Historia e Ademit përmendet në Kuran 25 herë, me fjalë të ndryshme. Zoti në Kuran thotë: “Kujto kur Zoti u tha engjëjve: “Unë do të krijoj në tokë një mëkëmbës” (Bekare, 30). Zoti me fjalën “një mëkëmbës” kërkon të thotë që engjëjt me këtë krijesë të re do të kenë lidhje të veçanta.

Dialogu midis Zotit dhe engjëjve, rreth krijimit të Ademit (a.s.), ka ndodhur para se të krijohej toka dhe Ademi. Fjalët “zëvendës në tokë” nënkuptojnë se toka ishte caktuar si vendi ku do të jetonte Ademi dhe pasardhësit e tij, që para se të krijoheshin. Ademi u krijua në Xhenet, me qëllim që të bëhej e ditur që vendi i tij i përjetshëm do të jetë Xheneti dhe jo toka. Gjëja e parë që pa Ademi (a.s.) ishte Xheneti dhe bukurinë e tij. Kështu Zoti e krijoi njeriun e parë në Xhenet dhe e bëri Xhenetin banesën e tij të përjetshme. Zoti e ngarkoi këtë njeri me një mision në tokë, mision që duhet ta kryejë dhe më pas do të kthehet në vendqëndrimin e tij të përjetshëm.

Ademit (a.s.) iu ndalua të ushqehej nga një pemë në Xhenet. Pema e ndaluar e Ademit (a.s.) është për ne sot droga dhe tregtia me të, është alkooli dhe imoraliteti. Pema e ndaluar e Ademit përsëritet me shembuj për ne, që sa herë të bëjmë gjynahe, të pendohemi dhe të kërkojmë falje te Zoti. Janë këto shkaqe që e bëjnë historinë e Ademit të përsëritet 25 herë në Kuran, me qëllim që këto pika orientuese, të nguliten thellë në mendjet dhe zemrat tona.

Kemi thënë se Ademi u krijua në Xhenet për të jetuar në tokë dhe se ndodhia e mëkatit duhej të ndodhte, për të shërbyer si shembull e model për njerëzit e tjerë.

Nga vetë natyra e tij, njeriu nuk i vlerëson gjërat e mira që i vijnë pa derdhur djersë. Ajo që është e shtrenjtë dhe e vlefshme për të, është ajo që ai fiton me mund e djersë.

Me zbritjen në tokë, Zoti deshi që ta vlerësojmë si duhet jetesën në Xhenet dhe të ndiejmë mall për të. Besimtarët që kanë duruar dhe janë lodhur për të fituar Xhenetin, kënaqësinë e tyre e fillojnë me vendosjen e këmbës së djathtë në pragun e Xhenetit. Kënaqësi është kur të shohë besimtari shpërblimin e Zotit për namazin, që ka falur në motin e ftohtë dhe agjërimit të mbajtur gjatë muajve të nxehtë.

Mjerë për ata që nuk e njohin dhe adhurojnë Zotin në këtë kohë. Në këtë botë jemi të urdhëruar të adhurojmë Zotin dhe t’i bindemi Atij edhe pse nuk e shohim. Vetëm duke adhuruar Zotin pa e parë dhe u përmallur për Xhenetin pa e parë, arrihet shkalla më e lartë e besimit. Kënaqësinë e vështruarit të vetë Zotit në Xhenet, do ta përjetojmë për aq kohë sa e kemi adhuruar në dynja.

Kur Profeti (a.s.) u pyet se cila është grada më e lartë në Xhenet, u përgjigj: “Janë ata që do e shohin Zotin mëngjes e mbrëmje”.

Le të lexojmë ajetin 30 e sures “Bekare”: “Kujto kur Zoti u tha engjëjve: “Unë do krijoj në tokë një mëkëmbës”. Fjala “halife” (mëkëmbës) përmban shkakun dhe misionin tonë mbi tokë. Njeriu është përgjegjës që të jetojë në tokë, duke respektuar ligjet dhe porositë e Zotit. Zoti e bëri njeriun pronar të tokës, i caktoi engjëjt që e mbrojnë nga fatkeqësitë, i nënshtroi lumenjtë, kafshët, detet, tokën dhe gjithçka. Ai e zbriti Ademin në tokë dhe e urdhëroi ta shfrytëzojë tokën dhe të mirat e Zotit sipas porosive të vetë Zotit. Në Kuran (Hadid, 7) thuhet: “Besojeni Zotin dhe të dërguarit e Tij dhe jepni nga ajo që Ai u bëri trashëgues të saj. Ata që besuan prej jush dhe dhanë për hir të Zotit, ata kanë shpërblim të madh”. Po në Librin e tij Zoti i drejtohet njeriut si përgjegjës dhe mëkëmbës në tokë: “Ne ua ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, por ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu e mori mbi vete. Ai i bëri padrejtësi vetes dhe ishte i pafajshëm.” (Ahzab, 72)

Njeriu është krijuar për dy qëllime madhore:

  1. Të adhurojë Zotin dhe të jetë i bindur ndaj Tij, bazuar në versetin: “Dhe nuk i krijova xhindet dhe njerëzit veçse për të më adhuruar”.
  2. Për të vendosur rregullin dhe ligjet e Zotit në tokë. Në Kuran thuhet: “Unë do të krijoj në tokë një mëkëmbës…”. Gjëja e parë që do të pyesë Zoti Ditën e Kiametit është se cili ka qenë misioni yt (o njeri) në këtë botë. Besimtari do të përgjigjet: “Më krijove për dy gjëra o Zot: Për të të adhuruar dhe për të vendosur rregullin në tokë”.

Ibrahim bin Ed’hemi, një figurë e njohur e dijes, në rini nuk ishte i lidhur me Zotin. Ai merrte kalin, zagarët dhe dilte çdo ditë për gjah. Një ditë i del para një burrë, i cili i kap frerin e kalit dhe i thotë: “O Ibrahim, a për këtë je krijuar dhe je urdhëruar?!” Që nga ai moment, Ibrahimi bëri pendesë dhe filloi një jetë tjetër. Ai tregon se fjalët e këtij burri më mësuan të njoh Zotin dhe të pendohem për çfarë kisha vepruar më parë. Ajo ishte ditëlindja ime e vërtetë, pasi kujtova fjalën e Zotit në Kuran: “Unë do të krijoj në tokë një mëkëmbës”.

Pasi Zoti u tregoi engjëjve që do të krijonte në tokë njeriun, ata e pyetën: “A do të krijosh atje ata që shkatërrojnë, derdhin gjakun, në një kohë që ne të madhërojmë dhe të shenjtërojmë.” (Bekare, 30). Meqë Zoti do të krijonte një krijesë tjetër, engjëjt kishin frikë se mos vallë ata nuk e kishin adhuruar Zotin si duhet. Dhe ne njerëzit mendojmë se me namazin kemi arritur kulmin e adhurimit. Duhet t’i frikësohemi Zotit dhe të kemi kujdes për veten duke pasur frikë që Zoti të mos na largojë nga Mëshira e Tij. Në Kuran (Muhamed, 38) thuhet: “Dhe nëse ktheni shpinën ai ju zëvendëson me një popull tjetër që nuk janë si ju”. Të bëhemi si Ebu Bekri që thoshte: “Nëse do e kisha njërën këmbë në Xhenet dhe tjetrën jashtë tij, nuk do isha i sigurt që shpëtova”.

Përgjigja e Zotit ndaj dilemës së engjëjve ishte: “Unë di atë që ju nuk e dini”. Me këtë Zoti thoshte se me të vërtetë do të ketë njerëz që do derdhin gjak dhe do kundërshtojnë urdhrat e Mi, por do të ketë prej tyre besimtarë të përkushtuar që do të më adhurojnë. Do të ketë prej tyre profetë dhe të dërguar, do të ketë dëshmorë dhe njerëz të sinqertë.

Në Kuran thuhet: “Zoti ia mësoi Ademit të gjitha emrat”. Zoti i mësoi Ademit emrat e gjithçkaje në natyrë. I mësoi Ademit gjithçka sepse që të kryesh misionin mëkëmbës në tokë, në radhë të parë duhet të jesh i ditur dhe i suksesshëm. Në të kundërt, do të jemi dështakë në punët e jetës si dhe gjynahqarë. Që të jemi mëkëmbës duhet të kemi fe dhe dije. Myslimani duhet të jetë i ditur dhe mos mashtrohet kollaj.

Në Kuran rreth vlerës së dijes thuhet: “Zoti i lartëson ata që besuan në shkallë të lartë dhe ata që kanë dije dhe gradë.” (Muxhadele, 11)

Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Me të vërtetë që Zoti, engjëjt e Tij, krijesat e qiellit dhe të tokës, edhe milingona në banesën e saj luten për atë që u jep dije të tjerëve”. Zoti i pyeti engjëjt mbi emrat e krijesave që kishte krijuar në tokë, gjë që ata nuk e dinin. Ata i thanë: “I pa të meta je Ti (Zoti ynë). Ne nuk kemi dije veç asaj që na ke dhënë Ti. Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” (Bekare, 32)

Më pas Zoti i kërkoi Ademit (a.s.) të tregojë emrat e krijesave. Kështu Ademi filloi t’u tregojë emrat e sendeve dhe funksionet e secilit. Engjëjt dëgjonin të habitur. Atëherë Zoti u drejtohet atyre duke u thënë: “A nuk ju thashë se Unë di të fshehtën e qiejve dhe të tokës dhe di atë që shfaqni dhe atë që e fshihni.” (Bekare, 33)

Pasi Ademi (a.s.) përvetësoi njohuritë fetare dhe ato jetësore, Zoti e nderoi duke urdhëruar engjëjt e tij t’i përkulen. “Dhe kur u thamë engjëjve t’i përulen Ademit, ata të gjithë ranë në sexhde…” (Bekare, 34). Të gjithë engjëjt iu bindën urdhrit të Zotit dhe ranë në sexhde ndaj Ademit (a.s.). Sexhdeja që bënë ata për Ademin (a.s.) ishte sexhde nderimi dhe jo adhurimi.

Zoti bëri nderime për Ademin a.s.:

-E krijoi nga dheu dhe uji, dy përbërësit më të pastër.

-Ishte vetë Zoti që ia dha shpirtin me një frymë.

-I urdhëroi engjëjt që t’i përkuleshin Ademit si nderim për të.

-E nxori Iblisin nga Xheneti, kur refuzoi të përkulej para Ademit.

-I nënshtroi engjëjt për Ademin (a.s.).

-Nënshtroi gjithë gjithësinë në shërbim të njeriut.

-I mësoi Ademit emrat e çdo gjëje.

Në Kuran (Isra, 70) lexojmë: “Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)… i dalluam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne krijuam”.

Pyesim: Iblisi është prej engjëjve apo prej xhindeve? Përgjigja vjen në Kuran: “Dhe kur u thamë engjëjve t’i përkulen Ademit, ata të gjithë ranë në sexhde…” (Bekare, 34)

Nga ky ajet mësojmë se Iblisi ka qenë engjëll. Por në fakt ishte xhind dhe jo engjëll. Dihet që xhindet bënë shkatërrime dhe rrëmujë në tokë dhe Zoti dërgoi engjëjt që i dëbuan prej saj. Nga xhindet në tokë atëherë ishte edhe Iblisi, por ai nuk mori pjesë në shkatërrime dhe gjakderdhje. Ai merrej vetëm me adhurim e falje. Për këtë engjëjt e morën me vete në qiell. Edhe atje tregohej i bindur. Megjithatë, zemra e tij fshihte diçka të ligë, të cilën e dinte vetëm Zoti. Argument se Iblisi nuk ishte engjëll është ajeti 50 i sures “Kehf”: “Dhe kur u thamë engjëjve që t’i përulen Ademit, të gjithë ranë në sexhde përveç Iblisit që ishte nga xhindet. Me këtë ai shkeli urdhrin e Zotit”.

Meqë Iblisi qëndronte me engjëjt, urdhri për sexhde përfshin edhe atë.

Në Kuran Zoti e përmend herë me emrin “Shejtan” dhe herë të tjera “Iblis”. Emri i vërtetë është Iblis. Edhe Xhibrili quhet me emrin “Shpirti i Shenjtë” dhe “Engjëlli i shpalljeve”.

Shejtan rrjedh nga folja “shejtane” që do të thotë “të largohesh”. Iblisi u quajt shejtan pasi u largua nga bindja dhe obligimi ndaj Zotit. Shkaku që shejtani nuk u përul para Ademit ishte mendjemadhësia. Një ves i madh është te njeriu fjala “unë” sepse shpreh mendjemadhësi.

Zoti thotë për Iblisin, mendjemadhin e parë mbi tokë: “Zbrit prej tij, pasi nuk mund të tregohesh në të. Dil, ti je prej të poshtëruarve.” (Araf, 13)

Profeti (a.s.) thotë: “Nuk hyn në Xhenet, ai që ka në zemrën e tij qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie.” (Muslimi, 147)

Me logjikë arrijmë që: zjarri ka si natyrë djegien dhe shkatërrimin, kurse balta përdoret për të ndërtuar e prodhuar. Zjarri ka si natyrë rrëmbimin dhe forcën, kurse balta qëndrueshmërinë dhe qetësinë. Zjarri duhet të përdoret me kujdes dhe e keqja që mund të vijë prej tij është më e madhe se e mira.

Edhe sikur zjarri të ishte më i mirë sesa balta, Iblisi duhej t’i përulej Ademit (a.s.) si bindje ndaj Zotit.

Në Kuran (Araf, 54) thuhet: “Zotit i takon krijimi dhe urdhri”. Dihet se Islam do të thotë dorëzim i plotë ndaj urdhrave të Zotit. Iblisi e besonte Zotin, madje betohej në Madhërinë e Tij: “Pasha Madhërinë Tënde…”.

Iblisi jo vetëm s’pranoi t’i përulej Ademit, por i shpalli luftë atij. Ai tha: “Më jep afat deri ditën kur ringjallen (njerëzit). Zoti i tha: “Ti je i afatizuar!” (Araf, 14)

Kur është fjala për mendimet dhe idetë e Iblisit atij i jepet e drejta që të shprehë mendimin e tij. Zoti e ndëshkoi Iblisin si mendjemadh dhe arrogant. Ky është mesazh për mendjemëdhenjtë. Ai kërkoi që t’i jepej jetë dhe e afatizoi deri Ditën e Kiametit. Armiqësia dhe urrejtja e tij ndaj Ademit kishte shkuar kaq larg, saqë kërkonte të shkatërronte gjithë pasardhësit e tij. Zoti ia pranoi lutjen e Iblisit: “Ti je i afatizuar!” Kur Zoti ia pranoi lutjen Iblisit, po lutjen e një besimtari?

Shejtani u betua se do t’u vendosë njerëzve frerin, siç i vendoset kafshëve. Por freri i shejtanit është për të na çuar drejt këtij ajeti, shejtani bëri një përjashtim.

Lufta midis njeriut dhe shejtanit është ndezur që me krijimin e njeriut të parë. Për të përballuar gënjeshtrat dhe premtimet e tij, Zoti na ka dhënë mburoja që mund nuk t’i thyejnë ushtarët e shejtanit. Beteja midis njeriut dhe shejtanit, përbëhet nga ushtarë dhe kuaj të secilës palë. Ushtarët e shejtanit janë joshja, ngacmimet, tundimet, premtimet e rreme…, kurse ushtarët e besimtarit janë: Kërkimi mbrojtje nga Zoti, përmendja e Tij. Profeti thotë: “Nga të gjitha delet, ujku ha atë që është e veçuar nga tufa. Shejtani është pranë atij që është vetëm dhe larg atij që është i shoqëruar”.

Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Ademi jetoi në Xhenet i vetëm. Kjo bëri që ai të mërzitej. Kështu u krijua Havaja. Kurani i shenjtë e konfirmon se Havaja u krijua nga Ademi, por nuk thotë gjë për procesin specifik të përdorur për krijimin e saj. Kur e pa përkrah tij Ademi e pyeti: “Kush je ti?” Ajo ia ktheu: “Jam një grua”. Ademi e pyeti: “Si të quajnë?” Havaja iu përgjigj: “Hava”. Ademi e pyeti përsëri: “Përse je krijuar?”. Ajo iu përgjigj: “Për të qenë prehje për ty”.

Ajo u quajt grua (imre’etun) për shkak se ajo u krijua nga burri (imru’un). U quajt Hava për shkak se është krijuar nga diçka e gjallë, nga Ademi (a.s.).

Gruaja është simbol i prehjes dhe i qetësisë shpirtërore, simbol i së mirës mbi tokë. Gratë duhet ta kuptojnë që janë qendra e prehjes dhe e qetësisë.

Zoti i premtoi Ademit se në Xhenet nuk do të ishte lakuriq, por i mbuluar. Dhe shejtani donte që t’ua zbulojë lakuriqësinë dhe t’u heqë veshjen që i mbulonin.

Sot ka shumë njerëz që mendojnë se pema nga e cila hëngri Ademi (a.s.) ishte pema e përjetësisë. Shejtani e quajti me këtë emër me qëllim që ta mashtrojë Ademin dhe Havanë. Hapi i parë që mori Iblisi për të mashtruar Ademin ishte emërtimi i sendeve me emra të ndryshëm.

Sot lakuriqësinë e quajnë modë, ateizmin e quajnë liri mendimi, imoralitetin e quajnë bashkëjetesë ose liri veprimi. Shejtani u betua në Zotin me qëllim që t’i bindë se po u thotë të vërtetën. Në qoftë se mendjemadhësia ishte gjynahu i parë, i dyti ishte betimi i rremë në Zotin. Në qoftë se Ademi u gënjye duke ngrënë nga ajo pemë e ndaluar, ne kushedi sa herë në ditë hamë nga ajo “pemë”. Duke qenë se zemrat e Ademit dhe Havasë ishin të pastra, me të dëgjuar betimin në Zot, ata i besuan fjalët e Iblisit duke qenë të bindur se askush nuk betohet në mënyrë të gënjeshtërt. Në Kuran thuhet: “Atëherë (ai) me mashtrim i zbriti në nivel të palakmueshëm”. , (Araf, 22). Në suren Bekare, ajeti 36, Zoti e përshkruan me këto fjalë mashtrimin e shejtanit: “…Dhe ai rrëshqiti drejt gjynahut” dhe në suren Araf, ajeti 27: “Dhe kur shijuan pemën u zbuluam pjesët e turpshme dhe filluan të mbulohen me gjethe të Xhenetit…

Në suren Araf, ajeti 22, thuhet: “…Zoti i tyre i thirri (duke u thënë): A nuk jua ndalova që të dyve atë pemë dhe a nuk ju thashë të dyve se shejtani është armik i hapur për ju?!” Zoti ua bëri këtë pyetje retorike, pasi ajo të lëndon më shumë. Ashtu siç pyeti Ademin mbi pemën, të cilën ia ndaloi, ashtu do të na pyesë edhe ne Ditën e Kiametit për gjynahet që kemi bërë në këtë botë. Si do të ndihemi në ato çaste? A do të na vijë turp kur të gjendemi përpara gjynaheve tona?

Të gjithë librat hyjnorë, përveç Kuranit, pohojnë se ishte Havaja ajo që e nxiti Ademin për të ngrënë nga pema. Ndërsa në Kuran thuhet: “(Ne i thamë) O Adem, ti dhe bashkëshortja jote zini vend në Xhenet, hani nga të doni e mos iu afroni kësaj peme…Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i kemi bërë padrejtësi vetes tonë…” Pra, sipas Kuranit, të dy ishin bashkëfajtorë. Islami e sheh gruan si një mjet të fortë për një shoqëri të fortë. Në suren Araf thuhet: “Shejtani i nxiti ata të dy, që t’ua zbulojë atyre pjesët e turpshme me të cilat ishin mbuluar”. Gjëja më e dashur për shejtanin është lakuriqësia, sepse është mjeti më i lehtë me të cilin mund të shthuret shoqëria. Pjesët e turpshme në Kuran përmenden me emrin “sevetun”, që tregon diçka që e shëmton njeriun. Kur Ademit (a.s.) iu zbuluan pjesët e turpshme, i erdhi turp nga vetja dhe filloi të mbulohej me gjethe të Xhenetit. Shejtani lakuriqësinë vazhdon ta bëjë edhe me brezat e tjerë.

Sot përdoret porta e lirisë së njerëzimit. Kështu e mashtroi Iblisi Ademin e Havanë që të dalin nga Xheneti.

Ademi meqë nuk dinte si të pendohej, vraponte nëpër Xhenet. Në një hadith thuhet: “Zoti thirri: “O Adem, a po ikën prej Meje?, ndërsa Ademi u përgjigj: “Jo, o Zot, por më vjen turp prej Teje”.

Ibnul Kajjimi thotë: “O ti gjynahqar, ji i sigurt se do të ndëshkohesh për atë që veprove. Gëzimi që ndjen kur veprove një gjynah është më i madh tek Zoti i Madhërishëm se vetë gjynahu. E qeshura jote në çastin që veprove gjynahun, është më e madhe te Zoti i Madhërishëm se vetë gjynahu. Përpjekja jote për ta fshehur gjynahun nga sytë e botës, është më e madhe tek Zoti se vetë gjynahu. Paturpësia nga engjëjt e krahut të djathtë dhe të majtë, është më e madhe te Zoti i Madhërishëm se vetë gjynahu”.

Duke qenë njeriu i parë që do të pendohej, Ademi nuk dinte si të pendohej dhe çfarë të thoshte. Në lidhje me këtë në Kuran lexojmë: “Dhe Ademi mori nga Zoti disa fjalë dhe Ai ia pranoi pendimin.” (Bekare, 37). Pra ishte vetë Zoti që ia mësoi çfarë duhet të thoshte që të pendohej. Atëherë, Ademi i përsëriti fjalët dhe Zoti ia pranoi pendimin. Në suren Araf, 23, Zoti përmend fjalët që i mësoi Ademit për t’u penduar. “Ata thanë: “O Zot, ne i bëmë padrejtësi vetes tonë dhe nëse nuk na fal do të jemi prej të humburve”.

Nëse dikush pendohet si Ademi dhe braktis gjynahun, pendimi do t’i pranohet dhe gjynahu do t’i fshihet.

Profeti (a.s.) thotë: “Zoti nuk mërzitet nga mëshira, derisa ju të mërziteni nga të kërkuarit falje”, ndërsa në Kuran thuhet: “Ademi bëri gjynah dhe gaboi. Më pas Zoti e përzgjodhi dhe e udhëzoi.

Pra duhet të pendohemi dhe Zoti na e pranon pendimin, na vlerëson dhe na mban pranë.

Kur Zoti ia pranoi pendimin Ademit, ai qante për shkak se gjynahet që kishte bërë dhe për shkak se do të zbriste në tokë, Zoti e ngushëlloi: “O Adem, Unë të sprovova me gjynah për shkak se dëshiroja që ta shohësh dashurinë dhe bujarinë Time…

Cili është ndryshimi mes gjynahut të Ademit dhe Iblisit, pasi të dy bënë gjynah? Ndryshimi është se Ademi u pendua për gjynahun, kurse Iblisi jo. Madje ai kërkoi që të hakmerrej kundër Ademit kur tha “Më jep afat deri në Ditën e Ringjalljes” –gjynahu i Ademit u bë me gjymtyrë, hëngri nga pema. Kurse gjynahu i Iblisit është gjynah zemre. Mendjemadhësia, smira, urrejtja janë nga gjynahet më të mëdha.

Sipas mendimit të dijetarëve, Ademi dhe Havaja, duke kërkuar njëri-tjetrin, u takuan në malin Arafat (Njohja). Mali Arafat ndodhet pranë Mekës.

Zoti e urdhëroi Ademin që të ndërtojë një faltore ku të kryente ritet fetare. Ademi ndërtoi faltoren e parë në tokë – Qaben. Rreth këtij fakti Zoti në Kuran thotë: “Faltorja e parë që u ndërtua mbi tokë është ajo në Bekke (Mekë)” (Al Imran, 96). U quajt Bekke, për shkak se njerëzit qajnë në atë vend si përkushtim ndaj Zotit.

Ademit iu shpallën 21 fletë, të cilat përmbanin udhëzime të ndryshme. Fëmijët e tij ishin të shumtë (nuk dihet numri i saktë). Siç tregon Profeti (a.s.) në fund të jetës ai iu tha: “O fëmijët e mi, mua më ka marrë mali për frutat e Xhenetit”.

Ademi u nda nga kjo botë për të kaluar në jetën e përjetshme. Engjëjt e lanë Ademin (a.s.). Hakimi tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “…E lanë engjëjt, e qefinosën, e vendosën në varr dhe e mbuluan me dhe. Më pas u thanë fëmijëve: “Kështu do të veproni me të vdekurit tuaj”.

Dita që vdiq Ademi ishte e xhuma. Profeti (a.s.) thotë: “Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhuma. Në të u krijua Ademi, në këtë ditë zbriti nga Xheneti, në këtë ditë vdiq dhe në këtë ditë do të bëhet Kiameti”. Havaja u pikëllua shumë, vajtoi për të tërë derisa vdiq edhe ajo.

Në natën e Miraxhit, Profeti (a.s.), teksa ngjitej në qiej u takua me Ademin (a.s.). Ai e përshkruan atë duke thënë: “Kur hyra në qiellin e parë, gjeta një burrë, i cili kur shikonte nga krahu i tij i djathtë, shihte shumë njerëz e qeshte. Kur shikonte nga krahu i djathtë, shihte shumë njerëz e qante. E pyeta Xhibrilin: “Kush është ky o Xhibril?”Ai më tha: “Ky është babai yt, Ademi. Kur shikon nga fëmijët e tij që iu bindën Zotit dhe janë në Xhenet qesh, dhe kur shikon fëmijët e tij që i thyen urdhrat e Zotit dhe janë në zjarr, qan.

Sa e madhe është mëshira e Zotit, por që ta gjesh duhet ta kërkosh duke shpallur bindjen ndaj Zotit dhe armiqësinë ndaj Iblisit. Ta kërkojmë mëshirën e Zotit duke e dashur profetin Muhamed (a.s.) pasi njeriu do të ringjallet me atë që ai ka dashur në dynja.

Remzi Gani