E ARDHMJA E RINISË MYSLIMANE NË NJË BOTË TË GLOBALIZUAR

Muslim man reading koran in mosque

 

 

 

Myslimanët kudo që shkuan sollën dituri, drejtësi, kulturë, moral, art, shkencë dhe përmes imanit i shndërruan ato vende nga vende ferrash e shkurresh, në trëndafilishte ku me zë bilbili këndohet Kurani fisnik dhe thirret ezani muhamedie. Kjo ndodhi edhe me tokat tona.
Populli ynë ishte përballur me rrezikun e asgjësimit fizik. Sundimi i serbëve, bullgarëve, grekëve e popujve tjerë, e kishte bërë popullatën tonë të vuante dhe të ishte e dëshpëruar. Për rrjedhojë një numër jo i vogël i tyre do të asimilohej në serbë, grekë e të tjerë. Kjo ngase feja dhe kisha e njëjtë me serbët dhe grekët e kishte mundësuar dhe lehtësuar këtë asimilim.
Gjurmët e Islamit janë shumë më të hershme, por në kontakt me osmanlinjtë populli ynë, me kalimin e kohës, filloi të pranonte fenë e Allahut grupe-grupe. Kjo ngase osmanët nuk erdhën vetëm me ushtri, por erdhën edhe me dije, kulturë, moral e virtyte, e mbi të gjitha ata erdhën me mesazhin e fundit të Allahut – Islamin.

Baballarët tanë kanë derdhur gjakun dhe kanë flijuar jetën dhe ia dolën që ta ruajnë identitetin tonë islam. Ata na lanë në trashëgim amanetin e shenjtë hyjnor – Islamin, të cilin Allahu ia ofroi qiejve, tokës e maleve, të cilët nuk e pranuan, ndërsa njeriu e pranoi atë.
Me pranimin e Islamit, të parët tanë, që ishin shkëputur nga Zoti dhe kishin humbur rrugën, do të fillonin t’i ktheheshin Atij duke gjetur prehje dhe qetësi në fenë e vërtetë të Zotit. Domethënia dhe kuptimi i shprehjes “la ilahe il Allah/ se nuk ka zot tjetër përveç Allahut” ia ngrohu zemrën, ia qetësoi shpirtin dhe ia rehatoi mendjen këtij populli.
Drita e imanit e ndriçoi qenien e tij dhe e bëri që të heqë dorë nga zotat e rremë dhe besimet e kota e të shtrembëruara, duke e shijuar ëmbëlsinë e njohjes së Allahut dhe të qenët rob i vërtet vetëm i Tij.

Me gjakun e tyre tokat tona i bekuan qindra e mijëra, dijetarë, hafiza, evlija, muxhahidë e shehidë. Ka shumë përpjekje nga armiqtë e Islamit me qëllim që ta paraqesin si të huaj kulturën islame që përbën themelin dhe bazën e identitetit të popullit tonë. E kemi obligim që të ruajmë trashëgiminë tonë kulturore dhe fetare që na kanë lënë të parët tanë si amanete të shenjta dhe t’ia përcjellim edhe brezave të rinj. Mu për këtë duhet të punojmë në ngritjen e vetëdijes fetare.

Sot kemi nevojë për besimin e thellë, për virtyte dhe moral si dhe për lartësinë sublime të shpirtit, sikurse i kishin ata para nesh. Islamin nuk duhet ta ndiejmë vetëm me shpirt dhe zemër, por duhet edhe të punojmë që të sendërtojmë një shoqëri me një klimë moralo-shpirtërore duke e praktikuar dhe përjetuar Islamin në mënyrë të gjallë në jetën tonë të përditshme.

Robërimi i mendjes 

Ndonëse e kemi hequr qafe komunizmin, kemi larguar pushtuesin serb dhe kemi fituar “pavarësinë”, një fatkeqësi e madhe vazhdon të jetë prezent në mesin tonë. Kjo murtajë është robërimi i mendjes që është hiç më pak i rrezikshëm se robërimi i mëhershëm. Kështu demonizohet kultura islame, duke u përshkruar si lindore dhe dekadente, kurse kultura perëndimore si superiore, autentike e progresive. Madje kërkohet lidhje kulturore me oksidentin e “civilizuar” përmes arratisjes nga ndikimi i orientit, “primitiv” e “i huaj” i cili na ka tjetërsuar dhe na ka larguar nga Evropa së cilës i përkasim.
Në kohën e socializmit kishte një lidhje jo të zakonshme mes nacionalizmit dhe komunizmit, kurse sot gjejmë një lidhje paradoksale mes nacionalizmit dhe katolicizmit. Shumë nacionalistë ushqejnë ksenofobi e urrejtje kundër osmanëve/turqve. Nacionalisti shqiptar, madje, nuk do të duhej ta kishte këtë urrejtje ngase fatkeqësia shqiptarëve u ka ardhur dhe i vjen nga fqinjët e tij serbë, grekë, maqedonas e malazezë.
Qasje të ndryshme në trajtimin e ngjarjeve historike të së kaluarës së afërt ose të largët mund të tejkalohen vetëm nëse ne pranojmë se jemi të barabartë para Zotit dhe se kemi të drejta të barabarta. Historianët tanë, të ndikuar nga historiografia latine, greke e ruso-serbe, për dekada të tëra janë bërë viktimë e keqkuptimeve dhe na servirin disa “të vërteta të dëshmuara historike’.

Prandaj, periudhën 500 vjeçare kur populli ynë ka pranuar Islamin na e paraqesin si periudhë të errët dhe të imponimit të fesë nga turqit. Të parët tanë që u bënë myslimanë përshkruhen si tradhtarë që tradhtuan fenë e të parëve dhe ia kthyen shpinën civilizimit perëndimor. Madje shumë zëra të çjerrë bëjnë thirrje për kthimin në ‘fenë e të parëve’. Kështu, stërgjyshërit tanë të urtë e inteligjentë na paraqiten si njerëz frikacakë e pa personalitet. Akti i pranimit të Islamit nga ana e tyre, shihet si veprim jo i mençur e i shëmtuar dhe përshkruhet si pasojë e frikës dhe interesit!

Por, fatmirësisht, kohëve të fundit gjejmë shkrime dhe studime që tregojnë se Islami është një prej elementeve njësuese të popullit tonë dhe se ai ka mbrojtur identitetin dhe nderin e tij. Këto studime janë arma më e shkëlqyer kundër tendencës për të treguar historinë tonë në dritën e disa strukturave mitologjike dhe ‘të fesë së të parëve’! Ato po i kundërvihen gjithë atyre shtrembërimeve dhe falsifikimeve, që me dashje apo pa dashje, si rrjedhojë e cektësisë apo injorancës, kanë qenë në fuqi në shkencën tonë për dekada dhe të cilat ende janë të vlefshme.

Arsimi
Eksperimentet ateiste, gjatë sistemit komunist, arritën që shumë shqiptarë myslimanë jo vetëm t’i devijojnë, por edhe t’i huajësojnë dhe t’i bëjnë kundërshtarë të fesë dhe identitetit islam. Për rrjedhojë, klasa jonë intelektuale sot vuan nga ndJenja e inferioritetit dhe mundohet të paraqitet sa më perëndimore. Sistemi ynë i sotëm i arsimit laik militant arsimon, por nuk edukon. Madje, shumë tekste të historisë dhe letërsisë kanë përmbajtje anti-islame dhe de-islamizuese dhe janë të dëmshme për rininë tonë. Sistemi ynë i arsimit nuk formon të rinj të devotshëm, por të rinj inferiorë dhe indiferentë ndaj trashëgimisë së shkëlqyer islame.

Programet e arsimit do të duhej të formonin një brez që vlerëson vlerat demokratike dhe beson në parimet konservatore e fetare të umetit tonë. Por shekullarët janë totalitarë pasi ua mohojnë njerëzve të drejtën për identitetin fetar për shkak se janë të frikësuar nga ky identitet. Prandaj, ata nuk duan që fëmijët e tyre të edukohen sipas fesë dhe me këtë i diskriminojnë besimtarët duke imponuar idetë shekullare dhe duke i privuar fëmijët e besimtarëve nga dukata fetare.

Ministrja e parë myslimane në Britani, Warsi Sayeeda, është shprehur se për të krijuar një ‘shoqëri të drejtë’ duhet t’i ndiejmë më fuqishëm identitetet fetare. Sipas saj ‘Shekullarizmi militant është i ngjashëm me regjimet totalitare’. Ajo shkruan: “Unë kam frikë se sot laicizmi militant po na merr shoqërinë. Ne e shohim këtë në shumë mënyra: kur simbolet fetare nuk mund të shfaqen ose të barten në ndërtesa qeveritare dhe kur feja margjinalizohet dhe nënçmohet në sferën publike të jetës.”

Megjithatë, ne duhet të vazhdojmë ta ngremë zërin tonë, i lindur si një popull besimtar, për edukatën fetare, të ngulim këmbë për të kërkuar të drejtën dhe në fund kemi për të fituar.

Mënyra e të menduarit dhe të jetuarit 

Njeriu përbëhet nga trupi dhe shpirti. Besimtari është i gatshëm që t’i sakrifikojë këto të dyja për të fituar kënaqësinë e Allahut. Kjo ngase besimtari jeton jetën kalimtare të kësaj bote dhe shpreson e punon për jetën e pasosur. Dinjiteti dhe nderi i njerëzve dhe popujve varet nga besimi dhe përkushtimi i tyre ndaj Zotit.

Sot kur njerëzimi jeton nën sundimin e egos dhe nefsit kemi nevojë për besimin dhe përkushtimin ndaj Zotit. Kemi nevojë të jemi robër të Allahut në kuptimin e plotë të fjalës. Çdo individ ka përgjegjësinë për t’u arsimuar, edukuar dhe specializuar në mënyrën më të mirë dhe njëkohësisht duhet të mbartë ndjenjën e përgjegjësisë dhe vlerat për të cilën ka nevojë e gjithë shoqëria. Rinia po priret drejt Islamit. Askush nuk mund ta ndalojë këtë, e pa dyshim as ata intelektualë regresivë, të cilët ‘janë në anën e gabuar të historisë.’
Krenaria jonë islame

Kriza e modernizimit dhe çështjet që lidhen me krizat që po përjetojnë njerëzit në jetën shoqërore, si dhe problemet me të cilat ata përballen, kanë marrë një dimension universal. Një nga burimet e krenarisë në Islam është edukimi, ndërtimi i besimit dhe bindjes së duhur dhe të fortë. Ky besim është ai që arabët, të cilët nuk shquheshin në analet e historisë dhe ishin të shpërfillur nga të tjerët, i shndërroi në një popull çlirimtar të botës.
Islami përmban të vërtetat e besimit dhe drejtësisë përmes ligjeve hyjnore që rregullojnë jetën e njeriut që nga lindja deri në vdekje, duke e përgatitur atë për lumturinë e jetës së amshueshme. Falë mirësisë së Krijuesit të Gjithësisë, myslimanët janë të vetmit që janë bartësit e vërtetë të Mesazhit Hyjnor të pa shtrembëruar. Prandaj, ai që është i kënaqur me Allahun si Zot, Muhamedin (a.s.) si pejgamber dhe Islamin si fe, ai krenohet me besimin dhe përkatësinë e tij islame! Ai nuk turpërohet për fenë e tij! Ai e shpreh dhe e manifeston hapur dhe qartë identitetin e tij islam!

Akuza dashakeqe

Islami, që nga fillimi e deri sot e kësaj dite, i është ekspozuar fushatave dashakeqe dhe tendencioze me qëllim të dëmtimit dhe shtrembërimit të imazhit të tij. Të gjitha këto fushata denigruese, të udhëhequra nga orientalistë, priftërinj, popë, pastorë, rabinë, komunistë dhe laramanë, kanë për qëllim futjen e dyshimit ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me Islamin. Agjentë, misionarë dhe persona me mendime prej taguti, klithin duke bërë një luftë kulturore e ideologjike kundër Islamit, të shtyrë nga egoja e tyre djallëzore. Në emër të modernizimit të vendit po punohet për zbehjen e trashëgimisë kulturore e fetare nëpërmjet reformave të cilat synojnë laicizimin e shoqërisë sonë. Lakmia për pushtet ka bërë që njeriu i sotëm t’i bindet ambicies pa kufi, duke shkelur çdo lloj norme dhe morali dhe trashëgimie kulturore e fetare.

Integrimi në botën moderne nuk duhet të bëhet duke tentuar modernizmin e fesë. Ky proces duhet të realizohet duke iu përmbajtur burimeve të shenjta të islamit. Myslimanët nuk duhet të bëhen imitues të tjerëve e të flakin vlerat dhe traditat e tyre. Ne duhet të jemi promotorë të lidhjes mes tradicionalizmit dhe modernizmit, duke jetuar aktualitetin përmes ruajtjes së rrënjëve dhe vlerave tradicionale. Duhet të zëmë hapin me botën moderne, por jo me pranimin të gjithë asaj që ofron fshati global.

Duhet të shohim interesat tona të përbashkëta me Perëndimin, por duhet ta kemi të qartë se shumë nga vlerat tona nuk bazohen në vlerat e përbashkëta, sepse disa prej vlerave tona janë edhe të ndryshme nga vlerat perëndimore. Të mos imitojmë anën e jashtme të mënyrës së jetesës së tyre. Perëndimi ka gjëra të mira në aspekt të dijes dhe shkencës prandaj përzgjedhja jonë duhet të jetë selektive.

 

Ndjenja e përkatësisë islame

Ndjenja e përkatësisë islame bën që myslimani të përpiqet që të gjithë njerëzit t’i ftojë në rrugën e Zotit, duke mbajtur në gjoksin e tij një xhevahir të çmuar! Kjo ngase zemra e myslimanit është e ndriçuar me dritën dhe nurin e imanit. Prandaj ai do të jetë një person që reflekton mirësi dhe një fanar që do të ndriçojë rrugën për gjithë të tjerët!
Kur një mysliman është i vetëdijshëm për fenë e tij, ai e ruan thellë në zemër besimin dhe krenarinë islame. Mirëpo, krenaria e vërtetë arrihet me bindje ndaj Allahut të Plotfuqishëm dhe me pasimin e fjalëve dhe veprave të Pejgamberit të Tij. Duhet të dimë se e gjithë krenaria dhe madhështia i përkasin Allahut, prandaj atë duhet ta kërkojmë vetëm prej të Plotfuqishmit!
Ndërkaq, vuajtja dhe përulja janë pasojë e mosbindjes dhe mëkateve ndaj Allahut! Nëse na duket se disa nga mëkatarët gëzojnë lumturi dhe krenari në këtë botë duhet ta dimë se ajo është sipërfaqësore dhe e përkohshme.

Ai që është krenar për forcën e tij fizike, le ta dijë se ai një ditë do të jetë i dobët dhe do t’i vijë sëmundja! Ai që është krenar për pasurinë e tij, le ta dijë se pasuria mund të shkojë dhe të vijë varfëria dhe prej pasurisë nuk do të marrë asgjë për botën tjetër! Ai që është krenar me dijen e tij, le ta dijë se dija mund të jetë shkak për ta devijuar atë nga rruga e drejtë! Ai që është krenar për pozitën dhe funksionin që ka, le ta dijë se ai një ditë do ta humbasë atë dhe do të jetë i harruar! Megjithatë, ai që është krenar për besimin e tij tek Allahu, Zoti i tij i vetëm, le ta dijë se Allahu është i Gjallë, i Përjetshëm dhe Ai nuk vdes kurrë! Allahu është i Lartësuar dhe krenaria dhe madhështia e Tij mbeten përjetësisht me Të!.

 

Ajni Sinani