Njëra prej të mirave të panumërta që na ka favorizuar Allahu Dhurues e Bamirës, është edhe Ramazani, muaj i shenjtë për myslimanët. Muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i kalendarit islam (muaji hënor). Ky është muaji kur ndahen e drejta nga e shtrembera, e mira nga e keqja, rruga e drejtë me devijimin. Për nga vlera dhe rëndësia muaji i Ramazanit është i pazëvendësueshëm. Në këtë muaj Zoti (xh.sh.) zgjodhi Muhamedin (a.s.) si Profet dhe të dërguar për mbarë njerëzimin, që nga koha e tij e deri në fund të kësaj jete. Me ndihmën e Allahut myslimanët triumfuan në betejën e Bedrit, Allahu bëri të mundur çlirimin e Mekës. Në këtë muaj është nata e Kadrit, që ka vlerën e më shumë se njëmijë muajve. Dhe mbi të gjitha, përveç broshurave dhe librave të tjerë hyjnorë, ashtu siç thuhet edhe në suren Bekare ajeti 185, në këtë muaj zbriti Kur’ani fisnik, i cili do t’i ngjallte dhe ndriçonte zemrat pas një errësimi të thellë dhe do t’i udhëzonte ata në rrugën e drejtë duke i dhënë jetës kështu kuptimin e saj të vërtetë.

Fakti që muaji i Ramazanit, i cili llogaritet sipas kalendarit hënor, rastis në të gjithë muajt e vitit kalendarik që kemi në përdorim, përmban një urtësi krejt të veçantë. Kështu, agjërimi mbahet në ditë të nxehta, të ftohta, të freskëta, në ditë të gjata, të shkurtra e mesatare dhe i begaton të gjitha ditët e vitit me intervale të caktuara.

Në muajin e Ramazanit njeriu furnizohet për të gjitha ditët e vitit, për këtë arsye Profeti (a.s.) para se të fillonte muaji i Ramazanit i tubonte shokët dhe u fliste për vlerat e këtij muaji. Ky është një muaj i bekuar ku jetohen me emocion katër kushte të Islamit. Në këtë muaj adhurimet shtohen (namazi, dhikri, sadakaja, Kur’ani, meditimi etj.) dhe këndimi, leximi e studimi i Kur’anit duhet të dominojë më shumë se kurrë. Myslimanët e parë e shtonin këndimin e Kur’anit në Ramazan. Po të jetë se drita e Kur’anit dhe qytetërimi që sjell ai, të depërtonte në shpirtin e kësaj bote të ngulfatur nga problemet e shumta e të shumëllojshme, me siguri fati dhe ardhmëria e njerëzimit do të ndryshonte tërësisht, sepse parimet që sjell Islami janë në gjendje të caktojnë diagnozën e sëmundjeve dhe të krizave të sotme të botës dhe të gjejnë mjekimin e duhur. Profeti Muhamed (s.a.s.) në lidhje me agjërimin dhe Kur’anin thotë: “Edhe agjërimi, edhe Kur’ani, ditën e Kiametit do të ndërmjetësojnë për besimtarin. Agjërimi do të thotë: Zoti im! Unë agjëruesin e pengova ditën nga të ngrënët, të pirët dhe nevojat e tjera të natyrshme; pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij! Edhe Kur’ani kështu do të thotë: Zoti im! Unë kënduesin e pengova natën nga gjumi dhe pushimi; jepmë leje të ndërhyj për faljen e tij! Pas pranimit të këtyre lutjeve të agjërimit dhe Kur’anit, do të pranohet edhe ndërhyrja e tyre në favor të besimtarit” (Ahmed b. Hanbel, el-Musned).

Profeti (a.s.) në një hadith thotë: “Sikur ta dinin njerëzit se ç’është Ramazani, do të dëshironin që i gjithë viti të ishte Ramazan.” Për të përfituar nga kjo mirësi e Allahut, në fillim duhet të dimë vlerat e Ramazanit dhe t’i programojmë punët tona sipas saj. Në lidhje me vlerat e këtij muaji, janë përcjellë një numër i madh hadithesh. Por në një thënie të tij të gjatë Hz. Muhamedi (s.a.s.) na i përmbledh shumë bukur vlerat e tij.

Transmetohet nga Selmani (r.a.) se:  Profeti (a.s.) në ditën e fundit të muajit Shaban u shpreh si më poshtë: “O njerëz! Një muaj i madh dhe i bekuar ju ka marrë nën hijen e tij. Ai është një muaj i tillë, brenda të cilit ndodhet një natë më e dobishme se njëmijë muaj. Një muaj ku Allahu ka bërë obligim agjërimin dhe sunet adhurimin natën (teravitë). Ai që bën një të mirë gjatë këtij muaji është sikur të ketë kryer një farz (detyrim) në muajt e tjerë. Dhe ai që zbaton një farz këtë muaj, është sikur të kishte kryer shtatëdhjetë farze gjatë muajve të tjerë. Ramazani është muaji i durimit, kurse shpërblimi i durimit është xheneti. Ramazani është muaji i barazisë në vuajtjet, dhimbjet dhe hidhërimet e të tjerëve. Ky është muaji i shtimit të rrizkut për besimtarin. Gjesti i dikujt që i servir iftar një të agjëruari mund të bëhet pretekst për faljen e mëkateve të tij dhe për shpëtimin nga xhehenemi. Në të njëjtën kohë, ky është edhe një pretekst për fitimin e shpërblimit të një agjërimi, pa iu pakësuar shpërblimi aspak ngrënësit të iftarit.” Atëhere shokët e tij i thanë: O i dërguari i Allahut! Të gjithë ne nuk mund të gjejmë mundësi për t’i dhënë iftar një të agjëruari! Në fjalë e sipër Profeti (a.s.) tha: “Këtë të mirë Allahu ia jep dhënësit të iftarit edhe me një hurmë, me ujë të pijshëm apo me një gllënkë qumësht. Ky është një muaj i tillë që, fillimi është mëshirë, mesi është falje dhe fundi është shpëtim prej zjarrit të xhehenemit. Kush ia lehtëson punën njerëzve që ka nën urdhërin e tij në këtë muaj, edhe Allahu i fal mëkatet e tij dhe e largon atë nga dënimi i xhehenemit. Në këtë muaj zbatoni së tepërmi katër gjëra të rëndësishme. Dy prej tyre janë për të fituar kënaqësinë e Allahut, ndërsa dy të tjerat janë gjëra që asnjëherë nuk mund të qëndroni larg tyre. Gjërat që shërbejnë për fitimin e kënaqësisë së Allahut janë thënia e shpeshtë e kelime-i teuhidit dhe e kërkimit falje, kurse dy gjërat që s’mund të qëndroni larg tyre janë kërkimi i vazhdueshëm i xhenetit nga Allahu dhe kërkimi i mbrojtjes së Tij nga zjarri i xhehenemit. Kush e ngop të agjëruarin në iftar me ujë edhe Allahu (xh.sh.) do ta ngopi atë duke e lënë të pijë nga burimi im; madje ai nuk do të ndiejë etje gjersa të hyjë në xhenet” (Tirmidhi, Ibn Huzejme, Bejhaki).

Ndikimi i Ramazanit ndihet edhe në jetën shoqërore, kur familja lidhet me bashkimin e anëtarëve të saj, në syfyr dhe iftar. Shoqëria forcohet duke vizituar njëri-tjetrin dhe duke bërë ftesa për iftare. Ndërkohë të varfërit e ndiejnë veten më mirë se kurrë dhe më qetë shpirtërisht e ekonomisht si asnjëherë tjetër.

Nuk duhet të lëmë pa përmendur këtu edhe vlerën e ngritjes në syfyr. Shumë veta nuk përfitojnë nga kjo, për shkak të dembelizmit dhe përtacisë. I dërguari i Allahut (a.s.) e ka inkurajuar me shumë thënie ngritjen në syfyr si: “Plotësoni syfyrin qoftë edhe me një hurmë ose me një gllënkë ujë, nëse nuk keni të hani”. “Ngrihuni gjithnjë në syfyr, në ushqimin e syfyrit ka begati” (Buhari-Muslim). Në një hadith të përcjellë nga Ibn Omeri (r.a), Hz. Muhamedi (a.s.) thotë: “Pa dyshim se Allahu dhe engjujt e Tij, zbresin mëshirën mbi ato që ngrihen në syfyr” (Taberani, Ibn Hibani, Tergib).

Kur njeriu largohet nga ushqimi gjatë gjithë ditës, nga lindja në perëndim të diellit, derisa uria ta ketë lodhur dhe etja ta ketë ngacmuar, me mbërritjen e kohës së iftarit ai arrin të ndiejë rëndësinë dhe vlerën e mirësisë së Allahut ndaj tij. Këtu njeriu ndjen një gëzim të natyrshëm kur sheh se, ajo që ishte e ndaluar për të gjatë gjithë ditës, u bë e lejuar siç thotë edhe Profeti ynë i nderuar: “Agjëruesi ka dy gëzime; kur çel iftarin, gëzohet për të dhe kur të takohet me Zotin e tij, do të gëzohet me agjërimin” (Buhari-Muslim). Është mirë dhe e preferueshme që ngrënia e iftarit të mos vonohet, por të çelet shpejt porsa të perëndojë dielli. Këtë e përforcon edhe hadithi i Profetit i cili thotë: “Ymeti im është me të mira, në qoftë se nuk vonon ngrënia e iftarit” (Tirmidhi).

Me të vërtetë që ky muaj është një pastrim për njeriun nga ndotësitë e mëkateve që ka bërë gjatë gjithë vitit, pasi agjërimi në Ramazan është si një dush shpirtëror, në të cilën njeriu hyn një herë në vit, për të larë njollat e mëkateve të tij, e për të dalë prej tij  më pas krejtësisht i pastër! Pikërisht këtë nënkupton edhe hadithi i Pejgamberit (a.s.): “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe bindje, i falen  të gjitha mëkatet e tij” (Buhari-Muslim).

Shkëputur nga libri “Ditët dhe Netët e mira në Islam”

Këshilli Botues, KMSH

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu