Kreu Bota Jone TË LEXUARIT – SFIDA JONË

TË LEXUARIT – SFIDA JONË

0

Të lexuarit, si rezultat i të paturit gjuhë të folur dhe të shkruar, është procesi bazik nëpërmejt të cilit njeriu kridhet në botën e librit, pra në botën e dijes. Jo të gjitha qeniet njerëzore veprojnë në jetën e tyre me të njëjtat mënyra, forma e përmasa. Kjo sepse gjithsecila prej tyre mbart veçori specifike. Nisur nga ky ligj natyror, jo të gjithë i qasen të lexuarit me seriozitetin dhe rëndësinë që ka ky proces për njeriun. Shumë syresh e shohin si një proces thjeshtësisht të realizueshëm. Shumë të tjerë e konsiderojnë të mërzitshëm, të padurueshëm dhe madje të panevojshëm, sidomos me përhapjen shumëpërmasore të mjeteve teknologjike. Këto të fundit janë duke mbushur mjaftueshëm kohën e lirë të njeriut, duke e larguar kësisoj paqshëm nga të lexuarit. E pak janë ata të cilët jo vetëm lexojnë, por dinë të lexojnë.

Në ditët e sotme qasja ndaj lëndës së parë të leximit është lehtësuar jashtëzakonisht shumë. Nuk jemi më si dikur, kur vetëm një pjesë e caktuar njerëzish kishin qasje ndaj librit apo shtypit të shkruar. Revolucioni i teknologjisë së informacionit po ofron shanse të jashtëzakonshme për të rënë në kontakt me lëndën e parë të leximit. Edhe pse me të tilla mundësi për të lexuar, njeriu i ditëve të sotme ka pësuar kolaps në raport me leximin. A mund të fajësojmë tërësisht zhvillimin teknologjik për këtë kolaps apo thembra e problemit qëndron tjetërkund?

Dihet që lufta më e madhe e njeriut është lufta me vetveten. Në çdo kohë njeriu ka qenë në luftë me veten, por në ditët e sotme duket se kjo luftë është bërë edhe më e egër. Shumë syresh kanë pranuar të nënshtrohen ndaj peshës së vetvetes, duke i shkuar nga pas në çdo hap. Janë pikërisht këta syresh ata të cilët e kanë të pamundur t’i qasen të lexuarit me durim dhe seriozitet. Duke qenë tashmë robër lufte të vetvetes, nuk kanë kurajën për t’u ngritur ndaj asaj që i ka nënshtruar dhe i tërheq osh, që t’i kthehen vullnetshëm të lexuarit. Sepse të lexosh, do të thotë të sakrifikosh vetveten në altarin e dijes. Ata të cilët nuk kanë guximin dhe durimin të rebelohen ndaj vetvetes, nuk kanë për ta dashuruar kurrë të lexuarin, madje do ta urrejnë sepse duan të vegjetojnë në një bashkëjetesë të ethshme me padijen dhe me gjithë pasojat që vijnë prej saj.

Të mos ngatërrohemi dhe të mendojmë se ata që ecin në rrugën e dijes janë gjithësa frekuentojnë auditorët apo kanë dëshmi “të pakontestueshme” të diturisë së tyre dhe ata të cilët nuk kanë një karton në xhepin e tyre janë të padijshëm, sepse dija dhe të lexuarit si rrugë për të mbërritur tek ajo, nuk janë ekskluzivitet vetëm i atyre që kalojnë nëpër hallkat e zinxhirit arsimor. Zhvillimi teknologjik nuk mund të fajësohet tërësisht për këtë batisje të njeriut në raport me të lexuarin. Më shumë se kaq, është dëshira e njeriut për t’i ikur si djalli temjanit të lexuarit, në mënyrë që të mos shqetësohet nga shqetësimi i të menduarit mbi veten dhe fatin e tij në përkohësi.

Të lexosh nuk do të thotë domosdoshmërisht të lexosh vetëm libra apo çdo gjë tjetër të shkruar. Leximi i librave është padyshim bazik dhe i pazëvendësueshëm. Të lexosh do të thotë që të hedhësh vështrimin në thellësitë e vetes për ta lexuar, do të thotë të hedhësh sytë mbi botën e gjallë dhe jo të gjallë për ta lexuar, do të thotë të ngresh kokën drejt qiellit për ta lexuar atë. E megjithatë, të lexuarit e librit mbetet bazik dhe i pazëvendësueshëm për të mësuar atë që nuk e di.

Por a lexojnë në mënyrën e duhurata syresh që përpiqen të nënshtrojnë veten dhe ta përudhin në rrugën e dijes? Është e natyrshme që gjithsecili të aplikojë një mënyrë të caktuar për të lexuar, ashtu siç ndihet i përqendruar dhe komod gjatë leximit. Por duhet të kujtojmë dhe madje t’i mëshojmë me forcë faktit se njeriu vërtet përdor shqisat për të lexuar, por dëshifruesi i asaj që lexohet është dhe mbetet zemra dhe jo truri. Sa më e pastër zemra, aq më i bereqetshëm do të jetë të lexuarit dhe sa më e terruar zemra, aq më pak i bereqetshëm do të jetë të lexuarit. Prandaj i duhet kushtuar një rëndësi e posaçme pastërtisë së saj, në mënyrë që të mos i largohemi bereqetit.

Sot një nga mënyrat më të përhapura të të lexuarit të teksteve, është të lexuarit në heshtje, me mendje. Por a është kjo mënyra më e bereqetshme për të lexuar?

“Kush lexon një tekst, duhet ta vërë theksin aty ku duhet dhe të shqiptojë fjalitë, të modulojë pauzat dhe intonacionin, duke i dhënë kështu trajtë asaj forme të bashkuar në të cilën realizohet akti i të kuptuarit… Sot, askush nuk është më në gjendje, përballë kërkesës për të lexuar një pjesë me zë të lartë, ta bëjë atë siç duhet: askush nuk di më të lexojë vërtet, duke ia vënë veshin theksit, mimikës, ritmit, pra “muzikalitetit.” (Gadamer, H.G. (2008) Historia e filozofisë. Tiranë: Plejad, f. 339)

Pra të lexuarit nuk duhet të jetë një akt i thjeshtë i stërvitjes së mendjes, por shumë më tepër se kaq. “Nëse kjo është hermeneutika, atëherë do të jetë e qartë për të gjithë se ajo na angazhon në mënyrë krejt të ndryshme në krahasim me një veprimtari të thjeshtë të mendjes sonë: ajo na përfshin në të vërtetë në trup dhe në shpirt, në vetë zërin tonë. Ç’është, pastaj, zëri? Nuk e kam fjalën për fonacionin, që zotëron secili prej nesh – jo ky zë – por ai “zë” që kanë vetë gjërat – ose duhet të kenë – në mënyrë që të arrijnë të na flasin.” (Gadamer: 339)

 

Nuredin Nazarko

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Exit mobile version