HAFIZ DR. HASAN KADUKU (1865-1948) NJË HAFIZ KUR’ANI, MJEKU I PARË STOMATOLOG SHQIPTAR

Hasan Kaduku lindi në Shkodër dhe ishte djali i madh nga pesë djemtë e Ismail (Mala) Kadukut, një tregtar i njohur në pazarin e qytetit në punimin e lëkurave, burrë i ndershëm, dijedashës dhe atdhetar. Hasani ishte vëllai i madh i Haxhi Ibrahim Kadukut,  i cili kreu detyra të rëndësishme në shërbim të Islamit dhe vendit të tij[1], vëllai i Riza Kadukut, funksionar në Komunitetin Mysliman në sektorin e financës, Sulejmanit (i cili posedonte kartolerinë më moderne),  si dhe Hafiz Jusuf Kadukut, një prijës fetar i shkolluar si vëllezërit e tij Hasan e Ibrahim në Universitetin e Stambollit, ku njihej për komentimin e Kur’anit gjatë qëndrimit atje.

Hasan efendiu që në moshë të re shkon në Stamboll për të vazhduar shkollën, ku vendoset pranë dajës së tij Fetah Lini, ku fillon dhe punë. Atje njihet me dijetarë të kohës, nga të cilët merrte edhe mësime mistike, si dhe filloi mësimin përmendësh të Kur’anit. Sipas kronikanit Hamdi Bushati, mësuesit e tij kishin vënë re se kishte disa probleme me dhëmbët e parë të cilët i kishin rënë dhe bënin që të mos i shqiptonte qartë shkronjat arabe me “texhvid”, të cilët duan një vokalitet shumë të pastër. Nga dashuria që kishte për Kur’anin, ai vendos fillimisht që paralel me mësimin e Kur’anit, të rregullojë edhe dhëmbët, ku u njoh edhe me profesionin e dentistit, të cilin e dashuroi menjëherë. Kështu ai i lutet dentistit të tij, që ta merrte në punë, por dentisti i thotë se nuk ka nevojë. Hafiz Hasani i thotë se, “ti nuk ke nevojë për mua, por unë kam nevojë për ty dhe jam gati të të paguaj rrogë, vetëm të rri pranë teje dhe të mësoj profesionin”, e kështu ndodhi. Më vonë fillon praktikën edhe pranë dentistit të famshëm Halid Shenazi Bej dhe më pas dhe te profesor Dionizi me kombësi armene. Pasi siguron lejen e ushtrimit të profesionit, ai kthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.

Kështu ai për një kohë të shkurtër rreth tre vjeçare bëhet Hafiz Kur’ani dhe dentist.

Hafiz Hasani me t’u kthyer nga Stambolli në Shkodër, fillon ushtrimin e këtij zanati, duke hapur një klinikë portative, duke shkuar në shtëpitë e atyre që kishin nevojë, siç shkonin edhe mjekët e tjerë. Por nga dëshira e madhe për profesionalizëm të plotë me t’u hapur Fakulteti i Stomatologjisë në Universitetin e Stambollit (1907), pasi punoi disa vjet si dentist diletant, në një moshë kur tashmë ishte familjar dhe me fëmijë, shkon përsëri në Stamboll, ku nga tre vjet studimi, që kishte fakulteti, ai i kryen studimet për dy vjet, favor ky që iu bëhej atyre që kishin njohuri praktike disa vjeçare. Hafiz Hasani arrin të bëhet një nga studentët më të përparuar të fakultetit, pavarësisht moshës së tij gati 40 vjeçare. Madje familjarët e tij tregojnë se edhe letrat që i vinin nga familja nuk i hapte deri në fundjavë, për të mos u shkëputur nga mësimet.[2] Ai diplomohet më 1908 dhe kthehet në vendlindje si i pari mjek stomatolog, apo siç njihej ndryshe “mjek dhëmbësh” me diplomë universiteti, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ai njihte gjithashtu shumë mirë arabishten, osmanishten dhe frëngjishten.

Hafiz Hasan Kaduku mbahet si njeriu që vuri bazat e shërbimit stomatologjik modern në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.

Kronikani Hamdi Bushati tregon se Hafiz Hasan Kaduku e ushtroi profesionin si dentist në disa qytete të Shqipërisë dhe në Mal të Zi. Kronikat e asaj kohe tregojnë që Hasan Kaduku, me zotësinë e një dentisti të talentuar, tërhoqi vëmendjen e të gjithë bashkëqytetarëve të tij, duke krijuar një klientelë të gjerë edhe jashtë kufijve të vendit, si p.sh. në Mal të Zi. Të gjithë konsujt e huajt që ishin të akredituar në Shkodër, si dhe personalitete të viseve të tjera të vendit, kishin si dentist (apo siç quhej atëherë mjek dhëmbësh) të tyre Hafiz Hasan Kadukun. Shkodra në fillim të shekullit XX, duke qenë një prej pikave më perëndimore të Perandorisë Osmane, kishte pesë konsullata të huaja, personeli i të cilëve bëheshin shpeshherë pacientë të Hafiz Hasanit.

Hafiz dr. Hasan Kaduku ua la trashëgim profesionin e tij pinjollëve të tjerë të familjes, e cila në atë kohë ishte një ndër më të njohurat në Shkodër. Haki Kaduku[3], djali i dentistit të parë shqiptar, pasi kreu gjimnazin në Austri dhe fakultetin e stomatologjisë në Stamboll, u kthye në Shkodër. Ai vijoi profesionin e të atit, duke punuar kështu bashkë. Derisa doli në pension, Hakiu, djali i Hasan Kadukut, punoi si dentist në poliklinikën e qytetit të Shkodrës. Ai ishte një mjek i cili i kushtonte një rëndësi të madhe edukimit të rinisë për përkujdesjen shëndetësore. Haki Kaduku mbante biseda për përkujdesjen ndaj dhëmbëve në shkollat e shtetit të të gjitha niveleve.

Tradita e familjes Kaduku vazhdon me të tjerë emra. Qamurani djali i Hakiut dhe nipi i Hafiz Hasanit, është brezi i tretë i dhëmbëtarëve të kësaj familjeje. Ndërsa Hasan Haki Kaduku, nipi i Hafiz Hasanit ka ushtruar profesionin e profesorit të matematikës në shkollat e qytetit. Ndërsa Mesereti, njëra nga vajzat e Haki Kadukut, ashtu si vëllai i vet arsimtare në matematikë, do të vinte bazat e matematikës për shumë vite në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër.

Studiuesi Osman Hoxha e përshkruan kështu figurën e Hasan Kadukut: “Njeri madhështor, shtatlartë e shpatullgjerë, syshqiponjë e hundëshkabë, me mjekër të bardhë dhe shumë i pashëm, fisnik dhe zemërgjerë, i respektuar dhe mendjemprehtë, energjik dhe i papërkulur, i dashur e bujar, ishte gjithmonë mes njerëzve, që e donin dhe i donte aq shumë. Ishte i punës por dhe i pushkës. Në kohën e rrethimit të Shkodrës nga malazezët në vitet 1912-1913, Hafiz Hasan Kadukun e gjejmë të rreshtuar në llogore përkrah vullnetarëve të tjerë, duke kryer detyrën ndaj atdheut.

Në vitin 1932 kreu edhe ritualin e Haxhit. E tashmë njerëzit e njihnin si Dr. Haxhi Hafiz Hasan ef. Kaduku.”

Shprehja “po shkoj te Kaduku”, më shumë se prej një shekulli në Shkodër nënkupton “po shkoj te dentisti”.

Klinika e famshme dentare “Kaduku”, në vitin 1948 do të sekuestrohej e gjitha nga shteti, duke bërë kështu që shumë klinika shtetërore për stomatologji në Shkodër dhe Tiranë, të hapeshin me veglat e shtëtizuara të dr. Kadukut.

Klinika e Hafiz Hasanit ndodhej në pikëtakimin e lagjeve të vjetra myslimane dhe katolike, e cila shërbeu kështu edhe si një busull afrimi mes dy besimeve, sepse klientët ishin nga të dyja lagjet.

Shenjë e tolerancës është edhe një fakt interesant ku revista katolike e kohës “Elçija e Zemrës s’Krishtit”, e vitit 1906 (vjeta XVI, Dhetuer, 1906, nr. 12), boton një reklamë interesante të Hafiz Hasan Kadukut, i cili i fton klientët që të mbushin apo të venë proteza dhëmbësh në klinikën e tij dhe paratë mund t’i paguajnë më vonë, pasi ata të jenë mësuar me protezat apo mbushjet dhe të jenë të kënaqur prej tyre.

Hafiz Hasan Kaduku ishte intelektual i plotësuar për kohën, ndaj dhe gëzonte respektin e banorëve të qytetit. Ai vishej me shije dhe ishte i dashur si me pacientët, ashtu dhe me shoqërinë që e kishte të shumtë. Paradhoma ku prisnin pacientët ishte e akomoduar mirë dhe e pajisur me libra dhe revista, madje aty kishte edhe libra për fëmijë apo ndonjë lodër.

Kultura e tij e gjerë bënte që ai të vizitohej edhe nga klerikë të lartë katolikë, si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Anton Harapi etj.

Madje Fishta i kishte kushtuar Hafiz Hasan Kadukut edhe këto vargje, të cilat tregojnë se ai ishte mjekuar te mjeku i shquar stomatolog:

“Asnjëherë s’jam përkulë

As prej shkjaut e as dhe ukut

Por rri urtë e bahem pulë

Te karrigia e Kadukut” [4]

I biri i tij, dr. Haki Kaduku, tregon se dr. Hasani ishte i pari që përdori floririn në mbushjen e dhëmbëve. Ai përdorte një peshore precize të farmacistëve, për të racionuar sasinë e arit për punimet e veçanta.

Kur mosha bëri të veten, Hafiz Hasani vetë kaloi në laborator dhe Hakiu në klinikë. Ai ishte i pari që mbajti korrespondencë me një firmë londineze (A.SH. & Sons), nga ku ka porositur edhe klinikën e tij, të cilën e ka pasur me qira në shtëpi të ndryshme shkodrane, njëra prej të cilave është fotografuar edhe nga Marubi.

Studiuesi i njohur, profesor Gëzim Uruçi, në dosjen e tij “Personalitete të shquara në memorien e malësorëve tanë”[5], (Haxhi Dr. efendi Kaduku dhe kroni i Kadukut në fshatin Theth të Dukagjinit), na njeh me shumë histori, episode dhe toponime që hapin një faqe të re shumë interesante për figurën e Hasan Kadukut. Lidhur me këtë ka shkruar edhe dr. Musa Bizaku, duke bërë një monografi për brezninë Kaduku.

Hafiz Hasani ishte ndër të parët pushues dhe i pari mysliman që veroi në fshatin turistik të Thethit që nga viti 1936, i ftuar fillimisht nga bajraktari i zonës i cili ishte edhe klient i tij.

Dr. Hasani i mahnitur nga bukuritë dhe ujërat e Thethit, mendon t’i bëjë një shërbim humanitar Thethit, një nxitje për emancipim, duke bërë një marrëveshje të firmosur nga vetë ai dhe lënë shenjat e gishtërinjve nga bajraktari i Shoshit. Ai ndërtoi depozitën e parë të ujit duke hapur kanale në drejtim të tre kullave kryesore aty pranë. Për këtë arsye, të futjes së ujit në disa shtëpi për herë të parë, që nga ajo ditë ai krua quhet “Kroni i Kadukut”. Kështu krahas kësaj hynë edhe toponime të reja “Livadhi i Kadukut”, “Bajrakja e Kadukut” etj. Ai i ftoi gjithashtu thethianët që të vinin dhe t’i kuronin dhëmbët falas në klinikën e tij në Shkodër. Gjatë qëndrimit në bjeshkët e Thethit ai mblidhte dhe përpunonte shumë bimë mjekësore, duke njohur vlerat e tyre për kurimin e shumë sëmundjeve evidente në këtë zonë.

Dr. Hasani, sipas dëshmisë së Lulash Markut, fshatar i zonës, ishte bërë shumë i vizituar nga malësorët e zonës, madje ai u lexonte edhe letrat që u vinin atyre me kënaqësi.

Hafiz Dr. Hasan Kaduku kuroi e mjekoi gjatë jetës së tij krajla, princa, konsuj, priftërinj, diplomatë e njerëz të thjeshtë. Në karrigen e tij u ulën gjithashtu njerëz të shumë kombësive.

Dr. Frederik Shiroka do ta quante Haxhi Hafiz Dr. Hasan Efendi Kadukun “Legjendë e stomatologjisë shqiptare”.[6]

 

Genti Kruja

 

[1] Haxhi Ibrahim Kaduku (1869-1949) është cilësuar si dijetari i tre kontinenteve, për arsye se shërbeu si pedagog në universitetet dhe medresetë e Stambollit, Edirnesë, Kajros, Arabisë Saudite, etj., si dhe kur u kthye në Shqipëri përfundimisht më 1925, ku u emërua drejtori i parë i Medresesë së re në lagjen Pazar, Shkodër. Më pas kreu edhe detyrën e zv/kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe për 20 vjet deri sa ndërroi jetë më 1949 ishte myfti i rrethit Kavajë.

[2] Kaduku, Hasan (nip i Hafiz Hasanit), dorëshkrim, 2012.

[3] Haki Kaduku (1900-1978).

[4] Bizaku, Dr. Musa, Vol. XII, “Historiku i Dhëmbëtarëve në Shkodër” (Breznia Kaduku), Monografi, Shkodër, 2006: 25.

[5] Uruçi, Gëzim, “Personalitete të shquara në memorien e malësorëve tanë”, (Haxhi Dr. efendi Kaduku dhe kroni i Kadukut në fshatin Theth të Dukagjinit), Shkodër, 1985: 127.

[6] Bizaku, Dr. Musa, Vol. XII, “Historiku i Dhëmbëtarëve në Shkodër” (Breznia Kaduku), Monografi, Shkodër, 2006: 8.