Ebu Abdurrahman Abdulla ibn Mes’udi thotë: “Sikur unë po shikoj të Dërguarin e Allahut që po tregonte për njërin prej të Dërguarve të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), të cilin populli i tij e goditi derisa e gjakosi. Ndërkohë që ai po fshinte gjakun nga fytyra lutej kështu: O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë.[1]

 Shpjegimi i hadithit

Ky hadith flet rreth asaj që u ka ndodhur të Dërguarve të Allahut. Profetët janë njerëz të cilët Allahu i Lartësuar i ka obliguar për t’u komunikuar njerëzve mesazhin hyjnor. Allahu në Kuran thotë: “Allahu e di më mirë se kujt ia jep mesazhin e Vet.”[2] Ata e meritojnë të jenë të Dërguarit e Tij, sepse e mbartën mbi supe mesazhin hyjnor, ua komunikuan njerëzve atë, dhe të gjithë këtë e bënë në saje të durimit të tyre. Mirëpo, në rrugën e tyre ata janë lënduar me fjalë, fizikisht, madje në disa raste popujt ku ata qenë dërguar kanë tentuar që edhe t’i vrasin. Këtë fakt e tregon Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë, ku thuhet: “Edhe para teje (o Muhamed!), shumë të dërguar janë mohuar, por ata e kanë duruar mohimin dhe lëndimin (që kanë pësuar), derisa u ka ardhur ndihma Jonë, sepse askush nuk mund t’i ndryshojë vendimet e Allahut. Ti tashmë ke dëgjuar për ata të Dërguar. Nëse ty të duket e rëndë për t’u mbajtur përbuzja e tyre, atëherë kërko – nëse mundesh- një zgavër në Tokë ose shkallë në qiell, që t’u sjellësh atyre në mrekulli! Sikur Allahu të donte, do t’i kishte mbledhur ata në rrugë të mbarë, prandaj mos u bëj nga ata që nuk e dinë këtë![3]

Profeti (a.s.) tregon për një prej të Dërguarve të Allahut, të cilin populli i tij e goditi, madje aq shumë derisa i nxorën gjak nga fytyra. E teksa fshinte gjakun, ai lutej: O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë!” Fjalët e tij dëshmojnë për durimin e lartë, sepse zakonisht, nëse njeriu goditet do të turfullojë nga nervat dhe me çdo kusht dëshiron që të hakmerret ndaj personit që e ka goditur. Ndërkohë që Profeti që përmendet në këtë hadith i fton njerëzit që të besojnë Allahun, duke mos kërkuar shpërblim për këtë punë, mirëpo populli i tij e godet, kurse ai i lutet Allahut të Lartësuar që t’i falë, ngaqë ata nuk dinë gjë.

Këtë ngjarje Profeti (a.s.) nuk na e ka treguar pa qëllim, përkundrazi, na e ka treguar që të marrim mësim e të ecim pas gjurmëve të saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend.”[4] Mësimi që nxjerrim nga kjo ngjarje ka të bëjë me durimin tonë nëse lëndohemi nga njerëzit, qoftë me fjalë apo fizikisht..

Ajo çfarë duhet të bëjmë është që, gjatë komunikimit të mesazhit hyjnor, të bëjmë durim nga fjalët e këqija që drejtohen në adresën tonë. Madje, këtë duhet ta shohim në sensin pozitiv, sepse ne ngrihemi në gradë më të larta dhe na shlyen mëkatet. Ndoshta gjatë komunikimit të mesazhit hyjnor, kemi pasur mangësi sepse nijeti nuk mund të jetë 100 për qind i pastër, ose metoda që kemi përdorur nuk ka qenë efikase, atëherë lëndimi që na adresohet është shkak për shlyerjen e mangësive tona. Kjo është krejt normale, sepse njeriu sado që të përpiqet, nuk mund ta përsosë kurrë punën e tij, sepse ai është nuksan (i mangët). Prandaj duhet të bëjë durim dhe të presë shpërblimin prej Allahut. Absolutisht nuk duhet që t’ia kthejë shpinën ftesës së njerëzve, apo të thotë: Nuk e kam për detyrë, jam lënduar, jam lodhur. Përkundrazi, detyra e tij është që të bëjë durim sepse kjo botë nuk zgjat përfundimisht.[5]

 Mësimet e nxjerra nga hadithi

1 – Tregimi i historive dhe ngjarjeve

Tregimi i historive është një prej metodave efikase të thirrjes. Ngjarjet e rrëfyera mbartin shumë domethënie, të cilat i bëjnë dobi atij që i dëgjon. Ky hadith profetik flet qartë për durimin e të Dërguarve të Allahut, të cilët dhanë maksimumin e tyre për të përhapur fenë e Allahut te popujt e tyre. Abdullah ibën Mes’udi thotë: “Sikur unë po shikoj të Dërguarin e Allahut që po tregonte për njërin prej të Dërguarve të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ta!), të cilin populli i tij e goditi derisa e gjakosi..” Ky tregim është shembull praktik që tregon për durimin e një prej të Dërguarve të Allahut, i cili kërkonte me çdo kusht që të rrënjoste te njerëzit e vet parimet e besimit në një Zot të vetëm. Durimi dhe rezistenca e tij është mësimi më i mirë për të gjithë ata besimdrejtë, të cilët kanë mbartur mbi supet e tyre komunikimin e mesazhit hyjnor për njerëzit.

2 – Ligji i Allahut në lidhje me të Dërguarit me armiqtë e tyre

Duke ndjekur me kujdes historinë e Profetëve me armiqtë e tyre, vërejmë se Allahu ka vendosur disa ligje të pandryshueshme, që janë:

Ligji i sprovës

Allahu i Lartësuar i sprovon të Dërguarit e Tij me forma nga më të ndryshmet. Është e vërtetë se ky ligj gjen zbatim tek të gjithë njerëzit, por është më i zbatueshëm te besimtarët dhe akoma më tepër te Lajmësit e Allahut. Këtë fakt e dëshmon Profeti (a.s.) në një thënie të tij: “Sprovën më të rëndë e kanë të Dërguarit, pastaj sipas radhës kush është më i mirë.”[6] Profetët e kanë pasë sprovën më të rëndë, sepse ata janë modeli dhe shembulli më i mirë për thirrësit, aktivistët e fesë dhe besimtarët. Mund të ndodhë që ata dhe popujt e tyre të sprovohen në të njëjtën kohë. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij thanë: Kur do të arrijë ndihma e Allahut?! Ja, ndihma e Allahut është afër!”[7]

Ligji i armiqësisë

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kështu Ne, çdo Profeti i kemi kundërvënë një armik nga keqbërësit. Por ty të mjafton Zoti yt si udhërrëfyes dhe ndihmës.”[8] Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Kështu, çdo Profeti Ne i kemi caktuar armiq djajtë nga njerëzit dhe xhindet, të cilët e frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë boshe të zbukuruara për mashtrim.”[9]

3 – Durimi ndaj lëndimeve për shkak të përcjelljes së mesazhit hyjnor

Kadi El Ijad thotë: “Hadithi flet për butësinë, durimin dhe keqardhjen e Profetëve për popujt e tyre. Megjithëse ata janë goditur e lënduar në shumë raste, ata i janë lutur Allahut që t’i falë me justifikimin se nuk kanë dijeni dhe njohuri për atë çfarë kanë vepruar me ta.”[10]

Imam El Kurtubi thotë: “Nëse një njeri i mençur mediton te kjo lutje: “O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë!” arrin të kuptojë mirë domethënien e ajetit kuranor: “Ti (O Muhamed!) je me virtyte madhore.”[11] Në këtë rast i Dërguari i Allahut nuk bën lutje kundër tyre që të hakmerret. Jo vetëm që lutet për ta, por edhe i justifikon. Ky veprimi i Profetit tregon për mirësinë dhe bujarinë e madhe që askush nuk ta arrijë e as të krahasohet me të.”[12]

Modeli më mirë i durimit ndaj lëndimeve që i janë shkaktuar nga populli i tij është Profeti Muhamed (a.s.), të cilin Allahu i Lartësuar në shumë ajete kuranore e ka urdhëruar që të bëjë durim. Në një ajet-porosi Allahu thotë: “Këto janë (disa) nga lajmet e fshehta që Ne t’i shpallim ty. Këto nuk i ke ditur as ti, e as populli yt, para kësaj (shpalljes së Kuranit). Andaj duro! Se, me të vërtetë, në fund, fitorja është e besimtarëve.”[13]

4 – Butësia dhe keqardhja e ftuesit për njerëzit

Morali më i mirë me të cilin mund të përshkruhet ftuesi në rrugë të Allahut është butësia dhe keqardhja që ai ndjen për njerëzit. Nëpërmjet këtij hadithi, Profeti (a.s.) na ofron një shembull të gjallë të njeriut besimplotë, të cilin populli e gjakosi dhe ai iu drejtua Allahut me fjalët: “O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë.” Kjo lutje tregon qartë për zemërgjerësinë dhe dhembshurinë e tij për njerëzit larg besimit. I tillë duhet të jetë edhe ftuesi në rrugë të Allahut. Ai nuk duhet të zemërohet, e as të hakmerret për veten, përkundrazi, duhet të tregohet tolerant e i butë, sepse feja Islame është fe e tolerancës dhe butësisë.

Butësia ka qenë një prej virtyteve kryesore me të cilën karakterizohej thirrja e të gjithë Profetëve. Profeti Nuh (a.s.) e thirri popullin e tij 950 vjet. Përgjatë kësaj kohe, butësia dhe toleranca e tij me popullin qenë në maksimumin e mundshëm. Të njëjtë kanë qenë Ibrahimi, Musai, Isai e të tjerët me radhë. Allahu i Lartësuar i dërgoi Musain (a.s.) dhe Harunin (a.s.) te Faraoni që ta ftonin në rrugë të drejtë. Thirrja e tyre duhet të ishte me fjalë të buta, Allahu i Lartësuar thotë: “Shkoni te Faraoni! Ai me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet.”[14] Duke qenë se Allahu i Lartësuar e urdhëron Musain (a.s.) që ta ftonte Faraonin me fjalë të buta, çdo thirrës e ka për detyrë që të praktikojë të njëjtën metodë në thirrje, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Do t’u thoni fjalë të mira njerëzve.”[15]

Po ashtu thirrja e Profetit Muhamed (a.s.) bazohej në një komunikim miqësor e me fjalë të buta. Butësia dhe toleranca e Profetit (a.s.) ishin mjetet që ai përdori për zbutjen e zemrave të njerëzve. Tregohet se një herë një nomad urinoi brenda në xhami. Shokët e Profetit (a.s.) u çuan që ta godisnin, ndërkohë që Profeti (a.s.) i ndaloi dhe u tha: “Jeni dërguar për të lehtësuar e jo për të vështirësuar.”[16]

Elton Harxhi

 

[1] Transmeton Buhari dhe Muslimi.

[2] En’amë, 124.

[3] En’amë, 34-35.

[4] Jusuf, 111.

[5] Marrë nga libri “Shpjegimi i Rijadus Salihin” të Muhamed ibn Uthejminit, f. 240-242.

[6] Transmeton Ibnu Maxheh,.

[7] Bekare, 214.

[8] Furkan, 31.

[9] En’am, 112.

[10] Marrë nga libri “Ikmalul Mualim bi feuadi muslim” i Kadi Ijadit, f. 164.

[11] Kalem, 4.

[12] Marrë nga libri “El Mufhim lima eshkele min telhisi kitab Muslim” i imam Kurtubiut, f. 213.

[13] Hud, 49.

[14] Taha, 43-44.

[15] Bekare, 83.

[16] Transmeton Buhari.