Intervistë rreth dobive shëndetësore të agjërimit me mjekun z.Enver Bami

Pyetje: Profeti Muhamed (a.s.) në një hadith, thotë: “Agjëroni që të jeni të shëndetshëm.” Si mund ta kuptojmë këtë hadith në aspektin mjekësor?

Agjërimi mund të quhet një terapi mjekësore, e cila ka dobi për shendetin fizik dhe atë mendor. Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit mund të sjellë shumë përfitime në aspektin e shëndetit fizik dhe mendor tek njeriu dhe këto përfitime mund të jenë si menaxhimi i peshës trupore, ruajtja e një metabolizmi të ekuilibruar dhe kontroll më i mirë i niveleve të sheqerit në gjak.

Duke respektuar agjërimin gjatë ditës, trupi merr pushim nga tretja e vazhdueshme, gjë që mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit metabolik dhe promovimin e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme. Të gjithë dëgjojmë nga mjekët apo dietologët për dieta të ndryshme, por mund të them që nuk ka dietë më të mirë se sa agjërimi. Agjerimi të rrit përqendrimin, vëmendjen, të bën të ndjehesh me i lehte në trup e gjithashtu, krahas kësaj, si pastrim dhe ndryshim tërësisht të trupit vërehet edhe rënia në peshë.

Pyetje: Mjekësia bashkëkohore ka dëshmuar me studime të hollësishme se agjërimi ka shumë dobi shëndetësore; çfarë mund të na thoni rreth kësaj çështjeje?

Po, wshtw e vwrtetw. Studimet e bëra ndër vite rreth agjërimit, por edhe ato më të fundit vazhdojnë të vërtetojnë fjalët dhe këshillat profetike si edhe argumentet janë bërë tashmë të qarta edhe për arsyen apo urtësinë përse Zoti e ka bërë detyrim se paku një muaj në vit, krahas pëlqimit të agjërimit vullnetar.

Së pari, agjërimi përmirëson metabolizmin dhe kontrollin e peshës, rrit ndjeshmërinë ndaj insulinës, duke bërë që kjo gjë të çojë në uljen e sheqerit në gjak e automatikisht ndihmon në uljen e peshës. Kur një person agjëron, trupi detyrohet të përdorë glukozën e ruajtur për energji, që ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak. Agjërimi mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e inflamacionit në trup, i cili është një faktor kontribues në rezistencën ndaj insulinës. Përveç kësaj, agjërimi mund të ndihmojë në promovimin e humbjes së peshës, e cila është e rëndësishme për kontrollin e niveleve të sheqerit në gjak, pasi yndyra e tepërt e trupit mund të çojë në rezistencë ndaj insulinës dhe nivele të larta të sheqerit në gjak.

Gjithashtu, dallohet përfitimi që i bën sistemit kardiovaskular, ku ka plot studime që tregojnë se agjërimi çon në uljen e tensionit, të yndyrnave, të inflamacionit, të cilat në tërësi janë faktorë kyç në sëmundjet kardiovaskulare.

Një nga përfitimet e rëndësishme të agjërimit në Ramazan është se forcon sistemin imunitar. Gjatë një agjërimi, trupi kalon nga përdorimi i glukozës si burimi kryesor i energjisë në përdorimin e ketoneve, të cilat prodhohen nga rezervat e yndyrës. Ky ndryshim aktivizon një proces të quajtur autofagji, ku trupi fillon të shpërbëjë dhe riciklojë qelizat e dëmtuara, duke përfshirë ato në sistemin imunitar. Autofagjia ndihmon në përmirësimin e funksionit të sistemit imunitar, duke hequr qelizat imune të vjetra ose të dëmtuara dhe duke i zëvendësuar ato me të reja, të shëndetshme.

 Studimet kanë zbuluar se agjërimi stimulon një proces qelizor të quajtur autofagi, nëpërmjet të cilit qelizat pastrohen nga elementet e dëmtuara.

Gjithashtu agjërimi ndihmon në rritjen e funksionit të trurit dhe është faktor mbrojtës ndaj sëmundjeve neurodegjenerative.

Pyetje: Është një pyetje që bëhet shpesh dhe u drejtohet rëndom specialistëve të shëndetit: A mund të mbajnë agjërim të sëmurët diabetikë?

Persa u përket diabetikëve, ato ndahen ne disa lloje: diabet i tipit 1 dhe i tipit 2. Tek diabetikët tip 1 mund të ndodhë që të kenë shpesh luhatje të nivelit të sheqerit në gjak, vlera të larta ose të ulëta, dhe për këta persona është e nevojshme konsultimi paraprak me mjekun përgjegjës nëse mund të jenë në gjendje të agjerojnë apo jo. Ndersa në diabetin tip 2, zakonisht nivelet e sheqerit në gjak janë të qëndrueshme, por nëe do agjerojmë duke patur këtë diagnozë, përseri do duhet të konsultohemi me mjekun për të rregulluar nivelet e marrjes së insulinës. Duhet patur kujdes në menyrën e të ushqyerit, shmangien e ushqimeve që kanë sheqer.

Pyetje: Mund të na jepni disa këshilla në lidhje me shëndetin në muajin e Ramazanit?

Sigurisht që teologët janë më të saktë në dhënien e këshillave përsa u përket rëndësisë që ka në anën e brendshme agjërimit, shpëbrblimit që ka tek Zoti si edhe sinqeritetin e punës për të fituar kënaqësinë e Zotit. Ajo që mund të them ne planin individual dhe në aspektin e jashtëm jetësor të agjeërimit, është se, në radhë të parë, nëse do te disiplinosh veten, agjëro. Nëse do të jesh i shëndetshëm, agjëro. Nëse do të ndalosh një ves, agjëro. Nëse ke nevojë për terapi mjekësore apo psikologjike, agjëro.

Gjatë muajit të Ramazanit duhet patur kujdes për t’u hidratuar në periudhat kohore të lejuara, domethënë, konsumimi i ujit në syfyr dhe në iftar në sasi 2 litra e sipër. Shmangia e pijeve me gaz e sheqer, ushqimeve të skuqura e atyre që përmbajnë sheqer.

Gjatë ditëve të para është prezente dhimbja e kokës prej mungesës së kafes apo edhe mungesës së ushqimit, gjë që do të kalojë sapo trupi dhe truri të mësohet me sistemin e ri.

Lusim Zotin që të na begatojë më mirësitë e agjërimit dhe të na bëjë të përfitojmë nga dobitë fizike por edhe ato shpirtërore.

Redaksia e “Dritës Islame”