PEJGAMBERI MUHAMMED A.S.M NË LARTËSINË E RANGUT TË TIJ  DHE NË MADHËSHTINË E LAVDISË SË TIJ

 

 

[Nuk do të mund të kuptohej Personaliteti i Muhammedit në të gjitha aspektet e tij, sepse ai është: “Muhammedi Profet, Muhammedi luftëtar, Muhammedi tregtar, Muhammedi burrë shteti, Muhammedi predikues, Muhammedi reformator, Muhammedi streha e jetimëve, Muhammedi çliruesi i grave, Muhammedi gjykatësi….; të gjitha këto role madhështore e kualifikojnë atë për të qenë hero”.]                                                                   Profesor Makrishna, nga vepra “Muhammedi Profet”

MËSHIRA E DHURUAR PËR NJERËZIMIN

Profeti Muhammed a.s.m ka një pozitë të madhërishme dhe një vlerë shumë të lartë; ai i ka tejkaluar të gjitha krijesat. Ai është prijësi i bijve të Ademit a.s, madje është prijësi i të gjitha qënieve dhe maja e tyre. Ai është më i mirë se engjëjt dhe më i mirë se Froni Sublim; dhe askush nuk e di realitetin e tij dhe as madhështinë e vlerës së tij përveç Krijuesit të tij.

Zoti ynë e ka dalluar atë me veçori të shumta. Krijuesi ynë e ka lëvduar atë me shumë lëvdata; ndonjëherë e ka lavdëruar në mënyrë të përmbledhur dhe ndonjëherë tjetër në mënyrë të hollësishme duke e përmendur nëpërmjet cilësive më të larta në Kur’anin e Shenjtë. Madje Zoti ynë nuk e thirri kurrë atë thjesht me emrin e tij ashtu siç i thirri profetët para tij, por gjithmonë i adresohej në mënyrë solemne: “O Pejgamber”!, “O Ti i mbështjellë me rroba”!, “O Ti i mbuluar me rroba”!

Krijuesi ynë e ka lavdëruar atë me cilësi fisnike në Librin e Tij. Krijuesi ynë e përshkroi atë si mëshirë dhe tha: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhammed a.s.m) veçse mëshirë për të gjitha botët” (El- Enbija, 21: 107). Gjithashtu Zoti ynë tha: “Vërtet që ju ka ardhur juve një i Dërguar (Muhammedi a.s.m) nga vetë ju (të cilin ju e njihni fare mirë). Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim a vështirësi. Ai është i merakosur dhe i dëshiruar për ju. Për besimtarët ai a.s.m është i dhembshur dhe mëshirues” (Teube, 9: 128). Gjithashtu Zoti ynë e përshkroi atë si Dritë udhëzuese për tek e vërteta dhe tha: “O Pejgamber! Me të vërtetë që Ne të kemi dërguar ty dëshmues, edhe përgëzues, edhe këshillues; edhe si ftues për tek Allahu me Vullnetin e Tij dhe si një Llambë dritëdhënëse” ( El- Ahzab, 33: 45-46). Gjithashtu Allahu xh.sh tha: “O ithtarë të Librit ( të Shkrimeve të Shenjta)! Tani ka ardhur te ju i Dërguari ynë (Muhammedi a.s.m) duke ju shpjeguar mjaft prej atyre gjërave që ju i keni fshehur gjithnjë nga Libri juaj ose i keni kaluar shumë të tjera. Vërtet që ju ka ardhur nga Allahu një Dritë dhe një Libër I Qartë”(El-Ma’ideh, 5:  15).

           GJYMTYRËT E LARTËSUARA TË PEJGAMBERIT A.S.M JANË PËRMENDUR NË KUR’AN

Kushdo që do të sillte portretizimet me të cilat Allahu xh.sh  e dalloi pejgamberin e nderuar duke  përmendur në Kur’an shumë prej gjymtyrëve të tij të lartësuara, do të kuptonte se nuk ka ndodhur kurrë për asnjë melek të afërt (me Zotin) dhe as për ndonjë profet të dërguar që Allahu xh.sh t’i ketë lavdëruar gjymtyrët dhe cilësitë e tyre në mënyrë kaq të hollësishme.

Zoti ynë e përmendi fytyrën e tij të nderuar a.s.m në Librin e Tij të Madhërishëm. Aspekti i lavdërimit këtu është thjesht nëpërmjet kthimit të fytyrës së tij të nderuar a.s.m.. Allahu xh.sh ia dhuroi atë çfarë ai a.s.m deshi pa e kërkuar dhe pa fjalë. Bekimi i fytyrës së tij nëpërmjet kthimit të saj ishte një dhuratë shpirtbutësie për atë që e dëshiroi dhe një arritje për atë ndaj të cilës ai ishte i kënaqur.

Fytyra e profetit është përmendur në shumë vende të tjera. Allahu xh.sh thotë: “Ktheje fytyrën tënde në drejtim të Mesxhidil- Haramit  (Xhamisë së Shenjtë në Mekë)”. (El-Bekareh, 2: 144). Gjithashtu Allahu xh.sh. tha: “Prej ngado që ta nisësh (faljen) ktheje fytyrën nga Mesxhidil- Harami”. (El-Bekareh, 2: 149). Gjithashtu Allahu xh.sh tha: “Kështu, në qoftë se ata të kundërshtojnë ty (Muhammed a.s.m), thuaju: “Unë ia kam nënshtruar fytyrën time plotësisht Allahut, dhe po kështu edhe ata që më ndjekin mua…” (Al-Imran, 3: 20). Gjithashtu, Allahu xh.sh tha: “Ktheje fytyrën tënde plotësisht drejt Fesë Hanifen (Islamit të pastër)”. (Junus, 10: 105). Gjithashtu, Allahu xh.sh tha: “Kështu vëre fytyrën tënde në fenë e drejtë e të vërtetë”. ( Er- Rum, 30:43).

Allahu xh.sh ka përmendur edhe dy sytë e tij a.s.m dhe tha: “Mos i drejto sytë e tu nga kënaqësitë që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre…” (El-Hixhr, 15: 88). Gjithashtu Allahu xh.sh tha: “Dhe mos i hiq sytë mënjanë prej tyre”. (El-Kehf, 18: 28). Gjithashtu, Allahu xh.sh. tha: “Mos i hidh sytë në të mirat kalimtare që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre”. (Taha, 20: 131).

Krijuesi ynë gjithashtu e ka përmendur shikimin e tij a.s.m në disa vende dhe tha: “Vërtet që ai (Muhammedi a.s.m ) shikoi prej shenjave të Zotit të tij më të mëdhatë”! (En-Nexhm, 53: 18). Në këtë ndodhet një lavdërim për shikimin e tij a.s.m dhe një lëvdatë për atë çfarë ai pa prej Shenjave të cilat nuk i ka parë askush para tij. Allahu xh.sh u tha mushrikëve –politeistëve- duke i penguar ata nga përgënjeshtrimi i tij lidhur me atë që ai pa: “A do të haheni me të për çfarë ai pa (gjatë Natës së Miraxhit)”? (En-Nexhm,53:12).  Pastaj, Krijuesi ynë njoftoi se pejgamberi i Tij u posaçërua për të parë Hazreti Xhebrailin a.s në formën e tij origjinale dhe tha: “Dhe vërtet që ai (Muhammedi a.s.m) e pa atë (Xhibrilin) në një zbritje tjetër (edhe një herë tjetër)”. (En-Nexhm, 53: 13). Gjithashtu, Krijuesi ynë e përmendi shikimin e tij a.s.m në disa vende në Librin e Tij të Lartë dhe tha: “Shikimi i tij (Muhammedit a.s.m) nuk u lëkund dhe as nuk e kaloi kufirin (e përcaktuar për të)”. (En- Nexhm,53:17). Në këtë kontekst ndodhet një lëvdatë mbi përmendjen, meqë Krijuesi ynë e lavdëroi shikimin e tij dhe se ai ishte i vërtetë dhe jo i lëkundur. Gjithashtu, Allahu xh.sh tha: “Shpejt ti do ta shohësh dhe ata do ta shohin”. (El-Kalem, 68: 5). Gjithashtu, Allahu xh.sh tha: “Vështroji ata dhe ata do ta shohin (ndëshkimin)”. (Es-Saffat,37: 175).

Gjithashtu, Allahu xh.sh ka përmendur veshin e tij a.s.m në shumë vende, dhe tha: “Thuaju: “Ai dëgjon çfarë është më e mirë për ju. Ai beson në Allahun; ai ka besim tek besimtarët dhe është mëshirë për ata nga mesi juaj të cilët besojnë”. (Teube, 9: 61). Gjithashtu, Krijuesi ynë përmendi dëgjimin e tij fisnik në disa vende të Kur’anit Kerim, dhe tha: “Ti nuk do të dëgjosh tjetër,veç pëshpëritjes”. (Taha,20: 108).

Krijuesi ynë përmendi, gjithashtu, të folurën e tij a.s.m dhe e lëvdoi duke thënë: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet”. (En-Nexhm, 53: 3). Gjithashtu, Allahu xh.sh sqaroi vërtetësinë e fjalës së tij a.s.m dhe saktësinë e thënies së tij.

Gjithashtu, Krijuesi ynë lëvdoi zërin e tij me vlerësim e madhërim dhe i paralajmëroi sahabët-shokët e profetit – që të mos e ngrenë zërin më lartë se kjo masë, dhe tha: “Mos e ngrini zërin tuaj përmbi zërin e pejgamberit...” (El-Huxhurat, 49:2).

Allahu xh.sh e ka përmendur edhe gjuhën e tij fisnike a.s.m në shumë vende të Kur’anit, dhe tha:

Ne e kemi bërë atë (Kur’anin) të lehtë, në gjuhën tënde, vetëm që, nëpërmjet tij, ti t’u japësh lajmin e mirë besimtarëve të devotshëm dhe të paralajmërosh njerëzit kokëfortë (në mosbesimin e tyre)”. (Merjem,19: 97). Gjithashtu Krijuesi ynë tha: “Ne e kemi bërë të lehtë Kur’anin në gjuhën tënde, që ata të mund të marrin këshilla”. (Ed-Duhan, 44: 58). Gjithashtu, Allahu xh.sh tha: “Mos nxito (O Muhammed a.s.m) në leximin e Kur’anit me gjuhën tënde! (El-Kijameh, 75: 16).

Krijuesi ynë ka përmendur edhe kraharorin e tij të lartësuar në shumë vende të Kur’anit, dhe tha: “Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhammed a.s.m) kraharorin (për të pranuar besimin). (Esh-Sherh, 94: 1).

Këtu aludohet për njërën prej mirësive të Allahut mbi të dhe për avantazhin e tij me hapjen e kraharorit. Gjithashtu Krijuesi ynë, duke qetësuar të dashurin e Tij të përzgjedhur, El-Mustafa, tha: “Le të mos ketë kurrfarë shtrëngimi në kraharorin tënd për shkak të tij! Ai të është shpallur, që nëpërmjet tij të paralajmërosh jobesimtarët dhe të këshillosh besimtarët”. (El-A’raf, 7:1). Gjithashtu Allahu xh.sh e përmendi kraharorin e tij për ta argëtuar duke thënë: “Mund të ndodhë që ti (Muhammed a.s.m) të lësh mënjanë diçka nga ato që të janë shpallur ty dhe të të ngushtohet kraharori, sepse ata thonë: “Përse nuk i është dërguar ndonjë thesar?” Ti je vetëm paralajmërues e Allahu kujdeset për çdo gjë”. (Hud, 11: 12). Allahu xh.sh e ka përmendur kraharorin e tij në një kontekst tjetër me qëllim që ta forcojë e ta bëjë të qëndrueshëm, dhe tha: “Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet kraharori nga fjalët e tyre”. (El-Hixhr,15: 97).

Allahu xh.sh gjithashtu ka përmendur edhe zemrën e tij fisnike në shumë vende të kur’anit dhe e  përfshiu përmendjen në lavdrimin për të a.s.m duke thënë: “Thuaju ( O Muhammed a.s.m) atyre që janë armiq të Xhebrailit, se ai e ka zbritur Kur’anin në zemrën tënde me Lejen e Allahut, si vërtetues të Librave të Shenjtë të mëparshëm dhe si udhërrëfyes e sihariq për besimtarët”. (El-Bekare, 2: 97).

Gjithashtu, krijuesi ynë tha: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (O Muhammed a.s.m). Sikur të ishe i ashpër në zemër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje…”. (Al-Imran,3:159). Gjithashtu, Allahu xh.sh tha: “Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde që të jesh nga ata që paralajmërojnë”. (Esh-Shuara’,26: 193-194).  Madje krijuesi ynë e lëvdoi shumë zemrën e pejgamberit të Tij kur pohoi se zemra e tij a.s.m është më e fortë se malet në mbajtjen e zbulesave Hyjnore dhe të shpalljes, dhe tha: “Sikur këtë Kur’an t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Shembuj të tillë Ne ua japim njerëzve që ata të meditojnë”.(El-Hashr, 59:21). Krijuesi e shpalli Kur’anin në zemrën e tij a.s.m dhe ajo mbajti atë çfarë nuk mund ta mbante mali i fortë i lartë.

Allahu xh.sh e posaçëroi zemrën e tij fisnike a.s.m me përmendje në Kur’anin e Shenjtë duke përfshirë lavdërimin ndaj zemrës së tij a.s.m dhe tha: “Zemra (e Muhammedit a.s.m) nuk gënjen për atë që ka parë”. (En-Nexhm, 53: 11). Gjithashtu Krijuesi ynë tha: “Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën”. (Hud, 11: 120). Gjithashtu, Allahu xh.sh tha: “…Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu”. (El-Furkan, 25: 32).

Gjithashtu Krijuesi ynë ka përmendur edhe kurrizin e Pejgamberit Muhammed a.s.m, dhe në kontekstin e mirënjohjes për të, tha: “…E cila ta rëndonte tepër kurrizin”. (Esh-Sherh,94: 3).

          GJENEALOGJIA E TIJ FISNIKE

Allahu xh.sh i ka përmendur veçoritë dhe lidhjet e origjinës së nderuar të pejgamberit pa përmendur anëtarët e saj fisnikë dhe e ka lavdëruar atë. Prej këtyre veçorive është prejardhja e tij fisnike. Allahu xh.sh tha: “Dhe lëvizjet e tua mes atyre që bien në sexhde”. (Esh-Shuara, 26: 219). Rrëfehet nga Ibnu Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tha lidhur me fjalën e Allahut, “Dhe lëvizjet e tua mes atyre që bien në sexhde”, se kjo ka kuptimin “Nga palcat e baballarëve, të parëve, Ademit, Nuhut, Ibrahimit deri kur e nxori si pejgamber”. Kështu, Muhammedi a.s.m ishte më i nderuari i pejgamberëve midis popujve të tyre dhe ishte më fisniku i njerëzve në mënyrë absolute. Ashtu siç njoftoi vetë ai a.s.m, rrëfehet nga Vail Ibnu Eska se Profeti Muhammed a.s.m ka thënë: “Allahu i madhërishëm, ndër bijtë e Ibrahimit, zgjodhi Ismailin. Nga bijtë e Ismailit zgjodhi bijtë kinane. Nga bijtë kinane zgjodhi kurejshët. Nga kurejshët zgjodhi bijtë Hashim. Nga bijtë Hashim zgjodhi bijtë Abdulmuttalib. Dhe nga bijtë Abdul Muttalib më zgjodhi mua”. (Muslim,Fedail; Tirmidhi, Merakib). Gjithashtu rrëfehet nga xhaxhai i tij Abbasi se Profeti Muhammed a.s.m ka thënë: “Allahu i krijoi qëniet dhe më bëri mua më të mirin prej tyre; pastaj përzgjodhi fiset dhe më bëri mua prej më të mirit fis; pastaj përzgjodhi shtëpitë dhe më bëri mua prej më të mirës së shtëpive të tyre; kështu unë jam më i miri i tyre si individ dhe më i miri i tyre si shtëpi”. (Transmeton Tirmidhi).

Ai është Prijësi ynë Ebul Kasim Muhammed Ibn Abdullah Ibn Abdil Muttalib ibn Hashim Ibn Abdil Menaf Ibn Kusaj  Ibn Kilab Ibn Murr-re Ibn Ka’b Ibn Luej Ibn Galib Ibn Fihr Ibn Malik Ibn Nadr Ibn Kinane Ibn Hudhejme Ibn Mudrike Ibn Iljas Ibn Mudar Ibn Nidhar Ibnu Meadd Ibn Adnan. (Buhari, Menakibul Ensar). Kurse nëna e tij ishte Amineja Bintul Veheb Ibnul Menaf Ibnu Zuhreh Ibnul Kilab, i përmendur në linjën e prejardhjes së tij a.s.m i cili ishte i pesti prej stërgjyshërve të tij.

Një prejardhje e tillë sikur mbi të erdhi një rrezatim prej diellit të mëngjesit dhe një kolonë drite prej agimit; në të nuk ka tjetër veçse prijës prej prijësit  duke mbajtur virtytet, fetarinë dhe bujarinë.

Gjithashtu Allahu xh.sh e lartësoi shumë jetën e pejgamberit të Tij dhe jetëgjatësinë e tij në tokë, saqë u betua për të në Kur’an dhe tha: “Vërtet (Betohem) për jetën tënde (O Muhammed), në marramendjen e tyre të egër, ata po endeshin të verbuar në çmenduri”. (El-Hixhr,15: 25).

Gjithashtu Zoti ynë e lartësoi shumë vendin në të cilin qëndroi pejgamberi  ynë i nderuar dhe duke lëvduar vendin e të Dashurit të Tij, tha: “Betohem Unë për këtë qytet (Mekën)! Dhe ti je i lirë në këtë qytet!”. (El-Beled, 90: 1-2)

Krijuesi ynë i lëvdoi edhe gratë e tij; dhe ato nuk e arritën këtë shkallë vlerësimi veçse për shkak të lidhjes së tyre me pejgamberin e përzgjedhur, El-Mustafa, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Zoti xh.sh tha: “O gratë e Pejgamberit! Ju nuk jeni si çdo grua tjetër”.(El-Ahzab,33: 32). Gjithashtu Krijuesi ynë, me të njëjtin kuptim, tha: “Dhe bashkëshortet e tij janë nënat e tyre”. (El-Ahzab, 33: 6).

Ne sigurisht i përmendëm këto shpjegime duke shprehur nga ana jonë disa aspekte të vlerave të tij fisnike në këtë rast të madh që është Rasti i Lindjes së tij të nderuar.

         KREMTIMI I MEVLUDI SHERIFIT

Me të vërtetë, lindja e Pejgamberit të nderuar ishte një shfaqje e Mëshirës Hyjnore në lidhje me të gjithë njerëzimin. Kur’ani kerim u shpreh për ekzistencën profetike se ajo është “Mëshirë për botërat”. Kjo mëshirë nuk ështe e kufizuar. Ajo përfshin edukimin e njerëzimit, pastrimin e tyre, arsimimin e tyre, udhëzimin e tyre për tek Rruga e Drejtë dhe përparimin e tyre në nivelin e jetës së tyre materiale dhe shpirtërore; ashtu siç nuk kufizohet ajo mëshirë vetëm tek njerëzit e asaj kohe, por shtrihet me shtrirjen e të gjithë historisë, “Dhe Ai e ka dërguar atë (Pejgamberin Muhammed a.s.m) edhe tek të tjerët prej atyre të cilët akoma nuk u janë bashkuar atyre...”. (El-Xhumuah, 62: 3)

Kremtimi i përkujtimit të lindjes së Prijësit të të dyja botëve, Vulës së pejgamberëve dhe të dërguarve, Profetit të mëshirës, Ndihmës së Ummetit, Prijësit tonë Muhammed a.s.m është prej veprave më të mira dhe prej akteve më të mëdhaja që të afrojnë tek Allahu xh.sh, sepse ai kremtim shpreh gëzimin dhe dashurinë për pejgamberin a.s.m dhe dashuria për të është njëra prej bazave të besimit. Rrëfehet një hadith i saktë nga profeti Muhammed a.s.m i cili tha: “Asnjëri prej jush nuk beson derisa unë të jem për të më i dashur sesa fëmija e tij, se babai i tij dhe se të gjithë njerëzit” (Transmeton Buhari). Ibn Rexheb ka thënë: “Dashuria për pejgamberin është njëra prej bazave të besimit. Ajo është bashkëshoqëruese e dashurisë për Zotin xh.sh; Allahu e ka përcaktuar atë dhe ka kërcënuar cilindo që, mbi ato të dyja, i jep përparësi në dashuri diçkaje tjetër prej gjërave të dashura në mënyrë të natyrshme prej të afërmve, pasurive, vendbanimeve dhe gjërave të ngjashme me këto, dhe tha: “Thuaju (O Muhammed a.s.m): “Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, të afërmit tuaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë, dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë vendimin(dënimin) e Tij”. (Teube, 9: 24). Kur Hazreti Umeri i tha pejgamberit: “Ti je më i dashur për mua sesa çdo gjë tjetër, përveç vetes sime. Profeti i tha: “Jo, o Umer, derisa unë të jem më i dashur për ty sesa vetja jote”. Atëherë Umeri tha: “Betohem për Allahun se ti tani je më i dashur për mua sesa vetja ime”; Profeti tha: “Tani, O Umer!” (Transmeton Buhari).

Kremtimi i mevludit është nderim për pejgamberin dhe nderimi për të është urdhër i prerë i ligjshëm, sepse ai nderim është themeli bazë dhe kolonna e parë. Allahu xh.sh. e njohu vlerën e pejgamberit të Tij dhe ua bëri të njohur të gjitha qënieve emrin e tij, vendin ku do të dërgohej, pozitën dhe rangun e tij. Kështu, të gjitha qëniet janë në gëzim të vazhdueshëm dhe në ëndje absolute nëpërmjet dritës së Zotit, kënaqësisë së Tij, mirësisë së Tij për botërat dhe për provën e Tij.

Qysh prej shekujve të katërt dhe të pestë, të parët tanë, Selefuna, e kanë ndjekur e zhvilluar traditën e kremtimit të mevludit sherif, lindjes së pejgamberit më të madh, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, duke e kaluar të zgjuar natën e lindjes së pejgamberit duke kryer të gjitha llojet e akteve që të afrojnë tek Zoti, të tilla si, dhënia ushqim të varfërve, lexim Kur’ani, recitim dhikri e tesbihati, këndim ilahish e recitim poezish në lavdërim të Profetit muhammed a.s.m, ashtu siç e përmendin këtë shumë historianë si shembulli i ruajtësve të haditheve- Hafidhinëve-të tillë si, Ibnu Xheuzi, Ibnu Kethiri, Hafidh Ibnu Dihijjeh El-Andulus, Hafidh Ibn Haxher dhe Vula e Ruajtësve të Haditheve Xhelaluddin Es-Sujuti, Allahu i mëshiroftë të gjithë ata.

Një grup prej dijetarëve dhe Fukahave hartuan vepra lidhur me parapëlqimin –Istihbab- të kremtimit të mevludit sherif dhe sollën argumente të saktë për parapëlqimin e kësaj pune, saqë për dikë që ka arsye, perceptim e mendim të shëndoshë nuk do të mbetej më asgjë për të mohuar kremtimin e përkujtimit të lindjes së pejgamberit Muhammed, veprim të cilin e ndoqën  të parët tanë të drejtë-Selefuna Sa’lih. Ibnul Ha’xh foli gjërë e gjatë në veprën “El-Med’hal” për veçoritë që lidhen me këtë kremtim dhe përmendi në të shpjegime e fjalë të dobishme të cilat zgjerojnë kraharorët e besimtarëve duke ditur  se Ibnul Ha’xh në këtë vepër qorton bidatet dhe risitë që nuk i arrin argumenti i sheriatit.

Në përfundim unë nuk gjej fjalë më të mirë sesa ajo e El-Busajrit, Allahu e mëshiroftë, kur thotë:

  “Me trup e me shpirt u kriju i plotë,

    U zgjodh më i dashtun tek i Madhi Zot”;

   “Meritat që i  ka, askush s’i afrohet,

    Diamant’ i pastër nuk mund të copëtohet”;

   “Përveç qenies zot, çdo lavd i përket,

    S’të ngremë si të tjerët gjer n’divinjitet’;

   “Mandej derdh për të çdo nder e lavdi,

    Atij i takon çdo lavd e madhështi”;

 

  “Nderimi për të s’njeh asnji kufi,

   Lavd e tij s’përshkruhet kurrë me gojtari”.

 

 Dr. Ali Xhuma

Shqipëroi nga arabishtja: Jusuf Salkurti