Shedad bin Eusi transmeton se profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Më e frikshmja e gjërave për të cilat trembem për umetin tim është hipokrizia”[1]. Sërish Shedad bin Eusi rrëfen: Një ditë e pashë Profetin duke qarë. Kur e pyeta për arsyen, më dha këtë përgjigje: “Kam frikë për umetin tim për një vepër: shirkun (T’i bësh ortak Zotit). Por umeti im nuk do t’u falet idhujve, diellit, hënës, gurit etj…Mirëpo do të fusin hipokrizi në veprat e tyre. E pra kjo është më e frikshmja e gjërave që u trembem”[2].
Hipokrizia mbart kuptimet e dyfytyrësisë, të mungesës së sinqeritetit, të shfaqjes së jashtme të rreme dhe dëshirës për t’u dukur. Pra, dukuria në të folur, në veprime e në sjellje me qëllimin që ta vënë re të tjerët, domethënë për hir të të tjera qenieve përveç Allahut duke synuar të fitohen lëvdatat dhe dashuritë e njerëzve. Në rastin e hipokrizisë kemi të bëjmë me një gënjeshtër të dyfishtë. Hipokriti, duke thënë se po e kryen për hir të Allahut një punë që, në të vërtetë po e kryen për hir të njerëzve, thotë një gënjeshtër. Po ashtu, duke pohuar se e pret shpërblimin nga Allahu ndërkohë që në të vërtetë e pret nga njerëzit, shpreh edhe një gënjeshtër të dytë. Kjo është një rënie dhe degradim i plotë i personalitetit. Pyetjes ç’është shpëtimi? Profeti ynë (a.s.) i është përgjigjur në këtë mënyrë: “Shpëtimi mbërrihet kur njeriu me adhurimin e tij ndaj Allahut, nuk synon admirimin e njerëzve”[3]. Kjo lloj hipokrizie është e rëndë. Kemi të bëjmë me një hipokrizi të lehtë kur në nënshtrimin e adhurimin ndaj Allahut synojmë edhe sevapin e Zotit edhe admirimin e njerëzve, duke i bashkuar të dyja këto në zemër. Nga Ebu Hurejre transmetohet se Profeti ynë ka thënë: “Allahu thotë: Unë nuk kam kurrfarë ortaku. Nëse dikush, në veprën e kryer për mua, përzien edhe të tjerë, unë jam larg asaj vepre. Ajo vepër është për atë që është përzier në atë mes”[4]. Këtu është shprehur një lloj hipokrizie në të cilën vepruesi dëshiron edhe Allahun, edhe njerëzit. Pra, hipokrizi e rëndë është synimi i admirimit të njerëzve në adhurimin ndaj Allahut, ndërsa hipokrizi e vogël është synimi i admirimit të Allahut dhe të njerëzve njëkohësisht. Sidoqoftë, hipokrizia është një veprim shumë i rrezikshëm dhe shumë i frikshëm, madje është veprimi më i dënuar nga Zoti. Jo më kot Allahu na paralajmëron në Kur’an kur thotë: “S’ka dyshim, hipokritët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të Zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës!”[5]. Argumente të ngjashme në këtë drejtim janë të shumtë.
Hipokrizia në marrëdhëniet me njerëzit mund të kuptohet nga disa shenja. Për shembull, mund të vërehet dikush që me gjuhën, me sjelljen, me të folurin dhe edukatën e tij duket si një njeri shumë i thjeshtë, por sapo ndodhet mes njerëzve që janë nën nivelin e tij, shihet se ndryshon sjellje e qëndrim. Kjo do të thotë se ai nuk është vërtetë i thjeshtë. Ai vetëm sa përulet kundrejt njerëzve që janë në nivele më të larta se ai. Ndërsa shenjë e sinqeritetit, e pastërtisë shpirtërore, është kur njeriu është i njëjtë dhe mban të njëjtën qëndrim si në vetmi ashtu edhe mes njerëzve, si natën ashtu edhe ditën. Ai tregohet kryelartë kundrejt dhunuesit dhe kryeulur kundrejt besimtarëve.
Në ditët tona hipokrizia është shumë e përhapur. Mbase që nga koha kur është krijuar bota mund të mos ketë ekzistuar ndonjëherë kaq dëshirë për t’u dukur sa ç’ekziston në kohën tonë, sepse në ditët tona faktorët që çojnë në hipokrizi janë të shumtë: çmimet, pllakatat, duartrokitjet, lëvdatat, komplimentet, shpikjet, krenaritë kombëtare, krenaritë e lidhura me përkatësitë e ndryshme… aq të ndryshme janë, saqë duket sikur askush nuk e llogarit Allahun në të gjitha këto. Njeriut i mundësohet çdo sukses – që në të vërtetë nuk i përkasin fare atij – dhe ai tregohet mosmirënjohës e egoist, duke i kthyer të gjitha këto në mjete për të harruar Allahun. Zoti zbret mirësi pa masë, ndërsa njerëzit në vend që t’i përdorin këto mirësi për të arritur te Ai, vendosin perde mes vetvetes dhe Allahut. Ndërkohë që një njeri i zgjuar, për çdo mirësi të vogël dhe suksesi në jetë, duhet të drejtohet me përgjërim duke thënë: “Allahu im, kjo është prej Teje dhe falënderimi të takon vetëm Ty”.
Dorian Demetja
[1] Tirmidhi, Ibn Maxhe, Musned
[2] Musned
[3] Buhari, Ebu Daud, Nesai
[4] Muslim, Ibn Maxhe, Tirmidhi
[5] Nisa, 145