NË PËRCJELLJEN E NJË MUAJI TË BEGATË

Ramadan Kareem

Sapo na kaloi një muaj i veçantë. Çdo ditë e tij ishte një thesar i çmuar, të cilin ta blinte çdokush: i riu dhe i moshuari, i sëmuri dhe shëndetploti, i pasuri dhe i varfri, pushtetari dhe njeriu pa pushtet.

Për ta fituar atë thesar, për hir të Zotit agjëruam me besim të plotë dhe duke shpresuar për falje e mëshirë. U munduam që me përkushtimin tonë, të jemi më afër të Gjithëmëshirshmit dhe më afër njerëzve, sidomos atyre në nevojë. E kontrolluam gjuhën dhe nuk rama pre e përgojimit dhe e thashethemeve. E braktisëm shtratin në mes të natës për ta ndjerë më shumë ëmbëlsinë e adhurimit dhe për të fituar begatitë e syfyrit. Shfletuam Kur’anin më shumë se në ditët e tjera dhe u thelluam më shumë te mesazhi i tij, si dhe u munduam që çdo ditë të mësojmë diçka të re. E vizituam më shpesh xhaminë dhe e përmendëm më shumë emrin e Zotit. U munduam të jemi më të dashur, më të butë e më të paqshëm me njëri-tjetrin. E kërkuam dhe u munduam që Natën e Kadrit ta kalonim me adhurim dhe t’i luteshim Zotit që të caktonte më të mirën për ne.

Vijueshmëria në vepra të mira

Profeti a.s. ka thënë: “Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që ka vazhdimësi, edhe pse mund të jetë e vogël.”

A do të thotë vallë se pas një muaji intensiv, si në adhurim, ashtu edhe në sferën shoqërore, secili duhet t’i kthehet jetës së tij të mëparshme, si zakonisht?

Në Ramazan, ditët ishin të gjalla dhe garimi për vepra të mira shtohej dita-ditës. Netët, të cilat kaloheshin në adhurim ishin shumë të qeta. E si mund të pritet si me thikë e gjithë kjo atmosferë edhe pse dihet se muajt e tjerë nuk e kanë atë frymë të veçantë të Ramazanit? Apo mos ndoshta nuk e kemi kuptuar qëllimin e vërtetë të agjërimit? Dijetarët thonë se vazhdimësia në vepra është shenjë se dikujt i është pranuar agjërimi dhe veprat e mira. Gjithashtu nuk mund të harrojmë se Zoti i vlerëson veprat në bazë të qëllimit të tyre e jo vetëm gjatë Ramazanit. Prandaj, le të marrim mësim nga shembulli i shkëlqyer i myslimanëve të parë, të cilët gjashtë muaj pas Ramazanit i luteshin Zotit t’ua pranonte agjërimin dhe veprat e mira dhe në gjashtë muajt e tjerë i luteshin Atij që t’u jepte jetë ta arrinin Ramazanin tjetër.

Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval

Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Ai që e agjëron Ramazanin dhe agjëron gjashtë ditë të tjera nga muaji Sheval, është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin.”

Pas një muaji agjërim, për besimtarin është disi e huaj përshtatja me regjimin e ri. Madje, kur je duke ngrënë apo duke pirë diçka, për një çast të duket sikur po prish agjërimin. Ky lloj ngurrimi për gabimin e bërë pa dashje kalon sapo të na bjerë ndërmend se nuk jemi më me agjërim.

Atmosfera e një muaji të tërë, kaq harmonik dhe të veçantë, nuk mund të ndërpritet menjëherë. Pas ditëve të gëzueshme të Bajramit, pas vizitave dhe dhuratave të shumta, është e pëlqyeshme që të agjërohet dhe për gjashtë ditë të tjera brenda muajit Sheval. Mund të agjërohet në ditë të njëpasnjëshme ose të veçuara. Secili zgjedh atë mënyrë që është më e përshtatshme për të. E rëndësishme është që këto ditë të plotësohen brenda afatit. Kjo është një tjetër përpjekje e besimtarit, si shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit dhe argument për dashurinë dhe bindjen ndaj Tij.

Redaksia