TEFSIRI I SURES NAS

بِسمِ اللَّهِ الرَّحمٰنِ الرَّحيمِ

قُل أَعوذُ بِرَبِّ النّاسِ (1) مَلِكِ النّاسِ (2) إِلٰهِ النّاسِ (3) مِن شَرِّ الوَسواسِ الخَنّاسِ (4)

الَّذى يُوَسوِسُ فى صُدورِ النّاسِ (5) مِنَ الجِنَّةِ وَالنّاسِ (6)

Shqipërimi:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve,
  2. Sundimtari i njerëzve,
  3. i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve,
  4. nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt)
  5. e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve,
  6. (qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve!”

Kjo sure është emërtuar “Nas”, sepse fjala “Nas (njerëzit) përmendet 5 herë në këtë sure. Kjo sure përbëhet nga 6 ajete. Duke qenë si vazhdimësi e sures paraardhëse “Felek”, kjo sure, na urdhëron t’i mbështetemi Allahut prej cytjeve të njerëzve dhe xhindeve. Gjithashtu, kjo sure dhe ajo “Felek”, quhen ndryshe edhe “Muauidhetejn”.

 

TEFSIRI

قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ النَّاسِ

  • Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve

Ashtu si në suren “Felek”, edhe në këtë sure, duke thënë “eudhu” (mbështetem), janë përmendur tre atribute të Allahut dhe është urdhëruar që t’i mbështetemi Atij. Atributi i parë, “Rabu’n-Nas”, Ai, Zoti, Krijuesi, Edukuesi dhe Mbikëqyrësi i njerëzve. I dyti, “Meliku’n-Nas”, Sunduesi, Zotëruesi dhe Poseduesi i gjithë njerëzve, Allahu. I treti, “I’lahu’n-Nas”, i Adhuruari i Drejtë dhe i Vërtetë.

Fjala “Ilah (zot), në Kuran është përdorur në dy kontekste. Në kontekstin e parë, ka kuptimin e dikujt ose diçkaje që adhurohet, edhe pse nuk është i adhuruar i vërtetë. Ndërsa në kontekstin e dytë, ka kuptim e Atij që duhet adhuruar në të vërtetë. Ai, edhe nëse adhurohet edhe nëse nuk adhurohet, është Zoti i vërtetë. Atje ku është përdorur fjala “ilah” për Allahun, ka kuptimin e kontekstit e dytë.

Në të njëjtën kohë, përmendja e këtyre tre atributeve hyjnore dëshmon për një nderim dhe vlerësim të veçantë ndaj njeriut, si një krijesë e dashur e Allahut. Veçimi si “Zot, Sundues dhe i Adhuruar i njerëzve”, edhe se Allahu është Zoti i botëve dhe i gjithçkaje që ekziston, shpreh lidhjen e ngushtë, e cila duhet të ekzistojë mes njeriut dhe Zotit të Madhërishëm, si dhe fisnikërimin e nderimin që i është bërë njeriut nga ana e Krijuesit. Nderimi dhe fisnikërimi që i ka bërë Allahu njeriut, shprehet në këtë mënyrë: Çdo gjë që ekziston në univers ia ka nënshtruar njeriut, i ka mbështetur njerëzit, duke u dhënë intelekt e dije, ka bërë që engjëjt të përulen (bien në sexhde) përpara njeriut në shenjë respekti ndaj urdhrit të Allahut. Gjithashtu, e ka bërë njeriun superior mbi të gjitha krijesat e tjera.

 

مَلِكِ النَّاسِ

  • Sundimtari i njerëzve

Pra, i mbështetem Sunduesit, i Cili i mban të gjithë njerëzit nën kontrollin e Tij, Sunduesi që i drejton njerëzit me urdhra e ndalesa, në përputhje me dijen dhe urtësinë e Tij; jo një mbreti apo udhëheqësi, që ne e njohim dhe e shohim në këtë botë, por sipas ajetit: “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë[1]. Pra, Sunduesi që ia jep pushtetin kujt të dojë, kë të dojë e zbret nga froni kur është mbret, kë të dojë e lartëson në nivelin e mbretërve, Mbret i mbretërve, Zoti i gjithësisë.

Sipas një pjese të dijetarëve të tefsirit, urdhri në ajetin: بِرَبِّ النَّاسِ مَلِكِ النَّاسِ إِلَهِ النًّاسِMbështetem (mbrohem) në Zotin e njerëzve, Sunduesin e njerëzve, të Adhuruarin e njerëzve”, është për këtë arsye: Midis njerëzve ndodhen edhe mbretër (liderë, presidentë, kryeministra). Për këtë arsye, Allahu përmend se është edhe Zoti i tyre. Gjithashtu, midis njerëzve ka nga ata fatkeqë që adhurojnë të tjerë përveç Allahut. Tregon gjithashtu se është edhe Zoti i tyre dhe i Adhuruari i vërtetë, për rrjedhojë, duhet t’i mbështetemi vetëm Atij, jo mbretërve apo udhëheqësve.

 

إِلَهِ النَّاسِ

3- Të adhuruarin e njerëzve

I mbështetem të adhuruarit të njerëzve, pra, Zotit të vërtetë, të Cilin e kanë përgjegjësi dhe për detyrë ta adhurojnë të gjithë njerëzit që kanë zhvillim mendor normal dhe që kanë arritur moshën e pubertetit, që të arrijnë shpëtimin në jetën tjetër. Pra, i mbështetem Atij, Samedit (i Cili nuk ia ka nevojën asgjëje dhe çdo gjë ka nevojë për Të), i Cili e ka të gjithë tagrin për të sjellë në ekzistencë dhe urdhëruar, për të krijuar dhe shkatërruar, për të sjellë në jetë dhe për të marrë jetë, për të dënuar dhe shpërblyer, madhështia e të Cilit kërkon të jetë Ehad (një, i vetëm e i pashoq).

Tani vëmë re se, në suren paraardhëse “musteadhun bih” (Atij të Cilit i mbështetemi), është përmendur vetëm me një atribut رَبُّ الْفَلَقِ (Zotit të agimit). Ndërkohë që, gjërat prej të cilave druhemi dhe kërkojmë strehim prej së keqes së tyre janë tre: gasik (natë, terr), nefathat (atyre që fryjnë fjalë të magjisë), hasid (smirëzi). Ndërsa, në këtë sure “musteadhun bih” (Atij të Cilit i mbështetemi), është përmendur me tre atribute: “Rabbi’n-nas, Meliki’n-nas, I’lahi’n-nas”, ndërkohë që, “muste’adhun minh” asaj prej së cilës druhemi dhe kërkojmë strehim prej frikës së saj, është vetëm një gjë. Me këtë kuptojmë se, kjo e keqe, kjo fatkeqësi është më e madhe se të tjerat, dhe më e rrezikshmja. Për rrjedhojë, duhet që njeriu të kërkojë mbrojte dhe mbështetje në çdo aspekt të jetës së tij, veçanërisht në periudhën e fundit të saj. Kështu që, edhe lëvdatat për të kërkuar mbrojtje dhe strehim duhet të jenë ekuivalente me madhështinë e atij prej të cilit kërkohet mbrojtja.

Zot, Sundues dhe i Adhuruar janë tre atribute të Allahut të Lartë. Ai është Zoti dhe Sunduesi i gjithçkaje. Çdo gjë është rob dhe krijesë e Tij. Për rrjedhojë, ai që kërkon mbështetje, është urdhëruar që t’i mbështetet dikujt që i posedon këto cilësi.

 

مِنْ شَرِّ الْوَسْوَاسِ الْخَنَّاسِ

4- Nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt)

Pra, mbështetem prej së keqes së atij; që cyt dhe tërhiqet, që pëshpërit dhe mashtron, ai tradhtar i cili, duke pëshpëritur, e ka bërë zakon të largojë nga rruga e drejtë kah së keqes, prej tinëzarit dhe prej burimit regresiv të cytjeve.

اَلْوَسْوَاسِ fjala “uesuese” nënkupton pëshpëritjen, të flasësh me zë shumë të ulët. Ndërsa fjala “muesuis”, është përdorur në mënyre hiperbolike si mbiemër ose emër, që tregon se marrja gjithë kohës me pëshpëritje dhe dyshime, e ka shndërruar atë në një burim vesveseje. “El’uesuas” me “lam” (pra, në formë të përcaktuar), është emër i shejtanit, sepse gjatë gjithë kohës, gjithë fuqinë dhe aftësitë e veta i përdor për pëshpëritje dhe mbjellje dyshimesh.

Këtu është përdorur fjala “Uesuasi­l-Hannas”. Kuptimi i fjalës “uesuas” është “ai që vazhdimisht mbjell vesvese”. Ndërsa kuptimi i fjalës vesvese është të fusësh në zemrën e njeriut mendime të liga dhe dyshime njëra pas tjetrës pa e ndjerë vetë njeriu. Ashtu si në fjalën “zelzele”, edhe fjala ”uesuese” tregon vazhdimësi dhe diçka që bëhet pa u ndalur, sepse të cytësh njeriun vetëm një herë nuk është e mjaftueshme. Këtij veprimi i thuhet “uesuese”, ndërsa atij që e vepron “uesuas”.

Fjala “Hannas” e ka prejardhjen nga “Hunus” në rasën dhanore ose në rasën kallëzore me të njëjtën diatezë (uezn) si përcaktor i “uesues”. Kjo tregon se veprimi, për të cilin bëhet fjalë, përsëritet shumë shpesh. Gjithashtu, është më se e qartë se ai që sjell uesuese shkon te personi herë pas here. Për rrjedhojë, hannas merr këtë kuptim: Ai që sjell uesuese dhe fshihet, dhe që përpiqet vazhdimisht të sjellë uesuese. Nëse nuk ia arrin qëllimit herën e parë, vjen herën e dytë, të tretë e të katërt, derisa t’ia arrijë qëllimit. Ashtu siç ka aluduar edhe shumica e dijetarëve “uesuasi’l-hannas” ka për kuptim shejtanin.

Ç’është uesueseja? Uesuese i thuhet pëshpëritjes me zë të ulët, e folur e fshehtë. Mbresë e keqe, mbresat e këqija që le në zemër nefsi (egoja, vetvetja) ose shejtani. Ajeti: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë se ç’i pëshpërit atij shpirti i vet[2]” është rreth pëshpëritjes së nefsit (egos, vetvetes). فَوَسْوَسَ إِلَيْهِ الشَّيْطَانُPor djalli e cyti: ‘O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?’.” Ndërsa ky ajet flet rreth uesueses së shejtanit.

Këtu arrihet në përfundimin se, uesuese’ja është filli i punëve te këqija. Uesuese’ja në një njeri mendjelehtë dhe të hutuar si fillim formon një fushë ndikimi që më pas sjell në zemër një dëshirë për të keqen. Kjo dëshirë apo nijet (qëllim) për keq, më vonë merr formën e vullnetit, dhe nga ndikimi i uesueses, vullneti përforcohet. Kuptimi i mbështetjes tek Allahu nga e keqja e uesueses, është eliminimi i së keqes që në origjinë.

Nëse e shohim çështjen nga një aspekt tjetër, mund t’i radhisim përpjekjet e atyre që sjellin uesuese në këtë mënyrë: Si fillim i nxisin njerëzit drejt kufrit (mohimit të Allahut), shirkut (politeizmit), ateizmit, drejt kundërshtimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij (paqja qoftë mbi të) dhe i shtyjnë myslimanët drejt armiqësisë midis tyre. Nëse nuk arrijnë të kenë sukses në këtë përpjekje, dhe nëse personi nuk ka rënë në grackën e tyre dhe është bërë mysliman, e cytin atë të bëjë bidate (risi, gjëra të paqena në fe) duke i thënë se në këtë nuk ka ndonjë problem. Duke i shtuar gjynahet (mëkatet) e vogla, duan që ato, duke i bërë vazhdimisht, t’i kthejnë në gjynahe të mëdha. Personi pavarësisht gjithë kurtheve, nëse nuk bie në grackë, duke i vënë në lëvizje të gjithë shejtanët njerëz dhe xhind, e shtyjnë të gjithë shoqërinë kundër atij personi. Në këtë pikë shejtani vjen dhe e nxit besimtarin duke i thënë: “Durimi yt përballë gjithë këtyre, tregon që t’i je një frikacak. Në fakt ti duhet t’u kundërvihesh atyre”. Kjo, është arma e fundit e shejtanit. Në këtë mënyrë, shejtani përpiqet t’i devijojë njerëzit që ftojnë në rrugë të drejtë dhe t’i shtyjë ata në një ambient shterp. Ftuesi nëse shpëton edhe nga ky kurth, shejtani mbetet i pafuqishëm dhe pa zgjidhje.

Për mos të rënë në dyshim se çfarë është “uesuasul-hannas”, ka urdhëruar kështu:

 

الَّذى يُوَسوِسُ فى صُدورِ النّاسِ

  • E që hedh dyshime në gjokset e njerëzve

Pra, në brendësi të njerëzve; qoftë kjo në brendësi të personit, qoftë në brendësi të shoqërisë, midis tyre apo në gjokset e atyre që e kanë harruar Allahun, në brendësi të zemrës deri te ndjenjat, duke futur uesuese nga më të ndryshmet në zemrat e tyre, pa u futur mirë fillon të pëshpërisë helm, duke e ledhatuar ngadalë, dhe zgjon në të ndjenja e dëshira të këqija. Në këtë mënyrë ia turbullon mendimet, duke bërë që të mendojë ligësi nga më të ndryshmet. Duke e penguar nga rruga e Allahut dhe nga arritja drejt qëllimit final, më në fund bën që të dalë prej fesë dhe të shkojë drejt humbjes së përjetshme. Pra, uesuasil-hannas, cytja si nëna e çdo të keqeje, është çdo gjë që pëshpërit dhe cyt të keqen në zemrat e njerëzve të hutuar.

 

مِنَ الجِنَّةِ وَالنّاسِ

6- (Qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve!”

Pra, uesuasul-hanas i përfshin të dy grupet, qofshin ata që sjellin uesuese nga grupet e fshehta të xhindeve apo nga njerëzit. Pra, shejtanët cytës që sjellin uesuese janë dy lloje: Njëri, nga bashkësia e fshehtë e botës metafizike, nga pasardhësit e xhindeve, ndërsa tjetri, nga njerëzit që ne i shohim dhe kemi kontakt. Ashtu siç na e tregon ajeti: “Dhe kështu (sikurse edhe ty) çdo profeti i bëmë armiq disa nga njerëzit dhe nga xhinët e djallëzuar, që me fjalë të shkëlqyeshme në mënyrë të fshehtë nxisin njëri-tjetrin në mashtrime. E sikur të donte Zoti yt, ata nuk do bënin ato (armiqësi), po ti lëri ata me ato trillime[3], duhet që t’i mbështetemi Allahut dhe të kërkojmë mbrojte prej Tij, nga e keqja (dëmi) e pëshpëritjes dhe cytjes së djajve, qofshin ata prej xhinëve apo prej njerëzve.

Çdo njeri e ka një shejtan, i cili përpiqet t’ia zbukurojë atij gjërat e këqija dhe që vazhdimisht e shtyn drejt së keqes. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimi qoftë mbi të) ka thënë se: “Nuk ka asnjë prej jush që të mos e ketë një shok xhind dhe një engjëll, të ngarkuar në detyrë për të”. Sahabet e pyetën: “Edhe Ti o i Dërguari i Allahut, e ke një të tillë (shok xhind dhe engjëll)? “Po e kam”, tha Ai, “por, vetëm se Allahu ma ka nënshtruar Mua atë”.[4]

Ajeti i fundit i sures, na mëson që të kërkojmë mbrojtje prej së keqes së të gjithë njerëzve dhe xhinëve. Pa dyshim që shejtanët njerëz, janë më të rrezikshëm dhe më vrasës se shejtanët xhind, sepse shejtanët xhind, kur i mbështetemi Allahut fshihen. Ndërsa shejtanët njerëz, ia tregojnë personit gjërat e dëmshme si të mira dhe cysin kah së ligës. Asgjë nuk mund ta bëjë që ai të heq dorë nga synimi i tij. Të mbrojtur, janë vetëm ata që Allahu i ka marrë nën mbrojtjen e Tij.

Ilaçet e mbrojtjes nga uesueset (cytjet) e shejtanit, janë tre: E para, përmendja e shumtë dhe shpeshtë e Allahut (dhikri); e dyta, mbështetja tek Allahu, dhe gjëja më e dobishme në këtë rast është këndimi i kësaj sureje (Sures Nas); dhe e treta, qëndrimi me vendosmëri maksimale kundrejt shejtanit, dhe veprimi i kundërt i asaj që na cyt ai.

Pra, është urdhëruar së fundmi mbështetja te Zoti i vetëm i njerëzve, Allahu i Lartë, Zoti i njerëzve dhe Sunduesi i tyre, prej dëmit të gjithçkaje dhe veçanërisht prej së keqes së uesueses (cytjes). Në këtë kontekst, i është premtuar atyre që i mbështeten Allahut, arritja e përfundimit të mirë me anë të mbështetjes, dhe si falënderim, sa e këndshme është të fillosh me suren Fatiha:الْحَمْدُ للهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve![5]

Kjo sure e madhështore, posedon 22 shkronja pa përsëritje (duke përfshirë edhe shkronjat zgjatëse). Po kështu janë edhe shkronjat e sures Fatiha. Një përkim ky, që tregon lidhjen e fillimit të Kuranit me fundin e tij, si nga ana kuptimore ashtu edhe nga aspekte të tjera.

Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe lidhja që formohet ndërmjet fillimit të Kuranit dhe fundit të tij me anë të muauidhetejn (Surja Falek dhe Nas). Kurani nuk është radhitur sipas mënyrës së zbritjes. Por, ajetet (versetet) e Kuranit, duke zbritur për 23 vjet në përputhje me kohën, vendin dhe nevojat e ndryshme, nuk janë radhitur nga Profeti Muhamed (sal’la llahu alejhi ue sel’lem), por janë radhitur me urdhër të Allahut. Në përputhje me këtë radhitje, Kurani fillon me suren Fatiha dhe mbyllet me Muauidhetejn. Nëse hulumtohet me vëmendje kjo sure në hyrje robi, pasi e lavdëron Allahun që është Rrahman (Mëshirues) dhe Rrahim (Mëshirëplotë), Sundues i Ditës së Gjykimit, lutet kështu: “O Allah! Vetëm Ty të adhuroj dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkoj. Ndihma më e madhe, për të cilën kam nevojë të pafundme, është të më udhëzosh në rrugë të drejtë… Allahu, për t’i treguar rrugën e drejtë e vendos përpara të gjithë Kuranin. Më pas Allahu, i Cili është Zoti i agimit, Zoti i njerëzve, Sunduesi i njerëzve dhe i Adhuruari i njerëzve na urdhëron që të themi: Të mbështetmi Ty nga çdo e keqe e çdo dëm. Veçanërisht prej uesueseve (cytjeve) të shejtanëve xhinë dhe njerëz, sepse ata janë pengesa më e madhe e rrugës së drejtë…

Së fundmi: në sure ka një përputhje tingullore, që është e pamundur ta përshkruash. Kjo bukuri mund të vihet re vetëm duke e kuptuar leximin në arabisht. Në sure, i mbështet Allahut prej xhinëve dhe njerëzve, që i futen njeriut fshehurazi dhe cytin për mendime të liga. Tema që trajton kjo sure është futja e mendimit të lig me anë të pëshpëritjeve. Tani le ta këndojmë suren arabisht:

Kul eudhu bi-rabbin-nas,
melikin-nas,
ilahin-nas,
min sherril-uesuasil-hannas,
el-ledhi juuesuisu fi sudurin-nas,
minel-xhinneti uen-nas

Në vesh ju vjen një zë pëshpëritjeje, apo jo? Tingulli (s) në fund të fjalëve, formon një pëshpëritje në vesh. Pra, kështu është Kurani. Atë që do të përcjellë te ne, nuk e shfaq vetëm me kuptimin e fjalëve, por edhe me anë të tonit të zërit të fjalëve. SubhanAllah!

Këshilli Botues, KMSH

[1]. Surja Al ‘Imran, 3:26

[2]. Surja Kaf, 50:16

[3]. Surja En’am 6:112

[4]. Darimi, Rikak 25; Musned, I, 385.

[5]. Surja Fatiha 1:2