NDRYSHIMI I NIJETIT

SONY DSC

 

Tregohet se një burrë dëgjoi se disa njerëz adhuronin një pemë në vend të Zotit. I revoltuar nga kjo që dëgjoi ai rrëmbeu sëpatën dhe u nis drejt pemës që ta priste. Në rrugë iu shfaq shejtani me pamjen e një burri të moshuar. Ai u mundua ta devijonte nga rruga me një sërë formash, por nuk po korrte sukses. Përkundrazi, burri e kapi fort prej gryke dhe e shtriu të moshuarin përdhe. Këtë herë shejtani i kërkoi ta lëshonte pasi i premtoi diçka joshëse. Çdo ditë në mëngjes ai do t’i dhuronte dy napolona flori.

Besimtari hyri në mendime të thella, por më në fund pranoi. Të nesërmen, me t’i dalë gjumi, futi dorën poshtë jastëkut dhe sytë i shkëlqyen kur gishtat i prekën napolonat e floririt. E njëjta gjë edhe ditën e dytë. Por, ditën e tretë nuk i gjeti napolonat. Gjithë inat brofi nga shtrati, rrëmbeu sëpatën dhe u nis drejt pemës. Në rrugë i doli përsëri shejtani me pamjen e atij plakut të moshuar, që kishte takuar herën e parë.

Këtë herë u mundua ta mundte, por nuk e mundi dot. Herën e parë, zemërimi ishte për hir të Zotit dhe Ai i dha forcë. Ndërsa herën e dytë zemërimi ishte për hir të florinjve, ndaj nuk ngadhënjeu dot.