhra dhe ndalime të posaçme. Të gjitha këto i ka bërë të njohura me anë të përfaqësuesit të Tij. Ai nuk do t’i trajtojë njësoj, si respektuesit ashtu dhe mosrespektuesit e këtyre ligjeve; mosrespektuesit do t’i ndëshkojë, ndërsa të bindurit do t’i shpërblejë. Dhe kjo nuk do të ndodhë në këtë botë. Do të jetë në botën tjetër, në gjykatën e së cilës, fajtorëve do t’u jepet dënim, ndërsa besimtarëve, shpërblim.

Bota në të cilën jetojmë është një arë për t’u mbjellë… Kush mbjell, edhe do të korrë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here