BESIMTARI DHE SFIDAT E SHEKULLIT

Shekulli i 21 mund të quhet me plot gojën shekulli i teknologjisë. Besimtari e gjen veten përballë sfidave të ndryshme në çdo kohë, por duket se zhvillimi i madh teknologjik që po jetojmë, është duke e sfiduar njeriun në përgjithësi dhe besimtarin në veçanti, në një formë më të dukshme. Përveç mediave vizive e të shkruar, janë rrjetet sociale ato, nga të cilat kërkohet që besimtari të jetë i kujdesur dhe i matur. Sepse si çdo gjë, edhe ato mund të shërbejnë për mirë e për keq, në varësi të përdoruesit. Dua të hedh vëmendjen më tepër te debatet dhe komentet në rrjetet sociale, sepse aty vë re një gjuhë të ashpër kur bie fjala për debat apo kur shprehim mendimet tona. Pyetja që i shtrojmë vetes ne si besimtarë ka të bëjë me qëndrimin dhe ekuilibrin që duhet të mbajmë në raste të ndryshme kur është i nevojshëm mendimi ynë. Pse duhet që të shfryjmë dufin, inatin apo të shprehemi me ndjenjë hakmarrjeje?! Apo më keq, pse duhet që komentet të marrin përmasa duke shkuar deri në ofendime dhe gënjeshtra?!

Sot, me shqetësim ndjekim informacione të gabuara, përplot me gënjeshtra e shpifje që shëtisin e përhapen kudo, duke nëpërkëmbur të drejtën, nderin dhe privatësinë e individit. Më e keqja është se shohim edhe myslimanë, të cilët bëhen pjesë e këtij zullumi që shkatarron vëllazërinë e harmoninë ndërmjet njerëzve. Mirëpo besimtari i mirë, nuk duhet të bie pre e këtyre fenomeneve dhe përballë këtyre sfidave qëndron në vlerat e larta të islamit, që janë manuali më i mirë dhe i pa gabuar për njerëzimin. Nga ai kërkohet që ta ushqejë veten në çdo kohë e moment me mësimet dhe këshillat universale, të cilat Allahu i Lartësuar i dërgoi njerëzimit me anë të profetëve. Vetëm duke u kalitur me këto vlera, ai i bën ballë me lejen e Zotit dhe i kapërcen me sukses si durimtar çdo pengesë, sprovë apo rrezik që i kanoset, duke u bërë në të njëjtën kohë falënderues për mirësitë, gëzimet e lumturitë që i janë dhënë.

Në debate apo komente të ndryshme, ku kërkohet mendimi i një besimtari mysliman, ai duhet të sillet në koherencë me mësimet e Islamit duke përfaqësuar fytyrën paqësore të tij. Ai e ruan këtë gjendje edhe kur ofendohet nga të tjerët, sepse rrezaton urdhrin e Krijuesit kur thotë: “Robërit e të Gjithmëshirshmit janë ata që ecin me thjeshtësi dhe kur të paditurit i sulmojnë me fjalë ata i përgjigjen vetëm me paqe”. Parë gjithnjë në këtë optikë, besimtari në çdo moment të jetës së tij promovon dhe demostron paqe, siguri e drejtësi. Ai pavarësisht se ka të drejtë apo jo, përdor një gjuhë të butë duke iu përmbajtur të vërtetës. Nga ai pritet ta konsiderojë veten shumë larg sharjes, ofendimit dhe përfitimit të padrejtë.

Në një hadith të transmetuar nga ibn Mesudi Profeti (a.s.) ka thënë: “Jini të drejtë sepse drejtësia ju shpie në mirësi. Ndërsa kjo e fundit, ju shpie në xhennet. Nëse njeriu bëhet i drejtë dhe gjithmonë bën punë të drejta, te Allahu shkruhet si besnik. Largohuni nga gënjeshtra sepse ajo e shpien njeriun në mëkat. Ndërsa ky i fundit e shpie në xhehennem. Nëse njeriu gënjen vazhdimisht dhe punon duke gënjyer, te Allahu shkruhet si gënjeshtar”. Prandaj në rradhë të parë të kërkojmë më të mirën në moralin tonë dhe pastaj të kontribuojmë në mënyra të ndryshme edhe në rregullimin e brezave të rinj e të shoqërisë në të cilën jetojmë. Sepse nëse duam rend, siguri, qetësi dhe drejtësi, zgjidhja është në parimet universale që e përsosin njeriun dhe e shpien drejt tyre.

Islam Hoxha