Dashuria për Profetin (a.s.) është dashuri për Allahun (xh.sh.)

Çdo namaz që falet, çdo agjërim që mbahet, çdo punë e mirë që kryhet dhe çdo frymëmarrje që konsumohet në rrugën e Islamit, ka si qëllim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Mënyra më e përshtatshme për ta fituar këtë kënaqësi është ndjekja e udhëzimit të Profetit Muhamed a.s. dhe marrja e tij si shembullin më të përkryer të mënyrës sonë të të jetuarit.

Zoti i Lartësuar na urdhëron bindjen ndaj Profetit a.s. në zgjidhjen e problemeve tona, të mëdha apo të vogla qofshin ato, dhe respektimin e çdo mendimi të hedhur prej tij, duke na paraqitur bindjen dhe respektin si imperativ të besimit islam. Në Kur’an thuhet:

“Për Zotin tënd, ata nuk do të besojnë në të vërtetën dhe nuk do të jenë të përulur para saj, deri atëherë kur të caktojnë ty të gjykosh për mosmarrëveshjet që kanë mes tyre, duke mos e ndjerë veten ngushtë për gjykimin që do t’u bësh dhe duke qenë të bindur para teje, siç janë besimtarët e sinqertë.” (Nisa, 65)

Zoti i Lartësuar në këtë ajet na tërheq vëmendjen në tre pika:

  1. Për zgjidhjen e çdo problemi, pikë së pari, të marrim në konsideratë vlerësimet dhe gjykimet e Profetit a.s., për problemin në fjalë ose të ngjashëm me të.
  2. Zgjidhjet dhe gjykimet që na vijnë nga ai a.s., të zënë vend në zemrat dhe mendjet tona si zgjedhjet dhe gjykimet më të mira.
  3. Bindja dhe respekti për të të jenë të sinqerta.

Kur’ani lajmëron se, për besimtarët nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveç dorëzimit absolut.

“Nuk i lejohet asnjë besimtari e besimtareje që të bëjnë zgjedhje tjetër në gjykimin e çështjeve që kanë, kur këto çështje i ka gjykuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, e kush kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij është larguar shumë prej rrugës së drejtë.” (Ahzab, 36)

Mosbindja ndaj Pejgamberit a.s. është njëkohësisht kundërvënie ndaj tij dhe rebelim ndaj Zotit të Madhëruar. Çdo ndjenjë dhe veprim që demonstrohet ndaj Profetit a.s., në të vërtetë i është demonstruar Allahut xh.sh.

Në disa ajete kuranore, mospajtimi me Pejgamberin a.s., tregohet si shkak i deviacioneve, humbjeve dhe fatkeqësive.

“Mos ia drejtoni thirrjen të Dërguarit, njësoj si thirrjen që ia bëni njëri-tjetrit; Allahu, me siguri, i di ata që largohen prej jush tinëzisht. Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.” (Nur, 63)

Kurse në suren Nisa, ajeti 115, thuhet: “Kush është në kundërshtim me të Dërguarin pasi është bërë e qartë e vërteta dhe udhëzimi për në rrugë të drejtë dhe nuk ndjek rrugën e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur…”

Në këtë kuadër mund të përmendim edhe disa hadithe të Pejgamberit a.s.

“Kush më bindet mua, i është bindur Allahut dhe kush më ngre krye mua, i ka ngritur krye Allahut.” (Buhariu)

“Përveç të shmangurve, i gjithë umeti im do të zërë vend në xhenet”, ka thënë në një rast Pejgamberi a.s. Ata që ishin me të e pyetën se kush janë të shmangurit? Atëherë ai iu përgjigj: “Të shmangurit janë ata që nuk i binden porosive të mia të sjella nga Allahu”.

Vetëm disa prej shokëve të tij e kanë përshkruar fytyrën e Profetit a.s. A e dini shkakun e kësaj? Kjo ndodhte, sepse pjesa më e madhe e tyre nuk guxonin ta shihnin gjatë në fytyrë për shkak të bukurisë së tij.

Ai u krijua siç mund të krijojë Zoti i gjithësisë krijesën e Tij më të bukur. Nëse e do bukurinë, duaje profetin Muhamed a.s., se është kulmi i bukurisë. Në qoftë se njeriu i do cilësitë e mira, dije se ai ishte kulmi i cilësive më të mira. Ishte ai njeri, që s’e edukoi as prindi, as babai, as nëna, as mësuesja, as shoku, por që e edukoi vetë Zoti i gjithësisë. Për këtë Profeti a.s. ka thënë: “Mua më ka edukuar Allahu dhe m’i ka përsosur cilësitë dhe moralet e mia.”

Çdo pretendim ka faktin dhe argumentin e tij. Dashuria për Profetin a.s., që e shprehim me gjuhët tona, që e duan zemrat tona dhe, me lejen e Zotit, e realizojmë në jetën tonë, duhet të ketë fakte. Le të tregojmë se e duam vërtet Profetin a.s., sepse dashuria për të është dashuri për Zotin e gjithësisë.

Mehmet Disha