– Ne nuk kemi pak kohë, por kemi humbur shumë kohë. Jeta është mjaft e gjatë dhe na është dhënë me bujari për të realizuar vepra të mëdha, nëse do shfrytëzohej e gjitha me zell. Por, kur jeta harxhohet kot dhe me mospërfillje, kur ajo nuk shpenzohet për të bërë diçka të mirë, të shtyrë deri në fund nga domosdoshmëria e skajshme, atëherë na bie ndër mend se jeta ka kaluar dhe nuk e kemi kuptuar se si.
– Do dëgjosh se pjesa më e madhe e njerëzve do thotë: ‘Që nga mosha pesëdhjetëvjeçare do të tërhiqem nga zyrat. Në moshën gjashtëdhjetëveçare do filloj të bëj një jetë private’. E kush të siguron se do të jetosh kaq gjatë? Kush do të lejojë që këto gjëra të shkojnë ashtu siç i ke planifikuar?
– E tashmja është shumë e shkurtër, aq sa duket e paqenë. Në të vërtetë ajo është gjithnjë në ecje, rrjedh dhe rrokulliset; pushon së ekzistuari para se të arrijë atje ku duhet dhe nuk e duron vonesën më shumë se gjithësia dhe yjet, lëvizja gjithnjë e pandërprerë e së cilave nuk mbetet asnjëherë në të njëjtin vend.