VITI VI – HIXHRI

VITI I GJASHTË I HIXHRIT

 

Gjatë vitit të gjashtë të Hixhretit, nuk u bë ndonjë betejë e rëndësishme, por vetëm një numër misionesh vëzhguese dhe ekspeditash të vogla që dërgoheshin për të kontrolluar lëvizjet e armikut ose për të zmbrapsur bandat e grabitësve, si edhe për të ndjekur fiset armike. Sipas disa historianëve, gjatë këtij viti kanë ndodhur rreth shtatëmbëdhjetë misione dhe ekspedita të tilla (përveç asaj të Hudeibijes). 1] Në përgjithësi, ato përfunduan me shpërndarjen e forcave armike, të hajdutëve e grabitësve të ndryshëm.

 

Misioni vëzhgues i Muhamed Bin Muslima në Kurata

 

Në muajin Muharrem të vitit 6, H. 2] një grup i vogël prej tridhjetë vetësh, nën komandën e Muhamed bin Muslima u dërgua në drejtim të Kuratas, vendi ku jetonte Bani Bakr. Një nga fiset e Bani Bakr kishte bërë disa dëme rreth Darijas, afër shtatë milje nga Medina. Kur patrulla e myslimanëve arriti aty, pas disa luftimeve të vogla, armiku u tërhoq. Myslimanët u kthyen me një plaçkë prej rreth 150 deves dhe 3.000 delesh. 3]

 

Ekspedita në Bani Lihjan

 

Profeti Muhamed a.s. shkoi vetë në Bani Lihjan, në krye të 3.000 Shokëve të tij për t’u hakmarrë për vrasjen e misionarëve myslimanë në Raxhi, në vitin 4 të Hixhrit. Megjithatë, nuk u zhvillua ndonjë luftim për shkak se armiku u largua, me të dëgjuar për përparimin e forcave myslimane. Sipas Ibn Sad, kjo ndodhi në muajin Rabi al-Awwal 4] të vitit 6 të Hixhrit. Por, sipas Ibn Ishak, Ibn Hisham, Ibn Hazm, Tabari, Ibn Athir dhe Ibn Abd al-Barr, ajo ndodhi në muajin Xhumadi al-Ula. 5]

Gjatë rrugës së kthimit nga ky udhëtim i suksesshëm, Muhamedi a.s., u lut si më poshtë:

“Duke u kthyer dhe të penduar, prapëseprapë, në qoftë se kjo i pëlqen Zotit, duke e lartësuar emrin e Tij dhe duke i shërbyer Atij, kërkoj mbrojtje tek Allahu nga vuajtjet e rrugës, nga mundimet e kthimit si edhe nga syri i Keq që i bën dëm familjes dhe pasurisë.” 6]

 

Ekspedita në Dhi-Karad ose Al-Ghabah

 

Sipas Ibn Sad, ajo ndodhi në muajin Rabi al-Awal, pas ekspeditës së Bani Lihjan. 7] Sipas Ibn Ishak, Ibn Hisham dhe Ibn Abd al-Barr, ajo ndodhi në muajin Xhumadi al-Awal. 8]

Gjatë betejës së Hendekut, një njeri i quajtur Ujaina bin Hisn, kishte ndihmuar pabesisht forcat e aleatëve me njerëz dhe deve. Këtë njeri, Profeti fisnik a.s. e kishte lejuar për mëshirë të kulloste lirisht bagëtitë e veta, afër Medines. Mirëpo ky, jo vetëm i kishte ndihmuar armiqtë, por edhe kishte vrarë kujdestarin mysliman duke i rrëmbyer edhe të shoqen; gjithashtu, ai kishte grabitur edhe devetë e Profetit të ndritur alejhi salam. 9] Me ta marrë vesh, Profeti i lartë a.s. bashkë me pak Shokë të tij u vu në ndjekje të Ujain bin Hisn dhe bandës së tij të hajdutëve. Ata i shtinë në dorë devetë përsëri dhe gruan e rrëmbyer e sollën në shtëpi. Gjatë rrugës së kthimit për në Medine, Profeti i nderuar a.s. ndaloi te një vend, i quajtur Dhu-Karad, ku bëri kurban një deve dhe pastaj, u kthye në shtëpi. Ibn Sad e quan këtë ekspeditë, gjithashtu edhe “Ekspedita e al-Ghabah”. 10]

 

Misioni vëzhgues i Ukashah në Al-Ghamar

 

Sipas Ibn Sad, 11] në muajin Rabi al-Awal, Profeti i Islamit a.s. dërgoi një patrullë prej 40 burrash, nën drejtimin e Ukasha bin Mihsin për t’u ndeshur me Banu Asad, i cili kishte mbledhur një forcë të vogël në al-Ghamar për të sulmuar Medinen. Por nuk u zhvillua ndonjë luftim, sepse armiku ishte larguar. Myslimanët shtinë në dorë, si plaçkë lufte rreth 200 deve.

 

Misioni i Muhamed Bin Muslimah në Dhil-Kassah

 

Dhjetë misionarë myslimanë ishin dërguar në Banu Thalibah, 12] në muajin Rabi al- Akhir. Ata po flinin te një vend, i quajtur Dhil-Kassah, kur u sulmuan nga një grup beduinësh që i përkisnin fisit Banu Thalibah. Nëntë prej tyre u vranë, kurse Muhamed bin Muslimah,  drejtuesi i tyre, u plagos.

 

Patrulla e Abu Ubaida Bin Al-Xharrah në Dhil-Kassah

 

Me qëllim që të hakmerreshin për vrasjen e misionarëve, Profeti i madhërishëm a.s. dërgoi Abu Ubaida bin al-Xharrah me 40 vetë në Banu Thaliba, në muajin Rabi al-Akhir. 13] Por, si shpesh herë, me të dëgjuar afrimin e myslimanëve, armiku ia mbathi.

 

Misioni vëzhgues i Zaid bin Harithas në Banu Sulaim

 

Në po këtë muaj, Rabi al-Akhir, Profeti Muhamed a.s. dërgoi Zaid bin Haritha në Banu Sulaim, në Xhamum. 14] Armiku kishte ikur dhe Zaid bin Haritha, në kthim, solli me vete një çift, Bilal bin al-Harith me të shoqen, Halima, si edhe një tufë dhensh e dhish. Profeti i mëshirës a.s. e la të lirë çiftin burrë e grua.

 

Misioni vëzhgues i Zaid Bin Harithas në Al-Is

 

Në muajin Xhumadi al-Ula, Profeti Muhamed a.s. dërgoi edhe një tjetër mision vëzhgues me Zaid bin Harithan, në krye të 170 vetëve, 15] këtë herë, në al-Is. Qëllimi i këtij ishte të kontrollonte lëvizjet e një karvani kurejsh që vinte nga Siria. Ata e kapën karvanin, bashkë me mallin që kishte me vete, si edhe një numër njerëzish që e shoqëronin atë, duke përfshirë edhe Abul As bin al-Rabi, dhëndri i Profetit fisnik a.s. (bashkëshorti i zonjës Zainab). Ky ishte i njëjti person që u zu rob lufte gjatë betejës së Bedrit dhe qe liruar me kushtin që ta kthente nga Meka në Medine zonjën Zainab. Abul As u prek thellë nga morali i pastër i myslimanëve gjatë kohës kur ndodhej i burgosur në Medine, nën mbikëqyrjen por edhe nën mbrojtjen e gruas së tij, Zainab. Akti i saj, në mbrojtje të bashkëshortit, u vlerësua edhe nga Profeti i mëshirës a.s. që, me këtë rast, shtoi: “Betohem për Atë, në duart e të cilit është jeta ime, unë nuk di asgjë për garancinë e saj, deri në këtë çast. Por besnikëria e shfaqur nga pasuesit e mi, edhe në rastet më delikate, duhet respektuar.” Përballë një niveli të tillë të lartë të moralit e të respektit për ndjenjat njerëzore, Abul As u dorëzua dhe , me vetëdije të plotë, e përqafoi Islamin dhe çifti filloi jetën së bashku, përsëri.

 

Misioni vëzhgues i Zaid Bin Harithas në Taraf

 

Në muajin Xhumadi al-Akhir, Profeti i madhërishëm a.s. dërgoi Zaid bin Harithan me 15 vetë për të kërkuar për beduinët e Banu Thaliba, të cilët kishin vrarë misionarët myslimanë. Edhe këtë herë, gjithashtu, ata kishin ikur, duke lënë pas vetes 20 deve, të cilat u morën nga Zaid bin Haritha.

 

Misioni vëzhgues i Zaid Bin Harithas në Hisma (Wadi Al-Kura)

 

Në të njëjtin muaj, Xhumadi al-Akhir, Profeti Muhamed a.s. dërgoi Hazreti Zaid bin Haritha, në krye të 500 vetëve në Hisma, një vend pas Wadi al-Kura, 17] ku Dihja bin Khalifah al-Kalbi (Rad. A.) ishte rrëmbyer nga beduinët, ndërsa po kthehej nga Heraklius. Zaid bin Haritha i ndëshkoi beduinët, mori një mijë deve e pesë mijë dhi si plaçkë lufte dhe ndaloi një grup prej njëqind vetësh. 18] Pas pak, Profeti i ndritur a.s. i kërkoi Zaid bin Harithas që t’i linte të lirë ata, meqenëse udhëheqësi i tyre, Zaid bin Rifa al-Xhudhami, kishte ardhur te Profeti i lartë a.s. dhe kishte kërkuar falje.

 

Misioni vëzhgues i Zaid Bin Harithas në Wadi al-Kura

 

Një tjetër grup i vogël, nën drejtimin e Zaid bin Harithas u dërgua në Wadi al-Kura, në muajin Rexheb. 19] Qëllimi ishte kontrolli i lëvizjeve të një bande hajdutësh.

 

Misioni fetar në Daumatul Xhandal

 

Në muajin Shaban 20] të këtij viti, Profeti i nderuar a.s. dërgoi Abdur Rahman bin Auf në Daumatul Xhandal për të predikuar Islamin. Udhëheqësi i krishterë i këtij fisi, Asbag bin Amr al-Kalbi dhe një numër banorësh të tjerë e pranuan Islamin. Bile, ai i dha për grua vajzën e tij, me emrin Tumadir, Abdur Rahman bin Aufit (Rad. A.).

 

Misioni vëzhgues i Ali Bin Mutalib në Fadak

 

Nga fiset e njohura për armiqësinë e tyre ndaj Profetit të Islamit a.s. dhe myslimanëve, ai më i hidhuri ishte fisi Banu Bakr. Ata po punonin për një komplot, në bashkëpunim me çifutët e Khaibarit, kundër myslimanëve. Profeti i madhërishëm a.s. u informua në kohë për veprimtarinë e tyre. Në muajin Shaban, ai dërgoi Hazreti Aliun me 100 burra për të ndëshkuar fisin Banu Bakr. 21] Ai i zuri ata në Fadak dhe në ndeshjen që u bë, armiku u shpartallua dhe Ali u kthye në Medine me një plaçkë prej 500 deveshë dhe një tufë dhish prej 2.000 krerë.

 

Karvani tregtar i drejtuar nga Zaid Bin Haritha dhe misioni vëzhgues në Umm-i-Kirfa

 

Në muajin Ramazan, 22] Zaid bin Haritha u nis me një karvan tregtar për në Siri, duke marrë me vete një sasi malli të banorëve medinas, për ta shitur atje. Karvani u sulmua dhe u grabit rrugës nga fisi Banu Fazara, në Wadi al-Kura, rreth shtatë stade (“Manazil”) nga Medina. Kjo ngjarje shkaktoi mërzi të madhe te myslimanët e Medines. Kur Zaidi u shërua në mënyrë të mjaftueshme nga plagët që kishte marrë në përleshje me bandën e hajdutëve, në krye të një grupi të përgatitur me burra trima, ai u nis për të marrë hak. Ai e zaptoi fortesën e banditëve. Umm-i-Kirfa, tetoja e Ujainas, e njohur për moralin e saj të ulët dhe si sponsore në këtë çerdhe banditësh, u muar si robe, bashkë me të bijën e saj. Umm Kirfa dhe dy pjesëtarë të së njëjtës familje, u ekzekutuan. Profeti Muhamed a.s. kur e takoi Zaid bin Harithan, e përqafoi dhe e puthi, në shenjë miratimi për veprën e tij. Vajza e Umm Kirfas iu paraqit si dhuratë Profetit të lartë a.s., por ai nuk e pranoi dhe ia dha njërit prej Shokëve të tij.

 

Misioni vëzhgues i Abdullah Bin Rawaha tek Usair Bin Zarim

 

Pas ekzekutimit të Abu Rafi, udhëheqësit të jehudinjve në Khaibar, në vend të tij u zgjodh Usair bin Zarim. Ai mblodhi një ushtri kundër Profetit të Islamit a.s. Për këtë arsye, Profeti i madhërishëm a.s. dërgoi në Khaibar Abdullah bin Rawaha, udhëheqës i fisit Khazraxh të Medines, bashkë me tre vetë të tjerë, në muajin Ramazan. 23] Qëllimi ishte të hetonte për gjendjen. Ai e vuri në dijeni Muhamedin a.s. rreth planit të çifutëve. Atëherë, Profeti fisnik a.s. e dërgoi përsëri Abdullah bin Rawahan në Khaibar, këtë herë, me një forcë prej 30 vetësh. Abdullahu dhe Shokët e tij vepruan me aq kujdes, sa arritën ta vrasin atë pa shumë zhurmë. Ai e lajmëroi Profetin e ndritur a.s. për kryerjen e detyrës dhe, në lidhje me këtë, ai u shpreh: “Me të vërtetë që Allahu ju ka çliruar nga njerëzit e padrejtë.” 24]

 

Misioni vëzhgues i Kurc Bin Xhabir në Urainah

 

Disa beduinë që i përkisnin fisit Urainah, erdhën në Medine dhe e pranuan Islamin. Meqenëse u sëmurën, Profeti i lartë a.s. i dërgoi për pak kohë te kodrat rreth Medines dhe u kujdes që t’i ushqenin me qumësht. Kur u shëruan, ata e vranë në mënyrë të pabesë bariun e deveve të Profetit të nderuar a.s. dhe ikën, duke marrë me vete edhe devetë e tij. Profeti i Islamit a.s. dërgoi me të shpejtë, në ndjekje të tyre Kurc bin Khalid al-Fihri; kjo ngjarje ndodhi në muajin Shawwal. 25]  Beduinët besëprerë u kapën dhe u ekzekutuan.

 

Misioni  i Amr Bin Ummejah Al-Damari     

 

Në muajin Shawwal të vitit 6, H., sipas Ibni Sad, 26] u dërgua në Mekë Amr bin Umaja për të vrarë Abu Sufjanin, si kundërpërgjigje ndaj të njëjtit veprim që kishte bërë ky i fundit, kur pati dërguar një beduin arab në Medine me qëllim që të vriste Profetin e mëshirës alejhi salam. Por misioni i Amrit përfundoi pa sukses, sepse ai u zbulua nga jobesimtarët e Mekës. Amrin e njohën, kur po përgjonte afër Kabës dhe e detyruan të kthehej në Medine, pa e lënduar.

Sikurse shihet nga paraqitja e mësipërme, të gjitha ekspeditat e patrullat e ndryshme u bënë, ose për të ndëshkuar bandat e grabitësve, ose për të mbrojtur interesat e myslimanëve dhe për ta bërë Gadishullin Arabik një vend të qetë e të sigurt, të lirë nga hajdutët e keqbërësit.

 

MARRËVESHJA E ARMËPUSHIMIT TË HUDEIBIJES

(Dhi Kadah, viti 6, H.; 27]/Mars, 628)

 

Qysh prej ardhjes në Medine, Profeti i Islamit a.s. nuk mund të thuash se kishte bërë një jetë në paqe e qetësi, qoftë edhe gjatë një periudhe të shkurtër disamujore rresht. Nganjëherë, nuk kalonte as edhe një muaj i vetëm ku të mos nevojitej organizimi i një ekspedite a një tjetre. Në historinë e civilizimit nuk ishte bërë kurrë një sulm kaq intensiv si ai që ka ndodhur me të Dërguarin e Fundit të Allahut. Ai u bëri ballë gjithë këtyre vështirësive për shkak të guximit të tij karakteristik, të Besimit dhe të Mbështetjes së plotë në ndihmën e Allahut, si edhe të aftësive të tija prej gjeniu, me të cilat e kishte pajisur Allahu, si askënd tjetër në këtë botë. Pastaj, si Shokë të tij, ai kishte njerëzit më të mirë, pas Profetit, me devocionin më të thellë ndaj tij, të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka, vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Këta personalitete të shquara kalonin me javë e muaj të tërë pa i hequr për asnjë çast armët nga trupi, të detyruar të flinin aty, në të njëjtat pozicione, nga frika e sulmeve të armikut. Ndaj prijësit të tyre, ata ushqenin një dashuri të tillë që nuk është parë ndonjëherë një shembull tjetër si ky, as përpara dhe as pas tij. Të gjithë këta faktorë, të mbledhur së bashku, përbëjnë bazën e sukseseve të këtij njeriu, të më të madhit që u lind ndonjëherë në këtë tokë; të atyre arritjeve të paimagjinueshme,  në një periudhë kaq të shkurtër dhe në rrethana të mbushura me vështirësitë më të mëdha. Të gjitha arritjet erdhën si pasojë e guximit të pashembullt dhe energjive të jashtëzakonshme të Profetit të madhërishëm alejhi salam. Në jetën e tij nuk njihej përtesa, dhe nuk ua lejonte as Shokëve të tij të tregoheshin të tillë. Ai ishte më trimi, si individ, komandanti më i madh në fushën e betejës dhe adhuruesi më i devotshëm e, të gjitha këto, në të njëjtën kohë e në çdo rast.

Megjithëse shpallja në Kuranin e shenjtë (II: 196-210) rreth kryerjes së pelegrinazhit (Haxhit dhe Umras), tanimë, kishte zbritur, Profeti i mëshirës dhe myslimanët ende nuk e kishin bërë, për shkak të armiqësisë me kurejshët. Dhe ja, ishte muaji Shawwal i vitit 6 të Hixhrit, kur Profeti Muhamed a.s. pa në ëndërr se po qethte kokën pas haxhillëkut. Kjo tregonte qartë se ai duhej të shkonte në haxh, megjithëse në ëndërr nuk tregohej me saktësi viti ose muaji. 28] Myslimanët e Medines, gjithashtu, ishin tërë ankth e mezi pritnin të shkonin në Kabë; ata digjeshin nga malli ta shihnin atë vend, kënaqësi që u ishte mohuar prej kaq e kaq vitesh. Dhe Profeti fisnik a.s. vendosi të kryejë pelegrinazhin e Umres bashkë me Shokët e tij, në muajin tjetër, Dhi-Kadah. Ai, gjithashtu, njoftoi edhe fiset përreth që ta shoqëronin. Kështu, në muajin Dhi-Kadah të vitit 6, H. (përkatësisht, rreth datës 13 mars, 628), bashkë me 1400 Shokë të tij, Profeti i ndritur a.s. u nis për pelegrinazh, në mënyrë paqësore, pa as më të voglin synim për konflikt e luftë. 29]

Kurejshët, ndjenjat armiqësore të të cilëve vazhdonin të ishin të forta, si më parë, u bënë gati të kundërshtonin myslimanët. Profeti i lartë a.s. ishte në dijeni të qëndrimeve të kurejshëve nëpërmjet Budailit, kryetar i fisit Khuza’ah, i cili ushqente ndjenja simpatie për Islamin. Profeti i nderuar a.s. u çoi fjalë kurejshëve, me anë të Budailit se myslimanët po shkonin atje vetëm si pelegrinë e jo për të luftuar. 30] Por kurejshët ishin të vendosur t’i ndalonin myslimanët të hynin në Mekë dhe u vendosën jashtë saj, duke e bllokuar çdo pikë kalimi për në qytet. Profeti i Islamit a.s. ndaloi te një vend, i quajtur Hudeibije, në pritje të përgjigjes së mesazhit të tij, të cilin e kishte dërguar me anë të Budailit. Disa prej kurejshëve, ata më të urtit, dëshironin ta pranonin propozimin paqësor të Profetit të madhërishëm alejhi salam. Ata e dinin se po të mos e lejonin atë të kryente vizitën në Kabë, punët do të përfundonin me luftë. Nga ana tjetër, një marrëveshje paqeje mund t’i lejonte kurejshët të rinisnin lidhjet e tyre tregtare me Sirinë, rruga drejt së cilës kishte mbetur e bllokuar nga myslimanët. Kështu, kurejshët dërguan te Profeti a.s. Urwa bin Masudin si zëdhënës të tyre për të përpiluar kushtet e paqes. Urwa erdhi te Profeti i mëshirës a.s., por nuk ia arriti të përfundonte një marrëveshje dhe vërejtjet e tij të papërshtatshme gjatë bisedimeve rreth pasuesve të Profetit Muhamed a.s. ishin kontradiktore. Megjithatë, ai pati rastin të shihte me sytë e tij dashurinë e pashembullt të Shokëve për Profetin e tyre dhe, kur u kthye, u tha kurejshëve: “Kam parë oborret mbretërore të Kesrasë, të Cezarit dhe të Negusit, por kurrë nuk kam qenë dëshmitar i një devocioni të tillë, si ai ndaj Muhamedit.” 31]

Profeti i madhërishëm a.s. nuk u dekurajua, prandaj dërgoi te kurejshët një tjetër përfaqësues, Kirash bin Umajah, por atë e keqtrajtuan dhe devenë me të cilën kishte udhëtuar, ia gjymtuan. 32] Qëndrimin e tyre armiqësor, kurejshët e shkallëzuan më tej, duke dërguar një grup të vogël njerëzish të armatosur, me qëllim që të vrasin ndonjë mysliman rreth kampit ku ishin vendosur. Megjithatë, këta njerëz u kapën nga myslimanët, por Profeti i mëshirës a.s. i fali 33] dhe pasuesve të vet ua ndaloi të derdhnin gjak në territorin përreth Mekës. Pastaj, ai dërgoi Hazreti Osmanin për të vazhduar bisedimet për paqe me kurejshët. Kur Osmani arriti në Mekë, ata e burgosën. Në kampin e myslimanëve u përhapën zëra për vrasjen e Osmanit. 34] Kjo i shtyri myslimanët të mendonin se kurejshët ishin të vendosur për luftë. Edhe Profeti Muhamed a.s. ishte i tronditur nga ky lajm, sepse të vrisje një nga paria fisnike e arabëve, në muajin e shenjtë, brenda territorit të shenjtë, kjo përbënte aktin më të urryer për arabët, edhe gjatë periudhës paraislame.

Profeti i Islamit a.s. u bëri thirrje Shokëve të tij të lidheshin me një betim të ri, sipas të cilit do të luftonin deri te njeriu i fundit për çështjen e shenjtë të besimit të tyre. Betimi u bë nën një pemë, që hyri në histori, si “BAI’AT-UR-RIDWAN35] (ose “BETIMI PËR KËNAQËSINË E ALLAHUT”). Lidhur me këtë ngjarje, në Kuranin e shenjtë thuhet:

 

“Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt e me një plaçkë të madhe që do ta fitojnë.”    (XLVIII: 18-19)

 

Pasi e mbaruan të gjithë Shokët betimin e tyre, një nga një, Profeti i madhërishëm a.s. përplasi dorën e tij të djathtë me të majtën (duke nënkuptuar Osmanin) dhe bëri betimin në emër të Osmanit, 36] sikur të ishte edhe ai aty. Më vonë, u zbulua se lajmi nuk ishte i vërtetë. Osmani u kthye nga kurejshët shëndosh e mirë.

Më në fund, edhe kurejshët filluan ta kuptonin se nuk do t’ia arrinin të mposhtnin këtë soj njerëzish kaq të devotshëm dhe kaq të mahnitshëm e të pashembullt në adhurimin e tyre. Në memorien e tyre, gjithashtu, mbetej e gjallë e kaluara e paharruar dhe jo shumë e largët, disfatat e turpshme. Kështu që dërguan një emisar të ri, Suhail bin Amr që të merreshin vesh me myslimanët. Pas disa bisedimesh, më në fund, u përpilua marrëveshja e armëpushimit, sipas së cilës, të dyja palët pranonin ruajtjen e paqes midis tyre për dhjetë vjet, me kushtet e mëposhtme: 37]

  • Myslimanët duhet të kthehen për këtë vit, pa e bërë pelegrinazhin (Umren).
  • Ata mund të vijnë vitin tjetër për pelegrinazh, por nuk do të qëndrojnë në Mekë më gjatë se tri ditë.
  • Ata do ta vizitojnë qytetin e shenjtë të paarmatosur. Atyre do t’u lejohet të mbajnë vetëm shpata të shkurtra, të cilat duhet të jenë në këllëfët e tyre.
  • Myslimanët nuk do të marrin me vete myslimanët që jetojnë në Mekë dhe nuk duhet të pengojnë ndonjërin nga mesi i tyre që dëshiron të qëndrojë në Mekë.
  • Në qoftë se ndonjë nga mekasit ikën në Medine, myslimanët duhet ta dorëzojnë atë, në Mekë por, në qoftë se ndonjë prej myslimanëve ikën në Mekë, mekasit nuk do ta kthejnë atë në Medine.
  • Fiset arabe janë të lira të bëjnë aleancë me cilëndo prej palëve që u pëlqen.

 

Në përgjithësi, myslimanët nuk mbetën të kënaqur me kushtet e marrëveshjes së armëpushimit, sepse e shikonin atë si shumë poshtëruese për ta. Qëndrimi kokëfortë i kurejshëve gjatë përpilimit të marrëveshjes, gjithashtu, myslimanët i zemëronte shumë, megjithatë, ata e ruajtën qetësinë për hir të Profetit të Islamit alejhi salam.

Marrëveshja ishte në të shkruar e sipër dhe firmat nuk ishin hedhur ende mbi të, kur Abu Xhandal, i cili e kishte pranuar Islamin, djali i Suhail bin Amrit, njeriut që kishte përfunduar kushtet e marrëveshjes me Profetin Muhamed a.s., erdhi për t’u bashkuar me myslimanët. 38] Ai u tregoi myslimanëve dhe Profetit të mëshirës a.s. plagët e torturave mbi trupin e tij. Profeti fisnik a.s. dhe myslimanët u prekën thellë, duke e parë atë në gjendje kaq të mjerueshme. Profeti i madhërishëm a.s. u përpoq të bënte për të ndonjë përjashtim nga marrëveshja, që të mund të shpëtohej nga tortura të mëtejshme, por Suhail bin Amri, jo vetëm që nuk e pranoi kërkesën e Profetit a.s., por e kapi me forcë Abu Xhandalin dhe e tërhoqi zvarrë, duke e rrahur. Abu Xhandali thirri për ndihmë 39] dhe myslimanëve iu bë zemra copë nga kjo situatë, megjithatë, Profeti i lartë a.s. qëndroi i paepur në zotimin e tij për të përmbushur kushtet e marrëveshjes. Ai i kërkoi Abu Xhandalit të tregohej i durueshëm. Ata e morën atë për ta çuar në Mekë, nën mbikëqyrjen e rojeve. Në të vërtetë, rasti me Abu Xhandalin ishte një sprovë. Ja, ku ishte një njeri përpara Profetit a.s., i cili kishte vuajtur kaq shumë tanimë, për çështjen e Islamit. Por, si ta mbronte atë, kur kjo do të thoshte të shkoje kundër asaj marrëveshje që sa po nënshkruhej.” Hazreti Ymeri nuk mundi të duronte deri në këtë pikë dhe ishte i mbushur deri në grykë. Ai iu drejtua Profetit të Islamit a.s.: “A nuk je ti, me të vërtetë, i Dërguari i Allahut? A nuk është e drejtë çështja e jonë?” 40] Profeti i madhërishëm a.s. iu përgjigj thjesht, në mënyrë pohuese dhe shtoi se çdo gjë ai po e bënte si e udhëzonte Allahu. Pas nënshkrimit të marrëveshjes sëarmëpushimit, Profeti i ndritur a.s. bëri kurbanet e kafshëve dhe e rrojti kokën. Edhe myslimanët e tjerë, bënë të njëjtën gjë. Pastaj, ata nisën udhëtimin e tyre për në shtëpi, në Medine. Për shumicën e tyre, përfshirë edhe Ymerin, e gjitha kjo perceptohej si një gjendje poshtërimi të thellë.

 

Marrëveshja e paqes, një fitore e madhe për myslimanët

 

Gjatë rrugës për në Medine, Allahu i shpalli Profetit Muhamed a.s. një kapitull të Kuranit të shenjtë, atë me titull “Al-Fath” (Fitorja). 41] Kapitulli fillon kështu:

 

“Ne të dhamë ty një fitore të qartë…”   (XLVIII: 1)

 

Pasi i erdhi kjo shpallje, Profeti i madhërishëm a.s. dërgoi e thirri Ymerin që përjetonte indinjatën më të madhe dhe i tha se ajo që konsideronte ai si tërheqje të turpshme, ishte një fitore e madhe në sytë e Allahut. Ymeri ishte tani i kënaqur plotësisht. 42] Në të vërtetë, paqja ishte një triumf i madh, në shumë drejtime. Ngjarjet që pasuan tregojnë qartë sesi kjo paqe ishte një fitore e vërtetë për myslimanët dhe për çështjen e madhe të Islamit. Në “Enciklopedia Britanike” shkruhet: “Marrëveshja e Hudeibijes i dha një frymëmarrje të gjerë të dyja palëve luftuese dhe nga kjo, Profeti siguroi të gjitha përfitimet. Marrëveshja e cila zgjati dy vjet, u solli mekasve një seri humbjesh dhe poshtërimesh të pandërprera. Në kundërshtim me atë që pritej, kushti që ata e hartuan në favor të tyre, sipas të cilit Muhamedi ishte i detyruar të kthente ata prej bijve të tyre që dezertonin, tani që ata bëheshin përherë e më të shumtë, filloi t’i dëmtonte ata, kështu që ata vetë ishin të detyruar t’i kërkonin Muhamedit që ta ndryshonin.” *

Para marrëveshjes, myslimanët dhe jobesimtarët e Mekës nuk kishin kontakte me njëri-tjetrin, kurse tani, pas marrëveshjes, mekasit filluan të vizitonin Medinen për arsye biznesi, si edhe për shkak të lidhjeve familjare me “muhaxhirët” (emigrantët). Ata e shihnin me sytë e tyre jetën shoqërore të myslimanëve dhe u bënte përshtypje të thellë ajo, me moralin e saj, me drejtësinë, sinqeritetin dhe sjelljen e hijshme. Myslimanët po ua fitonin zemrat njerëzve. Sipas historianëve, numri i atyre që përqafuan Islamin pas marrëveshjes së Hudeibijes e deri në Triumfin e Mekës është shumë më i madh se ai gjatë viteve të mëparshme. Në këtë periudhë ndodhi edhe hyrja në Islam e heronjve të ardhshëm të Islamit, Hazreti Khalid bin Walid dhe Amr bin al-As.

 

Periudha pas Marrëveshjes

 

Me kthimin e Profetit të ndritur a.s. në Medine, një tjetër mysliman mekas, Abu Bashir, kishte ikur që andej dhe erdhi në Medine e kërkoi mbrojtjen e Profetit të lartë a.s. Por Profeti i nderuar a.s. nuk kish si t’i pranonte lutjet e tij dhe, në respekt të marrëveshjes, ua dorëzoi atë dy përfaqësuesve të kurejshëve që kishin ardhur për këtë qëllim. 43] Megjithatë, sikurse edhe me rastin e Abu Xhandalit, ai e këshilloi të ishte i durueshëm dhe të shpresonte në ndihmën e Allahut. Gjatë kthimit për në Mekë, Abu Bashiri vrau njërin prej shoqëruesve të tij, kurse tjetri ia dha vrapit dhe u kthye në Medine për t’ia raportuar ngjarjen Profetit të Islamit alejhi salam. 44] Në të njëjtën kohë, në Medine arriti edhe Abu Bashiri, i cili i tha Profetit të madhërishëm a.s. se, përderisa ai e ktheu njëherë, tani ishte i lirë nga çdo detyrim ndaj marrëveshjes së paqes. Pas pak kohe, Abu Bashiri iku edhe nga Medina e u strehua te një vend i shkretë, bregut të detit. Edhe Abu Xhandali, gjithashtu, bëri si bëri dhe iku përsëri nga Meka dhe u bashkua me Abu Bashirin atje. Shembullin e tij e ndoqën edhe myslimanë të tjerë të Mekës dhe brenda pak ditësh, u bënë një grup të arratisurish mekas, të cilët, megjithëse jetonin në kushte jashtëzakonisht të vështira për mungesën e kushteve të jetesës, duke mos qenë të lidhur me asnjë detyrim nga asnjë marrëveshje, filluan t’u shkaktonin kokëçarje të madhe kurejshëve me goditjet e shpeshta të karvanëve të tyre që u binte rruga andej. Kjo i detyroi kurejshët që t’i drejtoheshin Profetit të mëshirës a.s. dhe t’i luteshin që të ndërhynte te këta të arratisur e t’i sillte në Medine, duke respektuar kështu marrëveshjen, si myslimanët e tjerë dhe karvanet e tyre të mund të kalonin të qetë e të sigurt. Pas kësaj, Profeti i lartë a.s. i thirri ata, në Medine.

 

DA’WAH NË DREJTIM TË UDHËHEQËSVE TË BOTËS

 

Gjatë kësaj kohe, kishin zbritur urdhëresat për Salat (lutja, namazi), Sawm (agjërimi) dhe Zakatin (dhënia e lëmoshës) e tjerë. Lojërat e kumarit e pijet alkoolike ishin ndaluar. Pas kthimit të tij nga Hudeibija, në muajin Dhil Hixhah, 46] Profeti Muhamed a.s. përgatiti ambasadorët që do t’u dërgonte udhëheqësve të botës që njiheshin prej tij dhe t’i ftonte ata në Islam. Një ditë, Muhamedi a.s. u kërkoi Shokëve të tij të mblidheshin në xhami dhe iu drejtua atyre me këto fjalë:

“O njerëz! Allahu më ka dërguar si mëshirë për njerëzimin dhe profet të gjithë botës. Prandaj, predikoni mesazhin e Islamit, në emrin tim; Allahu do të ketë mëshirë për ju. Dhe ju këshilloj që të mos përçaheni, si në rastin e Jezusit, të birit të Marisë.”  47]

Pastaj, ai zgjodhi disa nga Shokët e zgjuar dhe ua besoj atyre që ta përcillnin mesazhin e tij te disa prej mbretërve dhe krerëve të shteteve të ndryshme. Me këtë mision u caktuan këta Shokë:

 

Hazreti Dihjah Kalbi…………                për: – Heraklin e Perandorisë Bizantine (Perandorinë Romake të Lindjes)

Hazreti Abdullah bin Hudhafah……për: – Khosroes të Persisë (Perandor i Perandorisë Perse)

Hazreti Hatib bin Abi Baltah…………për: – Makukas, mbret i Egjiptit

Hazreti Amr bin Umajah…………….për: – Negus, mbret i Abisinisë

Haureti Salit bin Umar bin Abd Shams…për: – Kreun e Jemenit

Hazreti Shuxha bin Wahab al-Asadi……..për: – Harith Gasani, Guvernator i Sirisë

Hazreti Amr bin As Sahmi………………..për: – Sunduesin e Amanit

Hazreti Ala bin Hadrami……………………për: – Al-Mundhir bin Sawa, Sundimtar i Bahreinit

 

Profeti i Islamit a.s. bëri një unazë argjendi, gdhëndi në të fjalët: “Muhamed Rasulullah” (Muhamedi i Dërguari i Allahut) dhe i vulosi letrat me të. Shumica e letrave kishin të njëjtat fjalë. Përkthimin e njërës prej tyre, atë të dërguar Heraklit, po e japim më poshtë: 49]

“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Nga Muhamed bin Abdullah për Heraklin, Sunduesin e Romës (d.m.th., të Perandorisë Romake të Lindjes). Paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin. Pas kësaj, të ftoj të dëgjosh thirrjen e Islamit. Po të bindesh, do të jesh i sigurt dhe Allahu do t’ju japë shpërblim të dyfishtë. Por, në qoftë se ia kthen shpinën, mëkati i nënshtetasve tuaj, do të bjerë mbi ty:

‘Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët (Kalimah) mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!”    (III: 64)’ 50]

Herakli ndodhej në Jeruzalem, duke festuar për fitoren mbi persët, për Tokën e shenjtë. Ai nisi njerëz për të kërkuar ndokënd prej arabëve që kishin ardhur për tregti, në Siri. Qëlloi që, në atë kohë, mes tyre të ishte edhe Abu Sufjani. Atë e morën dhe e sollën te Perandori dhe, pas pyetjes që iu bë, ai vërtetoi për mësimet e Islamit, megjithëse në atë kohë, ai ishte ende, jobesimtar. Perandorit i bënë përshtypje të madhe ato që dëgjoi dhe vërejti se Islami ishte mesazhi i së vërtetës.

Perandori i Perandorisë Perse, Kusro Parwez (Kosroe), u shtang nga habia me këtë kurajë të treguar nga Profeti fisnik a.s., që t’i drejtohej atij si një i barabartë, pa shih – “Nga Muhamed bin Abdullah për Kosroen, Kryetarin e Persisë.” Ai u tërbua nga zemërimi dhe e grisi letrën, duke e bërë copë-copë. 51] Kur dëgjoi për këtë, Profeti i Islamit a.s., tha: “Allahu ia copëtoftë perandorinë e tij, copë-copë!” 52] Kosroe shkoi aq larg sa të urdhëronte guvernatorin e Jemenit që ta arrestonte Profetin e ndritur alejhi salam. Kur njerëzit e tij arritën në Medine, Profeti i lartë a.s. u tha atyre: “Të jeni të sigurt se Islami do të triumfojë edhe në Perandorinë Perse.” Por ai i çuditi edhe më shumë ata, kur shtoi: “Bile, Zoti im e vrau Kosroen, mbrëmë.” 53] Dhe, kjo profeci doli e vërtetë; i biri i vet e kishte kryer vrasjen e tij, pikërisht atë natë. Pas kësaj ngjarjeje, në Perandorinë Perse shpërtheu një kaos i plotë dhe ajo u shpërbë, krejtësisht. Guvernatori i Jemenit e hoqi qafe zgjedhën e Perandorisë Perse dhe e përqafoi Islamin.

Negusi, mbreti i Abisinisë (Etiopia e sotme) e përqafoi Islamin, gjithashtu. Përsa i takon mbretit të Egjiptit, Makukasi, ai nuk arriti deri këtu; megjithatë, ai mbajti një qëndrim të matur dhe dashamirës dhe i dërgoi dhurata Profetit të nderuar alejhi salam. Mes këtyre dhuratave ishin edhe një pelë race dhe dy vajza të reja, prej shtrese të lartë, në Egjipt. Njerën prej këtyre të rejave, Profeti i madhërishëm a.s. e mbajti në haremin e vet, kurse tjetrën, me emrin Sirin, ia dha poetit Hasan. Pela u quajt Duldul dhe Profeti Muhamed a.s. e ka pasur me vete atë, gjatë Betejës së Hunainit.

Howdha bin Ali, sundimtari i Jemenit iu përgjigj: “Mësimet tuaja janë shumë të mira dhe, në qoftë se unë do të kem pjesë në mbretërinë tënde, jam gati t’ju ndjek.” Profeti fisnik a.s. i ktheu përgjigje negative. Harith Gasani, guvernatori i Sirisë u zemërua shumë kur e lexoi letrën. Ai i dha urdhër ushtrisë së tij që të sulmonin Muhamedin a.s. dhe myslimanët, për një kohë të gjatë ndenjën në pritje të sulmit të tij; megjithatë, ushtritë e tij nuk u panë kurrë në këto anë.

Nr.6.- Foto e letrës origjinale të Profetit Muhamed a.s.  për Heraklin (faqe më vete)                                                                         

 

Shkëputur nga libri “MUHAMEDI (a.s.) I DËRGUARI I FUNDIT”

Mexhid Ali Kan, Botim i KMSH-së

 

  1. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.78-94.
  2. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.78.
  3. Idem.
  4. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.78.
  5. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.279; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.197; Ibn Hazm, “Al-Sirat al-Nabawijah” (MS., Azad Library, A.M.U. Aligarh), f.139; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.595; Ibn al-Athir, “Al-Kamil fil- Tarik”, Vëll. II, f.188.
  6. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.79.
  7. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.80; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.148.
  8. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.281; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.198.

Shënim: Sipas një tradite të cituar nga Tabari dhe Ibn Athir, ajo ndodhi pas armëpushimit të Hudeibijes: Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.596; Ibn al-Athir, “Al-Kamil fil-Tarik”, Vëll. II, f.189.

  1. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.299; Ibn Hazm, “Al-Sirat al-Nabawijah” (MS., Azad Library, A.M.U., Aligarh), f.140; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.781.

10 .Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.80.

11 .Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.74; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.640; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.153.

  1. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.85; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.854.
  2. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.86; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.641.
  3. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.86; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.641.
  4. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.87; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.641.
  5. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.87; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.155; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.641.
  6. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.88; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.158; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.642.
  7. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.88; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.159.
  8. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.89; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.642.
  9. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.89; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.160; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.642.
  10. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.90; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.642.
  11. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.90; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.642-643.
  12. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.92.
  13. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.93.
  14. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.93; Muhamed Zurkani, “Sharah al-Mawahib al-Ladunnijah”, Vëll. II, f.171; Ibn Xharir al-Tabari,” Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.664.
  15. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.93.

Shënim: Sipas Tabariut, ajo ndodhi në vitin 4, v. H.: Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.542.

  1. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.308; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.95; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.620; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.204.
  2. Shih komentin e vargut 27 të Sures “al-Fath” (Kapitulli XLVIII, i Kuranit), nga Ibn Kathir.
  3. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.308; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.95; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.620; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”. F.204.
  4. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.311; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.96; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.622-625.
  5. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.628; “Sahih al-Bukhari” (Kitab al-Shurut); “Siratun Nabi”, nga Allamah Shibli Numani, Vëll. II, f.452.
  6. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.314.
  7. Idem.
  8. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.315; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.632; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.206.
  9. Idem.
  10. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.316; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.97; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.206.
  11. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.97; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.636; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.455. Gjithashtu, shih: “Sahih Muslim”, (Kitab al-Xhihad was-sijar, Kapitulli për Sulh al-Hudaibiyyah); si edhe, “Sahih al-Bukhari” (Kitab al-Shurut, Kapitulli për al-Shurut fil-Xhihad).
  12. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.318; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.206; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.635; Ibn Kajim, “Zad al-Ma’ad”, Vëll. I, f.383; “Sahih al-Bukhari”, (Kitab al-Shurut, Kapitulli mbi “al-Shurut fil-Xhihad”).
  13. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.635; Ibn Kajim, “Zad al-Ma’ad”, Vëll. I, f.383.
  14. Sahih al-Bukhari”, (Kitab al-Shurut); “Siratun Nabi”, nga Shibli Numani, Vëll. I, f.457.
  15. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.320; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.98.
  16. Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.458; “Sahih Muslim”, ‘Kitab al-Xhihad was-Sijar’, Kapitulli mbi “Sulh al-Hudeibija”.

*Sikurse citohet nga H.G.Sarwar, në “Muhammad the Holy Prophet” – Muhamedi Profeti i shenjtë, f.267-268.

  1. Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.458.
  2. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.323-324.
  3. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.324; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.639; Ibn Abd al-Barr, “Al-Durar”, f.208; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.788.
  4. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.644; Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.606; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. I, f.258.

Shënim: Sipas një tradite, të cituar nga Ibn al-Athir, ata u dërguan në vitin 8, H.: “Al-Kamil fil-Tarik”, Vëll. II, f.210. Sipas Ibn Khaldun, ata janë dërguar diku, midis kohës së marrëveshjes së Hudeibijes dhe asaj kur vdiq Profeti i madhërishëm: “Tarik”, Vëll. II, f.778. por më i pranueshmi është mendimi, sipas të cilit, letrat janë dërguar në muajin Dhil-Hixhah të vitit 6 të Hixhrit.

  1. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, Vëll. II, f.608; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.645.
  2. Ibn Hisham, “Al-Sirat al-Nabawijah”, vëll. II, f.607; Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.258-263; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.645; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.778.
  3. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.649; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.789; “Fathul-Bari” (Vëll. I, f.31) dhe “Sahih al-Bukhari”, sikurse citohet nga Shibli Nu’mani, në “Siratun Nabi”, V[ll. I, f.466.
  4. Sahih al-Bukhari” (Kapitulli mbi Kaifa Kana Bad al-Wahji’).
  5. Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, vëll. II, f.655; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.792; Muhamed Jusuf Kandhlawi,, “Hajatus Sahabah”, Vëll. I, f.113; Shibli Numani, “Siratun Nabi”, Vëll. I, f.470.
  6. Sahih al-Bukhari”, (Kapitulli “Kitab al-Nabi, Salallahu Alaihi wa Sallam, ila Kaisar wa Kisra”).
  7. Ibn Sad, “Al-Tabakat al-Kubra”, Vëll. II, f.260; Ibn Xharir al-Tabari, “Tarik al-Rusul wal-Muluk”, Vëll. II, f.656; Ibn Khaldun, “Tarik”, Vëll. II, f.783.