DHJETË DITËT E PARA TË MUAJIT DHULHIXHE

Prej natyrës së njeriut është hutimi dhe harresa, por kjo nuk do të thotë që t’i humbim shpresat nga mëshira e falja e Allahut, por t’i shtojmë veprat e mira, sidomos në ato raste të volitshme në të cilat nëse vepron një të mirë, Allahu e shumëfishon deri në shtatëqind, e ti del prej tyre me shumë e shumë të mira.

Siç dihet pelegrinazhi i haxhit, dita e Arafatit dhe Bajrami i Kurbanit ndodhen në muajin e Dhulhixhes. Të gjitha këto dhe adhurimet e bëra në këto ditë, tregojnë rëndësinë e këtij muaji në mesin e myslimanëve.

Për dhjetë ditët e muajit Dhulhixhe është betuar Allahu i madhëruar në Kur’an. Betimi i Allahut për ndonjë prej krijesave të Tij është një lloj tërheqje vëmendjeje dhe dhënie e një rëndësie të veçantë asaj për të cilën betohet.

     “Pasha agimin. Pasha Dhjetë Ditët. Pasha Tekun dhe Çiftin” (El-Fexhr, 1-3).

Qëllimi për dhjetë ditët, është dhjetë ditëshi i parë i muajit Dhulhixhe, siç ka ardhur ky spjegim edhe në hadithin e Xhabirit, i cili ka thënë: “Dhjetë ditët” janë dhjetë ditët e Dhulhixhes, “teku” është dita e Arafatit, “çifti”, dita e Kurbanit” (Transmeton Imam Ahmedi).

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Përmendin (besimtarët) Allahun në ditët e caktuar, të njohura prej tyre” (El-Haxh, 28). Ibn Abasi ka thënë se “Ditët e njohura” ka për qëllim dhjetëditëshin e parë të Dhulhixhes.

Në lidhje me vlerën dhe rëndësinë e këtij dhjetëditëshi profeti Muhamed (s.a.s.) ka thënë: “Nuk ka ditë, në të cilat punët e mira të jenë më të dashura tek Allahu sesa kryerja e tyre në këto dhjetë ditë”. Thanë: Edhe më të dashura se xhihadi? Tha: “Më të dashura edhe se xhihadi, vetëm nëse dikush del në xhihad me veten dhe pasurinë e tij e nuk kthehet me asnjërën prej tyre” (Buhari, ijdejn, 11; Ebu Daud, Saum, 61). Në një tjetër thënie të tij i dërguari i Allahut thotë: “Nuk ka ditë më të mëdha tek Allahu i Madhëruar, e që Allahu t’i dojë veprat e mira në to më shumë se në çdo kohë tjetër, sesa dhjetëditëshi i Dhulhixhes, prandaj bëni sa më shumë Tehlil (La ilahe il-Allah), Tekbir (Allahu Ekber) dhe Tahmid (El-Hamdulilah)” (Taberani, Ahmed).

Në një hadith, Hafsa (nëna e besimtarëve), tregon se Profeti (a.s.) katër gjëra nuk i kishte braktisur kurrë; agjërimin e ditës së Ashures, agjërimin e dhjetëditëshit të parë të Dhulhixhes, agjërimin e tre ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve para namazit të sabahut. (Musned, Ahmed, 6/287; Nesai, Sijam, 83). Me përjashtim të informacionit mbi agjërimin e dhjetëditëshit të parë të Dhulhixhes, informacionet e tjera të këtij hadithi mund t’i gjejmë edhe në hadithe të tjera autentike.

Ibn Haxheri ka thënë: “Me sa duket i është dhënë përparësi këtyre ditëve ndaj të tjerave, sepse në këto ditë gërshetohen disa adhurime kryesore si: namazi, agjërimi, sadakaja, haxhi, e nuk bëhet një gërshetim i tillë vetëm se në këto ditë”.

Shkëputur nga libri “Ditët dhe Netët e mira në Islam”

Këshilli Botues, KMSH