PËRSE MUSLIMANËT DUHET TË JENË VËLLEZËR?

“Uniteti i besimit bën gjithashtu të domosdoshëm unitetin e zemrave dhe njësia e besimit kërkon njësinë e shoqërisë sonë” – Said Nursi

 

Njerëzit ballafaqohen me një jetë që shpesh besojnë se e kuptojnë mjaft mirë. Disa veprojnë me bindje për ato që bëjnë, disa të tjerë kalojnë kohë për të reflektuar për ato që dinë dhe bëjnë. Kështu njerëzit ose kanë ose janë në kërkim të një perspektive se si të orientojnë jetën e tyre. Ata kërkojnë standarde reale për veprimet e tyre, sepse vetëm kështu do të mund të ishin të qetë për rezultatet që do të merrnin. Islami, është një rrugë që ofron të gjitha parimet me një integritet të plotë për një moral të gjithëanshëm, pra për një botëkuptim. Brenda këtij botëkuptimi islam, nuk përjashtohet as elementi i unitetit njerëzor. Ata që ndjekin këto parime islame quhen besimtarë, pra mu’min. Këta besimtarë kanë zgjedhur një rrugë, me të gjitha mjetet e nevojshme për t’i qëndruar asaj me besnikëri dhe për të arritur realizimin e jetesës individuale me një qëllim të vërtetë. Këto vlera, në parim janë një, për të gjithë besimtarët, pa asnjë dallim. Por realizimi dhe jetësimi i tyre nuk është dhe aq i thjeshtë. Prandaj ka hapësirë për ndarje, keqkuptim, urrejtje edhe mes vetë atyre që ndjekin këtë rrugë. Por Kur’ani sjell një kriter për të gjitha ata që kanë zgjedhur Islamin si rrugën e tyre:

 “Me të vërtetë, muslimanët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj dhe druajuni Zotit, që të mëshiroheni”. (Kuran, 49:10)

Si mund të kuptohet kjo lloj vëllazërie? Ne të gjithë e kuptojmë se, të kesh apo edhe të ndjehesh me dikë si një vëlla është një gjendje që na bën të hapur, të qetë, bashkëpunues, që ecim me synime të përbashkëta, që ndihmojmë njëri-tjetrin në punë etj. Mungesa e vëllazërisë a nuk do ishte e kundërta e gjithë këtyre?! Kur ne luftojmë kundër njëri-tjetrit, kur ndërtojmë mure komunikimi, kur nuk brengosemi për jetesën e tjetrit, kur nuk ulemi për bashkëpunim, a nuk janë këto fytyra, mungesë vëllazërie? Atëherë si mund të kuptohen muslimanët në këtë perspektivë, kur ne i kemi të gjitha këto pamje jo të mira?! Si mund ta kuptojmë, dhe mbi të gjitha si mund të arrijmë ta realizojmë këtë kriter kuranor?

Dijetari i mirënjohur, Said Nursi, në një nga letrat e tij ka analizuar mjaft mirë domethënien e këtij ajeti, dhe arsyen përse Kur’ani bën thirrje në vëllazëri, dhe nga ana tjetër, sjell edhe shkaqet që muslimanët kanë kaluar dhe vazhdojnë të kalojnë në përçarje e urrejtje.[1] Ai shkruan se ne muslimanët jemi bashkuar në kuptimin që ne synojmë një të vërtetë, rrugën e Allahut. Të jetuarit me parimet e Tij duke i manifestuar me një mënyrë jetese e cila bazohet po në rrugën e Tij. Ja pse ai shikon një domosdoshmëri uniteti mes besimtareve pasi që aty ku ka një unitet besimi duhet të ketë në mënyrë të pashmangshme edhe unitet  zemrash,  gjë që do të duhej të na çonte më pas në unitetin e shoqërisë.[2]

Zemra (kalb) sipas traditës islame konsiderohet mjeti me anë të të cilit shquhen të vërtetat në gjendjen e tyre më reale. Islami para se gjithash është një e Vërtetë Absolute për muslimanët, dhe kjo e vërtet manifestohet në zemrat tona. Ja pse edhe Said Nursi flet për një unitet zemrash. Muhamed Asad po ashtu ka një interpretim që meriton vëmendje sa i përket këtij ajeti. Ai në përkthimin dhe komentin e tij të Kur’anit,  konceptin e vëllazërisë e interpreton si një koncept që ka të bëjë me një unifikim mes muslimanëve në aspektin ideor.[3] Duke qenë se Islami na paraqitet si një botëkuptim që integron çdo pjesë të jetës, si të kësaj bote dhe të botës tjetër, atëherë muslimanët duhet të unifikohen në këto parime në mënyrë që se bashku të arrijnë ta realizojnë mesazhin që përcjell kjo fe. Pasi që ky mesazh është tejet gjithëpërfshirës, nuk është e thjeshtë që një individ, apo edhe një pjesë e vogël ta përcjellë këtë. Pra, në rast se kemi një numër njerëzish që e kanë pranuar islamin, kjo përgjegjësi nuk është e vetëm disa vetave, por e të gjithë atyre burrave e grave që kanë pranuar të frymojnë sipas frymës së këtij mesazhi. Nëse ndodh që të ketë mosmarrëveshje mes muslimanëve, atëherë ato mund të jenë vetëm të arsyeshme në emër të së vërtetës dhe drejtësisë, siç ka shkruar Said Nursi. Kjo sepse, mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me mjetet dhe jo me qëllimet finale.[4] Madje këto mosmarrëveshje do të bënin që drejtësia dhe e vërteta të hetohen nëpërmjet shumë aspekte, gjë që edhe do ta pasuronte botën tonë ideore.

Sot për sot Islami ka shumë nevojë të paraqitet fillimisht me tërë botën e vet, ta shprehë realitetin që tregon për ekzistencën. Kjo detyrë varet nga ne që kemi zgjedhur këtë rrugë. Bota të cilën na shpalos Kur’ani është një botë magjepsëse, pasi që format, ngjyrat, idetë, gjeografitë, gjuhët, kozmosi në tërësi, metakozmosi, janë të gjitha pjesë e këtij realiteti. Njerëzit janë lexues dhe hetues të këtij realiteti. Muslimani merr çdo pjesë në leximin e këtij realiteti, ashtu siç lexon çdo ajet të vetë Kur’anit. Ne duhet të mbetemi vëllezër, pasi që vetëm kështu mund ta kuptojmë realitetin e Kur’anit dhe vetëm kështu mund ta shijojmë bukurinë e botës që na rrethon. Në botë do ketë pak më shumë drejtësi dhe më shumë kuptim për të jetuar nëse ne bashkohemi dhe ndahemi vetëm për hir të këtij mesazhi.

Haki Sahitaj

 

[1] Said Nursi, Letrat, Sözler, Istanbul, 2010, fq. 391-405.

[2] Said Nursi, po aty,fq.  394.

[3] Muhammad Asad, The Message of the Qur’an, The Book Foundation, 2003, fq. 1078-79.

[4] Said, Nursi, po aty, fq. 402.