VITI I KATËRT I HIXHRIT
Disa ekspedita pas Betejës së Uhudit
Fitorja e myslimanëve në Bedër i tronditi rëndë fiset e ndryshme të Arabisë dhe ata ndenjën urtë për një vit, megjithë armiqësinë dhe urejtjen e fshehtë që ushqenin ndaj Islamit dhe ndjekësve të tij, për shkak të mësimeve kundër idhujtarisë që predikonte ky besim i ri. Kurejshët, në sajë të ofiqit të tyre si kujdestarë të Kabës, kishin ndikimin e tyre te fiset arabe për qëndrimin kundër myslimanëve, të cilët përbënin një rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e Medines dhe rastet që dëshmohej kjo gjë, ishin të shumta. Nisur nga këto motive vetëmbrojtëse, Profetit të Islamit a.s. i duhej të dërgonte grupe të vogla të armatosura herë pas here.
Patrulla (‘Sarah’) e Abu Salmah (Muharrem, viti 4 H. – Qershor, 625)
Në muajin Muharrem të vitit 4 H., fiset Kajtan, Tulaihah dhe Khuwailid, u nisën për marshim kundër Medines. Kur dëgjoi Profeti Muhamed a.s. për këtë gjë, dërgoi një grup të armatosur prej njëqind e pesëdhjetë forcash myslimane, nën komandën e Abu Salmah (Rad. A.). Me të dëgjuar për afrimin e myslimanëve, bandat ndryshuan mendje menjëherë dhe u kthyen në vendet e tyre, pa bërë luftë. 1]
Patrulla (‘Sarjah’ e Ibn Unais (5 Muharrem i vitit 4 H. – 17 qershor, 626) 2]
Një tjetër kryetar fisi, Sufjan bin Khalid i fisit Lihjan, u përpoq të sulmojë Medinen, në muajin Muharrem të këtij viti. Profeti fisnik a.s. dërgoi Hazreti Abdullah bin Unais që të kontrollonte lëvizjet e tij. Në luftimin që u zhvillua, Hazreti Abdullah e vrau Sufjanin. 3] I kënaqur nga suksesi i misionit të Abdullahut, Profeti i ndritur a.s. i fali si dhuratë topuzin e vet, në shenjë falënderimi. 4]
Masakrimi i misionarëve myslimanë në Bir Maunah (Safar i vitit 4 H. – Korrik, 625) 5]
Idhujtarët injorantë të Arabisë nuk lanë gur pa lëvizur për të trazuar jetën paqësore të myslimanëve. Flaka e kundërshtimit dhe e urrejtjes përfshiu tërë gadishullin, përfshirë edhe Nexhdin. Mirëpo bukuria e mësimeve të Islamit nuk mund të zhdukej me armiqësi dhe urrejtje; e vërteta e Besimit të ri vazhdonte të përhapej nëpërmes predikuesve dhe misionarëve të dërguar nga Profeti i madhërishëm a.s. në vende të ndryshme, nga koha në kohë. Njerëzit po e pranonin Islamin në mbarë Arabinë, duke arritur deri në Jemen e Bahrein. Por, nganjëherë ndodhte që edhe misionarët e predikuesit paqësorë të mos kurseheshin e të binin viktimë e tradhtisë e brutalitetit kriminal të idhujtarëve të pabesë
Në muajin Safar të vitit 4 H., një nga krerët e fisit Kilab, Abu Bara Amir bin Malik al-Kilabi i kërkoi Profetit Muhamed a.s. që t’i dërgonte disa misionarë myslimanë për të predikuar dhe përhapur Islamin midis tyre. Megjithëse Profeti fisnik a.s. kishte dyshime dhe i trembej tradhtisë nga ana e popullsisë injorante të Nexhdit, më në fund, pranoi kur arritën ta bindnin për sigurinë dhe mbrojtjen e misionarëve myslimanë. Si rezultat, ai dërgoi shtatëdhjetë misionarë të mirë që u përkisnin ansarëve 6] me kryetarin e tyre. Predikuesit u ndalën te një vend i quajtur Bir Maunah dhe nisën Haram bin Malhanin me letrën e Profetit të ndritur a.s. për Amir bin Tufail, kushëri i Abu Baras dhe kryetar fisi. Por Amir bin Tufail, jo vetëm e vrau Haram bin Malhanin, por edhe ngriti në këmbë një ushtri të tërë nga fiset fqinje me të cilën marshoi në drejtim të predikuesve. Ai i vrau të gjithë, me përjashtim të njërit, Amr bin Umajah, të cilin e la të ikte, duke thënë se po e linte të lirë për shkat të një betimi të nënës së tij për të çliruar një skllav. 7] Kur dëgjoi për këtë incident tragjik, Profeti i lartë a.s. u mbush me hidhërim. Gjatë rrugës së kthimit për në shtëpi, Hazreti Amr bin Umajah vrau dy persona që i përkisnin fisit Banu Amir, duke i konsideruar ata, si armiq. Në të vërtetë, fisit Banu Amir i ishte dhënë amnisti nga ana e Profetit të nderuar a.s., por për këtë rast do të flitet më vonë, në lidhje me ekspeditën kundër fisit Banu Nadir.
Incidenti në Raxhi’ (Safar, viti 4 H./ Korrik, 625)
Njësoj, si ky rast, ndodhi edhe në Raxhi. Disa përfaqësues nga fiset Adal dhe Karah erdhën te Profeti i Islamit a.s. dhe i kërkuan t’u dërgonte ndokënd që t’u mësonte njerëzve të tyre Islamin. Profeti i madhërishëm a.s. caktoi për këtë mision dhjetë vetë, nën drejtimin e Hazreti Asim bin Thabit (Rad. A.). 9] Kur misionarët arritën në Raxhi, ata u sulmuan nga 200 harkëtarë të fisit Banu Lihjan dhe vranë shtatë prej tyre. Tre të tjerët, Abdullah bin Tarik, Khubaib dhe Zaid bin Dathnah, u mbështetën në fjalët e idhujtarëve dhe zbritën nga kodra, por ata u prenë në besë dhe të tre i nisën për në Mekë. Rrugës për atje, Hazreti Abdullah bin Tarik parapëlqeu të vdiste si martir sesa të bëhej skllav, kështu, pas një përleshje të shkurtër me grushta, te një vend i njohur me emrin Zahran, ata e vranë Abdullahun. Dy të tjerët, Khubaib dhe Zaidin, i çuan në Mekë, ku i shitën te kurejshët. Khubaibin e bleu i biri i Haritha bin Amir, i vrarë në betejën e Uhudit, nga dora e vetë Khubaibit dhe, me këtë blerje, i biri deshi të hakmerrej për të atin, gjë që e bëri. Para ekzekutimit, Khubaibi i kërkoi Ibn Harithës (djali i Harithës) ta lejonte të kryente dy rak’at salat dhe kërkesa iu plotësua. Pas namazit, ai e priti vdekjen me qetësi, si besimtar i vërtetë. Zaidin (Rad. A.) e bleu një tjetër nga krerët kurejshë, Safwan bin Umajah. Para se ta ekzekutonte, e pyeti Zaidin, “A do të dëshiroje të vritej Muhamedi në vendin tënd?” Megjithëse Zaidi ishte në prag të vdekjes, iu përgjigj: “Për atë Allah, sikur ta sakrifikoja jetën time veç për ta shpëtuar nga dhimbja e një gjembi në këmbën e të Dërguarit të Allahut, do të isha i lumtur.” 10] Mosbesimtarët e pranishëm u mahnitën nga përgjigjja dhe ishin të detyruar të pranonin se nuk ishte parë ndonjëherë ndokush që ta donte një njeri, sa e donin Muhamedin këta ndjekës të të tij. Megjithatë, ata nuk e kursyen Zaidin dhe atë e ekzekutuan. Në të vërtetë, nuk mund të gjeje shembuj më të mirë të devocionit e të dashurisë sesa kjo që shfaqej nga këta martirë të mëdhenj.
Vrasja e misionarëve është krim ndërkombëtar dhe është dënuar gjithmonë në histori. Por jobesimtarët e Arabisë ishin kaq të pabesë e të pagdhendur sa nuk e çanin kokën as për këtë. Profeti i Islamit a.s. u hidhërua shumë nga kjo masakër dhe, për një muaj rresht, vazhdoi të mallkonte vrasësit e pabesë në salatin e fexhrit (në formë “Kunuti”).
INTRIGAT E ÇIFUTËVE
Sikurse është thënë edhe më përpara, hebrenjtë jetonin në periferi të Medines, kryesisht, në tri lagje, Banu Kainuka, Banu Nadir dhe Banu Kuraizah. Në fillim, ata e përshëndetën Islamin dhe Profetin Muhamed a.s. sepse edhe Shkrimet e Shenjta të tyre e parashikonin ardhjen e Profetit të Fundit. Midis tyre dhe Profetit fisnik a.s., në emër të myslimanëve, u nënshkrua edhe një marrëveshje. Profeti i ndritur a.s. dëshironte të jetonte në paqe me ta. Por ata përpiqeshin vazhdimisht ta dëmtonin atë dhe myslimanët, fshehtas. Ne e pamë sa u mërzitën ata kur ndodhi ndryshimi i drejtimit të “Kiblas”, nga Jeruzalemi, drejt Kabës së Shenjtë, në Mekë.
Çifutët dalloheshin për një numër vesesh në qëndrimet e sjelljet e tyre. Duke qenë kapitalistët e vetëm në tërë atë rajon, ata e zgjeruan biznesin e huadhënies dhe arriti puna sa, pothuajse e tërë popullsia e Medines dhe hapësirave përreth, të ishin borxhlinj të tyre. Megjithëse fajdeja, përqindja e interesit ishte e paligjshme edhe për ata (Kurani i shenjtë – IV: 161), prapëseprapë, ata i ngarkonin borxhlinjtë në mënyrë të pamëshirshme me norma interesi kaq të larta, sa nganjëherë, ata ishin të detyruar të linin si peng fëmijët, deri edhe gratë e tyre. Pasuria e tepërt u bë shkak i shthurjes morale, kështu që vese të tilla, si tradhtia bashkëshortore u bë diçka e zakonshme në mesin e tyre. Në shumicën e rasteve të tilla, njerëzve të shquar që përfshiheshin në kësi skandalesh, nuk u hynte gjemb në këmbë dhe nuk dënoheshin as sipas Ligjit Izraelit, ndërsa për njerëzit e zakonshëm, ky ligj zbatohej. Tek Islami, ata panë qartë fundin e kësaj zgjedhe tiranike dhe egoiste dhe e kuptuan se nuk do të mund të vazhdohej gjatë, si deri tani. Për më tepër, me përhapjen e Islamit, epërsia fetare e tyre filloi të lëkundej. Ndërsa “ansarët” (medinasit) po bëheshin më të pasur, në sajë të fitoreve në luftëra, gradualisht, ata po çliroheshin nga kthetrat e borxheve te çifutët.
Por jo vetëm kjo, çifutët e tregonin natyrën e tyre të pabesë edhe në shkeljen e marrëveshjes së nënshkruar midis tyre e Profetit të lartë a.s., herë pas here, sikurse është përmendur më parë. Ekspozimi i veseve të tyre përmes shpalljes së Kuranit të shenjtë, i bëri ata si të tërbuar dhe u përpoqën me të gjitha mjetet që ta dëmtonin Profetin e madhërishëm alejhi salam. Por Allahu e urdhëroi Profetin e Islamit a.s. ta shmangte të keqen dhe të bënte durim.
“Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që iu është dhënë Libri para jush, si dhe nga paganët. Por, nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo është vërtet përcaktuese e çështjeve.” (III: 186)
Sa herë që Profeti fisnik a.s. i përshëndeste ata me shprehjen “As Salamu ‘alaika” (Paqja qoftë me ty!), ata i përgjigjeshin: “Al-Samu ‘alaika” (Ti vdeksh!). 11] Njëherë, kur Hazreti ‘Aishja që ishte e pranishme, deshi t’ua kthente në të njëtën mënyrë, Profeti i ndritur a.s. e ndaloi dhe e këshilloi të ishte e njerëzishme me ta. Ai gjithmonë i trajtonte me dashamirësi dhe i falte ata për sjelljen e tyre. Jo vetëm kaq, por ai edhe i ndiqte ata në çështjet për të cilat nuk kishte një urdhëresë (hyjnore) të veçantë. 12] Me qëllim që të tregohet e njëjta mirësjellje, iu shpall atij:
“Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit…” (V: 5)
Por e gjithë kjo dashamirësi e sjellje e mirë nuk solli ndonjë dobi. Ata i konsideronin idhujtarët më të mirë se myslimanët:
“Dhe thonë për jobesimtarët:’Këta janë në rrugë më të drejtë se ata që besojnë’ “ (IV: 51)
Jehudinjtë nuk lanë gjë pa bërë për të shkatërruar Islamin dhe unitetin e myslimanëve. Ata u përpoqën të nxitnin dy fiset kryesore të Medines – Awus dhe Khazraxh, të cilët ishin në armiqësi me njëri-tjetrin përpara ardhjes së Profetit të lartë a.s. në Medine. Në një mbledhje pak a shumë të gjerë, ku kishte edhe nga dy fiset e përmendura, disa çifutë që erdhën aty filluan të tregonin për Betejën e Buathës, betejën e famshme midis fiseve Awus dhe Khazraxh, përpara Islamit. Pas kësaj, çifutët e sollën punën që ajo armiqësi të rigjallërohej, duke ua kujtuar atyre armiqësinë e vjetër ndaj njëri-tjetrit. Gjakrat u ndezën dhe njerëzit rrokën shpatat. Çështja iu bë e ditur Profetit të nderuar a.s, i cili erdhi me të shpejtë që të ndërhynte për të zbutur gjendjen. Për këtë rast, Allahu shpalli këto vargje: 13]
“O besimtarë! Nëse i bindeni një grupi nga ata që u është dhënë Libri, ata do t’ju kthejnë në jobesimtarë, pasi patët besuar.” (III: 100)
Edhe hipokritët e Medines, nën udhëheqjen e Abdullah bin Ubaj, komplotonin gjithashtu, në bashkëpunim me çifutët. Abdullah bin Ubaj u lidh ngusht me Banu Nadir dhe fise të tjera jehudinjsh kundër Profetit të Islamit a.s. dhe myslimanëve. 14] Siç është treguar më sipër, ai kishte bashkëpunuar edhe me fisin Banu Kainuka, i cili u dëbua përfundimisht nga Medina, pas një beteje të shkurtër, në muajin Shawwal të vitit 2 të Hixhrit.
Udhëheqësit hebrenj, gjithashtu, ushqenin ndjenja shumë armiqësore ndaj Profetit të madhërishëm alejhi salam. Midis njerëzve të tillë, ne kemi përmendur, për shembull, Kab bin Ashrafin, poetin e famshëm e tregtarin e njohur gjerësisht, aleatin e Banu Nadir, i cili u ekzekutua për shkak të planeve të tij kundër jetës së Profetit Muhamed alejhi salam. 15] Edhe vjehrri i tij, Abu Rafi pësoi të njëjtin fat, për shkak të tradhtisë së tij. Me gjithë këto që ndodhën, shfarosja e një prej fiseve të tyre, e fisit Banu Kainuka, e ekzekutimi të dy prej figurave të tyre të shquara e tjerë, çifutët nuk nxirrnin mësime dhe vazhdonin njësoj rrugën e tyre të tradhtisë e të veprimtarisë armiqësore kundër Profetit fisnik alejhi salam. Kjo shihet qartë edhe në rastin e fisit Banu Nadir, për të cilin erdhi radha për të folur.
Beteja me Banu Nadir (Rabi al-Awwal, viti 4, H. / Gusht, 625)
Kur kemi folur për masakrën e misionarëve në Bir Maunah, kemi përmendur sesi Hazreti Amr bin Umajah vrau dy vetë nga fisi Banu Amir, duke menduar se ata ishin armiq. Përderisa Profeti i Islamit a.s. dhe myslimanët, së bashku me Banu Nadirin (nga jehudinjtë), ishin në aleancë me Banu Amirin, Profeti i madhërishëm a.s. duhej të paguante dëmshpërblimin (pagesën e gjakut) për vrasjen e dy vetëve, në përputhje me kushtet e marrëveshjes. Një pjesë e kësaj pagese duhej të bëhej edhe nga Banu Nadir, si palë e marrëveshjes. Prandaj, Profeti Muhamed a.s. bashkë me dhjetë vetë të tjerë, ku përfshiheshin Abu Bekr, Ymeri dhe Ali (Rad. A.), shkuan te Banu Nadir dhe kërkuan prej tyre që të paguanin pjesën e tyre, si dhe të diskutonin mënyrën e kësaj pagese. 16] Ata i pritën me një sjellje tërë lajka e mirësjellje të shtirë dhe i thanë të ulej bri një muri shumë të lartë. Në pamje të jashtme, ata krijuan përshtypjen se do ta paguanin pjesën e të hollave, kurse fshehtas, porositën një person, një çifut me emrin Amr bin Xhahash që të ngjitej lart, në mur dhe, prej andej ta vriste Profetin Muhamed a.s. me një gur të madh. Profeti i ndritur a.s. e dalloi një gjë të tillë, u ngrit nga vendi dhe u kthye në Medine, menjëherë, pa thënë asnjë fjalë. 17] Bashkë me të u kthyen edhe shokët e tij. Në të vërtetë, ky plan kishte autorësinë e kurejshëve të cilët, në bashkëpunim me Banu Nadir, deshën të vritnin Profetin e lartë alejhi salam. 18] Për më tepër, Banu Nadir kërkonte të hakmerrej edhe për vrasjen e Kab bin Ashraf, ish-aleat i tyre.
Shokët u tronditën nga sjellja e pabesë e çifutëve. Këta të fundit i dërguan një mesazh Profetit të nderuar a.s. me të cilin i kërkonin që të vinte me tridhjetë vetë për të bindur udhëheqësit e tyre fetarë. Në qoftë se ata do të pranonin pretendimin e tij, si profet, edhe ata do ta trajtonin atë si të tillë. Profeti i Islamit a.s. kërkoi prej tyre që të nënshkruhej një marrëveshje e përbashkët, por ata nuk pranuan. Ai shkoi, pastaj te Banu Kuraizah, fisi i tretë i jehudinjve rreth Medines dhe ata iu përgjigjën kërkesës së tij, duke nënshkruar një marrëveshje të re. Profeti i madhërishëm a.s. i kërkoi sërish Banu Nadirit të ndiqte shembullin e Banu Kuraizah dhe ta rinovonte marrëveshjen, por më kot; ata nuk u bindën, por ata e përsëritën kërkesën e tyre që të vinte me tre vetë nga njerëzit e tij për të zhvilluar një diskutim me tre dijetarë nga pala e tyre. Megjithatë, Profeti Muhamed a.s. e pranoi një gjë të tillë, por rrugës për te vendi i takimit, ai u njoftua se çifutët ishin përgatitur ta vrisnin, porsa të arrinte në fortesën e tyre. 19] Si e vërtetoi një gjë të tillë, Muhamedi a.s. u kthye në Medine dhe dërgoi tek ata Muhamed bin Muslim me një mesazh të shkurtër e kategorik:
“Dëgjoni, Banu Nadir! Duhet ta lini këtë qytet. Me komplotin tuaj kundër jetës sime, ju e keni thyer marrëveshjen tuaj që kishit me mua. Ju jepet dhjetë ditë afat.” 20]
Banu Nadir kishin besim të madh në forcën e vet dhe kjo i bënte arrogantë. Ata jetonin në një nga fortesat më të fuqishme, e cila ishte shumë e vështirë që të zaptohej me luftë. Nga ana tjetër, në mbështetje të tyre ishin edhe kurejshët, të cilët i nxitnin kundër Profetit fisnik a.s. dhe myslimanëve. Po ashtu, hipokritët e Medines, nën udhëheqjen e Abd Allah bin Ubajit i përkrahnin ata. Ky i fundit dërgoi tek ata dy njerëz të vet me mesazhin që të mos e lëshonin teritorin, sepse fisi tjetër, Banu Kuraizah dhe hipokritët ishin në anën e tyre. Kjo gjë vihet në dukje edhe në Kuranin e shenjtë:
“A nuk e ke parë se si hipokritët u thanë shokëve të vet që nuk besuan prej ithtarëve të Librit: “Nëse ju dëbojnë, ne do të dalim me ju dhe kurrkujt nuk do t’i bindemi kundër jush; e, nëse ju sulmoheni, me siguri që do t’ju dalim në ndihmë”? (LIX: 11)
Megjithëse disa nga jehudinjtë kishin mendimin dhe planifikuan të shkonin në Khaibar, udhëheqësit e tyre, në mënyrë të veçantë, Huaj bin Akhtab, më i vjetri ndër ta, nuk ishin të këtij mendimi, kështu që vendosën të ngujoheshin në kështjellën e tyre. Profeti i ndritur a.s. e shtriu rrethimin ndaj tyre, që vazhdoi rreth dy javë; gjatë kësaj kohe, atij iu desh të priste disa drurë hurmash me qëllim që të pastronte rrugën ku do të lëvizte ushtria. Allamah Shibli Numani ka cituar Suhailin për këtë problem, i cili sqaronte se jo të gjithë drurët ishin prerë, por vetëm ato të “linabit”, një lloj hurme që nuk përbënte ushqimin e zakonshëm të arabëve. 21] Edhe në Kuranin e shenjtë trajtohet kjo temë, në këto vargje:
“Për çfarëdo peme palme (të armikut) që pretë apo latë në këmbë, keni pasur miratimin e Allahut, në mënyrë që Ai t’i poshtërojë të pabindurit.” (LIX: 5)
Allamah Shibli Numani thotë më tej se, nga pikëpamja ushtarake, ishte e nevojshme të priteshin disa pemë, me qëllim që të plotësohej rrethimi. Imam Ahmad bin Hanbal, Ibn ishak dhe të tjerë kanë të njëjtin mendim, duke shtuar se lejohet prerja ose djegia e drurëve frutorë në luftë kur është e nevojshme, si edhe kur armiku gjen strehë pranë tyre. 22]
As hipokritët, as Banu Kuraizah, nuk mundën të jepnin ndonjë ndihmë për Banu Nadir, kështu që ata, më në fund, pranuan të largoheshin nga Medina, me kusht që t’u sigurohej jeta dhe plaçkat që mund të merrnin me vete. Profeti i lartë a.s. ua plotësoi kërkesën. Atëherë, ata u larguan nga shtëpitë e veta, si ngarkuan në shpinë të deveve sa kishin mundësi. Disa nga udhëheqësit e tyre u vendosën në Khaibar, qendra më e fortifikuar e tyre në Arabi, ndërsa të tjerët emigruan në Siri, ose në vendet përreth. Megjithëse po iknin si të dëbuar, ata u larguan nga Medina si një procesion festiv, duke kënduar e nën tingujt e lodrave. Myslimanët siguruan rreth 50 parzmore, 50 helmeta, 340 shpata, si edhe kopshtet e tokat e tyre. E gjitha kjo ngjarje është përshkruar në suren al-Hashr (Kapitulli 59) të Kuranit të shenjtë.
FUSHATA E DYTË E BEDRIT (REXHEP, VITI 4 H. / DHJETOR, 625)
Pas asgjësimit të Banu Nadir, tokat e tyre iu shpërndanë myslimanëve, që i përdorën si tokë bujqësore. Rreth muajit Rexheb të vitit 4, H. (muajit Shaban, sipas Ibn Hisham), Profeti i nderuar a.s. u vu në dijeni përmes një kurejshi me emrin Nuaim, se Abu Sufjani po planifikonte një goditje tjetër në Bedër, gjatë atij viti. 23] Duhet sjellë ndër mend se Abu Sufjani, kur po kthehej nga Uhudi, pati thënë se ai do të godiste përsëri vitin tjetër, në Bedër. Hipokritët e Medines ia kujtonin atij këto fjalë, por Abu Sufjani nuk ishte i përgatitur për të sulmuar Medinen. Megjithatë, ai e dërgoi Nuaimin në Medine, duke i premtuar dhjetë deve si shpërblim, vetëm që të frikësonte myslimanët me lajmin e përgatitjeve të tij, gjoja, pra edhe të një sulmi të mundshëm. 24] Megjithëse myslimanët ishin të lodhur nga luftimet për atë vit, Muhamedi a.s. vendosi të ndeshet me Abu Sufjanin për herë të dytë, në Bedër dhe besimtarët iu bindën Profetit të tyre. Ai caktoi Abdullah bin Rawaha 25] për drejtimin e punëve në Medine, gjatë mungesës së tij dhe vetë u nis për në Bedër, në krye të 1.500 luftëtarëve trima. Hazreti Ali (Rad. A.) ishte flamurmbajtësi. Kur dëgjoi për marshimin e myslimanëve, Abu Sufjani nuk pati zgjedhje tjetër, veçse të përballej me myslimanët, prandaj edhe ai u nis nga Meka, në krye të një force prej 2.000 vetësh. Në Asfan, një vend midis Mekës dhe Bedrit, ai mori të dhëna për forcat e ushtrisë myslimane. Ai e kishte parë, tanimë, sesi luftonin ata, kur ishin në grupe të vogla, si në Bedër dhe Uhud, kështu që ai kishte frikë të përballej me një forcë prej 1.500 vetësh, shumë më të pajisur dhe më të organizuar, prandaj u kthye me të shpejtë në Mekë, me justifikimin se nuk kishte furnizim të mjaftueshëm në ushqime, për shkak të urisë në Mekë. Profeti i nderuar a.s. priti në Bedër për tetë ditë, pastaj u kthye në Medine, në muajin Shaban të vitit 4, H. (nëntor, 625). Sipas disa komentatorëve të Kuranit, vargjet 171 deri në 174 të Kapitullit 3 (Sureja Al-Imran), janë shpallur me këtë rast. Megjithatë, shumica e dijetarëve të kësaj fushe thonë se këto vargje u shpallën me rastin e “Ghazwah Hamra al-Asad” e cila ndodhi pikërisht, mbas Betejës së Uhudit, kur Profeti i madhërishëm a.s. i ndoqi kurejshët që po tërhiqeshin. Kjo fushatë, në librat e historisë, njihet gjithashtu edhe si “Badr-al-Sugra” ose “Badr-al-Akhira”. Gjatë kësaj periudhe të vitit, në Bedër u organizua një festival, ku morën pjesë edhe myslimanët me veprimtarinë e tyre tregtare e ku siguruan mjaft fitime. 26]
NGJARJE TË NDRYSHME GJATË VITIT TË 4-t të HIXHRIT
Në muajin Shaban të këtij viti ka lindur Hazreti Husein (Rad. A.), kurse njëra nga bashkëshortet e Profetit të Islamit a.s., Zainab bint Khuzaimah (Rad. A.) vdiq, po në këtë vit. Në muajin Shawwal, Muhamedi a.s. u martua me Hazreti Umm Salmah (Rad. A.), e veja e Abus-Salam al-Makhzumi. Sipas disa historianëve, gjatë këtij viti erdhi urdhri për ndalimin e pijeve dehëse. Këtë vit vdiq edhe Fatima bint Usaid, nëna e Hazreti Aliut (Rad. A.) dhe e Abdullah bin Uthman, nip i Profetit të ndritur alejhi salam.
Meqenëse Profeti Muhamed a.s. e ndjente nevojën e një shkruesi të aftë për letërkëmbimin me të huajt, ai e urdhëroi Hazreti Zaid bin Thabit (Rad. A.) që të mësonte hebraishten dhe siriaken që t’ia përkthente Profetit fisnik a.s. letrat që i vinin nga jashtë, si edhe të shkruante korrespondencën me to, kur të ishte e nevojshme.
Shkëputur nga libri “MUHAMEDI (a.s.) I DËRGUARI I FUNDIT”
Mexhid Ali Kan, Botim i KMSH-së
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.50; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.62.
- Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.63.
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.50; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.64; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.389.
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.51; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.64.
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Libri II, (Vëll. 3 & 4), f.183-189.
- Shënim: Sipas Ibn Hazm, numri tyre ishte 40. Megjithatë, ai ka cituar edhe një traditë, në të cilën thuhet se ata ishin 70 vetë: Ibn Hazm, “Al-Sirat al-Nabawijah”, (MS.), Azad Library, The Aligarh Muslim University (Indi), f.125. Për hollësi të tjera, shih edhe: “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, nga Muhamed Zurkani, Vëll. II, f.75.
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.185; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.77; Ibn Kajim, “Zad al-Ma’ad”. Hollësitë e kësaj masakre të misionarëve myslimanë përmenden edhe në “Sahih al-Bukhari” (Kitab al-Maghazi) dhe në “Sahih Muslim”.
(Shënim: Kab bin Zaid Naxhari shpëtoi, gjithashtu. Vrasësit kujtuan, gabimisht, se ishte i vdekur. Ai jetoi deri në Luftën e Hendekut, ku ra dëshmor: “Zad al-Ma’ad”, nga Ibn Kajim).
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.55.
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.169; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.55.
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.56; Ibn Hazm, “Al-Sirat al-Nabawijah”, (MS.), Aligarh Muslim University (India) f.124; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.72.
- Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.398; Gjithashtu, shih, “Sahih al-Bukhari”.
- ”Sahih al-Bukhari” (Kitab al-Libas).
- Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.402.
- Shibli Numani,” Siratun Nabi”, Vëll. I, f.402.
- Shibli Numani, “Sirarun Nabi”, Vëll. I, f.407.
- Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.80.
- Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.409; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.81.
- Po ajo.
- ”Fath al-Bari”, (Ghazwah Banu Nadir), Vëll. VII, f.255; Ibn Hazm, “Al-Sirat al-Nabawijah” (MS.), Azad Library, The Aligarh Muslim University (India), f.126.
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.57.
- Abdur Rahman Suhaili, “Al-Raud al-Unuf”, Vëll. II, f.177; Muhamed Zurkani, “Sharah al- Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.81.
- ” Umdat al-Qari”, Vëll. II, f.191 (sipas citimit nga Allamah Shibli Numani, në “Siratun Nabi”).
- Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.209-211; Gjithashtu, shih: Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.93. (Shënim: Edhe Ibn Hazm, gjithashtu, e ka përmendur muajin Shaban të vitit 2, H. Shih “Al-Sirat al-Nabawijah”, nga Ibn Hazm, MS., Azad Library, The Aligarh Muslim University, Aligarh (Indi), f.128).
- Akbar Shah Kan, “Tarik-e-Islam”, Vëll. I, f.183; Gulam Ahmad Sarwar, “Muhammad, the Holy Prophet”, f.225-227.
- Kjo është sipas Wakdi. Disa historianë të tjerë (Ibn Ishak e tjerë) thonë se Abdullah bin Ubaj bin Salul u caktua si i ngarkuar për Medinen. Shih edhe “Al-Bidajah wal-Nihajah”, nga Ibn Kathir, Vëll. IV, f.87-89.
- Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.70.