“Asnjë burrë tjetër atij s’i afrohet,
Lum kush pati fatin me të të takohet.
Brumin e tij të bukur vetë lindja e tregoi,
T’bukur e pat fillimin e ashtu bukur e mbaroi…”
Busajriu
Vërtetë i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. është shprehur se “Njeriu është me atë që do”.[1] Kështu, mjeshtri i vërtetë i retorikës dha një fjalë sa shpresëdhënëse po aq edhe reale, një sekret për të qetësuar zemrën e një sahabi (shoku) që kish shqetësime që i vinin si rrjedhoje e dashurisë dhe frikës që zemra e mbushur me dashuri ka nga largësia, qoftë edhe nëse kjo largësi është thjesht një mundësi, një probabilitet i vogël; si dhe për të qetësuar zemrat e të gjithë atyre që do të vinin më pas, të cilët, të ngërthyer në largësitë e distancave kohë-hapësirë, do të kërkonin ‘të tjera shtigje’ përmallimi. Hadithi i mësipërm, në spektrin e marifetit na zbërthen disa sekrete që vetëm fjalët e një profeti mund të ngërthejnë, si njohës i të vërtetës që ish, si udhërrëfyes i atyre shtigjeve që ia mësoi Zoti e që ai më pas i përcolli si përgëzim për zemrat që kërkojnë me ngashërim po të njëjtat shtigje horizontesh të nalta.
Preokupimi real i zemrës dikton në njëfarë mënyrë, me lejen e Zotit, kohën dhe hapësirën me të gjitha dimensionet e dukshme e të fshehta që qenia ka në vetvete e përreth. E madje, kur kjo gjë kërkohet me vazhdimësi e përulje, apo thënë me gjuhën e të qenit rob i Zotit: kur kjo gjë lipset prej zemre, me ngulm, me përgjërim e vajë duke u mbështetur e duke qëndruar ashtu me ubudijet, me dimensionin e këndshëm të adhurimit, një rob që është pjekur nga pritja dhe që ka vërtetuar besnikërinë e fjalës dhe i ka dhënë hakun besës së dhënë, atëherë Allahu i mëson nëpërmjet gjuhës së dashurisë shtigjet e afërsisë dhe të bashkimit. Mund edhe të thuhej që njeriu është me atë që mendon, me atë që fiksohet, me atë që krijon lidhje a me atë që rrin, ama këtu bëhet fjalë për “mehabbeh”, për dashurinë si një nga veprimtaritë e zemrës e që nuk e merr përsipër mendja e arsyeja.
Rruga që shkon për tek Zoti kalon nga Profeti Muhamed a.s., dhe porta e dashurisë siç shprehet edhe në ajetin e sures Ali Imran, çelet vetëm pasi njeriu të jetë edukuar, pastruar, rrokullisur e dëlirësuar nëpërmjet sheriatit që Allahu i dha Profetit, pra sistemit të rregullave fetare që diktojnë fizikun e robit dhe ia nënshtrojnë atë metafizikës së tij; pra thënë ndryshe: Pasi nefsi të jetë edukuar, pastruar e nënshtruar dhe njeriu që kërkon shtigjet e përjetësisë, zgjerohet në dimensionet e jetës së zemrës e shpirtit: “Thuaj (o Muhamed) nëse e doni Allahun, atëherë ndiqmëni mua që t’ju dojë Allahu, e t’ju falë mëkatet, se vërtetë që Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë!”[2]
Ja rruga, ja mejdani! Është pikërisht ky spektri i jashtëzakonshëm i një nga një mijë e më shumë dritareve që ka ajeti; “E nuk të dërguam ty (ja Muhamed) vetëm së mëshirë për gjithë botët!”[3] Kjo mirësi e madhe që Allahu solli me të dërguarin e Tij, me një sistem vlerash e moralesh të paçmueshme që e ndërgjegjësojnë robin drejt kërkesave reale të zemrës, që e ngrenë dhe e lartësojnë drejt shtigjeve të amshimit.
Muhamedi a.s. nuk ishte vetëm një i dërguar, si shumë të dërguar të tjerë para tij. Ai ishte profeti me të cilin Zoti i dha fund zinxhirit të profetëve. Ai ishte një njeri me të cilin Zoti nderoi dhe gradoi njerëzimin. Nëse drejtësia do të mishërohej dhe merrte formë, ajo do të merrte formën dhe pamjen e Muhamedit a.s. Nëse dëlirësia e shpirtit do të pikasej diku, padyshim do të pikasej në shpirtin e tij. Nëse virtyti do të pikturohej, nuk do të kishte tablo më optimale sesa ajo e Muhamedit a.s. Po ai ishte njeri, lëvizte në tregje dhe ushqehej si të gjithë njerëzit. Ajo që e dallonte nga të tjerët, ishte pikërisht nuri i profetësisë me të cilin rrezatonte.
Pishtari i mesazhit hyjnor i ndriçonte udhën atij dhe atyre që i besonin. Fjalët e tij ishin të vërteta, veprat të drejta, udha e sigurt. Mëshira ishte bashkë me të kudo që të ishte. Bujaria kishte bujtinë shpirtin e tij. Ai i besonte lehtësimit, feja që përçoi ishte e lehtë, Kurani që iu shpall ishte i lehtë, tradita e tij ishte e lehtë, urdhrat dhe ndalesat të lehta. Teksa lexon biografinë e kolosëve të njerëzimit përkrah biografisë së Muhamedit a.s., të gjithë të duken të vegjël përballë tij. Kur lexon lajmet e reformatorëve përkrah lajmeve dhe jetës së tij, të gjithë shndërrohen në nxënës të Muhamedit a.s. Nëse mahnitesh me gjenitë, sapo lexon traditën profetike, të gjithë të tjerët i sheh si studentë të universitetit të Muhamedit a.s. Atë e kanë lavdëruar armiqtë përpara miqve dhe i largëti para të afërtit.
“Se ti (o Muhamed) je me virtyte madhore.”[4]
Profeti Muhamed a.s. robëroi zemrat e njerëzve me dhembshurinë e vet, bashkoi të përçarët me dashurinë e tij, vëllazëroi fiset me urtësinë e tij, luftoi injorancën me dije dhe kështu me lehtësi hoqi qafe vargonjtë e traditave dhe zakoneve të vjetra. Ai u dërgua me fenë e lehtësimit, me besimin e dëlirë, me natyrën e pastër, me rrugën e mesme. Ai përçoi fenë dhe ndërtoi shtetin, falej si imam dhe predikonte fenë e tij. Secili nga shokët e tij rrëfen dashurinë për Profetin a.s. sipas mënyrës së vet. Kushdo që ka biseduar me të, përshkruan ndjenjat dhe emocionet të shoqëruara me lot malli. Kushdo që e ka takuar, ka dëshmuar madhështinë e tij, pavarësisht nëse është pajtuar me të apo jo. Askush nuk mban mend ndonjë shkarje të Profetit a.s., askush nuk i ka regjistruar ndonjë gënjeshtër dhe askush nuk njeh ndonjë lapsus apo gabim të tij. Zoti ia ruajti zemrën të dëlirë, ia pastroi shpirtin, ia ruajti shikimin dhe dëgjimin. Vetë Zoti i Lartësuar e zgjodhi atë si të Dërguar për mbarë botët, mësues për të paditurit, model dhe shembull për njerëzimin. Sa më shumë lexon mbi jetën dhe biografinë e tij, aq më shumë të shtohet respekti, vlerësimi dhe nderimi për të. Prandaj ai u shndërrua në njeriun më të preferuar dhe më të dashur për të gjithë.
Ai jetoi mes shokëve të tij dhe prej tyre nxori prijës të drejtë, dijetarë të lidhur me Zotin, interpretues të Kuranit, predikues oratorë, asketë të devotshëm dhe komandantë legjendarë. Secili nga pasuesit mori një aspekt nga jeta e Profetit a.s., prandaj ata u shndërruan në kolosë të historisë dhe yje të botës.
Shembull ideal dhe mëshirë për njerëzimin
Në fytyrën e tij gjithmonë shihej një buzëqeshje, në ballin e tij dallohej një dritë, nga zemra e tij buronte dashuria dhe nga dora e tij rridhte bujaria. Me pak fjalë, ai ishte i bekuar në çdo mënyrë të mundshme. Edhe atëherë kur shpata i qëndronte mbi kokë në formë kërcënimi, ai nuk gënjente.
Edhe atëherë kur e joshnin me premtime për thesaret e botës, ai prapë nuk i shkeli premtimet e tij, sepse ishte i zgjedhuri i Zotit, i mbrojtur prej Tij. Ai u dërgua si shembulli ideal dhe mëshirë për gjithë njerëzimin, falës për të tjerët, i cili ua fal shkeljet dhe ua fsheh dobësitë, i cili është i përmbajtur ndaj njerëzve injorantë dhe i mëshirshëm ndaj të varfërve e të dobëtëve.
Dinjiteti i tij arrinte ato grada sa frymëzonte tek të tjerët nderim, dashuri dhe admirim.
Në portretin profetik kishte një përputhje të plotë dhe harmoni mes pamjes fizike dhe botës shpirtërore. Ishin pikërisht virtytet shpirtërore të Profetit a.s. që e renditën dhe e bënë atë më të madhin personalitet të njerëzimit.
Në kurmin e tij të pastër bashkoheshin e bëheshin njësh: vitaliteti, bujaria, ndjeshmëria e drejtësia.
Do të jenë me të në Parajsë
Theubani r.a. e donte jashtë mase Profetin a.s. dhe nuk mund ta duronte ndarjen prej tij. Një ditë kur iu afrua, fytyrën e kishte shumë të zbehtë dhe dukej shumë i trishtuar. Profeti a.s. e pyeti se si qëndronte puna dhe ai iu përgjigj: “O i dërguari i Allahut, unë nuk kam dhimbje dhe nuk jam i sëmurë, por sa herë që jam larg teje, ndihem tepër i mjeruar derisa arrij të të shoh. Për më tepër, kur kujtoj botën tjetër, unë frikësohem për shkak se ju do të ngjiteni në “Ilijin” pallate madhështore me profetët. Nëse unë hyj në parajsë, do të jem në një nivel më të ulët se ju. Gjithashtu, nëse nuk hyj në parajsë, nuk do të kem kurrë mundësinë të të shoh.” Më pas u shpall ajeti vijues:
“Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilët Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!”[5]
Ai është Profeti i të gjithëve
“O njerëz! Zoti juaj është një. Keni një origjinë. Të gjithë jeni bijtë e Ademit a.s. e Ademi është prej balte. Arabi nuk ka epërsi mbi jo-arabin, sikurse jo-arabi mbi arabin; as i bardhi mbi të ziun e as i ziu mbi të bardhin. Vlera e lartë është vetëm në takva (devotshmëri), t’i frikësohesh Allahut.”
Kjo ishte thirrja e Profetit të Islamit a.s. teksa largohej nga kjo botë. Vetëm për umetin u mundua, e para se të nisej pyeti: “A e kreva detyrën?”, ku si përgjigje i kthehet një jehonë e thellë e përlotur nga sahabët (shokët): “Po, ja Resulallah!” Pas kësaj, me një qetësi të begatë thotë:
“Dëshmo, o Zoti im!”, drejtuar pafundësive.
Ai ishte Profeti i të gjithëve. Ishte përherë në përpjekje për shpëtimin e bijve të Ademit. Po edhe umeti nuk e harroi kurrë. Sa herë që kujtohet ai, zemra e besimtarit dridhet ëmbël me ngazëllim prej butësisë së begatë të qenies së tij.
Mehmet Disha
[1] Buhariu, Edeb 96; Muslimi, Birr 161,163.
[2] Kuran, Surja Ali Imran, 3:31.
[3] Kur’an, Surja Enbija, 21:107.
[4] Kuran, surja Kalem, 68:4.
[5] Kuran, Nisa, 4:69.














