Krijuesi i Gjithësisë, Allahu i Lartësuar na sjell në këtë botë me një qëllim primar, që ta adhurojmë Atë, t’i bindemi Atij dhe të arrijmë kënaqësinë e Tij. Këtë e ka bërë të qartë në Librin e Tij, ku thotë: “ Njerëzit dhe xhindët i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 56)

Fatkeqësisht, në realitet ndodh e kundërta. Shumë prej njerëzve nuk jetojnë për Zotin dhe nuk i kushtojnë as edhe një minutë bindjes, adhurimit, përuljes, si dhe nënshtrimit ndaj Tij. Nuk është në mesin e synimeve dhe prioriteteve të tyre arritja e kënaqësisë së Zotit, por ajo për të cilën mundohen e stërmundohen është kënaqësia e veteve të tyre dhe njerëzve që i rrethojnë. Të shumtë janë ata që i vret gjykimi, perceptimi, opinioni, mendimi i të tjerëve mbi ta, e as që duan t’ia dinë se çfarë vendi dhe pozite zënë tek Zoti i tyre. Shprehja që qarkullon në mendjet e tyre është ajo e njohura për të gjithë: “ç’do thotë bota?”  

Sa e sa prej të rinjve nuk e lënë alkolin, duhanin, lidhjen me femra, etj, etj, vetëm e vetëm që shoqëria e tyre të mos i paragjykojë; që të mos etiketohen si “çuna mami”, “çuna shpie”, “demode”, “jashtë kohe” e lloj-lloj epitetesh të tjera. Ndërsa veprimet dhe veset e pahijshme që janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë së atyre, me të cilët shoqërohen janë diçka mëse normale, e nëse nuk i vepron, sipas konceptit të tyre, je ti anormal. Sa e sa vajza nuk e vënë mbulesën islame, vetëm e vetëm nga opinioni i rrethit të ngushtë familjar, farefisnor dhe shoqëror; si e si që të mos thonë të tjerët: Ishte gjithë ajo vajzë e bukur, shkoi e u mbulua. Ishte për t’u pirë në kupë, shiko ku përfundoi. E shikojnë sikur ka bërë ndonjë gjynah të pafalshëm, sikur ka bërë ndonjë veprim të pajustifikueshëm. A nuk e dinë që gjërat e bukura dhe me vlerë duhen mbuluar e duhen ruajtur për të zotët e tyre, në mënyrë që jo çdokush të marrë pjesë nga ajo që nuk i takon. Ka vajza të tjera që nuk veshin petkun e fesë islame, vetëm e vetëm nga frika se mos mbesin pa fejuar, pa martuar; se mos u ngelin prindërve në derë. A do t’ia ndalë Allahu rizkun për t’u fejuar e martuar dikujt i cili i bindet urdhrave të Tij, siç është në rastin konkret mbulesa islame? Përkundrazi! Do t’ia lehtësojë, e pse jo, do t’ia mundësojë një bashkëshort të denjë për të dhe për të ardhmen e familjes. Sa e sa të reja vishen me veshje provokative, si e si që t’u ngjajnë shoqeve të tyre në veshje; si e si që të peshkojnë ndonjë djalë apo të paktën t’i hynë në sy. E po të vazhdojmë, sigurisht që shembujt s’kanë të mbaruar.

Kanë harruar Allahun që po i vëzhgon pandërprerë e nuk kanë neglizhuar aspak në anën tjetër vëmendjen që presin nga lloji i tyre (njerëzit), imazhin dhe përshtypjet që do lënë tek ata. I japin rëndësi pamjes së jashtme e as që u intereson zbrazëtia dhe boshllëku që i gërryen nga brenda. Harrojnë se Allahut nuk i intereson pamja e jashtme dhe as veshja me të cilën zbukurojnë trupat e tyre, por Ai sheh me çfarë e kanë mbushur shpirtin dhe zemrën e tyre, sepse kjo është ajo që bën diferencën dhe dallimin.

Për shumëkënd është kthyer opinioni në xhelatin e tyre dhe është shndërruar në makth, në stres, në frikë e cila nuk shqitet e i shoqëron në vazhdimësi, saqë as gjumin nuk e bëjnë të qetë. Sot fatkeqësisht ecet me moton e gabuar: “Nuk ka rëndësi se ç’bëj, rëndësi ka si dukem në sytë e njerëzve”. Imagjinoni në ç’kohë jetojmë. Të jetosh për sytë e botës. Ta jetosh çdo ditë i sforcuar, i prangosur në një farë mënyre, për të vetmen arsye, që të mos dukesh keq para të tjerëve, që të mos krijosh përshtypje negative te të tjerët; ta ndiesh veten si i burgosur brenda trupit tënd, brenda vetes tënde. Pse vepron kështu, kur vet Zoti të krijoi të lirë e ta jep mundësinë ta jetosh jetën i lirë. Pse e kufizon veten për krijesat e Zotit e nuk e bën diçka të tillë për vet Zotin? Pse e lëshon veten peng në duart e të tjerëve, të cilët nuk kanë në dorë fatin tënd, e nuk e tregon veten me fjalë dhe me vepra që je rob i Allahut? Pse…

T’i kënaqësh njerëzit është një tunel i errët pa krye, pa dalje, sepse zemrat e njerëzve janë të paqëndrueshme. Sot të duan kur u bën qejfin e nesër nëse i cënohet interesi të urrejnë. Pangopësia e tyre nuk ka limit. Po ta dijë njeriu se sa shpejt e harrojnë të tjerët pas vdekjes, por kjo ndodh edhe gjatë jetës, nuk do të bënte asgjë për t’i kënaqur ata, e do të bënte çdo gjë për ta kënaqur Allahun, Atë që nuk e harron asnjë ditë robin e vet, i jep jetë, i jep shëndet, i jep një mal më të mira, por prapëseprapë njeriu me dritëshkurtësinë e vet i injoron gjithë ato të mira deri në momentin që i humbet, më pas kujtohet se ka një Zot që ia jepte falas, pa pritur prej tij asgjë në këmbim, përveçse ta adhurojë e ta kënaqë.

Madje, bujaria e Allahut kapërcën çdo kufij të logjikës njerëzore. Edhe pse njerëzit mëkatojnë e nuk i përulen, Ai prapëseprapë nuk ia ndalon të mirat e Tij, por i furnizon çdo ditë me të gjitha nevojat që u duhen. Imagjinoni sikur një mëkatari, Allahu t’ia bllokonte shikimin, qoftë edhe për një ditë, në shenjë dënimi dhe ndëshkimi. A do të mëkatonte ai prapë. Kurrsesi! Po sikur t’ia ndalonte të folurin, qoftë për një ditë; po sikur t’ia bllokonte lëvizjen e trupit, qoftë për një ditë. Por jo, Allahu Fuqiplotë me mëshirën e Tij e lë robin e Tij që të refkletojë e t’i kthehet Zotit për ta falënderuar e për t’iu përkushtuar Atij në shenjë mirënjohjeje e bindjeje për Madhështinë e cila e karakterizon Krijuesin e Universit.

Një jetë e dhuruar prej Zotit, a nuk duhet që të jetë një jetë dedikuar Atij?! Sigurisht që po, por ku janë mendjet që logjikojnë kështu? Me besimtarin e devotshëm ndodh ndryshe. Ai e nis ditën me emrin e Zotit, e vijon ditën dhe e mbyll atë me përkujtimin e Zotit. E gjithë jeta e tij është vënë në shërbim të arritjes së kënaqësisë së Allahut, duke realizuar kështu atë çfarë potencohet në ajetin kuranor: “…Jeta ime dhe vdekja ime i përkasin vetëm Allahut” (El En’am 162)

Qani Sulku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu