HAFIZ ALI KORÇA (1873-1957) DREJTOR ARSIMI, KRYEMYFTI, PUBLICIST, SHKRIMTAR E POET

“O mëmëz, o hallemadhe,

e zezë të ka zënë?

Bijtë e tu s’mentohen fare,

rrugëve të kanë lënë

Të pamëshirçmit s’të shohin,

nuk kujdesen për ty fare

Të kanë lënë të shkretë, të zhveshur,

të zbathur të pangrënë”.

Hafiz Aliu

 

Hafiz Ali Korça i përket atij brezi ideologësh e organizatorësh, që me veprimtarinë e tyre i bënë një shërbim të denjë çështjes së zgjimit dhe bashkimit kombëtar, çështjes së tërësisë dhe pavarësisë së atdheut, çështjes së fesë e përparimit të kombit.

Ai bën pjesë ndër personalitetet historike e letrare të Rilindjes. Figura e tij deri tani vonë, ashtu siç ndodhi edhe me shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë të besimit islam, ka qëndruar në margjinë të jetës krijuese, ose nuk është përmendur fare. Prandaj në këtë kontekst duhet theksuar se një numër i madh figurash islame të historisë sonë kombëtare letrare, jo vetëm që krijuan, por, krahas kësaj morën pjesë aktive për krijimin e atdheut të lirë shqiptar…

Të dhënat biografike për Hafiz Ali Korçën janë të mangëta, mirëpo sipas të dhënave kanë mbetur edhe sot e kësaj dite thuhet se, Hafiz Aliu u lind në Korçë më 5 Prill 1873[1]. Rridhte prej një familjeje të njohur intelektuale fetare[2]. Ishte i biri i Iljaz Efendiut, po kështu një figurë e njohur në qytetin e Korçës. Në një mjedis të këtillë entuziast, Hafiz Aliu kreu shkollimin fillor dhe në moshën 12-vjeçare u bë hafiz Kur’ani[3]. Ky qe hapi i parë që i çeli shtigjet e jetës për arsimimin islam. Po aty në Korçë mbaroi shkollën e mesme (idadijen), kurse studimet i vazhdoi në Universitetin e Stambollit, njëra ndër qendrat e njohura ku shqiptarët kryesisht merrnin arsimin e lartë. Qëndrimi në Stamboll ndikoi mjaft në formimin e Hafiz Aliut. Për të aty do të niste një periudhë e re, sepse filloi studimet islame dhe zgjeroi njohuritë me ambicie të mëdha profesionale në këtë fushë. Me përkushtim të madh mësoi gjuhën arabe dhe perse, ndërsa gjuhën turke e kishte përsosur më herët, gjatë shkollimit në Korçë. Po në këtë qytet mësoi edhe gjuhën frënge, e cila më vonë i mundësoi njohjen me arritjet letrare të klasikëve francezë.

Gjatë shkollimit në Stamboll, Hafiz Aliu arriti të njihte literaturën burimore të klasikëve më në zë arabë, persianë e turq. E tërhoqën shumë autorë të fushave të ndryshme, si Ibn Ruzhdi, sociolog, Ibn Sina, filozof e mjek, Ibn Rumi, poet e filozof, Omer Hajami, poet e mjek, Sheh Saadiu, poet, dhe shumë figura të tjera të cilat ndikuan që Hafiz Aliu, përveç mësimit të gjuhëve orientale, të studionte veprimtarinë dhe pikëpamjet e konceptet e tyre të trajtuara në këto vepra.

Shkollimi universitar i Hafiz Aliut në Stamboll ishte me rëndësi historike, për arsye se që student ai u aktivizua në Lëvizjen Kombëtare. Edhe gjatë studimeve Aliu jetonte me problemet e Shqipërisë dhe shqetësohej për gjendjen e rëndë sociale dhe politike të shqiptarëve.

Duke marrë parasysh këto momente të rëndësishme, të cilat ndikuan në formimin e Hafiz Aliut, lidhjet me atdheun dhe dashuria ndaj popullit për liri e arsimim bëhen edhe më të forta: …Vullneti i përbashkët i vazhdueshëm, bashkimi vëllazëror, ideali i vërtetë kombëtar, në pak kohë shtetin e bënë lulishte diturie e trëndafilishtë qytetërimi…[4] Me këto bindje, islamologu i diplomuar, Hafiz Ali Korça kthehet nga Stambolli për t’iu përveshur punës së rëndë plot sakrifica për liri e pavarësi[5].

Në vitin 1908 shpallet Kushtetuta (Konstitucioni) dhe Hafiz Aliu, në Korçë qe i pari që mbajti fjalimin e rastit për Kushtetutën. Më 1909, në Kongresin e Elbasanit u vendos formimi i shoqërisë “Përparimi”. Udhëheqja e parë e kësaj shoqërie u zgjodh në Korçë më 18 shtator 1909. Kontributi i Hafiz Aliut në këtë shoqëri ishte i madh për shkak të personalitetit dhe figurës së tij të rrallë. Sipas programit të kësaj shoqërie u hap shkolla fillore në Korçë më 27 shtator 1909 dhe për herë të parë u fut në planin mësimor mësimi i gjuhës së huaj. Në Kongresin e Dibrës më 1909, Hafiz Ali Korça bëri një diskutim të rëndësishëm për çështjen e shkollave shqipe. Hafiz Aliu, në diskutimin e tij, theksoi se: “…fqinjët tanë nga ana e arsimit kanë arritur një shkallë të lartë. Ne, për fat të keq, kemi mbetur si popull i Afrikës së mesme. Megjithatë në Shqipëri tërë gjuhët mësohen, po gjuha jonë përse të mos mësohet?”

Këto qëndrime të Hafiz Aliut gjykoheshin rëndë nga ana e qeverisë osmane, dhe në bazë të këtyre konstatimeve, bashkëpunëtorët e autoriteteve zyrtare i organizuan grupe rebelësh, detyra e të cilëve ishte tendosja dhe shqetësimi i Hafiz Aliut dhe familjes së tij.

Më vonë për të pati shqetësime edhe më të mëdha, sidomos kur valiu i Manastirit e largoi nga puna prej gjimnazit të Korçës.

Hafiz Aliu, luftëtar i pamposhtur për idealin fetar e kombëtar, udhëton për në qendër të kalifatit që të takonte figurat më të shquara të Portës dhe të njoftonte qendrën për idealin e vërtetë të popullit shqiptar. Gjatë kësaj vizite, Hafiz Aliut i ofrohen detyra e poste shumë të rëndësishme në qeveri me kusht që të hiqte dorë nga idealet e veta, por ai u përgjigjet: “… por siç e dini fort mirë shkëlqesia juaj, Shqipërinë e ka pllakosur errësira e injoranca. Turqia prej një kombi të këtillë që, po jeton si të egrit e Afrikës, ç’dobi do të ketë? Prandaj mundohemi me anën e këtyre shkronjave të lehta ta zgjojmë këtë komb që të mund të dalë në dritë e të bëhet element i dobishëm për veten e tij”.

Aktiviteti revolucionar i Hafiz Aliut ishte mjaft i dendur edhe gjatë periudhës së Princ Vidit. Më 1914 emërohet këshilltar i Ministrisë së Arsimit dhe dy vjet më vonë e shohim drejtor të arsimit që përshinte një rajon të gjerë: Durrësin, Elbasanin, Dibrën, Matin dhe Pogradecin.

Gjatë vitit 1916 emërohet kryemyfti në Këshillin e Naltë të Sheritatit në Shkodër. Në këtë post ai e zhvilloi aktivitetin e tij edhe në një fushë tjetër, në gjuhësi.

Më 1918 Hafiz Aliu erdhi në Tiranë për të vazhduar punën në Këshillin e Naltë të Sheriatit, ku qëndroi derisa doli nga shtypi vepra “Shtat ëndrrat e Shqipërisë”, e cila qe ndër faktorët kryesorë për largimin e tij nga puna.

Derisa gjendej në detyrën e lartë të Sheriatit në Tiranë, Hafiz Aliu ndërmori një varg aktivitetesh. Së bashku me kolegë të tjerë hapi Medresenë në Tiranë dhe ishte një ndër mësimdhënësit e parë të saj. Kërkoi hartimin dhe zbatimin e programeve bashkëkohore për të gjitha medresetë e Shqipërisë. Hafiz Aliu kërkoi, gjithashtu, që të bëhej ekuivalentimi i këtyre shkollave, në mënyrë që maturantëve t’u jepej mundësia që të vazhdonin studimet e larta në universitete të ndryshme jashtë Shqipërisë. Ai, gjithashtu, është hartuesi i një metode për mësimin e gjuhës arabe, me një veçori, nga e cila parashikohej që nxënësi brenda një periudhe të shkurtër të përparojë ndjeshëm në shkrim-leximin e kësaj gjuhe. Është e vështirë që të gjesh ndonjë numër të revistës “Zani i Naltë” në të cilën herë me emër dhe herë me pseudonim, të mos jetë botuar të paktën ndonjë shkrim i tij.

Hafiz Aliun e ndoqën shumë vuajtje e peripeci: i ndjekur prej rebelëve të Musa Qazimit, ai së bashku me Ismail Ndroqin e Dalip Deliallisin transferoheshin prej një burgu në një tjetër… derisa përfundimisht e burgosën në Elbasan. Për sa i përket periudhës pas vitit 1924, pikërisht me daljen në dritë të veprës së tij “Shtat ëndrrat e Shqipërisë”, Hafiz Aliu pushohet nga puna dhe nuk merret me ndonjë aktivitet tjetër.

Përpjekjet e Hafiz Aliut për një moral islam të lartë dhe për një atdhe të lirë ishin permanente. Ai flijoi çdo gjë “…në kohë të Austro-Hungarisë nga shtrëngesa shiti kopshtin. Prej komitëve epirotë nuk shpëtoi fare gja prej shtëpisë, mbeti me gisht në gojë” thoshte Abdyl Ypi në veprën “Kongresa e Dibrës dhe Hafiz Ali Korça”.

Vepra e Hafiz Ali Korçës bën pjesë në fondin më të mirë të veprimtarisë letrare dhe si teolog, poet dhe gjuhëtar dha një kontribut të vlefshëm në pasurimin e ideve përparimtare në jetën krijuese dhe në lëvizjen patriotike, duke ecur hapave që i kishin trasuar paraardhësit e tij Samiu dhe Naimi.

Veprimtaria gjuhësore, letrare e fetare, si dhe aktiviteti i tij i gjithanshëm gjatë lëvizjes shqiptare ende nuk ka gjetur vendin e merituar. Në themelet e sigurta që i ngritën Samiu dhe Naimi, ai vazhdoi punën e tyre me dorën e një mjeshtri të mirë. Me të drejtë konstatonte Abdyl Ypi kur thoshte: “…z. Naimi shkronjat i mbolli, Hafiz Aliu me shokë i ujiti”.

Hafiz Aliun e përmendim me mirënjohje për shqipen e pasur që ka përdorur në veprimtarinë e gjithëmbarshme të tij. Konceptet e reja ideo estetike të shprehura në veprën e H. Ali Korçës, ishin një gur themeli që vihej në mendimin tonë letrar. Ato bëjnë fjalë edhe për lidhjen e çuditshme që, ndër shekuj, i ka bërë bijtë e popullit tonë, të shpërndarë në të katër anët e dheut, t’u rrahë zemra për atdheun e lirë e për bashkimin kombëtar, për fatin e tij, për dhimbjet, shpresat, dëshpërimet, hovet e gëzimit dhe haretë.

Hafiz Ali Korça ndërroi jetë më 31 dhjetor 1957, në moshë të thyer, në Kavajë e po aty u varros. Në përcjelljen e fundit morën pjesë një numër i madh i popullit të Kavajës. Përkundrejt heshtjes zyrtare qeveritare, populli i bëri atij një varrim madhështor, sepse kujtonte me admirim përpjekjet e mëdha dhe veprën patriotike të Hafiz Aliut. Vdiq si njeri i cili mbante te shqiptarët të ndezur flakën e atdhedashurisë. Vdiq si autor i shumë veprave letrare të cilat i krijoi me shumë zell e kompetencë, si autor i veprave gjuhësore në lëmin e gjuhës shqipe dhe arabe. Bëri përkthimet e dy veprave të letërsisë persiane, “Rubajjatet” e Omar Khajamit dhe “Gjylistani e bostani” të Saadiut.

Hafiz Ali Korça mbetet i përjetshëm si vepra e tij[6]. Sot Medreseja e Kavajës mban emrin e tij.

 

 

[1] Prof. Dr. Ahmedi, Ismail, “Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra”, vepra 1, 2006: 29

[2] “Kultura Islame”, nr. 3-4, 1941: 102.

[3]Informatë e dhënë nga nipi i Hafiz Aliut më 9.8.1993.

[4] H. Korça, Ali, “Shtat ëndrrat e Shqipërisë”, botuar në shtypshkronjën e shtetit, Tiranë, 1944: 79.

[5] Ahmedi, Prof. Dr. Ismail, “Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra”, vepra 1, 2006: 29-32.

[6] Për më tepër shih: Ahmeti, Ismail, gazeta “Drita Islame”, nr. 14 (39), Tetor 1993: 3.