DUKE SHOQËRUAR UDHËTARIN NË PËRJETËSI

Një nga misteret më të mëdha dhe më të thella për njeriun është stacioni i parë në vendbanimin e përjetshëm. Gjithsekush përgatitjen për atje e bën në bazë të besimit që ndjen dhe që aplikon në jetën e përditshme plot sprova. Kultura shpirtërore më me rëndësi e njerëzimit fillon me zgjidhjen e misterit nën dhè. Po qe se idetë, përpjekjet, kërkimet, thellësitë ndjesore dhe ndijimet e brendshme, nuk mblidhen rreth të vërtetës së vdekjes, e vërteta e këtij vendi misterioz e quajtur “varr”, nuk mund të bëhet e qartë. Me të vërtetë, në jetë janë dy këshilluesit më të rëndësishëm për njeriun. Njëri nga këta flet, tjetri hesht. Këshilluesi që flet është Kurani, ndërsa ai që këshillon me heshtjen e tij të thellë, është vdekja.

Vdekja është një moment vendimtar për njeriun, sepse ai në atë moment sheh rezultatin e tij, sikurse sheh edhe atë që e pret në të ardhmen e tij. Njeriut përmes vdekjes i hapet një derë që më kurrë nuk i mbyllet. Vdekja është ajo nga e cila askush nuk shpëton dhe çdo krijesë dorëzohet. Shumë njerëz dëshirojnë të shmangen prej saj, por ajo në të vërtetë nuk shmanget prej nesh dhe vjen në kohën e caktuar.
Profeti (a.s.) ka paralajmëruar se do të vijë një kohë që umeti do të ketë një sëmundje. I thanë shokët e tij: Cila është ajo sëmundje o i dërguari i Zotit? Tha: “Dashuria për dynjanë dhe urrejtja ndaj vdekjes[1]. Kjo do të thotë që njeriu i sotëm po ndërton këtë botë dhe të gjithë përpjekjet e tij po i drejton në këtë kahje. Ndërkohë botën e ahiretit e harron, ndoshta me mendimin që një ditë do ta ndërtojë edhe atë, por vitet kalojnë dhe koha merr tatëpjetën. Më pas vjen një kohë kur njeriu me harxhimet dhe mundin ka ndërtuar pothuajse gjithçka këtu dhe i vjen shumë keq ta braktisë e të shkëputet prej saj.

Megjithëse njeriu e kujton shumë larg vdekjen e tij, ajo është e pranishme gjithmonë në pritje të urdhrit në zbatim. Nuk dihet që vdekja të ketë gjuhë, por ç’kuptime madhështore ka groposur ajo në një heshtje të thellë! Varret janë plot me adresat e prindërve, fëmijëve, të dashurve, kushërinjve, të afërmve dhe miqve, që e kanë konsumuar jetën e përkohshme! Sa foshnja ajo i përqafoi ende pa e njohur këtë botë, sa fëmijë ajo i zuri në lojë e sipër e sa të rritur ajo i mori duke qenë të hutuar! Sa e sa njerëz i gdhiu mëngjesi, por nuk i zuri mbrëmja, dhe sa njerëz i ngrysi nata, por nuk i zuri mëngjesi! Duke reflektuar për këtë fenomen na vijnë ndërmend objektivat e ndryshëm afatgjatë dhe afatshkurtër të njeriut, i cili me këmbëngulje punon dhe përpiqet në realizimin e tyre gjithmonë për një jetë më të mirë, më komode dhe më të rehatshme. Duke filluar nga pranimi në një universitet të mirë, mbarimi i tij me sukses me mendimin për master, gjetja e një pune të mirë, martesa me një bashkëshorte të denjë për të, krijimi i familjes duke vazhduar me arsimin e edukimin e fëmijëve në vite, që janë ndër synimet kryesore të njeriut.

Njeriu në jetën e tij herë pas here hyn në një proces ndryshimi. Është tepër e rëndësishme që drejtimi i këtij ndryshimi të kthehet kah e mira, e dobishmja dhe e drejta. Allahu i Madhëruar i ka siguruar të gjitha kushtet për jetesë dhe i ka dhuruar njeriut të gjitha mirësitë, pavarësisht se kjo botë ku ne jetojmë është kalimtare dhe vitet e jetës sonë këtu janë të kufizuara. Të gjitha këto, Allahu i bën që të fitojë dashurinë e krijesave dhe që të njihet prej tyre.

Mëshira e Allahut është e pafund dhe mëshira që paraqet Ai në këtë botë është vetëm një pjesë e vogël e mëshirës së Tij. Prandaj, asnjë të mos dyshojë në mëshirën e Allahut, sepse është Ai që do t’i shpërngulë krijesat në një botë të përjetshme, në një “atdhe” ku do t’i kënaqë me flladet e mëshirës së përjetshme, në Xhenetin e përjetshëm, në të cilin gjenden mirësi që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe as mendja nuk i ka menduar. I madhëruari Zot atje ka përgatitur kopshte plot me fruta, me lule e gjelbërim… Bukuritë e kësaj bote janë vetëm shembuj të thjeshtë që shërbejnë për t’i tërhequr vëmendjen njerëzve.

Në këtë gjithësi përparësi ka jeta dhe cilësia kryesore e jetës është shpirti. Më i lartësuari prej krijesave që kanë shpirt është njeriu. I gjithë universi është i gjallë dhe punon për njeriun, kurse gjallesat e tjera janë dërguar që ta ndihmojnë dhe t’i shërbejnë atij.

Njeriu në veten e tij që nga lindja përmban dashuri ndaj Krijuesit, por edhe Krijuesi e do dhe ka krijuar të gjitha këto mirësi që të fitojë dashurinë e tij. Qëllimi i aftësive dhe i cilësive shpirtërore të njeriut është jeta e përjetshme. Zemra e njeriut e do jetën e përjetshme me gjithë fuqinë e saj dhe gjuha e tij i lutet Krijuesit për jetën e përjetshme. Pra, Allahu Fuqiplotë nuk do t’i mbysë përjetësisht njerëzit që i ka krijuar për t’i shërbyer Atij. Ai nuk do që ata të hidhërohen duke menduar se kanë vetëm jetën e kësaj bote, sepse jeta këtu është vetëm një preokupim dhe shqetësim. Allahu i Madhëruar i mundëson njeriut jetën e kësaj bote në mënyrë që të fitojë provimin e ditës së fundit dhe të përjetojë lumturinë përrallore në Xhenet.

O Fuqiplotë i Përjetshëm! Të gjithë qeniet që kanë shpirt janë nën sundimin Tënd dhe në qoftë se përulen dhe të binden Ty, e bëjnë vetëm me anë të fuqisë, drejtimit, vullnetit, mëshirës dhe dijes Tënde. Ata kryejnë detyrat e tyre duke iu bindur urdhrave të Tu. Çdo gjë me ndihmën e mëshirës Tënde është vënë në shërbim të njeriut. Njeriu është krijuar i dobët e i varfër dhe në këtë univers janë të paktë ata të cilët me gjuhën e gjendjes të falënderojnë dhe dëshmojnë se je larg çdo të mete. Çdo krijesë dëshmon Krijuesin dhe Adhuruesin e saj, dëshmon se Allahu (xh.sh.) nuk ka ortak dhe e falënderon për mirësitë e dhëna…

Dorian Demetja

[1] Ebu Daud; Ahmed