Allahu i ka dhënë njeriut që në krijim vullnetin dhe dëshirën për të vepruar çdo gjë. Gjithashtu i ka dhënë edhe mendjen për të dalluar të mirën nga e keqja. Ky është edhe tipari, i cili e bën njeriun të ngrihet në gradën më të lartë të krijimit e të bëhet krijesa e zgjedhur nga të tjerat.

Kjo botë në të cilën jetojmë do të përfundojë dhe do dalë në shesh çdo e fshehur. Ashtu siç na e ka treguar Allahu në Kuran dhe ashtu siç na ka thënë profeti me fjalët e tij, do të ndodhin ngjarjet njëra pas tjetrës dhe njerëzit të ringjallur grupe grupe do ti drejtohen sheshit të Mahsherit. Do të dalin para Allahut për të parë përfundimin e punëve të bëra në dynja. Për këtë arsye, besimtari i mirë është i vëmendshëm në çdo fjalë, veprim e hap të jetës së tij. Pa dyshim se një ditë do të largohemi nga kjo jetë dhe do të dalim para Allahut duke dhënë llogari për çdo vepër, qoftë ajo sa grimca më e vogël. Këtë e besojmë bindshëm, sepse Allahu (xh.sh.) urdhëron e thotë:“Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë[1]. Kështu që, ai i cili beson Allahun e Lartësuar dhe në Ditën e Gjykimit, duhet të marrë në llogari veten e tij çdo ditë për fjalët që flet dhe punët që vepron.

Imam Rabbani, (Zoti qoftë i kënaqur prej tij), thoshte kështu: “Njerëzit e dashur tek Allahu, para se të flinin, bënin llogarinë e punëve me të cilat ishin angazhuar, fjalëve që kishin folur dhe mendimet që kishin kaluar nëpër mendjet e tyre. Për veprat e këqija ulnin kokën, pendoheshin me dëshpërim dhe i kërkonin falje Allahut. Ndërsa për veprat e mira falënderonin Allahun që ua kish bërë të mundur ti kryenin”.

Në ditën e gjykimit do të ketë prej atyre njerëzve, të cilët ia kanë bërë gjykimin vetes që në këtë botë. Ata kanë qenë të kujdesshëm në fjalët dhe punët e tyre. Çdo ditë kanë kontrolluar marrëdhënien me Allahun e Lartësuar dhe janë përgatitur për të dalë para kësaj gjykate, e cila nuk neglizhon asgjë. Për ata njerëz, të cilët janë përpjekur vazhdimisht për të qenë koherent me kënaqësinë e Allahut, Ai (xh.sh.) thotë: “Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur: Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): Ja, lexoni librin tim! Vërtetë, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari. Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur, në një kopsht të lartë[2].

Besimtari i devotshëm, i drejtohet Allahut jo me mendjemadhësinë e punëve të mira që ka bërë, por me vuajtjet e brendshme të punëve të padobishme që ka vepruar. Në këtë drejtim, Ebu Bekri, (Zoti qoftë i kënaqur prej tij), e dorëzoi shpirtin brenda vuajtjeve të mëdha. Gjatë 23 viteve të profetësisë se Muhamedit (s.a.s) dhe 2.5 viteve të hilafetit, ai ishte i qartë në punët e veta dhe çdo hap i tij ishte në të mirë. Shokët e vet thonë se në këto vite të jetës së tij, sexhdet e namazeve të falura ishin të mbytyra në lot. Një mburojë e fuqishme në këtë çështje është edhe autokritika e hz. Omerit, (Zoti qoftë i kënaqur prej tij), i cili shprehet kështu: “Bëni llogarinë e vetëve tuaj, përpara se të merreni në llogari”. Kur i lexon autokritikat e sahabëve, mendon se këta njerëz kanë mbi supe një mal me mëkate, ndërkohë që janë përfaqësuesit e majave të devotshmërisë. Nga ana tjetër, nuk e mbyllnin derën e shpresës prej Mëshirëplotit duke thënë: “Megjithatë, asnjëri nuk është kthyer prej Teje duarbosh”.

Njeriu e bën mirë llogarinë përpara se t’i hyjë një pune në këtë dynja; sa humb e sa fiton. Ashtu siç e bën për këtë dynja, duhet ta bëjë edhe për ahiretin, madje në këtë çështje, ai duhet të tregohet më serioz e më i kujdesshëm. Si rezultat i autokritikës që bën besimtari, vjen pendesa dhe istigfari, lutja për falje. Istigfari është një rigjallërim, një rilindje, për të cilin Profeti (s.a.s.) thotë:“Kush dëshiron që fletorja e veprave të tij ta gëzojë në ditën e kiametit, të shtojë istigfarin”. (Kenzu’l-Ummal)

Si përfundim, ajo që kërkohet nga ne është që të jemi vigjilent në këtë botë të përkohshme, duke jetuar të vetëdijshëm se aty është vendi, ku mbjellim atë që do të korrim në ahiret. Të bëjmë herë pas here llogarinë e punëve tona, ashtu si na mësoi i dërguari i Allahut (s.a.s) dhe si e praktikuan sahabët e nderuar, sepse kjo do të jetë rruga e suksesit tonë në këtë botë dhe në tjetrën. Ndërsa hapi i fundit, është që t’i mbështetemi Allahut, sepse lutja dhe mbështetja tek Ai (xh.sh) fuqizojnë ndjenjat për mirësi, kurse pendesa dhe istigfari ja presin krahët ndjenjave për ligësi.

Dorian Demetja


[1] Zelzele, 99:7-8

[2] Hakka, 69:18-22

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here