Kreu Personalitete HAXHI VEHBI DIBRA KLERIK DHE PATRIOT I DEVOTSHËM

HAXHI VEHBI DIBRA KLERIK DHE PATRIOT I DEVOTSHËM

0

Vehbi Dibra (Agolli) ka lindur në një familje me tradita, në Dibër të Madhe, në vitin 1867 dhe la rahmet në Tiranë më 1937.

Gjithë vepra e Vehbi Efendiut mbetet si një mal në fushën e diturisë dhe kulturës sonë teologjike. Të paharruara e frymëzuese mbeten gjithmonë para nesh vetitë e tij të larta e njerëzore: thjeshtësia, ndershmëria, fisnikëria shpirtërore, dashuria për të renë e për të rinjtë, të cilëve u jepte zemër që po të kishin një shkëndijë, të ndiznin zjarr. Kemi besim se brezat e ardhshëm, në vazhdimësi të mësimeve të fesë do të studiojnë gjithnjë e më thellë veprën e shquar të Vehbi Dibrës me mirënjohje dhe nderim të thellë.

Ishte mesatar për nga gjatësia e trupit, pak si i thatë me një palë sy të zinj ku shkëlqenin mendja dhe zgjuarsia e tij, ai me një bisedë që bënte, të bënte për vete, kishte besim dhe fjalët i kishte të pakta, por kurdoherë me vend.

Vehbi Dibra akoma në moshën e fëmijërisë shquhej për një zgjuarsi dhe mendjemprehtësi të rrallë. Ai dallohej midis moshatarëve për zellin e tij të madh për të mësuar. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe ato të larta jashtë vendit (në Stamboll) për teologji.

Ai jetoi në një kohë kur akoma ishte e freskët Lidhja e Prizrenit. Ai u frymëzua nga libri “Dhe shkronja” e Sami Frashërit. Qyteti i tij, Dibra e Sipërme, aty nga viti 1900 përfshinte 3 fshatra dhe nuk ishte më pak e dëgjuar se qytetet e tjerë si: Shkupi, Prishtina, Tirana, Korça e Preveza, me një popullsi prej 136.100 banorë.

Mbas vitit 1880, monarkitë fqinje, si Serbia, Mali i Zi dhe Greqia kërcënonin ekzistencën e shqiptarëve si komb, për të copëtuar trojet e tij të banuara nga shqiptarët. Pikërisht, Vehbi Dibra, duke qenë i ngarkuar me detyrën e Myftiut të Dibrës, i fliste popullit se nderi i atdheut nuk mbrohet vetëm me lutje por edhe me përpjekje dhe sakrifica.

Vehbi Dibra ishte për bashkimin e kombit shqiptar dhe ishte luftëtar i zjarrtë për hapjen e shkollës shqipe me alfabetin e Manastirit, edhe kjo do të arrihet vetëm me kryengritjen e përgjithshme të armatosur popullore. Dhe pikërisht për këtë ai thirri Kongresin e Dibrës (Korrik 1909). Në këtë Kongres morën pjesë 36 delegatë nga të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët si: nga Kosova, Ismail Pashaj, Riza Beu, Rexhep Hoxha Myftiu i Dibrës (vëllai i Vehbi Agollit), nga Elbasani ishin delegatë Aqif Pashë Elbasani, Dervish Beu, Myderriz Ali Efendiu etj. Fillimisht, Kongresi zgjodhi për kryetar të tij, Vehbi Dibrën dhe sekretar: Halit Gjirokastritin dhe Islam Selanikun. Vehbi Dibra mbajti një fjalim të zjarrtë teologjik, e filozofik, falë kulturës së gjerë që kishte dhe si orator i mirëfilltë. Në historinë e Shqipërisë, Vëllimi i II, Tiranë 1984, fillon devijimi, qoftë edhe pa dashje, që e konsideron këtë Kongres si xhonturk, gjë që nuk është e vërtetë dhe s’i përgjigjet realitetit! Këtë e bazojmë në diskutimet e delegatëve, si dhe në kujtimet e tyre të lëna me shkrim si, Hafiz Ali Korçës, të Kenan Manastirliut etj. që e hedhin poshtë këtë vlerësim që i bën Historia e Shqipërisë. Po t’i referohemi të vërtetës historike, tonin këtij Kongresi ia dhanë shqiptarët, siç pasqyrohet nga vendimet që mori: -Hapja e shkollave fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe. -Ndarja e shkollës nga kisha dhe xhamia. -Zhvillimi i ceremonive fetare në gjuhën shqipe. -Njohja e zakoneve nga pushteti në gjuhën shqipe dhe vendosja e rregullit dhe sistemit në ushtri.

Të gjashtë seancat e Kongresit u kthyen në luftë të ashpër dhe kjo u duk në fjalimet e Vehbi Dibrës dhe në fjalimet e një pjese nga delegatët si i: Abdyl Ypit, Rexhat Voka, Haxhi Ali Elbasani etj. Pa mbushur akoma dy vjet nga mbyllja e punimeve të Kongresit,

Midis delegatëve për shpalljen e Pavarësisë (28 Nëntor 1912) u nisën në Vlorë, Vehbi Dibra bashkë me Hafiz Sherif Langun. I takon Vehbi Efendiut të nxjerrë fetvanë për zhgabën e zezë dy krenare në mes fushës së kuqe të flamurit. Në kujdesin e Vlorës 28.XI.1912, ndër vendimet e rëndësishme, ishte edhe ai i krijimit të Senatit (Pleqësisë) prej 18 anëtarësh, Kryetar i së cilës u zgjodh Vehbi Dibra, kurse Ismail Qemali u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme.

Fetvaja për zhgabën dykrenare qëndronte – tha Vehbi Dibra – në petkat që ka veshur myslimani nëse ndodhet një figurë e vogël e gjësë së gjallë, organet e së cilës prej së largu nuk duken a ka ndonjë pëlqim? Përgjigja: “Nuk është e lehtë”. Vehbi Dibra për çdo veprim mbështeti Ismail Qemalin. Kur u nis në krye të delegacionit, Ismail Qemali, la në krye të Qeverisë së Përkohshme Vehbi Agollin (Dibrën), i cili nga data 30 mars 1913, për dy muaj rresht kryesoi qeverinë në mbledhjet e saj, madje përballoi lakmitë serbe e malazeze dhe organizoi kryengritje shqiptare në mbrojtje të trojeve, që udhëhiqeshin nga Bajram Curri, Elez Isufi, Hasan Prishtina etj. dhe se mbajtja e tërësisë tokësore mund të bëhet vetëm me armë dhe se kryengritësit patën mbështetjen e qeverisë së përkohshme dhe veçanërisht të Vehbi Dibrës. Këtu le të ndalemi dhe të përmendim fjalët e naçallnikut N. Cirkoveç: “Kryengritja pa ndonjë (fjalë e pakuptueshme) ka mundur ta përgatisë vetë Vehbi Efendiu, nën urdhrin e të cilit janë të gatshëm të ngrihen të gjithë të uriturit! Ai është dhe Shejhul Islami i Shqipërisë. Kryengritja u përhap nga muaji Shtator 1913, por mjerisht kish mungesa në municione dhe armë. (Fjali e pakuptueshme).” Në një letër që vjen nga fronti thuhet: “…Në rast se dërgoni fuqi dhe armë, suksesi është i sigurt.” Edhe këtu nxjerr krye tradhtia e Esatit, ai në vend që të ndihmonte kryengritësit, përkundrazi i pengonte. Serbët ushtronin terror të paparë. Në lumin Drin nuk shikoje gjë, përveç trupa të pajetë fëmijësh, grash e pleqsh si dhe hi.

Edith Durham këtë terror e përcakton në këtë mënyrë: “Fuqitë e Mëdha po kryejnë një veprim kriminal duke e shtyrë ardhjen e komisionit të caktimit të kufijve.” Nga ana e tij, Vehbi Dibra e çmonte mjaft rendin, mungesa e të cilit – thoshte ai – sjell anarkinë dhe situata të papëlqyera me të cilat Shqipëria është ndeshur mjaft herë (dhe kjo ishte arsyeja që mjaft atdhetarë idealistë preferonin më shumë një shtet ateist si ai i A. Zogut, i cili pati një administratë të rregullt, e cila diti të përfitojë nga Perëndimi). Vlen të theksohet se pas vitit 1925, Vehbi Dibra i përkushtohet tërësisht punëve të Komunitetit Mysliman dhe u shkëput nga veprimtaria e drejtpërdrejtë politike, sido që deri në frymën e fundit ai pati për moto Fe – Atdhe, këtë binom.

Interesante është përgjigjja që marrin shumë analistë grekë apo serbë kur pyesin ballkanasit se çfarë jeni? Përgjigja e tyre është: “jemi të krishterë”, ndërsa kur pyesin shqiptarët, myslimanë apo të krishterë përgjigja është: “jemi Shqiptarë”; përgjigje kjo, që është mjaft kuptimplotë.

Justin Godarti, studiues francez ka thënë: “Shqiptarët e të gjitha besimeve kanë qenë unanimë dhe kanë luftuar krah për krah. Në Shqipëri, patriotizmi është shqiptar. Kur ai është besimtar, ndez zjarrin dhe i nënshtrohet nacionalitetit dhe në të njëjtën kohë është gati të ndezë zjarr të ri që t’u shërbejë interesave të Shqiptarëve.”

Shqipëria ka nxjerrë burra që i kanë bërë nder vendit të tyre si: Mehmed Basha Dukagjini, që ka qenë poet lirik, Arkitekt Sinani, që ndërtoi xhaminë e madhe të Stambollit dhe që mbiemërohej “Mikelanxhelo i Lindjes”, profesorin e shquar Hasan Tahsini Filatin, rektorin e parë të Universitetit të Stambollit, inspektorin e vilajetit shkodranin Daut Boriçi, si dhe shkencëtarin enciklopedist dhe ideologun Sami Frashëri, pa numëruar një plejadë të tërë të Rilindjes Kombëtare të Pavarësisë si: Haxhi Zeka, Hoxhë Voka, Hoxhë Moglica, Haxhi Vehbi Dibra, Hoxhë Kadriu, Sheh Suleç, Hafiz Ali Korça, Hafiz Malje Tanushi, Hafiz Dauti, Hafiz Lila, Hafiz Veledin Banku, Hoxhë Kurt Balla, Hafiz Sherif Langu etj…

Figura patriotësh kanë pasur edhe fetë e tjera si: Preng Doçi, Patër Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, martiri shkodran At Stefan Gjeçovi, i vrarë nga malazezët, politikani dhe poeti i shquar Fan S. Noli, i cili u dorëzua si prift vetëm e vetëm për të shpëtuar Shqipërinë, Papa Kristo Negovani, i vrarë nga grekët, dëshmori i kombit etj…

Më 1 Mars 1918 ndodhi një akt i pazakontë, disa të krishterë nga Shkodra hodhën parulla ofenduese ndaj myslimanëve si: “Poshtë xhamija”, “Poshtë Mevludi”, por akoma më e keqja ishte therja e derrit në derën e xhamisë. Kjo u prit me indinjatë të thellë nga myslimanët, por kryemyftiu Vehbi Efendiu bëri takime e bëri bisedime me klerikë të ndryshëm (të krishterë) dhe në mënyrë demonstrative tha se këto veprime nuk i sjellin ndonjë dëm bashkimit të popullit dhe se 4 apo 5 herra nuk përfaqësojnë komunitetin e krishterë dhe nga ana tjetër iu drejtoi një notë proteste autoriteteve Austro-Hungareze, pastaj bëri përpjekje të shumta për të qetësuar gjendjen.

Vehbi Dibra qysh në Marsin e vitit 1920 i drejtohej zyrave të myftinive me një qarkore, tash e tutje të mos përdoren vulat turqisht, as në gjuhën turke në aktet zyrtare, por të mbaroni sa më parë një vulë me shqiponjë, duke futur kështu në institucionet fetare simbolin e flamurit tonë kombëtar.

Në kongresin e parë të Komunitetit Mysliman që u mbajt në Tiranë më 12 Mars 1923, u morën vendime të rëndësishme. Ky kongres zgjodhi Vehbi Dibrën si Kryetar të Komunitetit Mysliman Shqiptar, gjithashtu shpalli autoqefalinë e institucioneve të fesë islame në Shqipëri. Me këtë rast u bënë vizita në Komunitetin Mysliman nga ai Orthodoks, kështu në emër të Këshillit të Naltë At Vasil Marko, erdhën Peshkopi Jetothos, nga prefekti në emër të qeverisë etj…

Vehbi Dibra në ditët e shenjta të myslimanëve mbante vazë në xhaminë e vjetër si në ditët e Ramazanit apo të Mevludit, të cilët i shërbenin jo vetëm besimtarëve, por dhe vetë klerikëve me thëniet nga Kurani Kerim, i cili me gjithë se ishte përkthyer në 140 gjuhë të botës, në gjuhën shqipe akoma nuk ishte përkthyer, megjithëse specialistët në atë periudhë ishin me shumicë. Shumë artikuj të Vehbi Dibrës janë botuar në revistën “Zani i Naltë”, janë aktualë dhe edhe për kohën e sotme. Ato kanë përfshirë ç’urdhëron Kurani Kerim. Kurani gjatë shekujve nuk ka ndryshuar qoftë edhe një germë të vetme dhe është aktual edhe për kohën e sotme me njohuritë shkencore që jep. “Kërkoje diturinë edhe në Kinë”, injorancën nuk mund ta justifikojmë as me pleqërinë tonë, as me mungesën e shkollave në atdheun tonë, se jemi urdhëruar të shkojmë edhe në vendet më të largëta për studime, qofshin këto vende edhe jo myslimane.

Me këtë rast i drejtohemi Hazreti Muhamedit (a.s) që urdhëron e thotë: “Për tri gjëra vazhdon të shpërblehet i vdekuri: kur ka lënë pasuri për mirëbërje, ka lënë libra që përfitojnë nga leximi i tyre njerëzia dhe ka lënë fëmijë që luten për të.”

Hamdi Basha

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version