Mirësia e Zotit pasqyrohet në shumë forma, herë si dritë për zemrën, herë si dije për mendjen, herë si fllad për shpirtin, herë si pëshpërimë për veshët e botës së brendshme të besimtarit dhe herë si e tërë në të gjitha format bashkë. Xhamitë janë strehë e kohëve të fundme, ku vëllazëria, uniteti, idealja janë gjithnjë në konstrukt, gjithnjë në përparim e sipër, herë forcohen, herë erërat e dynjasë i luhasin, por që ato janë aty, në shtëpinë e Zotit, Ai i ruan, i mirëmban, qoftë edhe në farëra të vogla dhe i lë aty, i fsheh pas një shkaku të vogël në të dukshmen, që presin lutjet tona të çelin për të vënë në lëvizje Fuqinë që fle në të padukshmen… dhe i mirë është ai që ndërton se për të shembur është kollaj!
Në xhamitë e Zotit lartësohet Emri i Tij dhe emri i të Dërguarit të Tij Fisnik (s.a.s) duke treguar se mirësia është ndjekja e fjalës së Zotit, Kur’anit dhe ecja në hapat e Sunetit Profetik. Kjo është udha e drejtë. Pavarësisht lodhjes, vështirësisë dhe ngecjes në rrugë, natën në të cilën kumbon fjala e Allahut që përçohet nëpërmjet shembullit të Muhamed Mustafasë (s.a.s.) e pason medoemos mëngjesi. E, a s’është mëngjesi afër? Kështu thanë engjëjt duke e ditur mirë se ndihma e Zotit është afër besimtarëve.
Po, gëzimi i besimtarit është forcë rrezëllitëse. Kurrë nuk mund të jetë e barazvlefshme forca e urrejtjes së njerëzve të prishur, me potencialin e buzëqeshjes së njerëzve të Zotit. Nuk mund ta lrahasosh vëllimin e tunxhit me atë të floririt, secila ka vlerën përkatëse por që diferenca është sa malet. Pak me Zotin është shumë. Kjo anë e fortë e premtimit të Zotit, që gjithnjë ata që qëndrojnë në anën e Tij, në grupin e Tij, do të jenë fitimtarë, është më se e mjaftueshmë për këdo që ka arsye dhe logjikë të lexojë rrjedhën e ngjarjeve dhe të historisë.
Tashmë Tirana ka një xhami të madhe. Është kryer amaneti i brezave që, prej një shekulli, ngrenin zërin se kryeqytetit i duhej një e tillë. E, falë Zotit, jo vetëm që u krye si porosi, me lejen e Tij, por njësoj si atëherë, veshët e shpirtrave tanë ëmbëltohen nga zëri i ëmbël i ezanit që përçohet nëpërmjet minareve të larta, dhe sytë e zemrat na ndriçohen kur shohim besimtarë të shumtë që mbushin radhët e xhamisë, me plot të rinj e të reja, që janë në rrugën e Zotit dhe të Profetit të Tij (s.a.s).
Allahu e bëftë udhën e besimtarëve të lehtë në dynja dhe në ahiret. Zoti na mundësoftë të jemi në kahun e të mirës, Zoti e udhëzoftë rininë tonë drejt besimit dhe moralit dhe na forcoftë në përpjekjet e sinqerta dhe të qëndrueshme në luftën ndaj së keqes! Allahu e lartësoftë Islamin dhe besimtarët. Amin!
Mehmet Disha