Femra shfaqet herë si nënë, herë si vajzë, herë si motër, herë si bashkëshorte dhe në shumë role të tjera në shoqëri, duke u bërë kështu gjysma kryesore e saj.

Përpara Islamit në shumë vende të botës femra ishte ishte një barrë në aspektin material dhe shkak turpi në aspektin moralo-shpirtëror.

Profeti Muhamed a.s., ishte ai i cili me mësimet e tij nisi të ndërgjegjësojë burrat e të ngrejë pozitën e gruas në çdo fushë të jetës, teksa thoshte: “Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me bashkëshorten e tij”, ose “Kush edukon dy vajza, e ka siguruar parajsën e amshuar”.

Profeti, ashtu siç shpalli barazinë ndërmjet popujve, racave, gjuhëve e ngjyrave, shpalli edhe barazinë ndërmjet burrave e grave, duke marrë parasysh edhe natyrën e tendencat e të dyja gjinive. Kështu gruaja rifitoi atë dinjitet, që Zoti i ka dhënë çdo njeriu.

Gruaja ka një pozitë të veçantë në Islam. Kur Profeti filloi të njoftonte njerëzimin për fenë e së drejtës, njeriu i parë që besoi, ishte një grua. Ai e lavdëron bashkëshorten e tij, Hatixhen r.a., duke thënë: “Ndërkohë që askush s’më besonte, ajo më besoi…”

Omeri i madh, kalifi i dytë pas Profetit Muhamed, do të heshtte kur një grua, e cila dëgjonte ligjëratën e tij, do t’i bënte një vërejtje në lidhje me një nga çështjet, që ai në fakt e dinte shumë mirë.

Sipas Islamit, nuk ka asnjë dallim midis burrit dhe gruas në besimin ndaj Zotit dhe bazave të fesë, në njohjen e urdhrave dhe këshillave të Krijuesit në lidhje me këtë botë dhe përjetësinë.

Gruaja myslimane në çështjet materiale zotëron të drejtën ligjore të pasurisë së vet. Me peshën që iu dha, është zotëruesja gjer në fund të jetës e mallrave që do t’i kalojnë asaj si pajë, dhurata dhe trashëgimi, si dhe i pasurisë së fituar prej punës së saj.

Islami i jep gruas të gjitha të drejtat politike dhe shoqërore, që gëzon edhe mashkulli. Ajo përfiton të gjitha privilegjet që më përpara ishin të caktuara vetëm për gjininë mashkullore. Përveç çështjeve materiale, barazia gjinore shtrihet edhe në sferën shpirtërore. Kështu Islami ia dha dinjitetin, nderin dhe vetëbesimin, që i ka munguar gruas për shekuj të tërë. Kur’ani i Madhërishëm e kurorëzon femrën në pozicion të barabartë me burrin dhe e nënvizon barazinë shoqërore e shpirtërore në mënyrë të përsëritur.

Feja islame ka dashur ta mbrojë gruan, t’ia shtojë vlerën dhe të provojë se ajo është një njeri i denjë për respekt.

Ajo mund të punojë në çdo ambient të përshtatshëm për të. Nuk mund të harrojmë këtu edhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në edukimin e brezave.

Gruaja është forca ekuilibruese e një shoqërie; ajo është pesha kryesore në familje. Pas një gruaje të mirë vjen një burrë i suksesshëm, pas një nëne të mirë vijnë fëmijë të edukuar e të moralshëm dhe pas një familje të edukuar e të moralshme vjen një shoqëri më e mirë.

Fatma Karaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu