DASHURIA, NDJENJA SUBLIME QË MBAN NË KËMBË FAMILJEN

Sa e rëndësishme është dashuria dhe komunikimi në martesë?

Veçoria më e rëndësishme e njeriut është krijimi i tij me anë të dashurisë dhe dhembshurisë së të Lartmadhëruarit. Në një studim të realizuar kohëve të fundit në Angli, është parë se disa 60 vjeçarë dukeshin si të ishin 80, ndërsa disa të moshuar të moshës 80 vjeçare, dukeshin sikur të ishin 60. Specialistët shtruan pyetjen: Si jetojnë këta njerëz? Rezultatet e mbledhura nga anketat e shpërndara tregonin se të moshuarit 80 vjeçarë jetonin me dashuri, mirëkuptim, respekt për veten dhe bashkëshorten, dashurinë e përhapur në rrethin e tyre familjar e shoqëror dhe dukeshin sikur të ishin 60 vjeçarë. Ndërsa 60 vjeçarët, të cilët dukeshin si 80 vjeçarë, kishin kaluar një jetë të trazuar, të mbushur me zemërim, debate, larg dashurisë e ngrohtësisë të shumëkërkuar. Padyshim që dashuria është një lidhje e padukshme, e cila afron njerëzit me njëri-tjetrin, është koka e ndjenjave pozitive dhe fara e jetës sonë.

Dashuria radhitet në krye të ndjenjave të tjera si besimi, durimi, dhembshuria, etj. Në të njëjtën kohë është një ndjenjë, e cila mund të bashkohet e harmonizohet me ndjenjat e tjera. Kur bashkohet me shpresën, nxit motivimin. Ka raste kur bashkëshortët e duan njëri-tjetrin, por janë të pashpresë ndaj së ardhmes. Pas njëfarë kohe përballen me ndjenjën e pamjaftueshmërisë. Në raste të tilla martesat kanë nevojë për risi, të cilat të rrisin energjinë e saj.

Arsyeja e krijimit të gjithësisë është dashuria. Kjo është një ndjenjë e rëndësishme e cila mban në këmbë marrëdhënien mes bashkëshortëve. Edhe ruajtja, mbrojtja e saj është po aq e rëndësishme. A mund të mbarojë dashuria?

Dashuria nuk mund të qëndrojë në të njëjtin vend me frikën apo urrejtjen. Kur njëra hyn, tjetra del. Pra, kur njeriu zemërohet në memorien e tij të shkurtër, nuk mbetet më vend për dashurinë. Në momentin që dashuron, pikërisht në atë çast zhduket zemërimi. Zakonisht personat e zemëruar janë të prirur të qëndrojnë pa dashuri ngaqë peshon më shumë ana e zemërimit. Me kalimin e kohës shndërrohen në persona me probleme në kontrollimin e zemërimit. Ata që jetojnë me dashuri e zhvillojnë më shumë pjesën e trurit ku zë vend dashuria. Mbushen me dashuri dhe dinë vetëm të dhurojnë dashuri. Bashkëshorti duhet të arrijë t’i thotë bashkëshortes në prani të fëmijëve se e do për hir të Allahut. Fjala ‘Ai i cili nuk do krijesën, nuk mund të dojë Krijuesin’ është një fjalë shumë e bukur, e cila duhet kuptuar drejt. Është shumë e rëndësishme të dimë mënyrën e shumimit të rrugëve të dashurisë. Edhe në suren Ibrahim, në ajetet 24-25-26, theksohet se fjala e mirë i ngjason një peme me fruta rrënjët e të cilës janë të forta dhe degët e saj arrijnë deri në qiell. Sa më shumë fjalë të mira, fjalë të ngrohta të përdorim ndaj bashkëshortëve, fëmijëve, të afërmve tanë, aq më shumë fjalë të ngrohta do të na kthehen ne.

Në një eksperiment të realizuar nga Universiteti Harvard, disa çifteve iu tha nëse mund të jetojnë për një muaj pa i thënë njëri-tjetrit asnjë fjalë negative. Çiftet dhanë fjalën për ta realizuar këtë. Në këtë mënyrë u provua se çiftet që e kishin aplikuar siç duhet përdorimin e fjalëve të mira pas gjashtë muajve nuk kishin pasur më probleme ose kishin zgjidhur edhe problemet ekzistente. Psikologët sugjerojnë citimin për katër herë të anëve pozitive të njeriut përballë, më pas të themi kërkesën që kemi, pra të heqim krejt kritikën. Çfarë do të thotë thënia e katër anëve pozitive? Për shembull, t’i thotë bashkëshortit: ‘Jam krenare për dhembshurinë që tregon. Zoti qoftë i kënaqur me ty.’ apo ‘Je shumë i dashur me fëmijët, lodhesh shumë në punë, por ia del shumë mirë.’ Dhe më pas i thotë: ‘Pres që të vish më herët në mbrëmje’. Në të njëjtën mënyrë mund të sillemi edhe më fëmijët. Mund t’u themi që këto mësime i ke mirë, vishesh mirë, ke një marrëdhënie të mirë me shokët, ke shumë anë pozitive, por pres që të punosh në mënyrë sistematike. Kjo është një metodë shumë efektive. Medoemos duhet të qëndrojmë larg gjuhës së urrejtjes. Bashkëshortëve dhe fëmijëve tanë nuk duhet t’u përgjigjemi negativisht tri herë radhazi. Nëse fëmijën e kritikojmë tri herë rresht, atëherë ai do të mendojë se nëna apo babai nuk e do. Prandaj duhet lënë menjëherë gjuha e urrejtjes dhe të përdoret gjuha e dashurisë për të parandaluar probleme të tilla. Efekti i gjuhës së trupit është 65 për qind. Kur fëmijës apo bashkëshortes i thoni ‘Të dua’, kjo fjalë ndikon afërsisht 8 për qind, por nëse këtë fjalë e thoni duke e prekur apo i kapur dorën, atëherë do të ndikojë të paktën 65 për qind.

Nëse do të na duhej të radhisnim dashurinë, respektin e besnikërinë, si do t’i radhisnit? Cila është më e rëndësishmja në komunikim?

Sigurisht që dashurinë do ta radhisnim të parën, sepse është e pazëvendësueshme. Më pas bashkëshortët duhet të jenë të besueshëm në çdo ambient apo fushë. Bashkëshortët duhet t’i afrohen njëri-tjetrit me dhembshuri, të jenë optimistë duke shprehur mbështetjen e përhershme të njëri-tjetrit. 

Aisa Kokiçi