Kërkojeni diturinë nga djepi deri në varr

Allahu (xh.sh.) përmes Kuranit dhe Profetit (a.s.), iu bën thirrje besimtarëve të kërkojnë diturinë, herë në formë këshille e nxitje, dhe herë në formë urdhërore. Vetë fakti që fjala e parë e shpallur ishte “Lexo”, tregon për vlerën dhe nivelin, në të cilin Islami e ngre diturinë. Në Kuran, fjala dituri përmendet në 660 vende, ndërsa në fjalët e Profetit ajo llogaritet me vlerën e adhurimeve të kryera ndaj Allahut të Madhërishëm.

Me shpalljen e ajetit të parë: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi” (Alak, 96:1) dhe në shumë ajete të tjera të ngjashme, Kurani fton për hulumtim të gjithësisë dhe të rolit të njeriut në gjithësi, në mënyrë që të zbulohet harmonia dhe ligjet e kësaj bote, duke i hapur kështu njeriut rrugën e mendjes dhe të zemrës për kah Krijuesi. Ky është, sipas fesë islame, qëllimi i jetës në këtë botë kalimtare dhe parakusht i lumturisë për në botën e amshueshme. Njeriu nëpërmjet arsimit dhe shkencës kupton esencën e ekzistencës së tij, pasi zbulon vetveten, kupton gjithësinë dhe njeh Krijuesin e tij. Kjo ishte arsyeja pse Profetit Muhamed (a.s.) ajetet e para i zbritën për studim e hulumtim, e jo për adhurim.

Të nxitur nga Kurani dhe porositë profetike, shumë myslimanë iu përkushtuan arritjeve të diturisë. Ata nuk studiuan vetëm shkencat islame, por edhe shkencat natyrore, humane e shoqërore. Në fund rezultatet nuk munguan, pasi arritjet e tyre kontribuuan në zhvillimin e shkencës moderne. Sot janë të njohur me qindra myslimanë që ndihmuan zhvillimin e shkencës dhe falë kontributit të tyre janë ndërtuar edhe themelet e disa shkencave. Fatkeqësisht, këtë stafetë, myslimanët e lanë në harresë dhe po t’i referohemi shekullit të kaluar, shumica e arritjeve shkencore, teknike e teknologjike, nuk i përkasin botës islame.

“Ikra – Lexo”, është një urdhër hyjnor, i cili i është shpallur njeriut, duke qenë se ai është qenia më e nderuar. Ky urdhër është një përgjegjësi dhe një ftesë e hapur për njeriun, për t’u bërë partner i përsosmërisë së pafundme dhe sakrifikues për arritjen e saj. Kështu pra, duke lexuar, njeriu do të arrijë të kuptojë, ndonjëherë do të kuptojë gabim, por mbi të gjitha do të fitojë përvojë, do t’i përftojë vetes bindje dhe besueshmëri, saktësi e siguri.

Shkolla është vendi ku jepet mësim dhe edukatë. Aty mësohet gjithçka në lidhje me jetën e më tej. Në fakt, edhe vet jeta është një shkollë. Ajo është institucioni që hedh dritë mbi evenimentet jetësore dhe u jep nxënësve mundësinë të kuptojnë atë që ndodh rreth tyre. Shkolla dhe edukimi që jepen aty, përfshijnë pothuajse të gjithë jetën e njeriut. Ai gjatë gjithë jetës zbaton e përsërit mësimet që merr në shkollë dhe, virtytet e aftësitë e fituara aty, janë udhërrëfyesi i tij gjatë rrugëtimit të saj.

Kurse mësuesi është një udhërrëfyes shembull, që i jep njeriut formë, si dhe njëkohësisht është krijesa “e shenjtë” e tempullit të edukimit. Vet fjala e Profetit Muhamed (a.s.): “Unë jam dërguar si mësues” (Ibn Maxhe), e shpjegon më së miri këtë. Ndikimi i mësuesit mbi individin është më i madh se ndikimi i prindërve apo i shoqërisë. Në një shkollë të mirë, mësuesi është ai që mbjell dhe që ruan farën e pastër e të pafajshme. Nxënësit mund t’i bëhet shembull i mirë dhe udhërrëfyes i saktë, një mësues që e ka perceptuar të vërtetën dhe që e ka kaluar çdo dituri më parë nga porta e ndjenjave të veta.

Tjetër gjë është të shohësh, tjetër të vëresh, tjetër gjë është të kuptosh, tjetër ta përvetësosh me vetëdije dhe zemër atë që e kuptove dhe, pas gjithë kësaj, është krejt tjetër ta praktikosh, ta vësh në zbatim dhe t’ua përçosh atë të tjerëve. Prandaj, të jesh mysliman, do të thotë të jesh në një këndvështrim, më përgjegjës sesa të tjerët, por edhe po aq i kujdesshëm dhe shpirtgjerë, sepse krahas respektimit të parimeve shoqërore, kërkohen dashuria dhe mirëkuptimi, dhembshuria dhe butësia; krahas durimit dhe tolerancës, kërkohen dituria, vullneti, urtësia, ekuilibri… pra, aftësitë përmbledhëse e plotësuese.

Dituria duhet patjetër t’i shërbejë njeriut. Po qe se nuk është në shërbim të tij, atëherë ajo është e padobishme dhe madje e rrezikshme. Asnjë fenomen, që ndodh në rruzullin tokësor, duke përfshirë natyrën, qiejt e tokën, nuk mund të kuptohet pa dije. Nëse dija nuk do të shfrytëzohej si duhet, atëherë nuk do të ishim në gjendje që të përfitonim prej favoreve të panumërta që Allahu i Madhërishëm na ka dhuruar e na dhuron pa ndërprerje.

Meqenëse jetëgjatësia e njeriut është e paracaktuar dhe mundësitë të kufizuara, është e pamundur që të mësohen të gjitha dituritë e shkencat, si dhe të përfitohet prej tyre. Nisur nga kjo, çdo individ duhet të mësojë dhe t’i vërë në punë dijet e përftuara, duke i vënë në shërbim të vetes, shoqërisë dhe kombit, pa qenë e nevojshme ta çojë dëm jetën me gjëra që nuk i vlejnë.

Dorian Demetja