Kreu Bota Jone NË 29 VJETORIN E ORGANIT TË SHTYPIT “DRITA ISLAME”

NË 29 VJETORIN E ORGANIT TË SHTYPIT “DRITA ISLAME”

0

Falënderimi i takon vetëm Allahut xh.sh., Krijuesit të botëve, Mëshiruesit, që na pajisi me dritën e besimit. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi atë të cilin Allahu i Lartësuar e dërgoi mëshirë për botët, udhëzues për njerëzimin, përgëzues e qortues, thirrës në rrugën e Tij, mbi udhëheqësin dhe të dërguarin tonë, Muhamedin a.s. Me të, Islami u bë burimi kryesor i energjisë që ndriçoi zemrat e besimtarëve në mbarë botën, për t’i nxjerrë nga errësira e injorancës në dritën e dijes e për t’i udhëzuar në rrugën e drejtë, në rrugën e besimit te Zoti. Rrezet e tij u përhapën dhe në vendin tonë, lulëzuan xhamitë si vende lutje e adhurimi dhe në minaret buçiste zëri i ëmbël që madhëronte Zotin xh.sh. Por pas disa shekujsh do të vinte një errësirë e rëndë, me re të dendura e bubullima, që do të ndërpriste rrugën e besimit në Zotin. Erdhi errësira moniste, që më 1 prill 1967, do të shpallte ligjin famëkeq për ndalimin dhe shembjen e institucioneve fetare. Kjo u shoqërua me masa të rrepta, me persekutime, burgosje e vrasje të prijësve fetarë, që kishin predikuar fenë.

Nisi një heshtje e madhe, që në brendësi të zemrave të besimtarëve lëshonte urrejtje e mallkim, për këtë kuçedër, që ndërpreu dritën e Islamit. Tashmë energjia e Islamit nuk reflektonte në veprimtaritë e jetën praktike të besimtarëve. Brezat e rinj po rriteshin pa ndjenjën e besimit e në vend të tij po kultivohej kulti i individit, i cili udhëhoqi këtë luftë për gati gjysmë shekulli. Ky mllef i grumbulluar gjatë kësaj periudhe do të shpërthente një ditë. Dhe ajo erdhi. Vitet ’90 e tronditën nga themeli derisa në vitin 1991 do të përmbysej e do të vinte demokracia e shumëpritur. Menjëherë u shpërndanë rrezet e saj për lirinë dhe të drejtat e njeriut, si dhe lirinë e ndërgjegjes, të besimit te Zoti. Kudo manifestime gëzimi. U ringrit institucioni i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili mori përsipër barrën e ngritjes së shkollave fetare, medreseve dhe xhamive si vende faljeje e lutjeje. Mbijetesa e njerëzve me besim islam gjallëruan xhamitë në qytete e fshatra në të gjitha anët e vendit.

“Drita Islame”, organ i Komunitetit Mysliman, bënte thirrjen e saj, lëshoi kushtrimin e besimit në tërë hapësirën shqiptare, duke i ngrohur zemrat e besimtarëve myslimanë me dritën e besimit. Ky zë i fuqishëm i zgjoi besimtarët nga gjumi letargjik i errësirës komuniste. Erdhi koha të jetohet sipas Islamit, në zbatimin e normave e dispozitave të shpalljes hyjnore, Kuranit Famëlartë e hadithit të profetit Muhamed a.s.. Zoti i Lartësuar në Kuranin Famëlartë urdhëron e thotë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide, 3) Prandaj dhe “Drita Islame” gjatë 29 viteve, me artikujt e saj të larmishëm, i fton besimtarët t’i kthehen Islamit të vërtetë, të ndërtojnë jetën sipas porosive të tij, pasi ai e shoqëron njeriun gjatë tërë jetës së tij.

Në mënyrë permanente “Drita Islame” ka pasur në vëmendje disa probleme kyçe në tërheqjen e vëmendjes së myslimanëve si:

-Në ndërtimin dhe mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë. Duke marrë shkas nga realiteti i përditshëm, që familja po shkon drejt shpërbërjes së saj me divorce të shumta; ajo porosit që të respektohen vlerat morale të Islamit, të ruhet familja si e shenjtë dhe të mos tronditet nga dhuna, respekti reciprok në mes bashkëshortëve, si dhe të ruhet nga tradhtitë bashkëshortore, që e tronditin familjen. Nëpërmjet artikujve argumentohet se shpëtimi i vetëm i familjes do të vijë nga zbatimi i legjislacionit islam. Zoti i Lartësuar në Kuranin Famëlartë thotë: “Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që caktova për ju), pra, përmbajuni kësaj e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij…” (El En’am, 153)

– Vend i veçantë i është kushtuar bashkimit në vëllazëri ndërmjet myslimanëve e mbarë popullit shqiptar pa dallim. Nëpërmjet artikujve fton rininë e në veçanti atë besimtare që të mos bjerë në llumin e veseve negative, si: alkooli, droga, kumari, prostitucioni, krimi, etj, por t’i kthehen me vetëdije të plotë besimit në Zotin, me forcën e shpirtit e të ndërgjegjes, për t’u bërë një forcë aktive në parandalimin e këtyre problemeve.

Islami është i vetmi mjet shpëtimi i brezit të ri, që thërret për moral të pastër, prandaj secili besimtar duhet t’i përmbahet normave të moralit hyjnor, që të edukojë sjelljen dhe të rregullojë jetën e tij individuale, familjare e shoqërore. Njerëzit që kryejnë akte kriminale janë të zhveshur nga besimi.

Gjatë 29 viteve jetë të “Drita Islame”, lexuesit e kanë pritur me interes daljen e saj, sepse kanë gjetur argumente të shëndosha dhe bindëse për Islamin e vërtetë. Shtresat intelektuale kanë treguar interes të veçantë, pasi me tematikën e larmishme të fushave të kulturës fetare e shkencore, të edukimit e të shëndetësisë, kanë pasur një nivel të lartë të trajtimit të problemeve.

– “Drita Islame” në rrugëtimin e saj ka trajtuar Islamin si fe tolerante, me të gjithë njerëzit pa dallim fetar, vetëm si qenie njerëzore. Shoqëria jonë ka nevojë të mbështetet në fe në çdo aspekt të ndërtimit të jetës. Të bashkuar rreth besimit të Një Zoti të vetëm, i Cili na porosit për paqe e qetësi, për bashkim e vëllazërim për mbarëvajtjen e interesave të vendit.

– Në artikujt redaksionalë, “Drita Islame” ka vënë theksin në vazhdimësi për atë që besimtarët myslimanë t’i kthehen besimit me bindje dhe në unitet të fjalës me veprën. Vetëm Islami vë në baraspeshë kryerjen e veprave në përputhje me normat e parimet e moralit të shëndoshë, bashkon mendjen me zemrën, dhe këtë botë me botën tjetër.

– Një zë i veçantë i është kushtuar personaliteteve të shquara islame ndër shekuj. Është vënë në dukje kontributi i tyre në Islam, mbështetur në Kuranin Famëlartë dhe Hadithin e Profetit a.s., duke ruajtur të pastër traditën islame. Brezi i sotëm islam duhet të edukohet me këtë frymë që predikuan ata, për t’u edukuar me mësime e vlera drejt orientimit të vërtetë islam.

Është për t’u theksuar se përgjatë 29 viteve rrugëtimi, “Drita Islame” në çdo numër të saj ka ruajtur boshtin e drejtimit të fesë islame dhe ka shërbyer për informimin e kuptimit të vërtetë të Islamit. Pa një burim të tillë në Islam nuk mund të bëhet një jetë e ndershme, me ndërgjegje të pastër në formimin e plotë të personalitetit të besimtarit.

I uroj rrugëtim të mbarë revistës “Drita Islame”, që nëpërmjet saj të njohim e kuptojmë Islamin e vërtetë, t’i largohemi besimit formal, të ndjekim Islamin që buron nga Kurani e Hadithi i Profetit Muhamed a.s., atë praktikë që e ndoqën sahabet, në mënyrë që të ndiejmë kënaqësinë e gëzimin e kësaj bote dhe të botës tjetër dhe në fund të arrijmë kënaqësinë e Zotit xh.sh.

Urime të përzemërta për stafin drejtues të revistës “Drita Islame”. Zoti ju shpërbleftë dhe ju begatoftë! E bekoftë mundin tuaj dhe suksese të mëtejshme në punën tuaj fisnike!

Xhemal Balla

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version