URREJTJA ZBUTET ME BUTËSI

 

Secili prej nesh mund t’i përgjigjet të mirës me të mirë, por t’i përgjigjesh të keqes me të mirë i përket vetëm të urtëve. Veçoria themelore e kësaj sjelljeje është urtësia dhe butësia.

Marrëveshja e Hudejbijes përfshinte aq kushte të papranueshme për myslimanët saqë Hz. Omeri r.a. iu drejtua Profetit a.s. me këto fjalë: ‘A nuk je i dërguari i Zotit?’ . Profeti a.s. me qetësinë dhe maturinë e tij i përgjigjet kështu: -Po, unë jam i dërguari i Zotit . – A jemi në rrugë të drejtë ? – Po. Pse po e pranojmë gjithë këtë shtypje ? – Unë jam i dërguari i Zotit dhe nuk mund të kundërshtoj Zotin e madhëruar. – A nuk na the se do të vizitonim Qaben? – Po, ju thashë, por jo këtë vit.

Më vonë Hz. Omeri e kujton me shumë dhimbje dhe zhgënjim këtë ngjarje. Ai përpiqej të jepte sa më shumë lëmoshë, të agjëronte dhe të pendohej realisht për sjelljen e tij të pavend.

Diskutimi mes Profetit a.s. dhe Omerit r.a. na jep një mësim shumë të mirë rreth mënyrës së sjelljes të shpirtrave sakrifikues të cilët mendojnë rreth qetësisë e paqes së njerëzimit.

Urtësia, maturia është një veçori e cila duhet të shndërrohet në një cilësi të myslimanit. Myslimani nuk duhet të heqë dorë nga sjellja e maturuar edhe nëse i bëjnë padrejtësi, e gjuajnë me shqelma apo ia mohojnë të drejtat e tij. Krahët e urtësisë të hapur drejt armikut e zbusin atë dhe bëjnë të padëmshëm për ne.

Në krye të sjelljeve të cilat ndikojnë më shumë tek të tjerët janë fjalët e ëmbla dhe të buta sepse fjalët e matura dhe një fytyrë e qeshur janë më të pranueshme për zemrën dhe shpirtin e njeriut. Kjo është dhe arsyeja pse njerëzit gojëmbël duhen më shumë në shoqëri.

 

Sjellja e butë të bën të mendosh

Të gjithë e dimë rëndësinë e fjalëve të urta dhe sjelljes së butë si një nga principet themelore të personit i cili fton të tjerët në fenë islame. Në Kur’anin famëlartë Zoti i madhëruar u drejtohet me këto fjalë Musait dhe vëllait të tij Harunit a.s.: “Shkoni të dy tek Faraoni sepse ai e ka tepruar (e ka kaluar kufirin). Drejtohuni atij me fjalë të buta e të ëmbla, ndoshta ndryshon qëndrim ose të paktën turpërohet sadopak.”

Urdhërimi për përdorimin e fjalëve të buta e të ëmbla nga ana e Zotit të madhëruar na tregon edhe njëherë qëndrimin që duhet të mbajë myslimani përballë armikut të tij. Në të gjitha rastet Allahu xh.sh. urdhëron paqen dhe pajtimin mes palëve.

Shprehja e përdorur në ajet ‘kaulen lejjinen’ na tregon se si duhet të flisnin dhe silleshin Musai a.s. bashkë me vëllanë ndaj faraonit. Shumica e komentuesve të Kur’anit, përshirë këtu dhe Ibn Abbasin, e komentojnë shprehjen e mësipërme në qëndrimin larg sjelljes së vrazhdë dhe në përdorimin e butësisë, mirësisë dhe urtësisë.

Këtu nuk duhet harruar edhe një pikë shumë e rëndësishme. Allahu xh.sh. e urdhëroi Musain a.s. të sillej me butësi e fjalë të buta edhe ndaj njeriut më mendjemadh dhe më të pamëshirshëm në faqen e dheut. Kur’ani na fton të mendojmë, të kemi frikë Zotin dhe të sillemi me urtësi e maturi. Pse? Sepse një qëndrim i tillë mund të zbusë personin përballë, ta ftojë të mendohet pak dhe të kontrollojë veprimet e mëparshme që mund të ketë bërë. Komentuesi i madh Fahruddin er-Razi pohon se mbajtja e një qëndrimi të butë në ftesën e të tjerëve në fe ndikon pozitivisht në zbutjen e zemrave. Në të kundërt, një sjellje e vrazhdë do sjellë si rezultat urrejtjen dhe mospranimin.

Përdorimi i fjalëve të buta e të ëmbla nuk ka qenë vetëm qëndrimi i Musait a.s. Megjithëse Hz. Ademi a.s. shquhej për besnikërinë, Hz. Nuhu a.s. për vendosmërinë, Hz. Ibrahimi a.s. për dorëzimin dhe dashurinë, Hz. Isai a.s. për komunikimin e mirë me të tjerët të gjithë profetët kanë zotëruar cilësinë e urtësisë si një cilësi e përgjithshme në thirrjen e të tjerëve në rrugën e drejtë. Qëllimi i vërtetë i të gjithë profetëve ka qenë zhdukja e mendjemadhësisë, qëndrimi larg fjalëve të rënda dhe të panevojshme, mosfyerja e personit përballë por të qenurit shkak për udhëzimin e tij në rrugë të drejtë. Urtësia është një porosi e profetëve e cila mund të përdoret në një fushë të gjerë duke filluar që nga armiqtë tonë më të betuar e deri te qëndrimet e padurueshme të të afërmve tanë.

 

Urtësia është shkak i hapjes së dyerve të tjera

Profeti ynë a.s. ka qenë i pajisur me një moral të lartë. Morali i tij fisnik përshkruhet edhe më mirë në suren Ali Imran ku thuhet: ‘Në sajë të mëshirës së Allahut u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë ata do të largoheshin prej teje’ (Ali Imran, 159). Këtu kërkohet nga Profeti a.s. të vazhdojë principin e faljes. Sepse në të kundërtën do të zgjojë urrejtjen e palës përballë. Në këtë rast njerëzit nuk duan të dëgjojnë dhe të flasin me një person të tillë. Krahas kësaj gjërat e dhuruara nga Zoti i madhëruar në rastin e butësisë e urtësisë nuk dhurohen në rast të vrazhdësisë dhe fjalëve ofenduese. Allahu i madhëruar pohon se kur e do robin e Tij i fal atij butësi. ‘Butësia është begati’.

Sigurisht që urtësia luan një rol shumë të rëndësishëm në peshoren shpirtërore të njeriut. Sepse Profeti a.s. thotë se njeriu mund ta arrijë gradën e besimtarit nëse ditën e kalon me agjërim dhe natën me adhurime me anë të moralit të mire dhe urtësisë. Përsëri në një transmetim tjetër Profeti a.s. i drejtohet Aishes r.a. me këto fjalë: ‘O Aishe! Sillu butësisht me të tjerët. Nëse butësia gjendet te një person ajo e zbukuron atë dhe nëse largohet prej atij ai person e humb bukurinë e mëparshme.” Këshillat e dhëna nga Profeti a.s. rreth urtësisë dhe butësisë tregojnë se sjellje të tilla duhet të jenë pjesë e moralit të besimtarit. Krahas kësaj fjalët e buta nuk janë të mjaftueshme për një ftesë efektive në fe, por butësia duhet të ketë depërtuar në thellësinë e njeriut. Dhe në fund duhet të tërheqim vëmendjen për diçka. Nuk duhet harruar se butësia mund të jetë shkas për fitimin e të tjerëve në fenë Islame, por nuk duhet përdorur për të ndryshuar apo zbutur shtyllat e fesë.

Aisa Kokiçi