Sot njerëzimi po lufton me probleme të akumuluara që lidhen me jetën individuale, familjare dhe shoqërore. Fatkeqësisht, nuk është e lehtë të ndërmerren hapa afatgjatë dhe vendimtarë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Nëse problemet në dukje të pashërueshme do të shërohen dhe problemet në dukje të pazgjidhshme do të zgjidhen, kjo do të ndodhë vetëm se me përpjekjet e heronjve të konsistencës.
Gjatë gjithë historisë njerëzore, Profetët të cilët u dërguan në shoqëri si udhërrëfyes për njerëzit, janë përpjekur pa u ndalur dhe pa bërë pushim për t’i ngritur ata në horizontin e njerëzimit të vërtetë. Edhe pse në rrugë hasën pengesa të mëdha dhe të mundimshme, ata përsëri vazhduan rrugën pa ngecur në to.
Profeti ynë (paqja qoftë mbi të) formoi një bashkësi njerëzish aq të shtrenjtë gjatë jetës së tij, saqë qëllimi i tyre ishte vetëm sinqeriteti dhe kënaqësia e Allahut. Ky sinqeritet i pastër i ngriti sahabët vertikalisht dhe i ktheu ata në heronj të konsistencës.
Para së gjithash, ata ndanë të njëjtën atmosferë me Krenarinë e Njerëzimit (paqja qoftë mbi të), u lyen me bojën e tij dhe u bekuan me profetësinë e tij.
Së dyti, ajetet e Kuranit zbritën njëri pas tjetrit dhe ata u pastruan nën këtë shi të shpalljes. U shpallën vargje të drejtpërdrejta në lidhje me bisedat që bënin dhe ngjarjet që ndodhën midis tyre, madje edhe nga mendime që kishin në mendjet e tyre. Me fjalë të tjera, ata jetuan një jetë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të shpalljes hyjnore.
Së treti, përmes dyerve të hapura nga Kurani, ata dinin të shihnin gjithçka që shpresonin dhe dëshironin të arrinin. Të gjitha këto u formuan atyre një besim të tillë, një tension të tillë metafizik, saqë nuk u tronditën as nga vështirësitë dhe as nga fatkeqësitë që u përballën, por vazhduan të ecnin në rrugën që dinin pa hezitim duke ditur se si t’i buzëqeshnin edhe më të keqes.
Kështu pra, edhe ne sot përveçse jemi të përkushtuar ndaj rrugës sonë dhe vlerave tona, duhet ta pranojmë secilin në pozicionin e vet, të mbetemi të hapur për dialog me të gjithë dhe të marrim hapa për të formuar një atmosferë paqeje të përgjithshme në botë. Përveç kësaj, ne theksojmë vlerat universale njerëzore dhe përpiqemi të takojmë njerëz me ndjenja dhe mendime të ndryshme, qoftë edhe në zona të përbashkëta. Në botën e sotme, ku argumentet që duhen përdorur për të eliminuar pengesat mes Zotit dhe njerëzve kanë ndryshuar, suksesi varet gjithashtu nga konsistenca e qartë.
Në fakt, nga një aspekt, ne nuk i kemi përparësitë që kishin sahabët. Ndryeshe nga ata, ne jemi të privuar nga atmosfera e bekuar e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të) dhe nga të qenit adresuesi i parë i shpalljes hyjnore. Edhe pse mesazhet e paraqitura nga i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) kanë përhapur dritën në botë për shekuj të tërë dhe të cilat kanë mbijetuar edhe në kohët e sotme, përsëri mund të humbasin ndikimin, freskinë dhe elegancën e tyre në sytë e disave prej nesh.
Megjithatë, ne kemi në dispozicion mesazhin e Kuranit, jetën dhe fjalët shembullore të Profetit tonë, përvojat dhe veprat që myslimanët kanë prodhuar me shekuj të bazuar në këto dy burime. Nëse i drejtohemi Kuranit me gjithë zemër, angazhohemi vazhdimisht me të dhe si të thuash “të familjarizohemi” me Kuranin, ne mund të gjejmë gjithçka që kërkojmë dhe kemi nevojë. Sigurisht, edhe ne mund të bëhemi heronj të konsistencës nëse vërtetë i drejtohemi përsëri Kuranit me gjithë zemër; duke e lexuar atë sikur të na shpallet ne; duke kuptuar shumë mirë filozofinë e jetës së Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe duke u kujdesur për pasurinë e trashëguar nga paraardhësit tanë.
Detyra që pritet nga heronjtë e konsistencës
Përgjegjësinë e rëndë që i pret këta heronj të përkushtuar Said Nursiu e përshkruan me shprehjen “riparimi i një kështjelle që ka mbetur rrënojë prej shekujsh”. Fatkeqësisht, vlerat bazë që e kishin mbështetur shoqërinë Islame për disa shekuj u shkatërruan dhe gjithashtu ndodhi një deformim i tmerrshëm. Nuk mbeti respekt as për fenë e as për të shenjtën. U prishën lidhjet që i mbanin bashkë myslimanët, u prish uniteti dhe solidariteti, u harrua përgjegjësia për të ftuar njerëzit në besimin e pastër Islam.
Suksesi i këtyre heronjëve të përkushtuar që e shohin veten si përgjegjës për riparimin e kësaj kështjelle, varet nga konsistenca e qëndrueshme e tyre. Sepse, me lejen e Allahut, nuk ka asnjë problem të pazgjidhshëm për ata të cilët e kanë arritur konsistencën e duhur në shpirtin e tyre.
Problemi nuk mund të zgjidhet kurrë duke përdorur Islamin për politikë ditore, demagogji, pretendime të mëdha, heroizma, gënjeshtra dhe mashtrime. Përkundrazi, këto do t’i përkeqësojnë akoma më shumë problemet ekzistuese. Fatkeqësisht “Islami politik”, siç përdoret rëndomtë sot, e ka vrarë shpirtin e Islamit duke ia atribuuar këtë çështje retorikës dhe demagogjisë.
Në këtë aspekt, duhet ditur mirë se problemet me të cilat ballafaqohet sot bota Islame dhe njerëzimi në tërësi janë jashtë ekuilibrit. Arritja e konsistencës së dëshiruar varet nga të jetuarit me zemrër dhe shpirt, nga studimi i shkencave Islame duke marrë në konsideratë ligjin hyjnorë të krijimit shkak-pasojë. Sepse ndriçimi i ndërgjegjes varet nga drita e shkencave fetare, ndërsa ndriccimi i mendjes varet nga drita e shkencave ekzakte. E vërteta do të shfaqet vetëm kur këto të dyja të bashkohen me njëra-tjetrën. Të përkushtuarit e këtij misioni të cilët jetojnë në këtë kohë, duhet të përpiqen të bashkojnë këto të vërteta të ndara prej shekujsh dhe duhet ta shohin këtë si përgjegjësinë e tyre më të madhe. Vetëm atëherë mund të thuhet se rruga për zgjidhjen e problemeve të njerëzimit ka nisur.
Përktheu: Tauland Bica