Gjithëpërfshirja e jashtëzakonshme e Kur’anit

 

– Fjalët e Kur’anit janë vendosur në një mënyrë të tillë, saqë çdo frazë, çdo fjali, madje çdo shkronjë, e ndonjëherë edhe një sukun (boshllëk) ka shumë aspekte.

– Ai u jep çdonjërit prej atyre të cilëve ai u adresohet, pjesën e tij nga një derë e ndryshme. Për shembull ajeti kur’anor: “…Dhe (Ne i kemi bërë) malet si shtylla mbështetëse” (Kur’an, 78: 7);

Kjo është një frazë që nënkupton: “Unë i bëra malet si shtylla mbështetëse për tokën tuaj.”

  • PJESA e një njeriu të zakonshëm nga kjo frazë do të ishte:

Ai i shikon malet që duken si shtylla të ngulura në tokë; mendon për dobitë e mirësitë në to dhe i jep falënderime Krijuesit të tij.

  • PJESA e një poeti nga kjo frazë do të ishte:

Ai e përfytyron tokën si një fushë mbi të cilën është ngrehur një hark i gjerë, kupa e qiellit, si një çadër e madhe jeshile e zbukuruar me llamba elektrike; i shikon majat e maleve si bazat e qiejve dhe sikur të ishin kunjat e çadrës; ai e adhuron Krijuesin e Gjithëlavdishëm me një çudi të mahnitshme.

  • PJESA e një nomadi elokuent nga kjo frazë do të ishte:

Ai e përfytyron sipërfaqen e tokës të jetë një shkretëtirë e gjerë; i përfytyron vargmalet si çadra nomadësh të shumta e të shumëllojshme; dhe sikur shtresa e dheut të ishte hedhur mbi shtyllat e larta, dhe majat e mprehta të shtyllave të kishin ngritur lart mbulesën e dheut, të cilin ai e shikon si banor i  krijesave të ndryshme, duke parë njëri-tjetrin.

Kështu ai bie në sexhde i mahnitur para Krijuesit të Gjithëlavdishëm, i Cili i vendosi e i nguli kaq lehtë këto qenie madhështore e të fuqishme, sikur ato të ishin çadra në faqen e tokës.

  • PJESA e një gjeografi me dhunti letrare nga kjo frazë do të ishte:

Ai e mendon globin tokësor si një anije duke lundruar në oqeanin e ajrit ose të eterit, ndërsa malet si direkë e pajorë të ngulur në anije për ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e saj.

Ai kështu mendon dhe pohon përpara Madhështisë së të Gjithëfuqishmit Absolut, i Cili e bëri globin e madh tokësor si një anije të mirëorganizuar; i Cili na vendosi ne në të, dhe e bën atë të udhëtojë në largësitë më të skajshme të universit, duke thënë:

“Lavdia të takon Ty, o Zot! Sa i lartë është Dinjiteti Yt!”

  • PJESA e një sociologu dhe filozofi të shoqërisë njerëzore do të ishte:

Toka është një shtëpi, dhe shtyllat madhështore të jetës së asaj shtëpie janë jetët e gjallesave; ndërsa shtyllat mbështetëse të jetës së gjallesave janë uji, ajri dhe toka, të cilat janë kushtet e jetës; dhe shtyllat e direkët mbështetës të ujit, ajrit dhe tokës janë malet, sepse malet janë rezervuarët për ujë, janë krehrit për ajrin -sepse ato shtyjnë e hedhin gazin e dëmshëm dhe e pastrojnë atë-; dhe janë mbrojtësit  për tokën nga transformimi në moçalishte si dhe nga cenimi e shkelja e detit.

Për më tepër, malet janë thesaret për domosdoshmëritë e jetës njerëzore. Kështu, ai e kupton dhe me nderim e respekt të plotë i jep falënderime dhe lavdërime Krijuesit të Gjithëlavdisë e të Mirësisë, i Cili i bëri këto male të lartë si shtylla për tokën (shtëpinë e jetës sonë) dhe në këtë mënyrë i caktoi ato si ruajtësit e thesareve të jetës sonë.

  • PJESA e një studiuesi të filozofisë natyrale nga kjo frazë do të ishte:

Ai do të mendonte për tërmetet e lëkundjet që ndodhin si rezultat i ngritjeve të shtresave dhe i bashkimit në brendësinë e tokës se ato qetësohen me shfaqjen e maleve, dhe se shkaku i qëndrueshmërisë së tokës në boshtet e saja dhe në orbitën e saj, dhe e mos-devijimit në rrotullimin e saj vjetor si rezultat i tronditjes së tërmeteve, është shfaqja (dalja) e maleve.

Është sikur toka të merrte frymë me daljen e maleve dhe sikur të ulte zemërimin e të qetësohej.

Kështu, ai kupton, qetësohet dhe futet plotësisht në besim duke thënë:

“E gjithë urtësia i përket Allahut xh.sh!”

Said Nursi