Feja është këshillë

Ebu Rukajja Temim bin Eus ed-Darij r.a. tregon se Profeti a.s. ka thënë: “Feja është këshillë.” E pyetën: “Për kë, o i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për udhëheqësit e myslimanëve dhe për njerëzit e thjeshtë”. (Transmetoi Muslimi)

Koment

Hadithi i mësipërm është shumë i rëndësishëm për shkak të ideve dhe porosive të shumta që ai transmeton dhe mbi të cilat bazohet Islami.

Me “fe” nënkuptohet Islami, Imani dhe Ihsani. Disa dijetarë kanë thënë se feja përfshin ligjet dhe rregullat që Allahu i Madhëruar vendosi për njerëzit.

Thënia e Profetit a.s. “është këshillë”: Në gjuhën arabe, “këshillës” i thonë “nesijha”, kuptimi fillestar i së cilës është “rregullimi ose qepja e rrobës”. Pra, këshilla është një përpjekje për të rregulluar dhe kjo në të vërtetë është vetë feja, e cila synon të rregullojë njeriun me anë të besimit, bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Kur u pyet Profeti a.s. se për kë është këshilla, ai tha: “Për Allahun.” Kjo shprehje nënkupton atë që kur këshillojmë dikë, këtë e bëjmë për të pasur besim tek Allahu, për t’iu bindur Atij dhe nuk është se këshillojmë Allahun, sepse Ai është i Lartësuar dhe nuk ka nevojë për askënd dhe për asgjë.

Thënia e Profetit a.s. “për Librin e Tij”, domethënë të lartësojmë Librin e Allahut, ta besojmë dhe të punojmë me të.

Fraza “për të Dërguarin e Tij”, domethënë ta besojmë të Dërguarin e Allahut dhe të ndihmojmë në përhapjen e fesë.

Shprehja “për udhëheqësit e myslimanëve”, nënkupton bindjen ndaj prijësve që drejtojnë punët e shtetit dhe këshillimin e tyre. Disa kanë thënë se me “imamë” këtu nënkuptohen dijetarët. Këshilla në këtë rast është të pranojmë mësimet e tyre dhe të kemi mendim të mirë për ta.

Ndërsa fraza “për njerëzit e thjeshtë”, do të thotë se duhet të dëshirojmë për njerëzit çka dëshirojmë për veten tonë, e kështu t’i këshillojmë gjithmonë me qëllim të mirë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here