SHËRIMI I BRENGAVE DHE PROBLEMEVE NËN HIJEN E KUR’ANIT DHE SUNETIT

 

 Çfarë synojmë me shërim?

Kur’ani dhe Suneti posedojnë ilaç për shërimin e pikëllimit dhe brengave, sidomos nëse ato janë shkaktuar nga faktorë të jashtëm. Ky është imazh i mëshirës së Allahut të Madhëruar ndaj robërve të Tij, ngase Kur’anin e bëri shërim dhe mëshirë për besimtarët, ndërsa këtyre të fundit nuk iu mbetet gjë tjetër pos të kthehen kah Kur’ani dhe Suneti i Pejgamberit a.s., që të shpëtojnë e të ngadhënjejnë me lumturi dhe prehje shpirtërore në të dy botët.

 

Besimi

Besimi ka ndikim të madh në ruajtjen dhe shërimin nga brengat dhe problemet e ndryshme. Fjalën ‘besim’ e dëgjojmë shpesh, por të paktë janë ata që kuptojmë esencën, reflektimet dhe rezultatet e tij.

Besimi lë gjurmë të thella në ndjenjat dhe sjelljet e njeriut. Këtu do të paraqesim disa aspekte të tij në ruajtjen dhe mbrojtjen nga pikëllimi.

 

Kadaja dhe Kaderi (Caktimet paraprake të Allahut të Madhëruar)

Besimi ynë në këto caktime të Allahut të Madhëruar pengon nga pikëllimi i madh. Pejgamberi a.s. ka thënë: “…dhe dije se sikur tërë njerëzit të bëheshin bashkë për të të bërë ndonjë të mirë, nuk do të mundnin po të mos e ketë shkruar Allahu për ty. Po kështu, (edhe) sikur të bëheshin bashkë për të dëmtuar diç, nuk do ia arrinin qëllimit po të mos e ketë shkruar Allahu.”

Kur njeriu bindet se gjërat janë të caktuara prej Allahut të Madhëruar, ai nuk brengoset shumë. Si të pikëllohet kur e di se njerëzit nuk mund t’i bëjnë dëm dhe as dobi pa caktimin e Allahut?! Atëherë përse ky ankth? Përse ky pikëllim i madh?

 

Besimi në Ditën e Llogarisë

Ai që beson në Ditën e Llogarisë, e di se në këtë botë nuk ka të mira të përhershme. Kur besimtari qëllon të humbasë diç nga kjo botë, ai nuk pikëllohet pasi e di se kjo botë, në raport me ahiretin, nuk vlen asgjë. Ai përkujton fjalën e Pejgamberit a.s.: “Sikur dynjaja të vlente tek Allahu vetëm sa një krah mushkonje, askujt që e mohon Atë nuk do t’i jepte as një gllënjkë ujë për të pirë.” (Tirmidhiu)

 

Besimi në emrat dhe cilësitë e Allahut të Madhëruar

Disa mendojnë se besimi në emrat dhe cilësitë e Allahut të Madhëruar është çështje teorike e besimit pa pasur ndonjë ndikim a gjurmë në jetën dhe sjelljet e besimtarit. Si shkak i këtij botëkuptimi të gabuar, ata nuk përfitojnë nga besimi i tyre atë që duhet.

Besimi në këto çështje nuk është vetëm teorik, formal, verbal. Ai ka një ndikim të madh te njeriu. Ai që beson se Allahu është Sundues, beson se Ai ka të drejtë në dhënie dhe privim. Ai që beson se Allahu është i Urtë, e kupton apo jo urtësinë e ndonjë gjëje, beson se ajo ka urtësi.

 

Botëkuptimi i besimtarit për sprovat dhe pikëllimet

Botëkuptimi i fatkeqësive te myslimani është i veçantë dhe meriton të shkruhet me ngjyrë ari. Besimtari beson se sprovat mund të vijnë edhe si shenjë e dashurisë së Allahut për njeriun. A nuk ka thënë Pejgamberi a.s.: “Nëse Allahu e do një grup njerëzish, i sprovon.” (Imam Ahmedi)

Po kështu beson se sprovimi është në përputhje me nivelin e besimit, duke përkujtuar hadithin: “Njerëzit që më së shumti sprovohen janë pejgamberët, pastaj të mirët pastaj shkallë-shkallë.” (Taberaniu)

Besimtari po kështu beson se me t’u sprovuar me fatkeqësi, ai do të shpërblehet. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ndodh të goditet besimtari nga ndonjë lodhje, mundim, brengë, pikëllim, shqetësim, madje edhe ferra që i hyn në këmbë, e që Allahu të mos ia falë me të mëkatet.”

Nëse njeriu e beson këtë, atëherë ai ndihet i qetë me besimin e tij në Allahun e Madhëruar, kurse mbështetja në Të dhe nënshtrimi ndaj Atij vetëm sa i rrënjosen edhe më thellë në zemër.

Po si do të kishte qenë puna nëse tërë kësaj ai t’ia shtonte edhe durimin? Padyshim se do të shpërblehej shumë. Allahu thotë: “… ndërsa të duruarve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Zumer, 10)

Myslimani, çfarëdo që të jetë gjendja e tij, është fitimtar. Muslimi transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çudi është puna e besimtarit, tërë çështja e tij është në favor për të dhe për askënd tjetër pos tij. Nëse privilegjohet me ndonjë të mirë, falënderon, e kjo është mirë për të. Nëse sprovohet me ndonjë fatkeqësi, duron, e kjo është mirë për të.”

Pra, botëkuptimi ynë për sprovën është i veçantë.

 

Devotshmëria dhe veprat e mira

Devotshmëria dhe vepra e mirë e ruajnë besimtarin nga pikëllimi, brengosja dhe ankthi. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl, 97)

Atëherë ç’është jeta e mirë?

A nuk është lumturia dhe qetësia?

Po, për Zotin, tërë ata që kërkojnë lumturinë dhe tërë ata që imagjinojnë jetën e mirë nuk do ta shijojnë as atë dhe as këtë pa punuar vepra të mira. Ka thënë Ibrahim b. Ed’hemi: “Për Zotin, ne jemi duke jetuar një jetë të begatshme që po të dinin mbretërit dhe bijtë e tyre për të, do të na luftonin me shpatë (që ta kenë-përvetësojnë atë).”

Pra, kjo është dhuntia e besimit dhe qetësisë. Është lumturia e vërtetë, të cilën shumë njerëz nuk e kanë gjetur.

 

Lutja, madhërimi dhe namazi

Duaja është mbrojtëse, por edhe shëruese, siç tregohet për shembull në këtë hadith: “O Zoti im, kërkoj të më mbrosh nga brenga dhe pikëllimi, dobësia dhe përtacia, koprracia dhe frika, nga mundja prej borxhit (borxhi i madh) dhe nga mposhtja e njerëzve.”

Ai që beson në këtë dhe hadithe të tjera të ngjashme, kur goditet me ndonjë sprovë, e lexon atë dhe Allahu i Madhëruar ia largon pikëllimin dhe brengën. Allahu i Madhëruar i drejtohet Muhamedit a.s. që nga fjalët e jobesimtarëve qe mërzitur shumë: “Ne dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata. 98. Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur). 99. Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të vijë e vërteta (vdekja).” (Hixhr, 97-99)

Pra, madhërimi i Allahut është çelës i rrugëdaljeve dhe zgjidhjeve të problemeve.

 

Shikimi tek ata që janë sprovuar edhe më shumë dhe mendimi i gjendjeve edhe më të këqija

Kjo është një praktikë e psikologëve, të cilën para tyre e përdori Pejgamberi a.s. Habbab b. el Eretti kur kishte parë sahabet të vuanin në Mekë, kishte shkuar te Pejgamberi a.s. dhe i kishte thënë: “A nuk po e lut Allahun e Madhëruar të na ndihmojë? A nuk po lutesh për ne? Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Para jush (në kohët e mëhershme) njeriu merrej, i hapej një gropë në tokë ku vendosej dhe me një sharrë të hekurt i ndahej mishi nga ashti, por kjo nuk e largonte prej fesë së tij. Pasha Allahun! Ai do ta plotësojë këtë fe derisa kalorësi (ai që udhëton me ndonjë kafshë) të ecë nga San’aja e deri në Hadrameut dhe të mos ketë frikë askënd përveç Allahut dhe ujkut për delet e tij. Ju po nguteni pak.” (Buhariu)

Kjo është mënyrë psikike e të shëruarit. Nëse takohesh me ndonjë njeri të sprovuar, përkujtoja njerëzit që janë sprovuar edhe më shumë se ai. Nëse dikujt, për shembull, i ka vdekur babai, thuaji se ka familje të tëra që kanë pësuar në aksidente të tilla. Apo thuaji se edhe pse iu ka vdekur babai, ju materialisht qëndroni mirë, ndërsa familja e filanit ka mbetur pas vdekjes së tij shumë keq.

Kur njeriu të goditet me ndonjë fatkeqësi, duhet të marrë mësim nga ata që gjendjen e kanë edhe më keq se ai dhe të thotë: Falënderuar qoftë Allahu! Unë mirë jam.

I varfri shikon atë që është edhe më i varfër.

 

Realizmi në këndvështrimin e jetës dhe largimi nga përsosmëria përrallore – idealizmi

Disa njerëz brengosen ngase mendojnë gabimisht. Të mendosh: “Unë nuk mund të jem i lumtur përderisa njerëzit pranë meje të mos jenë të kënaqur me mua”, “Nuk mund të ndihem i qetë përderisa nëpunësit e mi, të gjithë, të mos janë të kënaqur me mua” – është gabim dhe, realisht, diçka e pamundur. Patjetër që do të ketë njerëz që nuk do të ndahen të kënaqur me ty. Sikur njeriu të jetonte me parimin se është e pamundur kënaqja e tërë njerëzve, ai do të jetonte i qetë dhe pa brenga. Abdurrahman es Sa’dijj në librin “El vesail el mufide lil hajati’s seideh – Mjetet e dobishme për një jetë të lumtur”, në koment të hadithit: “Besimtari nuk e urren besimtaren; nëse nuk i pëlqen ndonjë tipar i saj, i pëlqen tjetri”, thotë: Ky hadith udhëzon për (mirë)sjellje me gruan, të afërmin, shokun dhe tërë ata me të cilët ke lidhje. Duhet ta bindësh veten se ata patjetër kanë ndonjë të metë që ti e urren, por kur ta gjesh këtë krahasoje me gjërat që ti i ke obligim. Thënë më qartë, krahasoje me gjërat që e mbajnë gjallë lidhjen mes jush duke mos shikuar të metat ngase konsiderata ndaj mirësive mban gjallë shoqërinë dhe lidhjet si dhe arrihet qetësia.

 

Opinioni i mirë

Aspektet pozitive gjithnjë duhet t’iu paraprijnë atyre negative. Njeriu që vetëm ndan mendime të këqija për njerëz, është ai që vuan më shumë. Për shembull: Një njeri kalon pranë një tjetri dhe nuk i jep selam. Ky tjetri mbetet i hutuar dhe i pikëlluar: Përse nuk më përshëndeti? Sigurisht që më urren. Kështu ai fillon të supozojë dhe të jetojë në një gjendje të tillë me ditë të tëra. Sikur t’i ikte këtij mendimi ndoshta do të ndihej i qetë dhe do të mendonte: “Po ai nuk më pa, ndryshe do të më jepte selam”, e gjëra të tjera që zhdukin supozimin dhe pjellën e tij: pikëllimin. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat…” (Huxhurat, 12)

Ky largim nga supozimet është për të mirën tonë, ndryshe, ne jemi ata që qetësohemi nëse mendojmë mirë, duke mos harruar këtu se mendimi i mirë nënkupton mashtrimin apo tradhtinë e personit që supozon për të. Omeri r.a. ka thënë: “Unë nuk jam tradhtar (mashtrues, njeri që nuk ka një qëndrim), por as tradhtari nuk më mashtron dot.”

Myslimani nuk është intrigant dhe as nuk tradhton njerëzit, por as nuk tradhtohet ngase është vigjilent.

 

Trajtimi i arrogancës së të tjerëve

Ndodh që njerëzit të shqetësojnë me fjalët e tyre të liga, por ti duhet ta dish se kjo i dëmton ata e jo ty, përveç nëse e preokupon veten me fjalët e tyre, që më pas do të ndëshkohesh me ngushtim shpirtëror. Po braktise këtë, do jetosh i lumtur ngase Pejgamberi a.s. ka thënë: “A e dini kush është i falimentuar (muflis)?” Sahabet thanë: “I falimentuar te ne është ai i cili nuk ka as para e as mall”. Tha: “I falimentuar i umetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim, me zekat, por njëkohësisht ai ka sharë atë, ka përgojuar këtë, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhur gjakun e këtij, ka rrahur tjetrin, atëherë i jepen këtij e atij (atyre që i ka dëmtuar) prej të mirave të tij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t’u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj edhe ky do të hidhet në zjarr.” (Muslimi)

Pra, ai që më merr nëpër gojë, më shan dhe flet keq për mua, ai në të vërtetë më dhuron veprat e tij të mira. Allahu e shpërbleftë! Më duhet ta falënderoj për këtë!

Nëse dikush të thotë diçka të keqe, largohu prej tij dhe lëre ashtu ngase ai do të pikëllohet. A nuk thotë Allahu: “…Thuaju: “Vdisni me atë mllef tuajin!”…” (Ali Imran, 119)

 

Shpresa

Dera e shpresës është e hapur. Kështu largohet pikëllimi dhe mërzia nga njeriu. Le të përkujtojmë fjalën e Allahut të Madhëruar: “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. / Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.” (Inshirah, 5-6)

Kjo do të thotë se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, siç na mëson Allahu: “…mirëpo pas vështirësisë Allahu sjell çlirim (begati).” (Talak, 7)

Sa herë që gjërat të vështirësohen, dije se zgjidhja është afër.

Dr. Abdullah el Hatir